Pse u kujdes Balla kaq shumë për t’u koordinuar me deklaratat e...

Pse u kujdes Balla kaq shumë për t’u koordinuar me deklaratat e Policisë ?

313
0
Shares

Kur Lulzim Basha lëshoi në parlament deklaratën se për pak ditë mbërrinte në Shqipëri një Toyota Yaris me 1.5 milion euro të fituara me paratë e drogës dhe se personat që sillnin paratë kishin lidhje me Taulant Ballën, vetë deputeti socialist ia dha të qeshurës. Pas foltores ku fliste Basha, edhe Edi Rama gajasej me të madhe.

Skena ishte një “deja vu”. Njësoj kishin qeshur në sallën e kuvendit socialistët, kur Sali Berisha denoncoi avionët e drogës që uleshin në Divjakë dhe që Rama me humor i quajti “mushkonja”. Ilariteti në sallë, merrte efekt sërish nga e njëjta temë, droga.

Historia u përsërit më e plotë, kur doli lajmi për kapjen e dy mjeteve tip Toyota të mbushura me paratë e drogës. Për socialistët nuk kishte më arsye për të qeshur. Kreu i grupit parlamentar të mazhorancës u vu para një akuze serioze. Sipas opozitës ai kishte lidhje me grupin kriminal që solli jo pak, por 3.4 milion euro.

Eshtë e pashmangshme pyetja; Si arriti Lulzim Basha të informohej për të dhënat e aksionit sekret?

Të vërtetat e të dyja palëve janë larg njëra tjetrës, por nëse kreu i PD-së u informua nga shërbimet partnere, atëherë ai nuk mund t’i keqpërdorte informacionet për qëllime politike.

Makinat ishin nisur prej ditësh nga Belgjika, kishin ndaluar në Ankona të Italisë dhe që andej mbërritën në Durrës. Duke qenë se paratë ishin grumbulluar nga shitja e drogës në disa vende europiane, nuk përjashtohet mundësia që shërbimet partnere të kishin dijeni për lëvizjen e tyre. Pikërisht komunikimi i shërbimeve të huaja me Bashën është pjesa që sulmohet më fort nga mazhoranca.

Opsioni i mbështetur nga Taulant Balla është se informacioni rrodhi nga një agjent i SHISH. Në këtë rast, Balla akuzon se lidhja mes tij dhe parave të drogës është e sajuar. Dhe për ta bërë akoma më të besueshëm këtë opsion, Partia Socialiste përdori policinë.

Të hënën, Taulant Balla njoftoi një konferencë për shtyp në orën 13:00 nga selia e PS. Por në minutat e fundit konferenca u anullua. Nuk u dhanë arsyet se përse Balla nuk e tha fjalën e tij mesditën e së hënës, por rreth dy orë pas anullimit të konferencës nga selia e PS-së, Policia e Shtetit doli me një version të historisë që, çuditërisht, përfshinte brenda saj edhe deklaratën e Lulzim Bashës.

Ky njoftim publik është nga më të rrallët në llojin e tij. Si kurrë ndonjëherë, policia e thekson dy herë burimin nga e kanë marrë informacionin uniformat blu. Thuhet se informacioni u mor fillimisht të mërkurën nga “burimet e saj vendase” dhe herën e dytë, të enjten nga “një agjensi ligjzbatuese shqiptare”. 

“Policia e Shtetit është vënë në dijeni nga burimet e saj vendase, në datën 20 Qershor 2018, ditën e mërkurë, për një karoatrec me targa AA 120 SP, që pritej të transportonte disa autovetura, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara, pa specifikuar tipin e automjeteve dhe as origjinën e vendit.

Me marrjen e këtij informacioni, iu është dhënë porosi gjithë strukturave të Pikat e Kalimit Kufitar për konstatimin dhe kontrollin e kësaj ngarkese.

Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.

Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara”

Koordinimi mes policisë dhe deputetit të akuzuar, për të ndërtuar një version të përbashkët nuk janë rastësi. Qartësisht zyra e shtypit e policisë është angazhuar të përgënjeshtrojë Lulzim Bashën, sipas të cilit, informacioni për Toyota Yaris i erdhi nga shërbimet partnere.

Të njëjtit version i qëndroi edhe Taulant Balla, kur foli një ditë më pas. “Me sa jam njohur nga deklarata e policisë kam kuptuar se një institucion ligjzbatuese ka pasur rrjedhje informacioni tek një person i papërgjegjshëm që quhet Lulzim Xhelal Basha” u shpreh Balla.

Siç ndodh rëndom në Shqipëri hetimet për grupin kriminal vështirë se do të shkojnë deri tek “peshku i madh”, por 3.4 milion euro të fituara me paratë e drogës janë tashmë një çështje politike dhe si zakonisht, policia është përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme.©Lapsi.al (tit.origjinal: Kush e informoi Bashën për Tojotën me 3.4 milion euro?)

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY