Studimi/ Nuk ka ndodhur asnjë mrekulli me punësimin në Shqipëri

Studimi/ Nuk ka ndodhur asnjë mrekulli me punësimin në Shqipëri

410
0
Shares

Teksa papunësia ra në 12.3% të forcës së punës duke shënuar rekorde historike në tremujorin e parë të 2018-s, disa kleçka statistikore shpjegojnë se në të vërtetë nuk ka ndodhur një mrekulli në punësimin real në ekonominë tonë. Ndryshimi i ligjit për punëkërkuesit nuk konsideron më të papunë personat që refuzojnë ofertën për punësim dy herë rresht, duke ulur artificialisht të papunët e regjistruar. Ndërsa plakja e popullsisë dhe emigracioni kanë ulur forcën e punës me mbi 3600 persona vetëm në tre muaj.

 

Rënia e papunësisë në tremujorin e parë të vitit 2018 në rekorde historike në vetëm 12,8% të forcës së punës nga 13.7% në fund të 2017, në një kohë kur treguesit e tjerë si hendeku i prodhimit, inflacioni dhe konsumi nuk e mbështesin, duket të jetë më shumë një rezultat statistikor se sa një mrekulli në ekonominë shqiptare.

Në fakt, treguesi zyrtar përligjet nga një zhvillim në metodologjinë e matjes së papunësisë. Shërbimi Kombëtar i Punësimit në vitin 2016 ka ndryshuar ligjin për punëkërkuesit, në dy elemente specifike, që kanë të bëjnë me regjistrimin e të papunëve.

Së pari, nëse punëkërkuesi refuzon ofertën e parë të punës si dhe të dytën, atëherë hiqet nga lista e punëkërkuesve.

Së dyti, ka ndryshuar frekuenca e paraqitjes së punëkërkuesit pranë zyrës së punës nga një herë në tre muaj, në çdo muaj.

Regjistrimi në zyrat e punësimit, më shumë se sa një mundësi për të gjetur punë, ndodhte për shkak të përfitimit të siguracionit shëndetësor. Sportelet në zyrat e punësimit pohuan faktin se shumica e të regjistruarve shkojnë për të përfituar siguracionin shëndetësor se sa për të gjetur një punë. Duke analizuar këtë sjellje të të papunëve, qeveria ndryshoi ligjin, duke mos i konsideruar të papunë personat që refuzojnë për dy herë rresht ofertat që marrin nga shërbimi i punësimit.

Ndryshimet ligjore kanë ulur numrin e punëkërkuesve në mënyrë të konsiderueshme në tremujorin e parë të këtij viti në raport me tremujorin e parë të 2017-s. Zyrat e punësimit kanë raportuar se në tremujorin e parë pati vetëm 83 mijë të regjistruar si të papunë, në një kohë që në fillim të vitit 2017 ishin të regjistruar 130 mijë persona si punëkërkues.

Të dhënat administrative tregojnë kontradiktën

Të dhënat e tjera administrative po nga INSTAT tregojnë një panoramë ndryshe. Sipas tyre, numri i të punësuarve shtesë në tre muajt e parë të vitit (diferenca mes personave që dalin nga tregu i punës dhe atyre që hyjnë) ishte vetëm 418 persona.

Në total, në sektorin privat jobujqësor kishte 501,759 të punësuar nga 501,341 në dhjetor 2017, me një rritje minimale prej 0.08%. Ky është një ndryshim shumë i ulët, kur mesatarisht në tremujorët e mëparshëm, rritja tremujore luhatej mes 12 mijë dhe 22 mijë persona.

INSTAT raporton dy tregues për punësimin. E para është Anketa e Forcave të Punës, sipas së cilës, papunësia u ul dukshëm në 12.5%. Anketa e Forcave të Punës është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve, ku punonjësit e INSTAT pyesin anëtarët e 7,944 familjeve nëse kanë punuar për periudhën kohore të caktuar (p.sh., edhe nëse një person ka punuar disa orë gjatë javës quhet i punësuar). Sipas metodologjisë së INSTAT, në familjet e zgjedhura u anketuan nëpërmjet intervistës së drejtpërdrejtë të gjithë pjesëtarët në moshë 15 vjeç e lart. Pyetësori i ATFP është hartuar me asistencën teknike të EUROSTAT dhe ai është në përputhje të plotë me rekomandimet dhe rregulloret e EUROSTAT.

Sipas të dhënave nga Anketa, numri i të punësuarve është rritur me 9,548 në tremujorin e parë në raport me fundin e vitit të mëparshëm (nga 11 mijë që ishte më parë). Ndërsa forca totale e punës (të punësuar plus të papunë) ka rënë me rreth 3700 persona, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e treguesit të papunësisë. Treguesi i dytë është ai i të dhënave administrative të tregut të punës, sipas të dhënave të listëpagesave nga tatimet. Sipas metodologjisë së INSTAT, numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor nga tremujori i parë i vitit 2017 e në vijim, është mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në datë 23 maj 2018.

Pra ky tregues jep numrin e personave që fillojnë punë dhe paguajnë rregullisht sigurimet. Sipas të dhënave administrative, në total, në Shqipëri kishte 1,127,772 të punësuar, nga të cilët 501,759 ishin në sektorin privat jobujqësor, 164,333 në shtet dhe 461,680 në sektorin privat bujqësor (numri mesatar i të punësuarve në sektorin bujqësor bazohet në vlerësimet tremujore të Anketës së Forcave të Punës). Në total, numri i të punësuar në tremujorin e parë, në krahasim me të fundit 2017, u rrit me 5,137 persona, nga të cilët 418 më shumë në sektorin privat jobujqësor dhe 4,866 në bujqësi.

Me bazë vjetore (T i 2018/TI 2017), numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor ka shënuar një rritje me 54 mijë persona, ku rritja më e madhe është shënuar në tremujorin e tretë 2017, që përkon me sezonin e verës dhe turizmin.

Nga të dhënat e mësipërme rezulton se më shumë sesa rritje reale e punësimit në sektorin privat jobujqësor, rënia e papunësisë në tremujorin e parë, krahasuar me fundin e 2017-s ka ardhur si rrjedhojë e rritjes së të punësuarve në bujqësi dhe uljes së lehtë të forcës totale të punës, një tregues indirekt i emigracionit.

Të punësuarit rishtazi zbehin mrekullinë e shifrave

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT që i referohen Anketës së Forcave të Punës në tremujorin e parë të vitit u raportuan si të punësuar 1,226,157 persona ose 9548 persona më shumë se në fundin e vitit 2017. Shifrat tregojnë se numri i të punësuarve rishtaz në tremujorin e parë është shumë më i ulët se ulja e të papunëve, të cilët ishin 13,200 persona më pak. Kjo diferencë erdhi për shkak se forca e punës ka pësuar rënie në tremujorin e parë. Forca e punës, sipas INSTAT, përfshin personat e punësuar plus të papunët. Në janar-prill, forca e punës numëroi 1,400,694 persona ose 3,694 më pak se në fundin e vitit.

Të dhënat të posaçme të INSTAT tregojnë se, punësimi ka shënuar rritje në tremujorin të parë, por një pjesë e madhe si rezultat i ndryshimeve ligjore që kanë favorizuar uljen e numrit të papunëve të regjistruar.

Ekspertët e INSTAT ka vënë re rritje në industrinë përpunuese, në ndërtim (është rritur numri i lejeve të ndërtimit), por dhe në tregti, akomodim dhe shërbime administrative. Ndërsa ka rënie në industrinë nxjerrëse, si në terma vjetorë, ashtu dhe tremujorë.

Sipas ekspertëve të INSTAT këtë vit, punësimi në bujqësi është favorizuar nga kushtet atmosferike, pasi ka përmirësim në bujqësi, dhe në shërbime krahasuar me vjet. Dhe shifrat e turizmit në lidhje me hyrjet e shtetasve e mbështesin këtë fakt.

Kontradiktat

Kur punësimi gjallërohet, një sërë treguesish të tjerë në ekonomi e mbështesin. Sipas teorive ekonomike, rritja e punësimit çon në rritje të shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi, nxit konsumin dhe tregtinë me pakicë e për pasojë ushtron presion në rritjen e çmimeve. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e parë norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi rreth nivelit mesatar 72.4%. Banka sqaron se treguesi vazhdon të qëndrojë nën normën e shënuar si kundrejt së njëjtës periudhë një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me mesataren historike të tij, me nga përkatësisht 1.2 pikë përqindje. Në reflektim të këtyre zhvillimeve, prirja e vlerësuar e hendekut të normës së shfrytëzimit të kapaciteteve nga mesatarja historike e saj vijon të sugjerojë praninë e kapaciteteve të lira në ekonomi, shton më tej Banka, duke pranuar se rritja e punësimit nuk është reflektuar në rritje të shfrytëzimit të kapaciteteve.

Gjithashtu, në tremujorin e parë 2018, treguesit e inflacionit dhe të tregtisë me pakicë u rritën me ritme shumë të ulëta. Inflacioni mesatar në tremujorin e parë të vitit ishte 1.9%, niveli më i ulët se inflacioni mesatar i tremujorit të parë të vitit 2017 që ishte në 2.3%.

Gjithashtu tregtia me pakicë në tremujorin e parë që është edhe treguesi më i hershëm i konsumit tregoi se në tremujorin e parë 2018, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 1,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht është ulur 3,2%. Teksa në tremujorin e parë të 2017-s, indeksi i tregtisë me pakicë shënoi rritje me 2,5%.

Emigracioni “zbut” papunësinë

Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n.

Shifrat janë bërë të ditura në Raportin vjetor të Situatës së azilantëve, të sapopublikuar nga Bashkimi Europian. Raporti i referohet periudhës 1 janar – 31 dhjetor 2017. Edhe pse me normën më të ulët të pranimeve dhe numrin më të lartë të tërheqjeve nga procedura, Shqipëria vijon të renditet në 10 shtetet me numrin më të lartë të azilkërkuesve (4% e totalit). Bazuar në të dhënat e raportit në 2017-n, 10% e aplikantëve ishin tërhequr nga kërkesa e tyre, ndërsa norma e pranimit vijon të mbetet ndër më të ulëtat. Nisur nga kriteret e forta për pranimin e kërkesës për azil, pjesa më e madhe e azilkërkuesve shqiptarë heqin dorë nga procedurat e azilit. Franca, Luksemburgu dhe Norvegjia kanë përqindjen më të lartë.

Referuar raportit vjetor që prej 2013-s, Siria, Iraku dhe Afganistani janë tre shtetet kryesore të origjinës së aplikantëve për azil. Afërisht 15% e të gjithë azilkërkuesve ishin me origjinë nga Siria, me Irakun, i renditur i dyti dhe Afganistani i treti, ku secili përfaqësonte rreth 7% të origjinës së azilkërkuesve në BE. Këto vende ndiqeshin nga Nigeria, Pakistani, Eritrea, Shqipëria, Bangladeshi, Guineja dhe Irani.

Në raport thuhet se vendet me normë më të ulët të pranimit të kërkesës për azil janë vendet e Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Kosova apo Serbia.

Në 2017-n, 29% e pranimeve të kërkesave të azilkërkuesve në Francë iu dhanë shtetasve shqiptarë, një vend që ka një normë shumë të ulët të pranimit të kërkesave të përgjithësi.

Shqipëria vijon të listohet në top 10 vendet me numrin më të lartë të aplikantëve për azil në Bashkimin Europian, ku sipas të dhënave, 4% e azilkërkuesve ishin me origjinë nga Shqipëria. Megjithatë, numri i aplikantëve për herë të parë ka ardhur në rënie. Në 2016-n, sipas raportit, numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 32985, ndërsa në 2017-n numri i aplikantëve shënoi 26060. Shqiptarët u renditën në vend të shtatë pas vendeve ku konfliktet civile vijojnë.

Shtete me popullsi shumë më të madhe se Shqipëria, si Rusia dhe Turqia, kishin rreth 16-17 mijë aplikime në 2017-n. Serbia kishte 8305 aplikime, Kosova rreth 7600 dhe Maqedonia rreth 6900.

Individët që aplikojnë për azil mund të tërheqin kërkesën e tyre gjatë procedurave të shqyrtimit (përpara se të jepet vendimi final për kërkesën). Tërheqja e kërkesës mund të jetë e qartë, ose në mënyrë të nënkuptuar (kur një aplikant nuk dihet se ku është ose nuk paraqitet më në intervistë).

Në mesin e shteteve që kanë numrin më të madh të tërheqjeve nga aplikimet është Shqipëria. Nga totali i aplikimeve, 10% e tyre u tërhoqën.

 

Megjithatë, pjesa më e madhe e tërheqjeve nga kërkesa për azil nga individët nga Shqipëria u bë në mënyrë të qartë (direkte, ku individi e bën zyrtare vendimin për t’u tërhequr nga aplikimi). 66% e aplikantëve të tërhequr nga Shqipëria e morën vendimin në mënyrë zyrtare. Pjesa tjetër e të tërhequrve rreth 34% nuk u paraqitën në fazat e mëtejshme të procedurave. Vetëm në Francë (vendi me nr. më të lartë të aplikimeve nga shqiptarët në 2017-n) u regjistruan rreth 1400 raste të tërhequra nga procedurat.

Përqindje të lartë të tërheqjeve kishte edhe në Luksemburg dhe Norvegji. Në total, rreth 2600 kërkesa janë tërhequr. Vendi me përqindjen më të lartë të kërkesave të tërhequra është Gjermania. Ndërsa për sa u përket çështjeve të bllokuara 9% (më e larta) për kërkesë për azil në Angli janë të shtetasve shqiptarë.

Disbalancat e kërkesës dhe ofertës për punë

Treguesit zyrtarë, edhe pse nuk përfaqësojnë zhvillimet reale në tregun e punës, tregojnë zhbalancimin e madh midis ofertës për punë në raport me kërkesat që kanë të papunët. Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2016 grumbulloi nga bizneset rreth 39 mijë oferta për punë. Nga këto, mbi 40% ishin kërkesa të sektorit fason, 16% ishin për sektorin e telekomunikacionit, 9% për aktivitetet e shërbimit dhe pjesa tjetër përbëhej nga kërkesa në sektorët e energjisë, shërbimeve dhe aktiviteteve profesionale.

Punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit në vitin 2016 ishin 93 mijë, ose më shumë se dyfishi i vendeve të lira që kanë deklaruar bizneset në zyrat e punësimit. Mospërputhja e ofertës dhe kërkesës për punë është e gjithanshme. Nëse në kategoritë e zanatçinjve, teknikëve të mesëm dhe specialistëve me arsim të lartë, oferta mbulon 55% të punëkërkuesve, për profesionet elementare mbulohet vetëm 17%, ndërsa për punëkërkuesit pa profesion që janë rreth 10% e totalit të punëkërkuesve, nuk ka asnjë ofertë për punë.

Por teksa oferta dhe kërkesa për punë bashkohet në disa pika në Qarkun e Tiranës dhe Durrësit, në qarqet e tjera, situata është dramatike. Kërkesës së lartë për punësim nuk i përgjigjet oferta për punë. Shifrat e Shërbimit të Kombëtar të Punësimit tregojnë se në qarqet e Kukësit, Dibrës, oferta për punë nuk përmbush as 3% të kërkesës për punësim. Ky zhbalancim po zbraz qytetet shqiptare, qytetarët e të cilëve po ikin në emigracion ose po vijnë drejt qendrës së vendit.

Eksperti Ndriçim Mehmeti, e lidh kaosin në tregun e punës me mungesën e orientimit të qeverisë. Ai thotë se ka disa zanate që lidhen me politikat e zhvillimit të qeverisë. Nëse qeveria vendos të zhvillojë industrinë e çimentos dhe materialeve të ndërtimit në një zonë të caktuar, i duhet më pak se një vit për të aftësuar forcën e punës. Kjo realizohet me intershipe, një model që zbatohet kudo në botë.

Kompania mund të ofrojë kualifikime falas për punonjësit, për një periudhë deri në vit, ndërsa qeveria duhet ta lehtësojë atë nëpërmjet subvencioneve dhe pagesës së sigurimeve për punonjësit në praktikë – thotë Mehmeti. Kurset e kualifikimit të shpejtë zgjidhin kërkesën që ka në një moment tregu i punës. Por sipas tij, problemi në Shqipëri qëndron tek qeveria e cila nuk e di se çfarë sektori do të zhvillojë me përparësi dhe sa politika nxitëse ka për bizneset që ofrojnë trajnime dhe intershipe.

Orientimi i ekonomisë drejt sektorëve që nuk kërkojnë kualifikim të lartë, si fasoni dhe ndërtimi, kanë ulur ofertën për punë me kualifikim të lartë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2016, kërkesa e bizneseve për të rekrutuar punonjës më arsim të lartë dhe teknik të mesëm ra me 25% në raport me vitin 2015. Hendeku mësohet të jetë thelluar më 2017.

Në zyrat e punës janë regjistruar si punëkërkues 5336 persona me arsim të lartë, por oferta për këtë kualifikim ishte vetëm 2517 persona. Eksperti Mehmeti thotë se, shumica e ofertave për punë me arsim të lartë janë për pozicione që i mbulon arsimi profesional. Bie fjala, një punonjës kase në bankë nuk ka pse të jetë me shkollë të lartë ashtu si edhe llogaritarin mund ta bëjë një person me arsim të mesëm. Instalimet elektrike në pallat mund t’i bëjë një teknik i mesëm, por në fakt biznesi kërkon arsimin e lartë që jo domosdoshmërisht vlen për të gjitha vendet e punës.

 

Disbalanca më e madhe ndërmjet kërkesës dhe ofertës për punë qëndron tek profesionet elementare, (punëtor krahu, për ndërtim, pastrim dhe bujqësi). Për këtë lloj pune janë regjistruar 42 mijë kërkesa, kur bizneset ofrojnë vetëm 7000 mijë pozicione. Kërkesa dhe oferta përfarohen disi për zanatçinjtë, por disbalancimet gjeografike sjellin mospërputhje edhe në këtë grup.

Mbi 9 mijë persona nuk kanë asnjë profesion dhe kërkojnë punë, por ndaj tyre ofrohen vetëm 41 pozicione pune. Tregu i punës duket se ka rënë në rreth vicioz, teksa bizneset ankohen se nuk kanë gjetur profesionistë, kurse punëkërkuesit pretendojnë se nuk ofrohen mundësitë. Përvojat tregojnë se një popull i mirarsimuar krijon një treg të aftë të punës. Por në Shqipëri modeli ekonomik është i orientuar ndaj sektorëve me vlerë të ulët të aftësive, çka po dekurajon të rinjtë të thellojnë njohuritë e tyre në profesione me vlerë të lartë. Ndërsa biznese të veçanta pohojnë se, forca e kualifikuar e punës po i pengon ata të zgjerohen në linja që kërkojnë kualifikim./Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY