Këshilla për ambasadorin e ri amerikan

Këshilla për ambasadorin e ri amerikan

148
0
Shares

Nga Andi Bejtja

I dashur Ambasador apo Ambasadore!

Mbaje gjithmonë parasysh që po vjen në një vend në rajon, ku si rrallëkund do të gjesh një popull pro amerikan, me arsye dhe pa arsye njëkohësisht, ndaj mos e shemb këtë investim të bërë qoftë nga vetëdija qoftë nga pavetëdija.

Nganjëherë dashuria e verbër është më e madhe se dashuria e logjikshme. Qeveri pro amerikane do të gjeni pa fund, por popujt pro amerikanë për hir të së vërtetës po rrallohen. Mos e harro këtë, mendoj që çdo Ambasador amerikan që vjen në Shqipëri, vjen për të mbajtur në këmbë këtë kauzë, ndaj më mirë prishe me qeverinë se sa me shqiptarët.

Dhe këtu tek ky raport delikat midis qeverisë dhe shqiptarëve qëndron suksesi ose dështimi yt.

Më lejo ta filloj me një këshillë që mund të duket e parëndësishme. Mësoje shqipen, po mos fol shqip në takime e tryeza, maksimumi kur mund të flasësh shqip fol kur je i ftuar në Parlament, në ndonjë fjalë përshëndetëse. Shqiptarët, është e vërtetë gëzohen kur të huajt flasin gjuhën e tyre, por nga ana tjetër menjëherë do thonë ky qenka si ne, “qenka dora jonë” dhe do fillojnë palët ky është me ne, ky është me ata. Fol anglisht se do të qëndrosh automatikisht mbi palët. Dhe historia e dekadave të fundit ka treguar se Ambasadorët më seriozë dhe efikase, për koiçidencë apo jo kanë qenë ata që kanë folur anglisht dhe jo ata që janë ngatërruar me shqipen.

Ki shume kujdes kur ka demonstrate e protesta, kur e shikon të arsyeshme, mundohu ta evitosh shprehjen burokratike standarde ( gjithmonë nëse nuk është e nevojshme) ‘njoftohen qytetarët amerikanë të mos dalin nga shtëpia se ka të dhëna për trazira’.

Shqiptarët i irriton dhe i nervozon shumë ky togëfjalësh sidomos kur e kanë të qartë si drita e diellit që protesta do të jetë paqësore.

Për më tepër të lutem mos i bë këto deklarata në protesta njëqind për qind qytetare, të organizuara nga shoqëria civile. Ky do ishte një dëm shumë i vështirë i riparueshëm në mendjet e shqiptarëve jo militante, që janë palca e vërtete e Shqipërisë.

Nëqoftëse e ke të domosdoshme për të mbrojtur një biznes amerikan në Shqipëri, që mendon se po i shkelen të drejtat, më mirë shko ankohu tek zyra Kryeministrit apo e ndonjë Ministri se sa tek zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.

As direkt as indirekt, as off record as on record, mos i thuaj zyrtarëve apo gazetarëve, apo kujtdo se Amerika nuk është e interesuar për historitë me hashash, përderisa asnjë gram nuk kalon në Amerikë, mbaje për vete, sepse nesër kur të shikosh raportet zyrtare që thonë ‘që kaq për qind e votave janë blerë nga paratë e pista të krimit’ nuk do të kesh çfarë të thuash dhe shqiptarët nuk do të të marrin seriozisht, jo vetëm ty por edhe vetë Amerikën.

Mos vër afate për gjëra që nuk i ke në dorë, të tipit ‘në Janar do të kapen peshqit e mëdhenj’, pasi shqiptarët besojnë më shumë tek Ambasada Amerikane se sa tek drejtësia e tyre, ndaj nuk është serioze të kalojnë janar e janare e të mos ndodhë asgjë.

Nëqoftëse do të japësh mesazhe të rëndësishme në publik më mirë jepi me një deklaratë në faqen e ambasadës dhe jo vetëm në emisione humoristike, se pavarësisht nga audienca, shqiptarët nuk do të të marrin seriozisht, si gjithmonë kuptohet jo vetëm ty por edhe Amerikën.

Shqiptarët, që nga politikanët e deri tek kamerierët, gjithmonë do të të trajtojnë si Mbret, por mundohu të mos ndjehesh e të mos sillesh si Mesia. Mirë do të ishte të ndjeheshe si Gjon Pagëzori, që t’ia bësh rrugën dhe më të lehtë Ambasadorit tjetër që do të vijë, pikërisht sepse qeveri pro amerikane mund të gjesh lehtë kudo, por popuj pro amerikanë jo.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY