Kostaq Beluri do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e listës prioritare për shkak të kandidimit të tij si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Seanca dëgjimore e Belurit është planifikuar të zhvillohet mesditën e së martës, ndërkohë që trupa gjykuese drejtohet nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komiçi.
Beluri punon aktualisht si prokuror në Sektorin e Verifikimit të Integritetit, i njohur ndryshe si sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai ka punuar si zv.prokuror i Tiranës në vitet 1999-2004 dhe si drejtor i Luftës kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit në vitet 2004-2007.
Më pas, Beluri është rikthyer sërish në organin e akuzës si zv.drejtor i Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe prej vitit 2014 ushtron detyrën në Prokurorinë e Përgjithshme.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Kosta Beluri nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Beluri zotëronte pasuri familjare në vlerën e 1.3 milionë lekëve në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Beluri kap vlerën e 5.2 milionë lekëve.
Beluri zotëron një apartament banimi 70 m2 me vlerë 1.1 milionë lekë dhe 1/5 e një apartamenti të përfituar nga familja përmes privatizimeve-pasuri këto të deklaruara prej vitit 2003. Ai zotëron gjithashtu 2.9 milionë lekë llogari bankare dhe 1.2 milionë lekë kursime në cash.
Të ardhurat familjare të prokurorit Beluri kapin vlerën e 33.8 milionë lekëve për vitet 2003-2017. Ato përbëhen në 97 për qind nga të ardhurat e pagës së tij dhe të bashkëshortes, 2.4 për qind nga interesat bankare dhe 0.3 për qind nga mësimdhënia.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 vite të deklaruara të zotit Beluri dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë për vitin 2003
Deklarata e pasurisë për vitin 2004
Deklarata e pasurisë për vitin 2005
Deklarata e pasurisë për vitin 2006
Deklarata e pasurisë për vitin 2007
Deklarata e pasurisë për vitin 2008
Deklarata e pasurisë për vitin 2009
Deklarata e pasurisë për vitin 2010
Deklarata e pasurisë për vitin 2011
Deklarata e pasurisë për vitin 2012
Deklarata e pasurisë për vitin 2013
Deklarata e pasurisë për vitin 2014
Deklarata e pasurisë për vitin 2015
Deklarata e pasurisë për vitin 2016
Deklarata e pasurisë për vitin 2017
BIRN
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/