Deklarimi i rremë i pasurisë “fantazmë” në Kanada, arsyeja e shkarkimit të...

Deklarimi i rremë i pasurisë “fantazmë” në Kanada, arsyeja e shkarkimit të gjyqtarit Lulo

138
0
Shares

I shkarkuari i parë nga procesi i vetingut, Fatos Lulo e pësoi sipas vendimit të zbardhur pasi kishte deklaruar në ILDKPKI në vitet 2004-2006 pasuri në Kanada, nga të cilat hoqi dorë gjatë “deklaratës veting”, ku shkroi se nuk kishte pasur ndonjëherë një llogari prej 400 mijë dollarësh kanadezë apo apartament në Kanada.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi në mars shkarkimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuse, Fatos Lulo bazuar vetëm mbi kontrollin e pasurisë, pasi Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit gjatë verifikimeve të tij gjeti se Lulo kishte bërë deklarim të rremë dhe nuk e justifikonte pasurinë.

Vendimi i arsyeruar i KPK-së thotë se Lulo u penalizua ndër të tjera edhe për deklarimet që kishte bërë në vitet 2004-2006, kur rezultonin pasuri të cilat ai në deklaratën veting shkroi se nuk i kishte pasur edhe pse i kishte deklaruar si transaksione “të pritshme”.
Hetimi i pavarur administrativ i KPK-së konfirmoi gjetjet e ILDKPKI-së edhe pse mbrojtja e gjyqtarit kundërshtoi ato dhe u përpoq të argumentonte se ai duhej të konfirmohej në detyrë. Sipas vendimit, gjyqtari nuk justifikonte të ardhurat e veta gjatë viteve 90’, kishte bërë vetëdeklarim të rremë të pasurive në Kanada, ndërsa u gjet se dhe disa dhurata nga e motra nuk mund të dokumentoheshin, përfshi një dhuratë prej 100 mijë dollarë.
Fatos Lulo, i cili deri në mesin e viteve 2000 pati një karrierë kryesisht në avokati dhe më herët jurist në institucione të ndryshme, u përfshi në systemin gjyqësor si anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2005 dhe më pas u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2013. Ai ishte i pari që iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar dhe i pari që u rrëzua prej këtij rivlerësimi. KPK vendosi të mos kryejë vlerësim mbi profesionalizmin e Lulos dhe pastërtinë e figurës së tij. Avokati i Lulos paralajmëroi se do të apelonte vendimin, duke mos pranuar gjetjet e KPK-së.

Arsyetimi i KPK-së
Tre deklarata të Lulos në vitet 2004 deri në 2006 në kohën kur ishte fillimisht anëtar i Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit (KKRT-së) dhe më pas anëtar i Gjykatës së Lartë, u shpallën të rreme nga ILDKPKI, ndërsa Lulo i shkroi KPK-së duke arsyetuar se ai i kishte deklaruar ato si transaksione të pritshme, që nuk kishin ndodhur. Lulo pati deklaruar atëherë 400 mijë dollarë kanadezë në një llogari bankare, një hua nga motra në vlerë 480 mijë dollarë kanadezë, një apartament  në Kanada dhe shitjen e tij 160 mijë dollarë kanadezë (CAD), dhe më vonë shlyrje të huasë dhe mbyllje të llogarisë.
Në një letër drejtuar KPK-së, Lulo u përpoq të shpjegonte atë që kishte ndodhur. “Në deklarimin tim periodik, që mban datën 27.03.2006 si rezultat i emërimit tim si anëtar i Gjykatës së Lartë, 1. Në faqen 3 të tij kam deklaruar shitje apartamenti në Toronto, Kanada, si edhe shumën përkatëse”, shkroi Lulo.

Ndërkohë pak rrjeshta më poshtë në të njëjtën letër Lulo shkroi: “Sa më sipër, është plotësisht e vërtetueshme, nëpërmjet organeve zyrtare financiare kanadeze, që unë asnjëherë nuk kam pasur apartament të blerë në Kanada”. Duke shpjeguar se apartamenti ishte shitur nga agjencia imobiliare ku ai kishte bërë prenotimin, pasi ai nuk kishte kryer asnjë veprim për blerjen.

Ai pranoi më pas në deklaratën “vetting” se këto transaksione, bazuar sipas tij në huanë nga e motra me idenë e fillimit të një biznesi nuk ishin kryer duke thënë se i kishte deklaruar pasi priste të ndodhnin “si veprime të pritshme”, por KPK e ka cilësuar këtë si deklarim të rremë.  “Nuk e ka pasur ndonjëherë apartamentin e banimit në ndërtim, 150 m², Toronto, Kanada, vlera 14.200.000 lekë, të pahipotekuar, blerë nga aktiviteti si avokat, megjithëse e ka deklaruar me vullnetin e tij të lirë në vitin 2004”, gjeti KPK. Po ashtu nuk e ka pasur ndonjëherë depozitën 400.000 dollarë kanadezë, me burim nga puna në emigracion, “megjithëse e ka deklaruar me vullnetin tij të lirë”.

Po ashtu, KPK cilësoi të rreme veprimet e supozuara të kryera me këto pasuri. “Meqenëse subjekti deklaron se nuk ka pasur ndonjëherë apartament, për rrjedhojë dhe shitja e apartamentit në Toronto, Kanada, në shumën 160.000 CAD nuk ka ndodhur, megjithëse e ka deklaruar vetë në deklarimin për vitin 2005 dhe 2006”, thuhet në arsyetim. Lulo i justifikoi këto deklarime duke thënë se këto ishin pasuri të pritshme që nuk ishin realizuar dhe se ai i kishte deklaruar ato pasi ishte këshilluar me specialistë pranë ILDKPKI, por deklarimi prej tij i tyre dhe transaksioneve prej tyre është cilësuar deklarim i rremë nga KPK.

KPK gjeti që Lulo nuk kishte burime të ligjshme për të justifikuar blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe se ai mund të dokumentonte vetëm 30 milionë lekë nga 78.7 milionë të pasurisë së deklaruar.

KPK  arriti në këtë rezultat, pasi nuk mori parasysh të ardhurat që Lulo pretendonte se kishte krijuar si avokat në vitet 90’ e deri në fillimin e punës si anëtar i KKRT-së e më pas si gjyqtar. Lulo u justifikua përmes avokatit se fitimet e avokatëve dhe niveli i tyre ishin të njohura, por ai tha se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk kishte në arkiv dokumente për këtë. Lulo tha se prova që ai kishte punuar si avokat ishte regjistrimi dhe vendimet e gjykatës për këtë. Por KPK tha se në mungesë të dokumenteve nga tatimet këto pasuri do të llogariteshin zero, duke arsyetuar se fakti që ato nuk gjendeshin në DPT do të thotë se “Lulo nuk i kishte deklaruar”.

Sipas KPK, ai nuk kishte vënë në dispozicion as “Kodin Fiskal” dhe as të dhëna të tjera se kishte paguar realisht tatime. “Për sa më lart, argumenti se subjekti është në pamundësi objektive për të disponuar dokumentin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive nuk qëndron”, thuhet në arsyetim, ndërsa të ardhurat e subjektit u llogaritën zero.

Bazuar në këtë mungesë të ardhurash, deklarimi i Lulos se kishte blerë një apartament me kursimet u cilësua i rremë. Lulo u gjet këtu edhe përballë faktit se kishte deklaruar ndryshe burimin e të ardhurave për këtë apartament në vitin 2004 dhe ndryshe në “deklaratën veting”.

KPK po ashtu cilësoi si jo bindëse justifikimin e pasurive së motrës, që sipas Lulos i kishte dhuruar 100 mijë dollarë, i kishte dhënë në përdorim një ambjent zyrash në Tiranë dhe huazuar edhe 480 mijë dollarë kanadezë. Lulo pretendoi se e motra kishte mundësitë finaciare, por KPK tha se nuk u paraqitën dokumente që arsyetonin këto pasuri.  “Subjekti i rivlerёsimit nuk ka shpjeguar bindshёm burimin e ligjshёm tё pasurive dhe tё tё ardhurave tё dhurueses dhe nuk ka paraqitur ndonjё dokument provues qё vёrteton se kёto tё ardhura tё jenё deklaruar dhe tё jetё paguar detyrimi tatimor”, thuhet në arsyetim. Sipas KPK-së, kompanitë në të cilat ajo rezultonte aksionere në Shqipëri nuk kishin ndarë divident. Po ashtu, ajo gjeti që motra e Lulos nuk kishte burim për të justifikuar dhurimin 100.000 dollarë apo huave e ndihmave të tjera për të në vitet e deklaruara.

Sipas KPK-së, në deklarimet e Lulos nuk jepen të dhëna për “pakësimin ndër vite të shumës 100.000 USD, e cila është përdorur për jetesë, arsimime dhe të tjera të kësaj natyre, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, sipas deklarimit të subjektit”. KPK tha se Lulo nuk kishte paraqitur të dhëna për pagesat për shkollimin dhe jetesën e fëmijëve në SHBA dhe në Kanada.

Duke marrë parasysh këto të dhëna, KPK vendosi të shkarkonte Lulon nga posti pranë Gjykatës Kushtetuese, “vetëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë”, pasi ai nuk justifikonte pasurinë si të marrë, “veç e veç dhe së bashku”. /Birn

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY