Si paguhen dy herë spitalet private për operimet e kardiokirurgjisë, mijëra euro...

Si paguhen dy herë spitalet private për operimet e kardiokirurgjisë, mijëra euro shpenzime nga xhepi i pacientëve

293
0
Shares
Foto Ilustruese

Nga Ola Mitre

Pasi i mbijetoi një infarkti në janar 2016, Ibrahimi, një pensionist në të shtatëdhjetat nga Tirana u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Bashkëshortja e tij, Makbulja tregon se mjekët i vendosën në atë kohë dy unaza në arteriet koronare, ndonëse kishte nevojë për tre të tilla.

“Mjekët thanë që nuk e përballonte dot të tretën,” kujtoi Makbulja për BIRN.

Gjashtë muaj pas ndërhyrjes, problemet shëndetësore u rikthyen. Ibrahimi iu drejtua sërish QSUT-së, prej nga e përcollën në spitalin privat “Roland Xhaxho” me premtimin se shpenzimet do të mbuloheshin sërish nga shteti.

Ekzaminimet treguan se dy unazat e vendosura më parë ishin shkrirë dhe se pensionisti kishte tashmë nevojë për 3 bypass-e. Burrë e grua, të cilët marrin secili nga 12 mijë lekë pension në muaj u vendosën përpara një zgjedhjeje të vështirë.

“Ne jemi të dy pensionistë, të dy të sëmurë dhe vetëm ilaçet na shkojnë 120 mijë lekë [të vjetra] në muaj. Por… thashë e di që shes shtëpinë dhe burrin nuk e lë të vdesë për lekë,” kujtoi e moshuara.

Shpenzimet totale për bypass-et i kushtuan çiftit të pensionistëve 6500 euro-të gjitha të marra borxh. Makbulja i tha BIRN se një përqindje shtesë u financua nga shteti, pa ditur të thotë shifrën e saktë.

Bypass-i koronar është njëri prej 10 paketave të shërbimeve shëndetësore që qeveria “Rama” mori përsipër t’i mbulonte 100 për qind si në spitalet publike, ashtu edhe në ato private. Një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 23 maj 2014 parashikon transferimin e pacientëve drejt spitaleve private-në rastet kur shtetërori është mbi kapacitet, duke i përjashtuar nga bashkëpagesa.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë megjithatë se qindra pacientë të ngjashëm me Ibrahimin janë vendosur përballë dilemës së zgjedhjes me pagesës dhe jetës për të përfituar shërbimet, duke paguar nga xhepi i tyre mijëra euro, paralelisht me paratë që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u transferon spitaleve private.

Dështimin e skemës së paketave falas të kardiokirurgjisë në spitalet private e pranojnë edhe ekspertët e intervistuar nga BIRN, të cilët bëjnë përgjegjës buxhetin e vogël, por edhe mënyrën e zbatimit nga ana e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH.

I pyetur nga BIRN mbi shumat e kripura që pacientët kanë paguar në spitalet private, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u përgjigj se nuk dispononte të dhëna të tilla.

“Ju bëjmë me dije se Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare dhe Kontrollit Spitalor, si drejtoria që administron paketat e shërbimeve shëndetësore bazuar në aktet ligjore në fuqi, nuk disponon të dhëna në lidhje me shumat e paguara nga vetë pacientet si pasojë e mbulimit të pjesshëm të paketave dhe nuk disponon të dhëna mbi numrin total të këtyre rasteve,” tha Fondi në një përgjigje me shkrim.

Mes pagesës dhe shëndetit

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë shkaktari kryesor i vdekjeve mes shqiptarëve. Në këtë grup përfshihen gjithashtu edhe sëmundjet e enëve të trurit dhe ato kronike të zemrës.

Instituti i Statistikave raportoi për vitin 2017 se ky grup sëmundjesh përbën 53.7 për qind të të gjitha vdekjeve në Shqipëri.  Niveli i vdekshmërisë është gjithashtu më i larti në vend; 41.5 vdekje për 10 mijë banorë dhe ka shënuar rritje me 2.5 për qind krahasuar me vitin 2016.

Rritja e ndjeshme e sëmundjeve kardiovaskulare dhe rrezikshmëria e lartë e tyre e shtyu qeverinë në pranverë të vitit 2014 që të merrte përsipër financimin e gjashtë ndërhyrjeve të kardio-kirurgjisë në spitalet shtetërore dhe ato private. Përveç sëmundjeve kardiovaskulare, i njëjti vendim merr përsipër trajtimin falas edhe për dializën, transplantin e veshkave dhe implantin koklear.

Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, financimet e Fondit për këto shërbime do të shtriheshin në spitalet private, në kushtet kur ato publike ishin mbi kapacitet.

Premtimi i qeverisë u mikprit asokohe edhe për faktin se në pikën 4 të VKM-së, personat e siguruar që përfitonin paketat do të ishin të përjashtuar nga bashkëpagesa.

Por të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave me pacientë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë të shëndetësisë tregojnë se të sëmurët e siguruar janë detyruar t’u nënshtrohen kostove të larta të spitaleve private dhe në mjaft raste, t’i paguajnë shpenzimet nga xhepi pa përfituar paketat nga FDSKSH.

Yllsoni, një 61-vjeçar nga Tirana i tha BIRN se ishte një ndër përfituesit e paketës shëndetësore në vitin 2015, pasi u ekzaminua me ngushtim venash dhe kishte sipas mjekëve nevojë për dy stent-e. Ai u drejtua në një spital privat, por mësoi i zhgënjyer se shteti i mbulonte vetëm njërën.

“Duke qenë se kisha përfituar paketën mendova se gjithçka do paguhej nga shteti, por në spital më thanë se më mbulohej vetëm një unazë, ndërsa tjetrën duhet ta paguaja vetë. Unë duhet të shtoja diku te 2000 euro për stentin si dhe 150 euro për disa analiza, që gjithashtu nuk rimbursoheshin,” tha ai, ndërsa shtoi se ende nuk e ka kryer ndërhyrjen.

Pacientë të tjerë ndajnë histori të ngjashme.

Olimbi Hoxhaj, kryetare e Rrjetit të Shoqatave të Pacientëve i tha BIRN se dy paciente me probleme kardio-vaskulare kishin denoncuar lista të gjata pritjeje në spitalin publik apo përcjelljen nga i njëjti mjek nga QSUT-ja drejt spitaleve private.

Rasti i parë i denoncuar pranë Rrjetit të Shoqatave të Pacientëve është ai i një gruaje 68 vjeçare, e cila në mars të vitit 2017 kishte nevojë urgjente për vendosjen e tre stent-eve. Por për fatin e saj të keq, sëmundja përkoi me kohën kur Fondi nuk kishte nxjerrë ende listat e rimbursimeve dhe nuk kishte nënshkruar kontratat me spitalet private.

“Në mungesë të kontratës me Fondin, spitali privat  nuk u shpreh i gatshëm të kryente ndërhyrjen edhe pse rasti ishte urgjent. Kostoja e përllogaritur në këtë spital ishte 10 mijë dollarë. Familjarët iu drejtuan një spitali tjetër privat që nuk kishte kontratë me Fondin dhe e kryen atë për 4200 euro,” shpjegoi Hoxhaj duke iu referuar denoncimit.

Një tjetër paciente denoncuese pranë Rrjetit të Shoqatave të Pacientëve është 69-vjeçarja me inicialet M.L, që ndonëse ndodhej në listë pritjeje në QSUT, i njëjti mjek e kishte drejtuar te një spital privat për të kryer ndërhyrjen në një kohë më të shpejtë, në këmbim të 1 milionë lekëve.

Dëshmitë e pacientëve të mësipërm janë vetëm “maja e ajsbergut”.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor tregojnë se gjatë viteve 2015-2017 janë financuar 2617 ndërhyrje sipas paketave të kardiokirurgjisë në spitalet private. Ndërsa gjatë 5 muajve të parë të vitit 2018, numri i ndërhyrjeve të kryera kap shifrën 190.

Këto ndërhyrje i kanë kushtuar Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor më shumë se 383 milionë lekë ose 3.5 milionë dollarë.

Paketat e mësipërme shëndetësore, sipas të dhënave të FSDKSH janë shpërndarë mes pesë spitaleve private të kontraktuara; Hygeia, Spitali Amerikan, Spitali Gjerman, Roland Xhaxho dhe Spitali Europian.

BIRN kërkoi të mësonte nga FSDKSH ndarjen e këtyre ndërhyrjeve sipas spitaleve private të kontraktuara dhe rimbursimet e secilit prej tyre. Të dhënat e kërkuara u vendosën në dispozicion vetëm pasi Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale urdhëroi Fondin që ky informacion të bëhej publik.

Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga Fondi, numri më i madh i ndërhyrjeve të paketave të kardiokirurgjisë është kryer në Spitalin Amerikan me 654 raste. Më pas renditet Spitali Gjerman me 629 raste, spitali Hygeia me 516 raste, Spitali Europian me 506 raste dhe ai “Roland Xhaxho” me 502 raste.

BIRN verifikoi gjithashtu listën e çmimeve që aplikojnë pesë spitalet e kontraktuara nga Fondi dhe i krahasoi ato me çmimet e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave; ç’ka tregon se spitalet private aplikojnë çmime më të larta.

Për shembull; ndërkohë që Fondi e rimburson një rast të agnioplastikës koronare për 164 360 lekë përfshirë marzhin e fitimit të privatit, çmimi në spitalet private që kanë lidhur kontratë me Fondin varion nga 1750 deri në 1800 euro. Vendosja e një stent-i ka gjithashtu çmime të ndryshme nga njëri spital në tjetrin-ç’ka i ekspozon pacientët e sëmurë me të papritura të tjera.
Një stent i pamedikuar [me jetëgjatësi më të shkurtër] varion nga 600 deri në 1 mijë euro në pesë spitalet e mësipërme, ndërkohë që për garanci më të madhe, pacientët duhet të paguajnë nga 1800 deri në 2000 euro për një stent të medikuar.

Diferenca e mësipërme e kostove krijon një hendek të madh mes parave të paguara nga Fondi dhe atyre që përballohen nga vetë pacientët. Në përgjigjen me shkrim, Fondi i tha BIRN se nuk kishte të dhëna as për numrin e pacientëve që i kanë bashkëfinancuar paketat dhe as për vlerën financiare që ata janë detyruar të paguajnë nga xhepi.

Kritikat për skemën

Ligji “Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor” parashikon blerjen e shërbimit edhe nga ofruesit jopublikë përmes kostove të përcaktuara nga Këshilli Administrativ i FSDKSH-së.  Hartimi i protokolleve dhe kostove të paketës shëndetësore realizohet nga një komision teknik i përbërë nga ekspertë, të cilët përfaqësojnë në mënyrë të barabartë, ndarjen e kritereve në: mjekësor, ekonomik dhe social.

Dhjetë paketat shëndetësore të parashikuara në VKM-në e 21 majit 2014 përcaktojnë koston e secilës ndërhyrje, plus një marzh fitimi për spitalet private. Por një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit i datës 29 dhjetor 2017 ka kontatuar se përcaktimi i kostove për paketën shëndetësore nga Këshilli Administrativ i Fondit është në kundërshtim me ligjin dhe statutin e FSDKSH-së.

“Përcaktimi i kostove nga Këshilli Teknik për hartimin e paketave, duke marrë për bazë kostot direkte dhe indirekte të QSUT nuk mund të shërbejnë si kosto reference për institucionet shëndetësore jopublike,” thuhet në auditin e KLSH.

“Përcaktimi i marzhit të fitimit për paketat shëndetësore është arbitrar dhe jo i përcaktuar sipas ndonjë studimi të mirëfilltë të analizimit të kostove dhe përcaktimeve ligjore për vendosjen e tij,” shton KLSH.

Duke analizuar paketën e implantit koklear, KLSH raporton në audit mungesën e efektivitetit në procesin e propozimit, hartimit dhe miratimit të paketave shëndetësore nga Këshilli Administrativ i FSDKSH.

Në këto kushte, KLSH i rekomandon FSDKSH-së që të ngrejë një komision për rishikimin e çmimeve të paketave për shërbimet shëndetësore. Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkoi gjithashtu aplikimin e procedurës së prokurimit për përfituesit e paketave shëndetësore mes spitaleve private.

I vetmi rishikim që i është bërë vendimit fillestar është ai i prillit 2017, ku për paketat e kardiokirurgjisë konstatohet se ka ndryshuar koha e qëndrimit mbas interventit, duke ulur ditët e qëndrimit në spital nga 2 ditë në 1 ditë.

“Të gjitha paketat shëndetësore që financohen nga FSDKSH mbas ndryshimeve të fundit të VKM nr. 308 kanë rritje të çmimit,” shton KLSH.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi parregullsitë e gjetura nga KLSH.

Ndryshe nga KLSH që auditoi skemën e ndjekur deri tani në ofrimin e këtyre shërbimeve, mjeku kardiolog, Petrit Vargu e konsideroi vendimin për të mbuluar vendosjen e vetëm 1 stent-i si “sharlatanizëm”.

“Sa i takon angioplastikës koronare, stenti vendoset në rastet kur koronarja (arteriet që rrethojnë zemrën) është e bllokuar në masën mbi 70%, ndërkohë që ngushtimet mund të jenë në një koronare, ku mund të vendosen 2-3 stente ose mund të dëmtohen të treja koronaret. Nga eksperienca ime si kardiolog, padyshim që shumica e pacientëve kanë nevojë për më shumë se një stent,” shpjegoi Vargu.

Ai kritikoi gjithashtu rrugën e zgjedhur, në kushtet kur buxheti që Shqipëria shpenzon për shëndetësinë është mjaft i vogël.

“Me një buxhet të ulët që ka Shqipëria, mund të hyjë në 5-6% në të gjitha sëmundjet e jo të merren vetëm me disa sëmundje të caktuara, pra që njërën e trajtojnë me rimbursim, një tjetër e trajtojnë vetëm me një unazë, për një tjetër s’pyes fare, te dializa hidhet leku se është biznes i madh. Për mua si mjek këto janë sharlatanizma,” kritikoi Vargu.

Pacientët ‘të humbur’

Përfaqësuesit e shoqatave të pacientëve dhe të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin shëndetësor në vend e cilësojnë pozitive nismën e qeverisë për të financuar edhe në spitalet private disa prej sëmundjeve kryesore që prekin popullatën.

Megjithatë, ata kritikojnë zbatimin në praktikë të këtij premtimi si dhe mungesën e metodikës dhe transparencës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, që sipas tyre kanë sjellë anomali të shumta dhe kanë rënduar edhe më shumë gjendjen e pacientëve.

Shoqëria Civile kritikon gjithashtu paqartësitë në VKM-në përkatëse, të cilat e lënë të paqartë detyrimin që spitalet publike kanë në ofrimin e këtyre shërbimeve në raport me kapacitetin apo përgjegjësinë e spitaleve private për shëndetin e pacientëve. Ata konstatojnë gjithashtu mungesën e një analize nga ana e Fondit se si ky vendim i qeverisë po zbatohet në praktikë.

Erida Skëndaj, kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit evidentoi një sërë mangësish sa i përket transparencës së FDSKSH dhe analizës së saj për nivelin e zbatueshmërisë së Vendimit të Këshillit të Ministrave, për numrin e pacientëve që i kanë kërkuar këto paketa, për pengesat e hasura apo për arsyet se pse kanë ndodhur këto pengesa.

Gjithashtu, Skëndaj kritikoi mungesën e dhënies së informacionit nga Fondi nëse janë ngritur apo jo strukturat për auditimin dhe monitorimin e ofrimit të paketave të shërbimeve publike dhe jo-publike, nëse janë kryer auditime dhe se ç’ka rezultuar prej tyre.

“Pamundësia e shtetit për të ofruar këto paketa shëndetësore së pari krijon një shqetësim tepër të madh për shtetasit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, për të cilët duhet të ofrohen këto shërbime shëndetësore, por gjithashtu edhe për familjarët e tyre. Pamundësia për të përballuar objektivisht shpenzimet e këtyre paketave mund të vërë në rrezik jetën e këtyre shtetasve apo të dëmtojë dhe përkeqësojë gjendjen e tyre shëndetësore,” tha Skëndaj për BIRN.

Skëndaj shtoi gjithashtu se më të prekurit janë sërish shtesat më të varfra të popullsisë.

“Më së shumti nga mosofrimi i këtyre paketave preken ata individë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme financiare për të përballuar kostot e tyre, të cilët i përkasin shtresave të varfra të popullsisë,” tha ajo.

Olimbi Hoxhaj nga Rrjeti i Shoqatave të Pacientëve e vlerësoi pozivisht nismën për mbulimin financiar të këtyre sëmundjeve, por u shpreh kritike për zbatimin e vendimit në praktikë. Ajo i tha BIRN se mungon kontrolli i mënyrës se si paketat zbatohen nga ana e Fondit dhe se bazuar nga pyetësorët me pacientët, vihet re se i njëjti shërbim rezulton i dyfishuar në çmim te spitalet e kontraktuara, krahasuar me spitalet e tjera private në vend.

“Gjithçka krijohet nga fakti se Fondi nuk ka një metodikë të qartë për ushtrimin e kontrollit mbi zbatimin e këtyre paketave shëndetësore, duke u mjaftuar vetëm me zbatimin e disa detyrave të përgjithshme që janë përshkruar në rregullore,” tha Hoxhaj për BIRN.

“Kjo lë vend për interpretime si edhe për nxjerrjen e konkluzioneve nga ekspertët e fushës dhe ata të sistemit të monitorimit dhe supervizimit,” përfundoi ajo. BIRN

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY