Alarmi i FMN: Shqipëria në rrezik nga PPP, po shkojmë drejt një...

Alarmi i FMN: Shqipëria në rrezik nga PPP, po shkojmë drejt një krize ‘greke’

162
0
Shares

Qeveria ka angazhuar deri më tani katër projekte nga paketa “1 miliard” në formën e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat me vlerë 86 miliardë lekë, nga 148 miliardë lekë që pritet të angazhohen në total këtë vit.

Së bashku me koncesionet PPP të dhëna deri në dhjetor 2017, vlera totale e koncesioneve me PPP arrin në 259 miliardë lekë, ose 17% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Për shkak të efekteve negative në borxhin publik dhe mungesës së analizës për projektet, kjo formë investimi rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë, sipas përfaqësuesve të FMN dhe BB në Shqipëri.

Ekspertët lajmërojnë një skenar grek për Shqipërinë. BE kufizon përdorimin e tyre në vendet anëtare, pas një auditi që gjeti shumë shkelje dhe mungesë leverdishmërie. Ja skeda e projekteve

Nga Blerina Hoxha/Nertila Maho-Monitor.al

Vetëm në qershor, qeveria ka shpërblyer me bonuse dy kompani që kanë paraqitur oferta të pakërkuara për projekte të rëndësishme infrastrukturore pjesë e paketës “1 miliard euro”. Kjo e çon në total katër numrin e projekteve të kësaj pakete që kanë hyrë në rrugën drejt zbatimit, por që janë në faza të ndryshme të procedurave. E vetmja që ka avancuar deri në nisjen e punimeve është Rruga e Arbrit, kur më 18 qershor u mbajt edhe ceremonia që shënoi këtë fazë.

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar më herët pas marrjes së mandatit të dytë, qeveria ka nisur një valë të re Partneritetesh Publike-Private e përqendruar te rrugët. Aktualisht totali i kilometrave që do t’i shtohet asetit rrugor shqiptar përmes projektit të Rrugës së Arbrit, Thumanë-Kashar, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat llogaritet rreth 167 kilometra. Të paktën kaq mund të llogaritet sipas të dhënave nga projektet në letër, por kjo mund të ndryshojë në varësi të zbatimit faktik ku, herë pas here bëhen korrigjime në funksion të situatës që mund të shfaqet në terren. Kostoja e tyre paraprake llogaritet në 654 milionë euro, edhe pse deri më tani e firmosur me kontratë është vetëm Rruga e Arbrit, me vlerë 240 milionë euro.

Projekti “One billion”, një paketë investimesh prej 148 miliardë lekësh që po aktivizohet nga qeveria “Rama” në bashkëpunim me kompanitë vendase për ndërtimin e 6 segmenteve rrugore, një spitali rajonal në Fier dhe rreth 5 shkolla në Tiranë rrezikon të minojë stabilitetin fiskal të vendit në afat të gjatë. Precedentët negativë të koncesioneve në të shkuarën dhe mungesa e ekspertizës dhe kapaciteteve monitoruese të Shqipërisë i shtojnë më tej rreziqet. Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, ka pohuar më herët për “Monitor” se “kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë.

Gjithashtu, përfaqësuesi i FMN në Tiranë, Jens Reinke ka pohuar po për “Monitor” se Fondi sheh si faktor rreziku koncesionet dhe PPP-të që qeveria ka nënshkruar kohët e fundit, ose planifikon të ndërmarrë, të cilat do të krijojnë detyrime potenciale për partnerin publik.

Deri në fund të vitit të kaluar, vlera e kontratave të dhëna me PPP ka arritur në 111 miliardë lekë, të cilat dominohen nga kontrata shërbimesh në shëndetësi dhe tre impiantet e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Ndërkohë, këtë vit, do të jepen me koncesion në total me PPP edhe 148 miliardë lekë, duke e çuar vlerën e përgjithshme të PPP-ve më shumë se 259 miliardë lekë, e cila është sa 17% e PBB-së. Institucionet financiare ndërkombëtare këmbëngulin që kjo shumë të përfshihet në borxhin publik. Fondi Monetar Ndërkombëtar, në deklaratën përmbyllëse të marrëveshjes trevjeçare, kërkoi që ndikimi i projekteve me PPP, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht, qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur më parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto-përfitime dhe një analizë të plotë rreziku. Nëse PPP e dhëna deri më tani dhe ato që janë planifikuar të jepen më 2018 do të përllogariteshin si detyrime publike, borxhi i vendit do të shkonte në mbi 87% e PBB, nga rreth 71% që është aktualisht. Duke anashkaluar efektin që kanë në stabilitetin makroekonomik në afat të gjatë, eficenca e projekteve që do të kryhen investimet duket se nuk përputhet me prioritetet kombëtare që ka vendi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Kontratat reja PPP më 2018 arrijnë 148 mld lekë

Qeveria shqiptare ka programuar që gjatë vitit 2018 të angazhojë 148 miliardë lekë kontrata me PPP, të cilat përbëjnë planin e njohur tashmë si “One Billion”.

Projekti i parë në listë janë ndërtimi i shkollave në Tiranë me vlerë 6,1 miliardë lekë. Projekti i dytë është financimi i një spitali rajonal në Fier, me financim 9,4 miliardë lekë. Më tej, 140 miliardë lekë do të angazhohen në ndërtimin e segmenteve të infrastrukturës rrugore. Ndërtimi i aksit Tiranë-Thumanë-Vorë, pjesë e boshtit të qendrës, do të jepet me koncesion kundrejt vlerës së financimit 34 miliardë lekë.

Pjesa e dytë e këtij segmenti, ndërtimi i rrugës, Kashar – Rrogozhinë do të jepet me koncesion kundrejt vlerës 41 miliardë lekë. Ndërtimi i rrugës Milot-Balldren është ofruar për koncesion PPP kundrejt një financimi nga buxheti i shtetit 14.2 miliardë lekë. Nëpërmjet kësaj forme është programuar të financohet edhe segmenti Orikum – Himarë, me vlerë 17 miliardë lekë. Në program është përfshirë edhe Rruga e Arbrit, me financim 24 miliardë lekë.

Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj, njoftohet se sipërmarrësit që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve, duhet të financojnë 20% të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët, vetëm pasi të jetë bërë 50% e investimit, por këto detaje do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet.

Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhe 10-15-vjeçare. Kostot e përgatitjes së studimit të fizibilitetit në fazën e parë dhe të projektit në fazën e dytë, përballohen nga sipërmarrja por, qeveria e shkëmben projektin me ofrimin e bonusit prej 10 pikë përqindje, siç është përcaktuar në ligjin e koncesioneve. Ministria e Financave ka shpjeguar se prokurimet nga fondi “One Billion” do të bëhen me afat 1-2 vjet dhe duhet të ketë disponueshmëri të fondeve për t’u hapur prokurimi publik. Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka pohuar se, paketa “One Billion” nuk është zgjidhja më e mirë, por është e vetmja, pasi donatorët nuk e financojnë më tej, për shkak të nivelit të lartë në të cilin ka arritur borxhi publik i vendit.

70 milionë euro nga taksat, pagesa për koncesionet këtë vit

Koncesionet me Partneritet Publik-Privat po rëndojnë gjithnjë e më shumë faturën, që duhet të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.

Për këtë vit, sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30% më e lartë se e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.

Këtë vit, financohen 12 koncesione nga 8 koncesione që ishin llogaritur për financim.

Koncesionet e reja, janë ndërtimi i Rrugës së Arbrit, koncesioni i mirëmbajtjes në Rrugën e Kombit, ndërtimi i inceneratorit të Tiranës dhe ndërtimi i shkollave në Bashkinë e Tiranës. Vlera më e madhe e financimeve do të shkojë për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, me 3.9 miliardë lekë, ose 42% e së gjithë vlerës totale të financimit për koncesionet më 2018.

Nga koncesionet e shëndetësisë, vlera më e madhe e financimit për vitin 2018 shkon për koncesionin e sterilizimit me rreth 1.5 miliardë lekë. Më tej, financimet më të mëdha i merr koncesioni i shërbimeve laboratorike me mbi 880 milionë lekë dhe ai Check-Up me mbi 876 milionë lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të Partneritetit Publik Privat (PPP), si dhe çdo ndryshim të tyre, nga pikëpamja e implikimeve individuale apo në grup, për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale.

Shuma e përgjithshme e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor. Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Aktualisht, janë në fuqi 8 kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), të cilat marrin mbështetje buxhetore, si dhe pritet që gjatë vitit 2018 të fillojnë dhe 3 kontrata të reja të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë/Bashkisë Tiranë. Pagesat vjetore neto për kontratat koncesionare apo PPP për vitin 2018, përbëjnë rreth 2.4% të totalit të të ardhurave tatimore faktike për vitin 2017.

Projektet e rrugëve

Projekti i parë, Rruga e Arbrit, përfundon për 44 muaj

Në qershor, Gjoka Konstruksion, e cila ishte kompania që fitoi garën për të zbatuar projektin e Rrugës së Arbrit, nisi zyrtarisht punimet. Gjoka fitoi garën e hapur për këtë projekt si i vetmi operator që plotësonte kushtet, ndërkohë që përveç saj morën pjesë edhe operatori ekonomik “Adem Pojani”, i cili u skualifikua, pasi nuk plotësonte asnjë nga kriteret e kualifikimit, si dhe operatori “Alb-Star” sh.p.k. që nuk plotësonte kriteret e kualifikimit dhe nuk paraqiti ofertë financiare. Referuar projektit, gjatësia e aksit që nis në Tiranë dhe përfundon në Bllatë, sipas studimit të fizibilitetit do të jetë afërsisht 73.5 km. Ndërtimi pritet që të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Dibrës, me të paktën 40 minuta.

Duke pasur parasysh terrenin dhe mënyrën sesi është konceptuar projekti, rruga kategorizohet si C2 dhe është projektuar me shpejtësi minimale 60 km/orë dhe maksimale 100 km/orë. Rruga ka si pjesë përbërëse Tunelin e Murrizit, me gjatësi 3.2 kilometra, por edhe pesë tunele të tjera të vogla do të ndërtohen për të shmangur kthesat, si dhe katër ura.

Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë për 44 muaj, çka përkon me fundin e vitit 2021. Edhe pas përfundimit të punimeve, kompania nuk do ta dorëzojë rrugën, por do të vijojë të kryejë operimin dhe mirëmbajtjen gjatë viteve të koncesionit, ndërkohë që qeveria është angazhuar që të paguajë kompaninë për një afat 13-vjeçar.

Rruga e Arbrit ka një historik të gjatë zvarritjeje që nga koha e qeverisë “Berisha” dhe në disa pjesë të saj janë kryer punime. Sot, ky aks konsiderohet i përfunduar plotësisht në 20.12 kilometra të saj, me 15.1 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.3 kilometra të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues. Mungesa e fondeve, si dhe nevoja për ndryshim e projektit e lidhur kjo me pjesën e tunelit bënë që situata të mbetej në vendnumëro. Pak vite më pas, interes për ndërtimin e rrugës do të shfaqte një kompani kineze, China State Constuction. Kompania u angazhua për një kohë të gjatë me negociata me qeverinë por, në finale, nuk u arrit asnjë marrëveshje. Në atë kohë, arsyeja e tërheqjes së kinezëve do të cilësohej ngurrimi i qeverisë për të dhënë garanci për kompaninë. Kjo bëri që projekti të përfundonte si pjesë e paketës “1 miliard euro”.

Projekti Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar

Në prill të këtij viti, Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë do të hapte garën për procedurën e dhënies me koncesion/PPP Projektit të Rrugës Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar, me fond limit rreth 245.7 milionë euro. Si kompani që kishte paraqitur një ofertë të pakërkuar më herët, Gener 2 ishte shpërblyer me 8.5 pikë, çka do të thotë se në këtë garë, kompania është në avantazh në raport me të tjerat që e nisin nga zero. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri të ditur se aktualisht ky institucion është në fazë vlerësimi, për ofertat e dorëzuara lidhur me këtë projekt.

Rruga sipas projektit parashikohet të jetë 20.8 kilometra e gjatë dhe e kategorisë “A”. Gjurma e saj nis nga Thumana, 150 metra në brendësi të autostradës ekzistuese me 4 korsi, që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë–Krujës. Vijon me një djathtas dhe vazhdon e drejtë në fusha deri në afërsi të Fushë-Krujës. Më pas, me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Gjurma e rrugës vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar (rreth km të 12 në drejtimin Tiranë -Durrës). Shpejtësia e projektuar për këtë rrugë është 140 kilometra/orë, ndërkohë që pjesë përbërëse e saj janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra. Gjerësia totale e rrugës parashikohet 28 metra.

Objekti i kontratës me kompaninë, që do të dalë fituese nga gara, do të jetë i njëjtë si për Rrugën e Arbrit, duke ndjekur parimin “me çelësa në dorë”. Koncesionari do të kryejë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Thumanë – Fushë-Krujë – Vorë – Kashar, sipas standardeve të miratuara nga Autoriteti Kontraktues. Afati i koncesionit do të jetë 13 vjet. Pagesa e parë për kompaninë fituese të zbatimit të projektit të rrugës, nga ana e qeverisë, do të bëhet vetëm pasi të jenë kryer jo më pak se 25% e punimeve të rrugës.

Dhe projekti Thumanë-Kashar nuk është një projekt i palakuar më parë. Ai daton që në mandatin e parë të qeverisë “Berisha” kur një kompani e huaj u ofrua për ta ndërtuar këtë segment, por me kushtin që qeveria të dilte garant për të siguruar financimin. Në atë kohë, në korrespondencën mes ministrive, u ra dakord se nëse qeveria do të duhej të garantonte kompaninë e huaj, shumë mirë mund ta ndërtonte e vetme, duke kërkuar financim. Kjo bëri që kompania që shfaqi interes, të tërhiqej dhe projekti të lihej në harresë.

Projekti Milot-Balldren, kompania A.N.K merr bonusin

Në javën e fundit të qershorit, qeveria miratoi një bonus për kompaninë A.N.K sh.p.k., e cila ka paraqitur një ofertë të pakërkuar lidhur me ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, pjesë e programit të qeverisë “1 miliard euro për rindërtim”. Kompania është shpërblyer me 8.5% të pikëve, çka do të thotë se në momentin që do të hapet gara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo do të hyjë me pikë ekstra në raport me konkurrentët e tjerë.

Përfitimi i bonusit i hap rrugë tashmë procedurave të tjera, që lidhen me përgatitjen e dokumenteve specifike, hapjen e procedurës së prokurimit dhe më pas vlerësimin e ofertave deri në shpalljen e fituesit. Milot-Balldren është aksi më i shkurtër i planifikuar për t’u ndërtuar përmes paketës deri më tani, me vlerë të përafërt investimi prej 100 milionë eurosh. Ajo është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane, apo e njohur ndryshe si Korridori Blu.

Vlerësohet si korridori që do të bëjë lidhjen nga Kroacia deri në Greqi, duke kaluar përgjatë bregdetit. Konkretisht, segmenti i propozuar Milot-Balldren përfshin ndërtimin e rrugës së re përgjatë aksit të rrugës ekzistuese nga Miloti deri në nyjen e rreth rrotullimit të Lezhës, duke bërë ngritjen e trupit të rrugës varion nga 0.5 metra deri në 0.8 metra nga niveli i rrugës ekzistuese. Më pas vijon me ndërtimin e aksit të ri rrugor, nga nyja e rreth-rrotullimit të Lezhës deri në hyrjen e tunelit në Balldren, duke kaluar përmes kënetës së Kune-Vainit si dhe ndërtimin e segmentit rrugor për të bërë lidhjen me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Projekti përfshin ndërtimin e rrugëve sekondare dhe rrugëve ndërlidhëse të nyejve, me gjatësi të përafërt 9.5 kilometra, ndërtimin e interseksioneve dhe ndërhyrje në interseksionet ekzistuese për të bërë të mundur lidhjen e autostradës me zonat urbane, një tunel 850 metra të gjatë.

Rruga është bërë pjesë e deklaratave sidomos gjatë turit të llogaridhënies së qeverisë, duke theksuar se investimi do t’i japë zgjidhje përfundimtare trafikut në zonën urbane të Lezhës dhe kryqëzimin me Shëngjinin, do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit në superstradën Shkodër –Tiranë.

Projekti parashikon që rruga të jetë e kategorisë A, me të paktën gjashtë korsi, dy prej të cilave janë korsi emergjence dy ura të reja të Drinit, me gjatësi 224 metra dhe Matit 620 metra. Shpejtësia e lëvizjes do të kufizohet mes 90-140 km/orë. Edhe për këtë rrugë, parimi është i ngjashëm lidhur me operimin dhe mirëmbajtjen, ku ndërtuesi do ta dorëzojë pas 13 vitesh.

Orikum-Himarë, “në start” faza e parë

Një nga rrugët më të lakuara ka qenë ajo Orikum-Himarë. Qeveria do të ndodhej përpara dy alternativave lidhur me lehtësimin e trafikut nga Vlora drejt Jugut të Shqipërisë, ku e para ishte rehabilitimi i plotë i rrugës, që kalonte nga Llogoraja.

E dyta është një rrugë tërësisht e re, që përfshin edhe një tunel në përbërje të saj. Në fakt, u zgjodh varianti i dytë dhe në fund të qershorit, qeveria vendosi që të miratonte bonusin me 6% të pikëve për kompaninë Gjikuria sh.p.k. e cila ka bërë një ofertë të pakërkuar për segmentin nga Porti i Jahteve në Orikum deri tek Ura e Shën Elizës në Dukat. Kjo është faza e parë për këtë rrugë, e cila llogaritet me kosto 70 milionë euro, ku përfshihet ndërtimi, mirëmbajtja me kosto 50.5 milionë euro dhe interesat me rreth 19.5 milionë euro.

Ende qëndron pezull pjesa që lidhet me fazën e dytë Orikum-Himarë, që përfshin edhe pjesën e tunelit të kësaj rruge, që mundëson shmangien e Llogorasë. Referuar të dhënave zyrtare, pjesa nga Orikumi në Dukat do të ketë një rrugë të kategorisë C2, në të cilën shpejtësia e projektuar e lëvizjes do të jetë mes kuotave 60-80 kilometra/orë sipas zonave ku kalon.

Zgjerimi i korsive do të jetë 3.5 metra dhe bankinë e shtuar 1.25 metra. Aktualisht, rruga ekzistuese ka një gjerësi që varion mes 6-7 metra, por nuk përfshihet në asnjë kategori. Në total, gjatësia e segmentit nga Orikumi në Dukat është 15 kilometra, por kjo nuk përfshin pjesën nga Dukati në Himarë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tashmë duhet të hapë garën normale për këtë projekt, për të përzgjedhur fituesin.

Kardhiq-Delvinë del nga lista e “1 miliardëshit”, e ndërton buxheti

Në fillim të vitit, qeveria do të publikonte një listë me projektet e mundshme që do të ndërtoheshin përmes programit 1 miliard euro. Në këtë listë përfshiheshin edhe Kashar-Thumanë-Vorë, Rruga e Arbrit, Milot-Balldren, Orikum-Himarë, Kardhiq-Delvinë, spitali rajonal i Fierit, Shkolla Publike Tiranë. Por qeveria vendosi së fundmi që, aksi Kardhiq-Delvinë të dilte nga kjo listë, duke kaluar si një rrugë që do të financohej dhe ndërtohej nga buxheti i shtetit, sipas praktikës normale, duke mos përfshirë në këtë mes pjesën e koncesionit. Në total, rruga është e gjatë 32 kilometra ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion pak muaj më parë nga ana e ARRSH-së ishte 7.2 miliardë lekë.

Punimet për këtë aks të rëndësishëm pritet që të nisin në vjeshtë, duke pasur parasysh të gjitha hapësirat që kërkon pjesa e vlerësimit të ofertave apo lidhjes së kontratës me kompaninë që do të shpallet fituese. Ndërhyrja do të bëhet në tre lote të segmentit Kardhiq-Delvinë, ndërkohë që rruga përfshin edhe një tunel 850 metra të gjatë. “Kjo rrugë për dy-tre muaj do të fillojë punimet konkrete dhe për dy vjet Delvina e Saranda do të lidhen me Kardhiqin. Do të dalin shumë më shkurt në rrugën kryesore që të çon drejt Levanit e Tiranës.

Pra, Kardhiq-Delvinë një investim i qeverisë shqiptare, më i madhi që ka parë ndonjëherë kjo zonë, janë 90 milionë euro dhe patjetër kjo rrugë do të sjellë zhvillim të madh ekonomik për Delvinën”, do të deklaronte pak kohë më parë, ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri. Aktualisht, përveç pjesës së vlerësimit të ofertave të rrugësve në proces, është edhe supervizioni i punimeve për tre lotet.

Ekspertët: “One Billion”, skenari grek për Shqipërinë

Zef Preçi, nga Qendra Shqipëria për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse ky borxh i ri i fshehtë, i cilësuar PPP, merret në një kohë që fuqia ripaguese e ekonomisë, nuk është e mundur të rritet, shtohen rreziqet. E nëse këto para shkojnë për investime fasadash, pllakash, lulesh, etj., pra nuk hapin vende pune, nuk zhvillojnë industrinë, bujqësinë, etj., përsëritja e skenarit të dhimbshëm grek është e pashmangshme, shtoi ai.

Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministri i Financave, shkon edhe më tej, duke pohuar se nga paketa 1 miliard euro, investimet reale do të jenë vetëm 495 milionë euro.

Sipas tij, fatura që bizneset e ndershme do t’i bëjnë qeverisë, do të jetë të paktën 2.2 herë më e lartë se sa kostoja e investimit, ose nga fatura 1 miliard euro që do të paguajë qeveria, vetëm 490 milionë do të jenë investime reale.

Shehu thotë se, “po të supozojmë një interes minimal 10% për kredinë (8% është sot interesi për obligacionet 7-vjeçare) atëherë për pagimin e saj, biznesi duhet të fitojë të paktën 15%. Kështu kosto mesatare e kapitalit (kredi + para të veta) do të jetë minimalisht 12%”, përllogariti ish-zyrtari i lartë i financave”. Ndërkohë, përvoja na tregon se gjatë zbatimit të projekteve publike, fatura shtohet nga “pengesat” që krijon qeveria dhe “domosdoshmëria” për ndryshimin e projekteve.

Një kredi 13-vjeçare, me 12% interes, që paguhet me 13 këste të barabarta vjetore, kushton 2.2 herë më shumë se vlera e kredisë që merret sot. Ndryshe mund të thuhet: për çdo lek që biznesi do të investojë “veresie”, sot do të marrë mbrapsht 2.2 lekë ose më shumë se dyfishi.

Presidenti i UET, Adrian Civici, thotë se njihen disa forma të realizimit të PPP. Por ai konsideron më të rrezikshme në lidhje me pasojat në rritjen e borxhit publik, formën e investimeve në dukje private, por që thelb janë publike, si një detyrim i qeverisë për t’ua shlyer investitorëve privatë të gjithë shumën e investuar brenda një periudhe të ardhshme 5 ose 10-vjeçare.

Eksperti Selami Xhepa mendon se herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht nga paketa e investimeve me PPP, prandaj ai e këshillon qeverinë ta rimendojë seriozisht këtë projekt. Banka Botërore, në një analizë për koncesionet PPP në të gjithë botën, të cilësuar “Benchmarking Public-Private Partnerships Procurement 2017”, cilëson se Shqipëria nuk po i jep PPP, duke i dhënë prioritet ato me nevojat që ka vendi për investime publike. Gjithashtu, Banka Botërore vë në dukje se Shqipëria nuk ka zhvilluar ndonjë metodologji specifike për përballueshmërinë fiskale të këtyre projekteve. Shqipëria nuk ka vlerësuar ndonjë metodologji për vlerësimin e rreziqeve që mbartin këto projekte.

Salim: Ndërlikimet fiskale të PPP-ve nuk janë përfshirë plotësisht në buxhet

Përfaqësuesja e Përhershme e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, më herët këtë vit, në një intervistë dhënë për “Monitor” tha se, aktualisht, Shqipëria ka rreth 200 kontrata për koncesione dhe PPP. Sipas saj, disa prej këtyre kontratave paraqesin një mundësi të humbur për përdorimin efikas të kapitalit privat, ofrimin e shërbimeve publike apo të shpenzimeve buxhetore.

Salim tha se, relacioni i buxhetit për vitin 2018, i publikuar së fundmi, përfshin qëllimin e qeverisë shqiptare, për investime të mëdha publike përmes PPP-ve, me fokus në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, por megjithatë informacioni i ofruar nuk ka qenë i mjaftueshëm për të gjykuar sesi këto projekte do të mbështesin strategjitë sektoriale të vendit, për kostot dhe përfitimet nga investimet e propozuara, si dhe implikimet afatgjata në buxhet dhe borxh.

Ajo tha se, kontratat e PPP-ve krijojnë detyrime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për qeverinë. Vlerësimi dhe bërja publike e këtyre detyrimeve është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e ndonjë rreziku fiskal. Aktualisht, implikimet fiskale të PPP-ve nuk përfshihen plotësisht në dokumentet e buxhetit, pasqyrat financiare apo raportet statistikore.

Salim tha se hapi fillestar i duhur për përmirësimin e kapaciteteve për të zhvilluar dhe për të menaxhuar PPP-të do të ishte integrimi i plotë i tyre në procesin e planifikimit dhe selektimit të investimeve publike, forcimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale për t’u siguruar që Ministria e Financave dhe Ekonomisë është në gjendje të mbrojë financat publike nga kosto dhe risqe fiskale të paqëndrueshme. Ajo tha se, gjithashtu ka vend për të forcuar kuadrin ligjor dhe rregullator, që do të siguronte konkurrencë dhe transparencë, duke bërë publike kontratat e PPP-ve, përfshirë pasqyrat financiare dhe statistikat fiskale në përputhje me standardet ndërkombëtare./monitor

Image

© SYR

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY