Lajmi për emigrantët: Si mund të siguroheni për të marrë pension

Lajmi për emigrantët: Si mund të siguroheni për të marrë pension

191
0
Shares

Fadil Kepi një nga ekspertët më të mirë në vendin tonë për çështjen e pensioneve i nxitur nga disa pyetje që i kanë mbërritur nëpërmjet letrave në Report TV, por edhe nga pyetje që iu bënë live ka sqaruar me imtësi çështjen e sigurimit vullnetar për emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Eksperti ka sqaruar me hollësi se çfarë duhet për t’u vetësiguruar, kushtet dhe sidomos pagesat. Këtu profesor Kepi është ndalur tek mënyra e pagesave për të sqaruar se si u leverdis më mirë emigrantëve për të bërë pagesat.

Armando Sadikaj nga Tepelena, me banim në Çikago të Amerikës dhe zoti Kujtim nga Preza e Tiranës na shkruajnë dhe janë të interesuar të dinë për sa u përket sigurimeve vullnetare. Cilat janë kushtet që duhen plotësuar dhe a mund të sigurohen emigrantët. Gjithashtu ata pyesin se cilat janë përfitimet e tyre.
Legjislacioni shqiptar i merr në mbrojtje të gjithë shtetasit, kudo që ndodhen, brenda ose jashtë vendit. Dhe për këtë u vjen në ndihmë nëpërmjet sigurimeve vullnetare, pavarësisht se janë jashtë vendit, kanë punuar disa vite në Shqipëri, por punojnë edhe atje të siguruar. Atëherë ne do t’i sqarojmë se sa vite pune të siguruara duhen për të marrë pension në Shqipëri dhe se si duhet të veprojnë ata, që nëse nuk i plotësojnë kushtet për pension në Shqipëri, të sigurohen vullnetarisht këtu që të marrin pension, pavarësisht se atje ku jetojnë mund të punojnë të siguruar. Dhe kështu u krijohet mundësia për të marrë dy pensione: pension në Shqipëri kur i kanë kushtet e favorshme, edhe pension jashtë vendit. Cilat janë këto kushte? Ne javën e kaluar e shpjeguam për ata që janë fermerë, për ata që kanë marrë tokë sipas ligjit, për ata që kanë blerë tokë ose që kanë marrë tokë në përdorim.

Sot do të flasim për sigurimet vullnetare që nuk kanë lidhje me tokën. Pra shtetasit shqiptarë, të cilët kanë plotësuar moshën 18 vjeç, pavarësisht nga gjinia, pavarësisht se ku banojnë, në qoftë se kanë nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi, kanë të drejtë të bëjnë edhe këtu në Shqipëri, sigurime vullnetare. P.sh. Armando që është nga Tepelena dhe ka shkuar në Amerikë, na shkruan: “Pasi mbarova dy vjet ushtrinë, në vitin 1993 unë shkova jashtë. Pra nuk punova në Shqipëri. Atje punoj i siguruar. Me këta dy vjet që unë kam qenë ushtar a quhen vite pune dhe a marr pension?”. Ai ka ikur 20 vjeç nga Shqipëria dhe ka 25 vjet, pra tani është 45 vjeç. Ai do të dalë në pension 65 vjeç. Dy vitet e ushtrisë i quhen vjetërsi pune. Por në qoftë se mosha e pensionit do ta zërë vetëm me ato dy vite të ushtrisë, nuk merr pension në Shqipëri. Po si i leverdis? Duhet të ketë të paktën 15 vite pune të siguruara. Dy i ka dhe i mbeten edhe 13 vite. Atëherë, duhet të vijë këtu dhe të bëjë sigurime vullnetare. Ose edhe një pjesëtar i familjes së tij, mund t’i bëjë sigurimet vullnetare këtu.

Si janë sigurimet vullnetare? Për një vit, nëse ai dëshiron të paguajë, shuma është 62.000 lekë të reja për një vit. Po ta pjesëtojmë këtë shumë për 12 muaj, është 5.200 lekë të reja në muaj. Pensioni i plotë minimal në vendin tonë është rreth 15.500 lekë të reja në muaj, pra është trefishi i asaj që paguajmë. Po të kemi parasysh që edhe mosha e gëzimit të pensionit ka ardhur duke u rritur, është me leverdi të sigurohemi.

Nga ana tjetër, marrim si shembull emigrantët që janë në Itali. Në Itali, për të marrë pension minimal duhen 20 vjet punë. P.sh. të gjithë shqiptarët që sivjet plotësojnë moshën 66 vjeç e 7 muaj dhe kanë 19 vjet punë, nuk përfitojnë fare pension në Itali. Duhet të kenë 20 vjet punë. Kurse ne nuk e kemi moshën e daljes në pension 66 vjeç e 7 muaj, se ata e kanë njësoj si për burrat ashtu edhe për gratë. Ndërsa ne e kemi 60 vjeç e 8 muaj për gratë, pra 6 vjet më pak. Gjithashtu te ne duhen 15 vjet punë për të përfituar pension, pra 5 vjet më pak. Atëherë mund të bëhen këto sigurime vullnetare.

Duke ardhur në vendin tonë, ata mund të shkojnë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore dhe mund të sigurohen për vitet e kaluara, shumë e cila është 62.000 lekë të reja për një vit. Mirëpo, në qoftë se një person, p.sh. Armando apo fëmijët e mësuesit të njohur në Prezë, zotit Kujtim, janë në moshë të re, atëherë u leverdis që të paguajnë sigurimet për vitin 2019 në vitin 2018. Duke vepruar në këtë mënyrë, shumës 62.000 lekë të reja i ulen 6%, ose 3.800 lekë të reja në vit. Nëse në vitin 2019 paguan sigurime për vitin 2020, zbriten përsëri 3.800 lekë të reja. Pra, kur paguan një vit paradhënie.

Armando ka mundësi të paguajë se është 45 vjeç dhe del në pension 65 vjeç. I duhen 15 vjet për të marrë pension kështu që i leverdis më mirë që të fillojë të paguajë sigurimet vullnetare paradhënie, pra të paguajë në vitin 2018 për vitin 2019, në vitin 2019 për vitin 2020 e me radhë, dhe duke vepruar kështu ai kursen rreth 1.000.000 lekë të vjetra. Ndërsa po t’i paguajë për vitet e kaluara, 2017, 2016 nuk e përfiton këtë ulje prej 6%. Por nëse flitet për një qytertar, i cili ka 14 vjet punë dhe moshën për pension e plotëson vitin e ardhshëm, i intereson të paguajë sigurime vullnetare të paktën për një vit, që t’i bëhen 15 vite pune. Sepse nëse plotëson moshën e pensionit dhe e zë me më pak se 15 vite pune, nuk përfiton më pension.

Na shkruan zoti Sadik Xholi nga Greqia dhe pyet: “Kam 17 vjet që kam punuar në industri dhe 20 vjet kam këtu në Greqi. A mundet që këto vite të mblidhen së bashku dhe a përfitoj pension?”.
Nga 17 vjet punë që zoti Sadik ka punuar në Shqipëri, nuk i humbet asnjë ditë. Kur të plotësojë moshën 65 vjeç, sepse deri në vitin 2032 mosha e daljes në pension për burrat është 65 vjeç, ai do të marrë pension për ato 17 vite pune. Kemi thënë që minimumi i domosdoshëm për përfitimin e pensionit është 15 vite pune të siguruara. Ndërsa për sa i përket viteve që ka punuar në Greqi, duhet të dimë se në Greqi zoti Sadik do të marrë pension sipas legjislacionit grek, për arsye se ende shteti shqiptar, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme që po bën me të dy shtetet fqinje, edhe me Greqinë edhe me Italinë, nuk ka arritur që të ketë marrëveshje për t’u njohur vitet e punës në Greqi me vitet e punës në Shqipëri.

Presidenti i Shqipërisë, zoti Ilir Meta, kur ishte për një vizitë zyrtare në Itali para disa muajve, e trajtoi këtë problem me Presidentin e Italisë dhe ranë dakord që të dyja qeveritë të punojnë për të ndërtuar një marrëveshje të përbashkët, siç e kemi me Gjermaninë. Po kështu, pritet që së shpejti në vendin tonë të vijë Kryeministri i Greqisë, zoti Tsipras, dhe unë besoj se Kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama do ta trajtojë këtë problem. Pse? Sepse në Itali ka 525.000 shqiptarë, sipas regjistrimit që ka bërë shteti italian. Në Greqi ka më shumë, ka rreth 800.000 shqiptarë. Por ka në Shqipëri rreth 19.000 grekë që punojnë. Pra, duhet gjetur një zgjidhje, me futjen e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Shpresoj që edhe në drejtim të ligjit për Sigurimet Shoqërore do të ketë një ligj të përbashkët për të gjitha shtetet.

Flas nga Tirana. Kam punuar rreth 22 vjet si punonjës i Policisë së Burgjeve dhe kam dy javë që jam liruar nga detyra. Kam moshën 43 vjeç. Desha të di se çfarë përfitoj nga këto vite pune që kam.
Ju do të merrni dy vjet pagesë kalimtare, dy muajt e parë do të merrni pagë të plotë dhe më pas gjysmën e pagës. Pas këtyre dy viteve ju do të përfitoni pension të parakohshën për vjetërsi shërbimi. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi llogaritet në këtë mënyrë: 22 vjet që ke punuar në polici shumëzohen me 1,5% të pagës dhe kështu do të përfitoni 33% të pagës, deri në moshën 65 vjeç kur do të dilni në pension. Por ju jeni i ri. Këto ju quhen vite pune, edhe 2 vitet që do të merrni pagesë kalimtare, edhe 16 vitet e tjera që do të marrësh pensionin e parakohshëm.

Të gjitha këto vite ju quhen vjetërsi pune. Tani, shuma e pensionit të parakohshëm është pak, por ligji thotë që keni të drejtë të punësoheni në sektorin privat, keni të drejtë të punësoheni në sektorin shtetëror, por jo në Policinë e Burgjeve. Nëse ju do të punësoheni në Policinë e Burgjeve, në Policinë e Shtetit apo në Policinë e Zjarrëfikëseve, të cilat i trajtojnë punonjësit e liruar me pensionin suplementar, juve do t’ju ndërpritet pensioni i parakohshëm. Në rast se do të punësoheni në një sektor privat ose në një institucion tjetër shtetëror, të cilët mund të kenë nevojë për punonjës me eksperiencë si juve, atëherë ju do të merrni pensionin  e parakohshëm, do të merrni gjithashtu edhe pagën në qendrën e punës ku do të punoni.

Por në qendrën e punës do të paguani kontributet e sigurimeve shoqërore, ndërsa për pensionin e parakohshëm nuk paguani kontribute për sigurimet shoqërore sepse i paguan buxheti i shtetit për të gjithë ushtarakët që e përfitojnë këtë pension. Vitet kalojnë shpejt dhe në moshën 65 vjeç ju do të merrni dy pensione: do të merrni pensionin e pleqërisë sipas viteve të punës, gjithashtu do të merrni edhe pensionin suplementar, i cili është 22% e pagës referuese, sepse ju keni punuar 22 vite në polici. Të gjithë punonjësit e policive, të cilët përfitojnë pension suplementar, marrin një pension më të lartë se sa ata që kanë punuar si civilë. Për sqarime më të hollësishme, nëse do t’ju duhen, mund të shkoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Tirana. Jam 70 vjeçe. Kam punuar 29 vjet e 7 muaj. Më mungojnë 3 muaj, prandaj nuk e marr pensionin të plotë. Nuk di se ku t’i gjej këta 3 muaj. Kam punuar te mensa e kinezëve. Nuk kam kërkuar se nuk di se ku të kërkoj dhe jam mjaftuar me pensionin që kam marrë.
Unë mendoj se duhet të shkoni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, e cila ndodhet në rrugën “Myslym Shyri”. Atje do të bëni një kërkesë, për të cilën do t’ju ndihmojnë punonjëset e agjencisë. Edhe kërkimet do t’i bëjnë punonjësit e Sigurimeve Shoqërore dhe do t’ju kthejnë përgjigje sepse Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka krijuar një arkiv në Lundër të Tiranës, ku ka mbledhur të gjitha dokumentet që ekzistojnë. Kam besim se do ta zgjidhni këtë problem

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY