Kërkimet arkeologjike të dy viteve të fundit nga një ekspeditë shqiptaro-polake dhe gërmimet në muajin maj nxorrën në dritë rrënojat e një qyteti të harruar antik ilir, tre herë më të madh se Shkodra.
Jo shumë larg qendrës së Bushatit në Shkodër, në një lëndinë që banorët thonë se është përdorur si poligon nga ushtria para viteve 90’, një ekspeditë shqiptaro-polake ka zbuluar rrënojat e një qyteti të humbur.
Një qytet që askush nuk e ka përmendur për qindra vite me rradhë dhe që sipas drejtuesit polak të gërmimeve, prof.Piotr Dyczek cituar nga faqja Science in Poland, një ëebfaqe e financuar nga Ministria Polake e Edukimit dhe Shkencës, është tre herë më i madh se Shkodra antike.
Gërmimet e fundit zgjatën një muaj dhe janë bërë nga një misioni shqiptaro-polak drejtuar nga prof.Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës dhe Ass.Prof.Saimir Shpuza, përfshirë në projektin kërkimor “Shkodra”, i cili prej vitit 2016 synon të dokumentojë gjithë sitet arkeologjike pranë Shkodrës.
Hipotetikisht mund të bëhet fjalë për Bassanian, e datuar në fund të shekullit të katërt dhe të tretë para erës sonë nga Ardianët. Qyteti përmendet në luftërat iliro-romake të mbretit Gent dhe mendohet se mund të jetë braktisur menjëherë pas pushtimit, por arkeologët po marrin kohë në studimin e monedhave dhe artefakteve të gjetura për një datim dhe emërtim më të saktë.
Kolë Shabeni, banor i zonës i cili tha për BIRN se kishte shoqëruar grupin e arkeologëve që kryen gërmimet, thotë se vendi njihej prej tyre si “Guri i Gjarpërit”. Emërtim që ai e shpjegon me rrugën që gjarpëron deri në majë të kodrës.
Ai thotë se kurrë më parë nuk kishin menduar se aty gjendej një qytet i vjetër dhe se gurët që dukeshin natyralisht të vendosur njëri mbi tjetrin, ndonëse sipas tij “banorët kanë gjetur në këtë kodër, shigjeta apo pjesë heshtash”.
Gërmime të mëparshmë në zonë në vitet ‘80 patën nxjerrë aksidentalisht varre antike dhe më vonë një shatërvan (fontanë) publik, por përshkak se formacioni i gurëve dukej krejtësisht natyror askujt nuk i ka shkuar në mendje se aty fshihej një qytet antik.
Një një intervistë të dhënë për Gazetën Shqiptare, arekologu Saimir Shpuza tha se ata kishin qenë dyshues edhe së fundmi nëse do të gërmonin në zonë. Vendimi marrë pas studimit të zonës me mënyra joinvazive rezultoi fatlum.
Muret e gjetura deri tani tregojnë për një qytet antik të fortifikuar. Ai mund të shtrihet deri në 20 hektarë, ndërsa rreth tij janë gjetur artefakte e monedha të cilat po studiohen. Sipas arkeologëve muret janë helenistike me tre metra gjerësi, ndërsa është zbuluar një portë hyrëse dhe një kullë mbrojtëse.
Banorë të Bushatit, qendër e njësisë administrative me të njëjtin emër që përfshihet në bashkinë Vau Dejës në Shkodër, tregojnë se pjesa e kodrës ku janë bërë gërmimet ka qenë lëndinë që dikur përdorej nga reparti ushtarak i Melgushës si poligon qitjeje. Lëndina nuk ka patur ndonjë gjë të veçantë vetëm ca gurë të ndryshëm nga gurët e zakonshëm.
Menjëherë pas mbylljes së gërmimeve Bashkia e Vau Dejës që shpreson se me këtë gjetje mund të nxisë turizmin në zonë, caktoi roje për të ruajtur gjetjet, ndërsa arekologët pritet të rikthen për të vijuar zbulimin e mureve të qytetit.
Ajo që i ka habitur arkeologët dhe që shton misterin mbi qytetin antik është fakti se ai nuk përmendet për qindra vjet me rradhë. Prof. Piotr Dyczek thotë në “Science of Poland” se historianët udhëtarë kanë përshkruar me detaje qyteza mjaft më të vogla, por nuk kanë thënë asnjë fjalë për “Bassanian”. Dyczek beson se kjo mund të ketë ardhur nga braktisja e menjëhershme e qytetit dhe harrimi i emrit të tij.
Megjithatë revista L.E.K.A e vitit 1937 shkruan për gojëdhënën e një princeshe që aty pagëzohet si Peksene, e cila kishte ndërtuar një vijë në të cilin mund të kalonin varkat prej “grykderdhjes së Bunës” deri në afërsi të vendit ku janë zbuluar rrënojat. Qyteti përmendet në luftërat iliro-romake me emrat e përafërt “Bassania, Bexena, apo Pexena”, por më herët Neritan Ceka e arkeologë të tjerë e patën kërkuar atë pranë Lezhës. /BIRN/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/