LAJM I FUNDIT/Flet Thaçi për korrigjimin e kufijve, përplasja me Berishën: Interpretim...

LAJM I FUNDIT/Flet Thaçi për korrigjimin e kufijve, përplasja me Berishën: Interpretim i mediave

151
0
Shares

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për korrigjimin e kufijve, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi thotë se  korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.

Në një intervistë për Kosovapress, Thaçi insiston se Kosova duhet të adresojë kërkesën e Luginës së Preshevës në dialogun me Serbinë.

Thotë se në dy dekadat e fundit asnjëherë nuk ka dal kundër interesave të qytetarëve të Kosovës dhe SHBA-së.

Presidenti Thaçi pranon se ka dallime ndërmjet liderëve të Shqipërisë dhe Kosovës sa i takon dialogut, por thotë se statusi i fundit në facebook nuk i është drejtuar ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Në javët e fundit keni përdorur termin “korrigjim i kufijve”. Kjo nga përfaqësues institucionalë dhe politikë është përkthyer si shkëmbim i territoreve, meqë Serbia tradicionalisht kërkon territor nga Kosova. A mund të na tregoni saktë çfarë mendoni me korrigjim të kufijve?

Thaçi: Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Gjatë gjithë këtyre vjetëve që kur jemi në dialog, institucionet e Kosovës janë kritikuar pse çështja e Luginës së Preshevës nuk po diskutohet në dialogun me Serbinë. Tash të njëjtit njerëz kërkojnë që t’i mbyllim sytë përballë kërkesës legjitime të tyre për t’ju bashkangjitur Kosovës. Prandaj, kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë.

Për të qenë më i qartë. Ju mendoni se Kosova nuk e jep veriun në shkëmbim të Preshevës?

Thaçi: Kosova nuk ka hyrë në këtë dialog për të humbur, as për të dhënë. Kosova ka hyrë në këtë dialog për të arritur marrëveshje paqësore në përputhje me interesat shtetërore. Kosova përballë Serbisë gjithmonë ka dalë fituese, sepse kemi qenë të bashkuar në të drejtën tonë për liri, pavarësi dhe kemi pasuar në vazhdimësi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, i gjithë spektri politik, shoqëria civile, duhet të jemi të bashkuar për t’ia sjellë Kosovës fitoren e radhës, atë të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.

Kundër korrigjimit të kufijve kanë dalë partnerët qeverisës dhe krejt opozita. Madje edhe miq të Kosovës. A dini diçka që të tjerët nuk dinë? A e keni mbështetjen amerikane për idenë e korrigjimit të kufijve?


Thaçi: Këtu ka një keqkuptim të madh të cilin duhet sqaruar. Unë kam propozuar korrigjimin e kufijve si opsion të mundshëm për arritjen e marrëveshjes paqësore përfundimtare. Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve janë opsione të papranueshme edhe për mua. Në dy dekadat e fundit, në të gjitha proceset politike Kosova ka dal fitimtare pikërisht se ka besuar në SHBA-në, edhe atëherë kur disa kanë pasur dyshime apo kanë qenë skeptik. Gjithmonë kemi qenë bashkë me Amerikën. Edhe në fazën e fundit të dialogut jemi bashkë. Ne nuk do të befasojmë partnerin tonë strategjik, i cili është meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. SHBA dhe BE janë fuqishëm në mbështetje të arritjes së marrëveshjes dhe janë të koordinuara në mes vete.

Ndërkohë, për qëndrimin tuaj jeni kritikuar ashpër nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Menjëherë iu keni përgjigjur me kundërakuza të rënda. Pse reaguat ndaj tij?

Thaçi: Ky është vetëm interpretim i mediave dhe asgjë më shumë. Së pari, mendoj që z. Berisha ka dhënë mendimin e vet për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi. Unë konsideroj që ne kemi një mundësi të vogël që të provojmë bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Fundja, kjo është ajo çfarë shqiptarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës janë duke kërkuar nga institucionet e Kosovës. Unë jam i prirë të dëgjoj më shumë këta të fundit, se sa këdo tjetër. Por, me vjen keq që disa media janë bërë mjeshtër të shtrembërimit të së vërtetës. Lehtë është të parashikohen tituj të tillë bombastikë edhe pas kësaj interviste. Por, interesi shtetëror dhe nacional nuk vendoset nga lajmet e rrejshme, por vetëm me vendime institucionale dhe të përgjegjshme. Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë. Mirëpo sigurisht se kemi dallime kur është në pyetje dialogu me Serbinë. Pavarësisht kësaj, unë besoj në drejtësinë historike që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY