Pronarët e eurove në “Toyota Yaris”, jashtë Shqipërisë. Ja ku ruhen ...

Pronarët e eurove në “Toyota Yaris”, jashtë Shqipërisë. Ja ku ruhen parate

444
0
Shares

Katër personat e arrestuar nga policia, si të përfshirë në kalimin nga Belgjika drejt Shqipërisë të 3.4 milionë eurove kanë mohuar para grupit hetimor të kenë pasur pjesë në këtë shumë parash. Ata mësohet të kenë pohuar se paratë nuk janë të tyret. Por shoferi i trajlerit që transportonte makinat, si dhe pronari Edi Lika, kanë pohuar se paratë ishin të kushërinjve Elvis e Alfred Vladi. Ky i fundit njihet edhe me emrin Ramiz Vladi, të cilin mësohet se e ka ndërruar në Gjendjen Civile disa vite më parë.

Pavarësisht se kanë pranuar se 3.4 milionët e eurove janë të dy kushërinjve të shpallur në kërkim, 4 të arrestuarit nuk kanë pranuar të japin detaje mbi vendin dhe kohën e futjes së parave në dy makinat ku u gjetën ato, gjatë kontrollit të policisë në Durrës. Ndërkohë burimet bëjnë me dije se kartëmonedhat e huaja të padeklaruara që u gjetën brenda dy makinave “Toyota Yaris” mbrëmjen e së dielës do ruhen në Bankën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për 3,366,800 euro, 80,000 franga zvicerane janë grupuar në dy qese dhe pritet të përdoren si provë për hetimet e mëtejshme. Milionat e eurove janë futur në qese provash. Mësohet se këto qese kanë një numër unik dhe janë njëpërdorimshme.

Pra, nëse hapen dëmtohet edhe kodi numerik. Paratë në fjalë mësohet se janë transportuar në Bankën e Shqipërisë dhe do të ruhen aty deri sa të përfundojë hetimi për të akuzuarit, Agim Çeka, Edi Lika, Klevi Lika, Alban Mollaymeri dhe dy të shpallurit në kërkim Elvis dhe Alfred Vladi. Ndërsa mësohet se pasuria e Alfred dhe Elvis Vladit të shpallur në kërkim si porositësit e 2 Toyotave ku u gjetën paratë do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Mësohet se do të vihen nën sekuestro pasuritë e tyre, llogari bankare dhe pasuri të tjera të paluajtshme.

Të dy kushërinjtë nga Dibra janë arratisur dhe dyshohet se kanë dalë jashtë vendit. Nga verifikimet e bëra në qendrën kombëtare të biznesit, dy kushërinjtë Vladi rezultojnë pronarë biznesesh. Referuar këtyre të dhënave Elvis Vladi ka themeluar një kompani në shtator 2015, që ofron pjesë këmbimi për automjetet. Kushëri i tij Alfred Vladi rezulton të ketë themeluar në gusht të 2017, një kompani me objekt kryesor dhënie me qira të automjeteve dhe Shërbime të këmbimit valuator, nën emrin e subjektit tregtar (“Tirana Rental Car”). Oficerët janë duke verifikuar edhe pasuritë e familjarëve të afërt të tyre për të parë nëse ata i justifikojnë ato.

Në sitën e hetuesve do të kalojë dhe pasuria e 4 të arrestuarve të tjerë Agim Çeka, Edi Lika, Klevi Lika dhe Alban Mollaymeri. Ky i fundit ka në pronësi një servis pranë zonës së bregut të lumit në kryeqytet. Katër të arrestuarit pritet të dalin sot para gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë  dhe mësohet se prokuroria do të kërkojë arrest me burg për ta. Gjithashtu, mësohet se grupi hetimor, që është duke hetuar kapjen e 3.4 milionë eurove, ka kërkuar ndihmën e Agjencisë Britanike Kundër Krimit të Organizuar NCA.

Prokurorët e kësaj çështjeje në mënyrë urgjente kanë kërkuar informacione për Elvis Vladin, i cili dy vite më parë është arrestuar në Londër për përfshirje në një grup kriminal i specializuar në trafikun e kokainës. 38-vjeçari Elvis Vladi rezulton i arrestuar bashkë me tre shqiptarë të tjerë në Britaninë e Madhe më 19 maj 2015, gjatë një operacioni ku u sekuestrua një sasi prej mbi 10 kg kokainë. Ata u akuzuan pjesë e një organizate kriminale, për trafik droge, dhe posedim pasurie me anë të veprave penale. Të 10 anëtarët e grupit u dënuan, por i vetmi që u shpall i pafajshëm për mungesë provash ishte Elvis Vlad. (GSH)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY