Babai dhe fëmijët nga Kosova dëbohen nga Gjermania, një ditë pasi nëna...

Babai dhe fëmijët nga Kosova dëbohen nga Gjermania, një ditë pasi nëna e tyre tentoi vetëvrasjen

78
0
Shares

Një shqiptare nga Kosova pas tentativës për vetëvrasje ndodhet në pavionin e renaimacionit. Një ditë më vonë bashëkshorti dhe katër fëmijët e saj i kthejnë në Kosovë. Rezultat ky i klimës politike?

Një hulumtim nga Oliver Pieper/DW.

Ditët e kulturës së mirëseardhjes së vitit 2015 në Gjermani tashmë kanë marrë fund. Sërish, e sërish kërkohen më shumë dëbime. Komunat për këtë arsye marrin gjithnjë e më shpesh vendime të ashpra, thonë ekspertët. Hulumtimi i DW-se ka të bëjë me një rast të një familjeje nga Kosova. DW shtroi pyetjen tek ndihmësit e refugjatëve, (një prift dhe një psikoterapiste), avokatë dhe administratën e qarkut. Vendi i ngjarjes është Alzey, qyteti me 18.000 banorë në landin e Renani – Pflac.

Si u nda familja shqiptare S.

M. S. nuk është më në gjendje. Gjatë ditëve të të ardhshme burri i saj dhe katër fëmijët e tyre do të dëbohen për në Kosovë. Natën e 15 korrikut duke gdhirë 16 korriku 39 vjeçarja pi një dozë të dhjetëfishtë Mirtazapin, gati 200 tableta, një medikament psikofarma. Kosovarja përfundon në pavionin e reanimacionit në klinikën e Worms-it, ku ia pompojnë dozën nga stomaku. M. S. mbijeton. Qysh në atdheun e saj në Kosovë e më pas edhe në Gjermani, gruaja që vuan nga depresionet ka tentuar edhe herë të tjerë të kryejë vetëvrasje.

Një natë më pas burri i saj H.S. 46 vjeç, të cilin në Kosovë e kanë tortuaruar, fëmijët binjakë 15 vjeç, djali 11 vjeç dhe vajza 3 vjeç u morën nga policia federale, që i ktheu me avion në Kosovë. M.S. vazhdon të trajtohet në reanimacion në spital.
Sapo të dalë nga klinika edhe ajo duhet të kthehet në Kosovë. Më 2014 familja erdhi ilegalisht në Gjermani dhe deri më tani është lejuar të qëndrojë përkohësisht. Familja i përket pakicës etnike të ashkalive.

Në ligjin themelor, neni 6, paragrafi 1 thuhet: “Lidhja martesore dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të rendit shtetëror”.

Ndihmësi i refugjatëve Aleksandar Ceh është i indinjuar

Nëse ndokush mund ta realizojë se si ndihet familja S., ky është Aleksandar Ceh. Ai vet është arratisur si kroat në fillim të viteve 1990 për në Gjermani, pasi në vendin e tij duhej të shkonte në luftë. Edhe ai në fillim merrte njëra pas tjetër leje të përkohshme qëndrimi. Historinë e tij ai e ka kthyer në detyrën e jetës së tij. Ceh angazhohet prej vitesh nëpër këshilla dhe organizata për migracionin dhe integrimin. Për njerëzit si familja kosovare S. ai është shpresa e fundit.

“Unë punoj prej 16 vjetësh në ndihmën për refugjatët, por një veprim të tillë jo human nuk e kam përjetuar asnjëherë.” Ceh ve në lëvizje ç’është e mundur për ta penguar dëbimin e familjes, merr anamneza mjekësore, informon komisionin e rasteve specifike dhe angazhon avokatë. Natën e dëbimit ai telefonon me Zyrën për të Huajt, por pa rezultat.

Ceh bisedon çdo ditë me H.S. Familja jeton në Kosovë në një barrakë, vajza tre vjeçare me një defekt në zemër nuk është mirë. Ai ka vizituar në spital edhe nënën M.S, gjendja e së cilës tashmë po përmirësohet. Në situata të ngjashme si kjo Ceh shpesh mendon të tërhiqet nga kjo punë. “Por nuk mund ta bëj, nuk mund t’i le njerëzit vetëm”, na thotë. Përse një land i drejtuar nga partia socialdemokrate vepron kaq ashpër, shtron pyetjen ndihmësi i refugjatëve: “Mund të mendosh, që autoritetet e Bavarisë janë shumë më të ashpra sa i përket dëbimit të migrantëve. Por në fakt gjykimet këtu në këtë rajon janë shumë më restriktive.”

Shpjegimi i administratës së qarkut Alzey-Worms lidhur me kthimin e familjes S.
“Në rastin e kësaj familjeje kemi të bëjmë me persona nga Kosova që janë të detyruar të largohen nga Gjermania. Ata pas hyrjes ilegalisht në Gjermani në tetor 2014 nuk paraqitën kërkesë për azil, por ngritën pretendime shëndetësore, për këtë arsye iu dha leje e përkohshme qendrimi. Anamnezat e ndryshme mjekësore sipas rregullave për qendrimin e të huajve iu paraqitën për verifikim Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët, e cila në shkurt 2018 vendosi, që nuk ka arsye për mos kthimin në atdhe të familjes, pasi sëmundjet janë të kurueshme edhe atje.

Si rrjedhojë u hap procedura për t’i dhënë fund lejes së qendrimit të familjes dhe pas dëgjimit në mars 2018 iu bë thirrje, që ata të largohen nga Gjermania. Në fillim të majit familja deklaroi se do të kthehet vullnetarisht në Kosovë dhe paraqiti kërkesë pranë IOM (International Organisation for Migration), e cila vuri në dispozicion një avion për kthimin e tyre në mes të majit. Por pak ditë para se të mbërrinte avioni, familja e refuzoi kthimin vullnetarisht dhe përmes një avokati i paraqiti kërkesë me procedurë të përshpejtuar Gjykatës Administrative të Maincit për pengimin e dëbimit. Kërkesa u refuzua. Edhe kërkesa për trajtimin e rastit nga komisioni për raste speciale u hodh poshtë.

Natën 16 për 17 korrik u organizua kthimi i familjes nën shoqërimin e mjekut. Nëna nuk ndodhej në shtëpi. Sikurse mësoi në këtë moment zyra e të huajve, ajo ndodhej për trajtim në spital.

Dëbimi i pjesës tjetër të familjes, që në këtë kohë ndodhej në shtëpi u realizua në të njëjtën ditë. Kërkesa e paraqitur paralelisht për pengimin e dëbimit pranë Gjykatës Administrative të Maincit u hodh poshtë sërish. Nëna vazhdon të jetë në trajtim mjekësor në spital në qarkun Alzey-Worms. Zyra e të huajve synon bashkimin e menjëhershëm të familjes në atdhe.”

Avokati Martin Malcherek: Mungesë sensibiliteti tek autoritetet

Në faqen e internetit të kancelarisë Lichte/Malcherek thuhet: “Ne angazhohemi individualisht, në mënyrë jo konvencionale dhe me këmbëngluje për ju”. Ndoshta është Martin Malcherek, kandidati dirket i së majtës në Mainc për zgjedhjet parlamentare të 2017, pikërisht avokati i duhur për famlijen kosovare S. Edhe pse Gjykata Administrative në Mainc e ka shmangur padinë ndaj qarkut Alzey-Worms që më në fund e realizoi dëbimin, ai thotë se: “Familja mund të lejohej të qendronte edhe disa javë, derisa gruaja M.S. ta kishte marrë veten për ta përballuar udhëtimin. Në një rast të tillë nuk ishte e nevojshme t’i shkohej familjes me përbmabrimin. Por ndoshta me këtë synohej të përmbushehin detyrimet politike.”

Për aq kohë sa ka dyshime mbi aftësinë për të udhëtuar të personit, nuk lejohet dëbimi. Por ky rregull vlen në teori. Praktikisht duket se gjithnjë e më shumë po veprohet ndryshe, thotë Malcherek: “Presioni politik, për të paraqitur një numër të lartë dëbimesh, duket se bën të hiqet dorë nga një verifikim i diferencuar i rasteve të veçanta.” Në këtë kontekst është gjithnjë e më e vështirë, që të marrësh një anamnezë të kualifikuar, madje edhe në raste akute suicidi. “Anamnezat e mjekëve nuk u mjaftojnë më autoriteteve dhe gjykatave. Pengesat po bëhen gjithnjë e më të mëdha”, kritikon Malcherek.

Rreth 30 klientë nga rajoni ka mbrojtur Malcherek vitet e fundit. A ka ai përshtypjen, se kulturën e mirëseardhjes tashmë e ka zëvendësuar kultura e dëbimit? Jo, thotë Malcherek, është edhe më keq: “Këta njerëz, sintit, romët dhe ashkalitë, që jetojnë në kushte të vështira, nuk kanë qenë asnjëherë të mirëseardhur këtu.”

Psikoterapistja Sibylle Merkel lufton kundër rezistencës

Sibylle Merkel shpesh e thërrasin me mbiemër. Me kancelaren psikoterapistja nga Alzey nuk ka pasur asnjëherë lidhje farefisnore, por për punën e saj asaj i duhen vlera të njëjta me adashen e njohur: të mund të dëgjojë, të gjejë zgjidhje dhe të luftojë ndaj rezistencës. Kjo e fundit, thotë ajo, i duhet gjithnjë e më shumë kryesisht që pas skandalit në Bremen me Zyrën për Migracionin dhe Refugjatët, që kishte dhënë me të padrejtë garanci për azilin: “Pas kësaj autoritetet nisën të mos i pranojnë më raportet e mia duke panuar vetëma anamnezat mjekësore. Kjo sikur unë të mos punoja meseriozitet.”

Por mjekët nuk janë të kualifikuar për këtë: “Një mjek natyrisht që mundet t’i gjykojë sëmundjet fizike, por jo edhe ato psiqike. Kjo është detyra jonë.” Pikërisht njerëzit nga Kosova, që shkojnë në klinikën e saj, shpesh janë të traumatizuar: “Më kujtohet rasti i një gruaje, e cila ishte përdhunuar disa herë, ose njerëzit si zonja M. S., e cila është e rrezikuar në mënyrë akute nga suicidi. në raportet e mia unë paralajëmroj për këtë rrezik, e megjithatë këta njerëz i dëbojnë. Arbitrarisht!”

Puna e Merkel të kujton luftën kundër mullinjve të erës. Një terapi e shkurtër përbëhet nga 25 seanca, por shumë pak nga pacient?t e saj e çojnë deri në fund terapinë. Ose për arsye se arkat shëndetësore nuk i mbulojnë më shpenzimet, ose për arsye se atyre u përfundon afati i lejes së qendrimit. Një rreth vicioz, thotë Merkel: “Si mund ta trajtoj unë në mëbnyrë optimale një traumatizim, kur pacienti ka vazhdimisht frikë nga dëbimi? Kjo nuk është e mundur!”

Prifti Joachim Schuh bën thirrje për një ligj emigracioni

Kush vjen si refugjat në Alzey, shpejt ose vonë përfundon në Café Asyl, që u ndihmon të huajve gjatë paraqitjeve tek autoritetet. Këtu ai njeh priftin Joachim Schuh – kisha evangjeliste është mbështetësja e Café Asyl. Detajet konkrete për rastin e familjes S. prifti nuk i njeh, por edhe ai mendon, se: “Që të ndahet një familje, kjo nuk i përgjigjet standardeve të deritanishme të zyrës për të huajt në Alzey.”

Schuh sjell në vëmendje, se çfarë i pret të kthyerit në Kosovë, ose çfarë nuk i pret ata: “Atje nuk mund të shkosh në një zyrë të japësh pasaportën e të thuash, ja ku jam unë’ Këta njerëz nuk gjejnë mbështetje. “Ndërkohë që ata që kthehen vullnetarisht marrin një mbështetje të vogël financiare për të përballuar vitin e parë në vend, atyre që dëbohen nuk u jept ndihmë.

“Ne kemi nevojë për një ligj emigracioni, përmes të cilit mund të luftohen edhe shkaqet e migrimit”, bën thirrje prifti. Nuk është zgjidhje, që politika i shmanget këtij ligji, ndërkohë që autoritetet nën qeverinë detyrohen të marrin vendime, që nuk janë në favorin e të prekurve. “Unë shpresoj, që rasti i familjes S. të jetë thjeshtë një pakujdesi. Dhe dëshiroj, që kjo të mos përsëritet më këtu për aq kohë sa unë jam prift”.

Avokati Reinhard Kirpes nuk e konsideron Kosovën vend të sigurt

“Një familje nuk duhet të shpërbëhet në këtë mënyrë. Edhe Konventa evropiane e të Drejtave të Njeriut e ndalon një gjë të tillë”, vë në dukje Reinhard Kirpes. Avokati në Ofenburg ka mjaft punë, ai njeh shumë raste të ngjashme dhe është specializuar për Kosovën. Më 1999, menjëherë pas konfliktit të armatosur, Kirpes vizitoi për herë të parë rajonin.
Që nga ajo kohë ai shkon të paktën një herë në vit në Kosovë – dhe përpiqet në kancelarinë e tij në Jug të Gjermanisë të arrijë garantimin e qendrimit në Gjermani sipas së drejtës humanitare për njerëzit e traumatizuar. Kjo po vështirësohet gjithnjë e më shumë. “Në sfondin e politikës aktuale ndaj të huajve një gjë e tillë nuk më habit”, thotë Kirpes. “Para 20 vjetësh, edhe para dhjetë vjetësh, edhe jepeshin leje qendrimi pë rarsye humanitare në Gjermani, por mënyra e veprimit tani është ashpërsuar, e kjo jo vetëm me ardhjen e ministrin të Brendshëm Horst Seehofer.”

Në fillim të vitit 2015 Kosova u shpall vend i sigurt. “Natyrisht nuk ka më përndjekje politike si në vitet 1990”, thotë avokati, “por për grupe të caktuara popullsie si sinti, romë e homoseksualë Kosova nuk është një vend i sigurt origjine”. Megjithatë shansi për të fituar të drejtë qëndrimi në Gjermani është gati zero – kosovarët konsiderohen në përgjithësi si refugjatë ekonomikë.

9.222 persona nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi kanë kërkuar azil vitin e kaluar në Gjermani, një e dhjeta e numrit të atyre që erdhën më 2015. Vetëm 264 prej tyre u lejuan të qëndrojnë. “Njerëzit, që kanë ardhur pas 31 gushtit 2015 si azilkërkues, nuk kanë shanse për të qëndruar këtu. Bëhet fjalë vetëm për ata, që kanë qenë më përpara këtu. “Reinhard Kirpes nuk ka shumë iluzione, që Gjermania sa i përket dëbimeve në të ardhmen do të ndjekë një linjë më pak të ashpër: “Do të isha i kënaqur sikur të paktën të ruhej Status Quo-ja”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY