Kjo kompani transferoi miliona euro nga Shqiperia drejt Italise dhe Kines

Kjo kompani transferoi miliona euro nga Shqiperia drejt Italise dhe Kines

251
0
Shares
Foto Ilustruese
Autor:Lindita Çela BIRN Tiranë

Një kompani fantazmë dhe pa aktivitet real në Shqipëri dyshohet se ka shërbyer për transferta miliona euroshe drejt Italisë, Hong Kongut dhe Kinës dhe sipas Policisë së Shtetit kishte si qëllim pastrimin e parave. Përmes një njoftimi për shtyp të mërkurën, policia deklaroi se kishte sekuestruar 1.5 milionë euro në llogaritë bankare të kompanisë së quajtur “Sunflower Company”, e themeluar në Shqipëri nga shtetas italianë.

“Kjo shoqëri e krijuar në vendin tonë nga shtetasi i huaj italian S. L., [me precedentë të ndryshëm penalë në Itali për deklarata mashtruese dhe krime në fushën e tatimeve] ka përfituar për një periudhë të shkurtër kohore sasi të konsiderueshme në valutë euro nga shoqëri të huaja,” thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

“Sunflower Company” është themeluar në prill 2017 me objekt që nis nga tregtimi i produkteve të naftës dhe përfundon tek tregtia e diamanteve dhe gurëve të çmuar. Sipas hetimeve, kompania është kredituar nga shoqëri të huaja dhe më pas paratë janë transferuar sërish jashtë vendit-skemë kjo e dyshuar për pastrim parash.

BIRN zbuloi përmes ekstrakteve në Qendrën Kombëtare të Biznesit se kompania “Sunfloëer Company” është themeluar nga shtetasi italian Armando Leonelli më 4 prill 2017 dhe mbante fillimisht emrin “Real Estate San Sebastiano”.

Tetë muaj më vonë, 70 vjeçari Leonelli ia shet kompaninë për 100 mijë lekë administratorit të tij, Marco Ciolini.

Dokumentet tregojnë se po në të njëjtën ditë, më 4 dhjetor 2017, Ciolini në cilësinë e pronarit të vetëm të kompanisë tashmë të quajtur “Sunflower” emëron si përfaqësues për të kryer çdo veprimtari në organet tatimore dhe administrative “Bear Consulting “ shpk, ndërsa si përfaqësues të posaçëm, Stefano Lorenzin.

BIRN kontaktoi me kompaninë “Bear Consulting” dhe përfaqësuesi i saj, Ergys Demneri tha përmes telefonit se asnjëri prej përfaqësuesve të kompanisë së dyshuar italiane nuk ndodhej në Shqipëri.

“Ne jemi një zyrë shërbimi kontabiliteti dhe konsulentësh fiskale dhe jemi të kontraktuar nga kjo kompani për të kryer aktivitetin kontabël të tyre, por asnjë prej përfaqësuesve italianë nuk ndodhen në Shqipëri, kanë ikur prej kohësh,” tha Demneri.

I pyetur për bilancet e kompanisë, Demneri sqaroi se kompania nuk ka asnjë aktivitet në Shqipëri ndaj dhe deri më tani nuk ka kryer ndonjë veprimtari kontabiliteti për llogari të tyre.

“Kompania është e re dhe nuk ka përfaqësues të tjerë përveç emrave të deklaruar në QKB. Nuk ka pasur aktivitet se sapo është krijuar, s’ka as punonjës, ndaj dhe ne nuk kemi kryer asnjë aktivitet kontabël për ta,” sqaroi eksperti kontabël.

“Tek ne ka ardhur njoftimi për hetimin e prokurorisë dhe ua kam përcjellë shtetasve italianë, por unë nuk di më shumë se sa nga ajo që është deklaruar në regjistrin e biznesit dhe sa ka deklaruar policia,” shtoi Demneri.

Të kontaktuar nga BIRN, përfaqësues të Prokurorisë u treguan të rezervuar për sqarimin e rrethanave të transferimit të shumave të konsiderueshme monetare nga një kompani thuajse inekzistente. Megjithatë, ata deklaruan se po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, e cila është regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Hetimet e deritanishme të Prokurorisë dhe Policisë kanë gjetur miratimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila me vendimin nr. 3422 të datës 30 qershor 2018 ka urdhëruar sekuestrimin e llogarive bankare, gjendjeve monetare të gjetura në to si dhe asetet e kompanisë “Sunflower”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY