“Këshilli i Ambasadorëve nuk ka komplekse, përgjigje pozitive për kryeministrin, presidentin dhe...

“Këshilli i Ambasadorëve nuk ka komplekse, përgjigje pozitive për kryeministrin, presidentin dhe kryetarin e opozitës.”

99
0
Shares

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptare një organizatë e pavarur, jofitimprurëse u krijua rreth 2 muaj më parë me qëllimin për të analizuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe kontribuar në përmirësimin e strategjive diplomatike të vendit. Iniciativa bashkoi 24 personalitete të diplomacisë shqiptare, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm ndër vite në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Presidenti i këtij këshilli, ish-ministri i Punëve të Jashtme Besnik Mustafaj ndodhet këto ditë Uashingtonin për takime me organizata të ngjashme që veprojnë në Shtetet e Bashkuara. Menada Zaimi e Zërit të Amerikës zhvilloi një bisedë në studio me zotin Mustafaj lidhur me synimet e kësaj iniciative, por dhe mbi zhvillimet politike në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, cili është roli i kësaj organizate dhe si synoni ta zbatoni atë?

Besnik Mustafaj: Dua të them se kjo është e vetmja organizatë e shoqërisë civile që është realisht bipartizane. Në përbërje të saj kemi ish-ambasadorë me emërime nga e majta dhe nga e djathta. Ky është realiteti dhe kjo lidhet edhe me qëllimet që kemi. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një lloj think tank-u në mbështetje të politikës së jashtme të shtetit shqiptar. Ne nuk jemi as pro dhe as kundër qeverisë apo opozitës, por rast pas rasti do të gjykojmë politikën e jashtme, do të japim mendimet tona me shpresën se do të dëgjohemi.

Zëri i Amerikës: Historia ka treguar se sado e vlefshme të jetë ekspertiza, edhe pse nga diplomatë karriere, përsëri qeveritë e të gjitha krahëve kanë qenë të ngurta për ta thithur këtë ekspertizë. Si do ta përçoni ju atje?

Besnik Mustafaj: Ne do ta përçojmë në dy mënyra: përmes qëndrimeve publike, që do të mbajmë për ngjarje dhe hapa diplomatik ndërkombëtarë, që do të hedhë Shqipëria, si edhe në rastet, që do të na kërkohet ekspertiza jonë, në mënyrë konfidenciale diskrete në zyrat e shtetit shqiptar. Ne nuk kemi komplekse për t’iu përgjigjur pozitivisht ministrit të jashtëm, kryeministrit, presidentit apo kryetarit të opozitës.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se nuk keni komplekse, por në një vend tejet të politizuar si Shqipëria, si mund ta zhvishni ekspertizën nga prirjet politike?

Besnik Mustafaj: Politika e jashtme ta jep këtë mundësi. Po iu them me bindje absolute se qëllimi ynë është pikërisht ky: ta nxjerrim politikën e jashtme shqiptare, të ndikojmë që politika e jashtme shqiptare të dalë jashtë debatit partizan të ditës e të partive, në mënyrë që të ruhet orientimi perëndimor i Shqipërisë, të ruhen vlerat që ka politika e jashtme shqiptare në proceset integruese të saj, Shqipëria të shfaqet dinamike në politikën e saj të jashtme, përfituese dhe kontribuese si anëtare e NATO-s dhe si anëtare e ardhshme e BE-së. Ky është qëllimi ynë. Sigurisht qëllimi është gjithmonë më i madh se sa rezultati, por ne shpresojmë që me këtë nismë të arrijmë një rezultat sa më të lartë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY