Intervista e babait të Xhaferrit : Faljen do t’ua kërkoj i ulur...

Intervista e babait të Xhaferrit : Faljen do t’ua kërkoj i ulur në bisedë

177
0
Shares

Ngjarja e një javë më parë, e vrasjes së dyfishtë nga Xhaferr Mata, vazhdon ende të tërheqë vëmendje. Kjo sepse  po përfshihen dhe familjarë të tyre në sqarimin e shkaqeve të ngjarjes.

Në një intervistë për gazetën shqiptare, babai i Xhaferrit, tregon për marrëdhenien me djalin e tij dhe historinë e tij. ”Xhaferri s’më kishte sjellë më herët shqetësime. Punonte fort dhe e nxirrte vetë bukën”, tregon ai.

Ai thotë se marrëdhenia mes nuses dhe Xhafës ka qënë shumë e mirë derisa ajo e kuptoi për lidhjen e djalit me Xhuljeten dhe kërkoi divorcin. Gjithashtu, ai shton se e ka takuar Xhuljetën tek fusha e Avacionit. Duke i kërkuar arsyen pse u lidh me Xhafën, ajo i kishte treguar se e donte atë.

Nga ana tjetër, babai i Xhafës, thotë se ka shtrirë dorën e pajtimit dhe nëse  pranojnë të takohen, faljen do t’ua kërkoje  i ulur në bisedë.

Intervista e plotë

Z.Mata, dua ta nis me ju këtë bisedë, duke të kërkuar të më flasësh për djalin tuaj të ndjerë, Xhaferrin. Si ishte jeta e tij?

Xhaferri ishte njëri nga katër djemtë e mi. Kam edhe një vajzë. Pasi mbaroi fakultetin për Inxhinieri, ai hapi servisin këtu ngjitur më shtëpinë dhe merrej me makinat. U njoh edhe me të shoqen dhe u martua. Fillimisht marrëdhëniet mes tyre ishin të mira. Ajo ngeli shtatzënë dhe lindi djalin. Sot nipi im është 2 vjeç e gjysmë. Xhaferri s’më kishte sjellë më herët shqetësime. Punonte fort dhe e nxirrte vetë bukën. Me nusen filluan të grinden. Ajo ishte 19 vjeçe dhe martesa mes tyre nuk po ecte mirë. Bëmë përpjekje disa herë me pleqësi për t’i bashkuar, por në fund vendosi të ndahej. Nusja ishte xheloze, pasi kishte mësuar për marrëdhënien e Xhaferrit me Xhuljetën. Debatet mes tyre shtoheshin dita-ditës, kur Xhuljeta u punësua në marketin afër shtëpisë sonë… Megjithatë, në fund u ndanë.

Ju po flisni për një marrëdhënie mes djalit tuaj dhe Xhuljetës. Si qëndron e vërteta e kësaj historie?

Do të flas për çfarë di unë. Para disa kohësh, punoja këtu poshtë shtëpisë me kamion. Njëri nga kolegët pa Xhuljetën të kalonte dhe më tha: “Kjo vajza shoqërohet me Xhafën”. S’e besova. Djali im ishte i martuar. Por, prapë nga ai moment u vura në lëvizje. Doja të bindesha vetë fillimisht se një gjë e tillë ishte e vërtetë. Pas shumë përpjekjesh, djali e pranoi që kishte një lidhje dhe se kishte vendosur të martohej me të.

Po ai ishte i martuar ndërkohë?

Ishte koha kur e shoqja kishte ikur në shtëpinë e saj. I fola rëndë, duke i thënë që a ishte i gatshëm të ndahej nga djali? Këmbëngula te fakti se gjykata do t’ia linte nënës së tij fëmijën, pra nipin tim. Më tha që nuk ndahem prej djalit se është djali im, por Xhuljetën e dua. S’kisha rrugë tjetër, e pranova.

I kërkuat të takoheshit me vajzën që kishte lidhje?

Po. I kërkova dhe u takuam. E morëm në makinë. Isha unë bashkë me gruan, Xhaferri dhe djali i vogël. Shkuam në një lokal tek Fusha e Aviacionit. Aty bisedova për herë të parë më Xhuljetën. Edhe i fola pak. I thashë si ka mundësi që një vajzë se ti, me gjithë të mirat, është lidhur me djalin tim që ka edhe fëmijë. Më tha e dua Xhaferrin. I kërkova atëherë të shkonte e t’i tregonte familjes së saj. Hezitoi dhe kjo s’më pëlqeu shumë.

Çfarë ndodhi më pas?

Nuk dua të flas shumë gjatë për arsyet, mbase do të flas një moment të dytë. Pashë që diçka nuk shkonte me Xhaferrin. Ai filloj të rrinte mënjanë, ishte i tensionuar. Bëmë edhe debat gjatë kësaj kohe. E shihja që nuk ishte mirë. Lëvizte nëpër oborr, s’kishte përqendrim në punë. Por fliste pak. Një ditë më tha që me Xhuljetën kishte bërë fjalë. Lidhja nuk do të vazhdonte, por ajo duhet t’i kthente 2 milionë lekë të vjetra që ai ia kishte dhënë. I kërkova t’i harronte lekët. Ta mbyllte atë histori për hir të shumë gjërave e të vazhdonte përpara. Debatuam shumë. Ishte ulur në këtë kolltuk (tregon me dorë, kolltukun ngjitur me divanin ku ishte ulur vetë). Shpërtheu në lot. S’e kisha parë kurrë në atë gjendje, sepse ai ishte djalë me sedër. Bëri një veprim që s’e kishte bërë kurrë në jetë. Më tregoi derën, më tha dil. E bëri besoj nga dëshpërimi, pasi s’po e përballonte dot gjithçka kishte ndodhur. I thashë gruas që djali nuk është mirë. Në situatën ku ishte, nuk u mërzita me të. Ika bashkë me gruan dhe djalin e vogël të Xhafës në Kukës. Bëhet fjalë pak ditë përpara ngjarjes. Më tha se kishte bërë denoncim në polici. Edhe vajza e kishte denoncuar.

Folët me të gjatë kësaj kohe?

Më telefonoi vetë dy ditë rresht. Më pyeste kur do ktheheshim. E ndjeva se diçka nuk shkonte dhe i kërkova gruas të bëhej gati, se do të vinim në Tiranë. Kemi ardhur natën para se të ndodhte ngjarja. U kënaq shumë që takoi djalin. Por unë fola shumë pak me të. Mëngjesin e asaj dite doli nga shtëpia që në orën 06:00. Unë dola të pija një kafe dhe i telefonova dy herë. S’mu përgjigj. I dërgova mesazh dhe prapë nuk reagoi. U shqetësova shumë. U ngrita dhe shkova në shtëpi, po merresha me kamionin. Më telefonoi një shoku im dhe më pyeti për Xhafën se ku ishte. Iu përgjigja se: ‘as mua s’po më përgjigjej në telefon’. Më tha ka ndodhur diçka e keqe. U ngjita në katin e dytë të shtëpisë dhe hapa televizorin. Kishte ndodhur gjëma. Më pas shkova në polici. Aty kam dhënë shpjegimet.

Ju thatë që ishin bërë dy denoncime si nga vajza, ashtu edhe nga Xhaferri. Keni dijeni nëse djali juaj u mor në pyetje nga prokuroria?

Po, është marrë në pyetje më datë 26 maj. Dy apo tri ditë përpara ishte marrë në pyetje edhe vajza. Besoj se policia dhe prokuroria kanë gabuar, pasi s’kanë marrë kontakte me familjen e vajzës. Aty do të mësonin të gjithë të vërtetën. Ngjarja mund të parandalohej.

Po për armën, keni dijeni ku mund ta ketë gjetur djali juaj?

Ne armë në shtëpi nuk kemi pasur. Po mendoj se Xhafa e ka gjetur nga ndonjë mik i tij.

Me familjen e Xhuljetës keni pasur kontakte pas krimit. U keni kërkuar falje?

Ne po e vuajmë dhimbjen e tyre. Ne na iku djali, por ai mori edhe një jetë. Humbjen e Xhuljetës e barazoi njësoj me humbjen e vajzës sime. Për këtë dhimbja është e dyfishtë. Kam shtrirë dorën e pajtimit. U kam çuar në shtëpi dajën e Xhafës e një kushëri timin për t’u kërkuar ta ndajmë dhimbjen bashkë. Nuk kemi ende një përgjigje prej tyre. Nëse pranojnë të takohemi, faljen do t’ua kërkoj i ulur në bisedë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY