Erdogan, rizgjedhja e vështirë e një Presidenti autoktrat

Erdogan, rizgjedhja e vështirë e një Presidenti autoktrat

136
0
Shares

Nga Hamdi Fırat Buyuk BIRN Sarajevë

Qytetarët turq që jetojnë jashtë vendit votojnë më 19 qershor për zgjedhjet që do të mbahen më 24 qershor.

Rezultati i zgjedhjeve do të ketë një efekt të rëndësishëm mbi të ardhmen e Turqisë dhe rolin e saj rajonal dhe global, thonë ekspertët.

Votuesit do të zgjedhin një parlament të ri dhe një president të ri, i cili do të trashëgojë sistemin e ri ekzekutiv presidencial, i cili u konfirmua nga një fitore e ngushtë në referendumin e diskutueshëm të mbajtur vitin e kaluar dhe do të bëhet efikas pas votimit të ardhshëm.

Kjo do të thotë se e ardhmja e Turqisë, kriza e saj ekonomike dhe sociale në rritje, marrëdhënia e saj e tendosur me Perëndimin, afrimi i saj me Rusinë, si dhe roli i saj kontravers në konfliktet e Lindjes së Mesme, në Ballkan dhe kriza e emigrantëve, të gjitha varen nga rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Një fitore për presidentin aktual turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Partinë e tij qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, do të nënkuptonte vazhdim, në mos edhe përshkallëzim, të drejtimit aktual të vendit.

Nga ana tjetër, humbja për Erdoganin dhe AKP-në mund t’i hapë hapësirë qetësimit gradual të situatës – megjithëse kjo mund ta destabilizojë edhe më tej Turqinë, nëse elita aktuale qeverisëse vendos të shpërfillë një rezultat të tillë, paralajmërojnë ekspertët.

“Erdogani po i mban këto zgjedhje të parakohshme për shkak të një ekonomie të përkeqësuar dhe të krizave afatgjata në vend dhe në nivel ndërkombëtar. Ai gjithashtu dëshiron që të ketë pushtetin e zgjatur presidencial që u pranua në referendumin e diskutueshëm,” tha një analist politik turk për BIRN në kushte anonimiteti.

Gulcin Ozkan, një profesoreshë ekonomie në Universitetin e Jorkut, në Angli, thotë se shqetësimi kryesor i qeverisë së ardhshme duhet të jetë kriza ekonomike e shpërhapur.

“Ekonomia turke kërkon një program të qartë, që trajton dobësitë themelore, nëse dëshiron të marrë një kthesë për mirë,” tha ajo për BIRN.

“Kjo nuk do të jetë e mundur pa një paketë reformash të hartuar si duhet me investime të qarta në sektorët dhe aktivitetet prodhuese,” shtoi Ozkan.

Një garë më e fortë sesa pri

Muharrem Ince, lideri i Partise Republikane Popullore. Foto: Wikipedia.

Është kjo krizë ekonomike dhe sociale që e detyruan Erdoganin t’i mbante kaq herët zgjedhjet.

Votimi i radhës nuk pritej të mbahej para vitit 2019. Por shumica e ekspertëve thonë se afati kohor nuk ishte në favor të Erdoganit, që është arsyeja pse më 19 prill ai lajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 24 qershor, duke i dhënë opozitës vetëm dy muaj kohë për t’u përgatitur për to.

Vendimi erdhi menjëherë pasi Erdogani siguroi një marrëveshje koalicioni me dy parti nacionaliste, Partinë Lëvizja Nacionaliste, MHP, dhe Partinë Uniteti i Madh, BBP, të cilat do t’i bashkohen AKP-së të Erdoganit në të dy garat presidenciale dhe parlamentare ku do të shfaqen nën banderolën “Aleanca Popullore”.

Partitë opozitare, përfshirë Partinë Republikane Popullore, CHP, Partinë Felicity, PS, Partinë Demokratike, DP, dhe partinë e themeluar së fundmi Iyi (Mirë), gjithashtu do të kenë një biletë të përbashkët për parlamentin si “Aleanca Kombëtare”. Megjithatë, ato do të kandidojnë kandidatë presidencialë më vete.

Partitë kurde janë përjashtuar nga ky bashkim, pasi opozita nuk dëshiron të humbasë votat turke në pjesën perëndimore të vendit.

Strategjia e opozitës është të ndajë elektoratin sa më shumë që është e mundur duke kandiduar disa kandidatë presidencialë në raundin e parë dhe pastaj duke u bashkuar kundër atyre që dalin si rivali kryesor i Erdoganit në raundin e dytë e të fundit.

Falë popullaritetit të tij dhe kontrollit të ngushtë mbi mediat, policinë dhe sistemin administrativ – të cilin ai e ka zbatuar me vendimet ekzekutive të bëra nën pretendimin e gjendjes së jashtëzakonshme që ka qenë në fuqi që nga grushti i dështuar i shtetit i vitit 2016 – Erdogani dhe partia e tij mbeten të preferuarit.

Megjithatë, disa ekspertë dhe sondazhe tregojnë se mbështetja për opozitën po rritet gjatë ditës.

“Erdogan është ende i preferuari, por askush nuk priste një fushatë kaq të mirë dhe me kaq shumë energji në bllokun e opozitës, e cila i ka befasuar të gjithë, sidomos Muharrem Ince,” tha për BIRN Gul Uret, studiuese në Qendrën për Studime të Europës Juglindore në Universitetin e Grazit.

“Zgjedhjet presidenciale tani kanë gjasa të shkojnë në një raund të dytë, kur Erdogani do të përpiqet të marrë të gjitha votat e opozitës. Kjo do të jetë padyshim një garë shumë e vështirë,” tha Uret.

Ekspertë të tjerë parashikojnë gjithashtu një garë të ngushtë. Por ata gjithashtu paralajmërojnë se zgjedhjet do të zhvillohen në hijen e gjendjes së zgjatur të jashtëzakonshme dhe të grushti të Erdoganit mbi institucionet, policinë dhe mediat, gjë që do të ngrejë pikëpyetje mbi rregullsisë dhe integritetin e një votimi të tillë.

Në këtë garë gjithnjë e më të ngushtë, liderja e Partisë Iyi, Meral Aksener ,dhe anëtari popullore i CHP-së kryesore opozitare, Muharrem Ince, janë parë si rivalët kryesorë të Erdoganit.

Kandidatët e tjerë përfshijnë një ish-liderin e Partisë Demokratike Popullore pro-Kurde, Selahattin Demirtas, edhe pse tani ai është në burg si pjesë e goditjes së Erdoganit ndaj kundërshtarëve të tij.

Të tjerë janë udhëheqësi i PS, Temel Karamollaoglu, dhe udhëheqësi i Partisë Atdheu, Dogu Perincek. Por asnjë prej tyre nuk shihet si një mundësi reale për të mposhtur Erdoganin.

Sondazhet ofrojnë rezultate të ndryshme

Meral Aksener, liderja e Partisë Iyi. Foto: Wikipedia.

Natyra e ngushtë e garës dhe ndarjet e mprehta politike në Turqi reflektohen edhe në faktin se sondazhe të ndryshme, të kryera nga agjenci të ndryshme apo media, ofrojnë rezultate shumë të ndryshme.

Sondazhi i fundit i kompanisë Gezici Research më 8 qershor tregoi se Erdogani nuk mund ta fitojë garën presidenciale në raundin e parë dhe se Aleanca Popullore nuk mund të fitojë as shumicën në parlament.

Ky sondazh parashikoi se Erdogani do të fitonte 48.4 për qind të votave ndërsa Ince, Aksener dhe Demirtas do të fitonin përkatësisht 25.8 për qind, 14. 4 për qind dhe 10.1 për qind.

Sipas Gezici, Aleanca Popullore do të fitojë 48.7 për qind të votave të përgjithshme, ndërsa Aleanca Kombëtare dhe HDP pro-kurde do të marrin respektivisht 38.9 dhe 11.5 për qind.

Një tjetër sondazh, i kryer nga PIAR Research më 9 qershor, parashikoi se Erdogani do të fitonte 39.7 për qind të votave gjithsej me Incen të dytën me 26 për qind dhe Aksenerin në vendin e tretë me 21 për qind.

Në sondazhin e PIAR, Aleanca Popullore del përsëri e para me 43 për qind dhe Aleanca Kombëtare dhe HDP e pasojnë me 42.1 dhe 14.1 për qind.

Edhe pse shumica e këtyre sondazheve tregojnë se Aleanca Popullore fiton shumicën e votave, ata gjithashtu sugjerojnë se ajo nuk do të ketë shumicën në parlament, kështu që opozita ende mund të mbizotërojë, nëse ata mbeten të bashkuar.

“Sondazhet variojnë, por një gjë e përbashkët në shumicën e tyre është se Erdogani nuk mund të fitojë në raundin e parë. Duket se votat kurde dhe performanca e opozitës së bashkuar do të vendosin rezultatet,” tha një analist politik.

“Nëse HDP kalon pragun zgjedhor prej 10 për qind, Erdogani vështirë se mund të fitojë shumicën. Megjithatë, nëse HDP nuk e bën këtë, shumica e vendeve të HDP-së do t’i shkojnë Erdoganit,” tha Uret.

Në garën presidenciale, Ince e kishte tejkaluar çuditërisht Aksenerin dhe e vendosi veten si kundërshtarin kryesor të Erdoganit, shtoi ajo.

Diaspora turke mund të mbajë rolin kryesor

Një shtetas turk në Hungari voton për ndryshimet e nevojshme të referendumit të shtimit të fuqisë së presidentit në Turqi. Foto: Noemi Bruzak/MTI via AP

Ajo që pritet të jetë një garë e ngushtë mund të vendoset edhe me votat e diasporës. Kjo është ajo që ndodhi në referendumin e diskutueshëm të mbajtur vitin e kaluar, kur Erdogani humbi mbështetjen në qytetet më të mëdha të Turqisë, por ende siguroi një fitore të ngushtë, falë votave të marra nga jashtë vendit.

Ministria e jashtme turke vlerëson se më shumë se 6 milionë turq jetojnë jashtë vendit, 5.5 milionë në Europën Perëndimore. Ata përbëjnë gati 8 për qind të popullsisë turke prej 79.5 milionë banorësh.

Përveç vendeve të Europës Perëndimore, një numër i madh qytetarësh turq gjithashtu jetojnë në Ballkan, ku do të votojnë më 16 dhe 17 qershor në misionet diplomatike në të gjithë rajonin.

Sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë, rreth 15,000 qytetarë turq kishin të drejtë të votonin për referendumin e vitit 2017 në Ballkan.

Ekspertët presin që ky numër të jetë më i lartë në zgjedhjet e vitit 2018, pasi të gjitha partitë kanë bërë përpjekje për të bindur votuesit turq që të regjistrohen dhe të votojnë.

“Votimi i diasporës është shumë i rëndësishëm. Edhe një votë është shumë e rëndësishme për partitë dhe ato punojnë shumë për këtë,” vuri në dukje Uret.

Tepër i vetëdijshëm për rëndësinë e votave të diasporës, Erdogani organizoi një miting në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, më 20 maj.

AKP e Erdoganit ka hapur gjithashtu një zyrë për koordinimin e zgjedhjeve në Sarajevë dhe në kryeqytete të tjera të Ballkanit.

Atje ata organizojnë takime të rregullta, darka dhe aktivitete të tjera shoqërore me qytetarët vendas turq.

Në ditën e votimit, AKP po siguron gjithashtu transport për votuesit nga vendet e tyre të lindjes në vendet e votimit në misionet diplomatike të Turqisë.

Megjithatë, edhe rivalët e Erdoganit po mbështeten te votat e diasporës. Muharrem Ince u takua me turqit lokalë në Greqi më 30 maj.

Më pas ai zhvilloi një tubim në Bullgari në Kardzhali, një qytet i populluar kryesisht nga turq etnikë.

Uret dhe ekspertë të tjerë thonë se lëvizje të tilla jo vetëm që mobilizojnë votuesit e diasporës, por edhe rrisin numrin e votave të hedhura në Turqi nga qytetarët që janë pasardhës të emigrantëve nga vendet e Ballkanit.

Origjina e saktë e popullsisë prej 80 milionë banorësh e Turqisë nuk dihet, por disa vlerësime sugjerojnë se 17 deri në 18 milionë njerëz kanë rrënjë në Ballkan, sikurse Aksener dhe Ince.

Rëndësia e atyre votuesve në Turqi u pasqyrua në faktin se Kemal Kilicdaroglu, lideri i CHP, më 6 qershor mori pjesë në një iftar – darkë speciale që mbaron Ramazanin – organizuar nga një nga organizatat kryesore boshnjake të diasporës në Turqi, Shoqata e Sanxhakut të Bosnjës në Anadoll.

AKP qeverisëse e Erdoganit sigurisht ka një avantazh kur bëhet fjalë për diasporën. Ajo ka në dispozicion të saj fonde nga institucione të ndryshme turke që veprojnë në Ballkan.

Por partitë e tjera nuk po dorëzohen.

“Ne nuk kemi të njëjtat përparësi si AKP-ja, por edhe ne punojmë. Ne takohemi me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në qytete të ndryshme boshnjake dhe tregojmë historinë tonë,” tha për BIRN Cengiz Bolukbası, përfaqësuesi i CHP në Bosnje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY