Tirana me risinë më të re/Veliaj: Udhëtoni më lirë se sa një...

Tirana me risinë më të re/Veliaj: Udhëtoni më lirë se sa një biletë autobusi

157
0
Shares

Nga sot, Tirana bëhet qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Share”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet.

Çdo qytetar që do të lëvizë me biçiklete mund ta përdorë atë, pasi ka shkarkuar aplikacionin “Mobike” ne telefonin e tij duke e bërë atë pjesë të pandashme të lëvizjes nëpër Tiranë duke  revolucionarizuar kulturën e të lëvizurit me biçikletë në qytet.

Në nisjen e pedalimit të 500 biçikletave të para në rrugët e kryeqytetit, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të Mobike dhe përfaqësues të Ambasadës italiane dhe asaj kineze në vendin tonë.

Para se t’i bashkohej dashamirësve të biçikletave në një pedalim në Bulevardin Zogu I, Kryebashkiaku Veliaj shprehu bindjen se kjo verë do të hyjë në histori në qytetin e Tiranës bashkë nga 4 mijë pedalime si e vetmja mënyrë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur.

Veliaj: Kanë kaluar vetëm 3 vjet, jo vetëm Tirana është qyteti më i pastër, por jemi ende të parët në Ballkan, duke filluar nga biçikletat, te taksitë elektrike dhe te shumë risi të tjera që na e bëjnë Tiranën tonë Nr. 1. Sot nëse udhëton në Firence, nëse udhëton në Milano dhe nëse udhëton në Tiranë ndoshta nuk ka shumë gjëra të përbashkëta, ama Mobike është njësoj kudo. Kemi një copë Europë duke filluar nga ky projekt i biçikletave pa stacion që sot nis me 500 dallëndyshet e para në qytetin tonë të dashur, në qytetin e Tiranës. Kjo do të jetë një verë që e sigurt do të hyjë në histori në qytetin e Tiranës ndaj edhe unë mezi pres që këtë histori ta bëjmë bashkë nga 4 mijë pedalime, si e vetmja mënyrë për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur ashtu siç kemi bërë në këto tre vjet dhe ashtu siç do të bëjmë në vazhdim.

Ai shprehu bindjen se Tirana shumë shpejt do të arrijë që të ketë më shumë përdorues biçikletash se sa drejtues automjetesh.

Kreu i Bashkisë deklaroi se biçikletat mobike ofrojnë një proces transparent pagese dhe mjaft të thjeshtë, duke i bërë të aksesueshme për gjithëkënd.

Veliaj: Siç po bëjmë shumë prej pagesave online duke filluar nga parkingu me sms ashtu edhe ky sistem është një sistem komplet transparent që bëhet nga celulari i gjithsecilit. Mjafton që secili të shkarkojë aplikacionin Mobike, të plotësoni të dhënat tuaja dhe me një kosto që është më e lirë sesa një biletë autobusi mund të bëheni përdorues të Mobike. Fati i mirë është që sistemi nuk kërkon një stacion, e merrni ku gjeni në hartë biçikletën më të afërt dhe pastaj e lini aty ku keni mbaruar punë.

Ndërkohë për studentët dhe për nxënësit, duke filluar nga muaji i ardhshëm do të ketë paketa të veçanta dhe pika të posaçme pranë shkollave apo zonave universitare.

Veliaj: Për të gjithë ata që janë studentë, për të gjithë ata që janë gjimnazistë duke filluar nga muaji tjetër ne do të kemi edhe paketa që targetojnë grupmoshën e tyre dhe që kanë si pikë frekuente zonat ku janë shkollat dhe zonat ku janë universitetet.

Krahas ardhjes së 4 mijë biçikletave në Tiranë që pritet të transformojnë tërësisht edhe kultturën e transportit në kryeqytet, Bashkia e Tiranës po punon intensivisht edhe për ndërtimin e rrjetit minimal të biçikletave në kryeqytet, si një mënyrë për të garantuar jetën e të gjithë pedaluesve.

Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e drejtuesve të automjeteve që të respektojnë qytetarët të cilët zgjedhin që të udhëtojnë në kryeqytet përmes dyrrotakut.

Veliaj: U bëj apel të gjithë shoferëve, bëjini sytë katër se përveçse të merrni kthesën do të duhet të shikoni që nuk  i prisni rrugën një çiklisti apo një këmbësori dhe unë besoj që një qytet demokratik është një qytet që u jep njësoj hapësirë të gjithë taksapaguesve të vet edhe atyre që janë në këmbë dhe atyre që janë në dy rrota edhe atyre që janë në makina. Ky është qyteti demokratik ku besojmë dhe besoj që me Mobike qyteti është bërë akoma edhe më demokratik se çka qenë.

Teksa theksoi se testimet e  para në rrugët e kryeqytet me Mobike kanë rezultuar të suksesshme, Veliaj theksoi se biçikletat e reja pa stacion, janë të pajisura me të gjithë elementët e sigurisë që garantojnë mosvjedhjen e tyre.

Veliaj: Të gjitha biçikletat kanë një GPS, pra ne e dimë ekzaktësisht ku ndodhet biçikleta sepse del në hartë dhe e dimë kush ka qenë përdoruesi i fundit. Kështu që për këdo që mund të mendojë të vjedhë biçikletën, mos e provoni se nuk funksionon. E dimë kush jeni dhe e dimë ekzaktësisht ku është biçikleta.  Fakti që në javën e parë nuk kemi pasur asnjë guximtar është një gjë e mirë se do të thotë që sistemi po funksionon. Jo vetëm kaq, por sistemi ka një lloj gardhi elektronik. Do të thotë në momentin që dilni jashtë hartës së Tiranës, pra kaloni Kthesën e Kamzës apo kaloni Kombinatin, apo kaloni periferinë e Tiranës ndizet një alarm që ju çmend kështu që ju shohin të gjithë kush ka marrë biçikletë dhe po ikën në shtëpi.

Drejtori i “Mobike” Massimiliano Rubin falënderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe për mbështetjen e këtij projekti inovativ.

Aktivisti Ened Mato do të ndjekë ecurinë e sistemit “Bike Share” në Tiranë, tashmë si kryebashkiak i Biçikletave. Ai e cilësoi këtë ditë si historike për qytetin e Tiranës që do të ketë një ndikim pozitiv edhe në cilësinë e ajrit.

Mato: Ky është revolucioni portokalli. Dua të falënderoj këdo që pedaloi, këdo që besoi, këdo që ka energjinë e këtij qyteti. Kjo është ditë historike për Tiranën sepse një ushtri biçikletash do të jetë në rrugët e Tiranës që qyteti të ketë ajër të pastër. Uroj që ky qytet të ketë plot dashnor biçikletash. Tirana ka tashmë një vizion dhe falë kryetarit të Bashkisë ky vizion po bëhet realitet.

Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet të shkarkoni aplikacionin “Mobike” në celularin tuaj. Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt.

Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e “barcode” të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës.

Pasi përfundoni udhëtimin tuaj, mjafton ta mbyllni sërish atë me kyçin që ndodhet në rrotën e pasme dhe parkojeni në një vend të sigurt, që nuk pengon lëvizjen.

Shikoni të gjitha FOTOT duke klikuar këtu

tirana

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY