Largohet opozita,socialistët kundershtojnë njëri-tjetrin

Largohet opozita,socialistët kundershtojnë njëri-tjetrin

118
0
Shares

Mungesa e opozitës në komisionet parlamentare ka shtyrë dje deputetët e maxhorancës për të bërë rolin e oponentit ndaj projektligjeve të qeverisë.

Edhe pse bëhej fjalë për kanalet vaditëse, replikat dhe nervat e deputetëve socialistë i afroheshin protestës së deputetëve të opozitës për drogën në qeveri.

Por edhe pse socialistët tentuan të bëjnë opozitën në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, në fund i kanë miratuar një për një nenet e projektligjeve në rendin e ditës, edhe pse shprehën qëndrim kundër. I tillë ishte debati me ton të lartë i Bashkim Finos me zëvendësministrin e Bujqësisë, Ilir Halilaj.

Ky i fundit mbërriti me vonesë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, për shkak se ishte në një tjetër komision. Halilaj kërkoi falje për vonesën, por Finos nuk i pëlqeu fakti se përse nuk i dha më shumë shpjegime. Zëvendësministri Ilir Halilaj nisi të shpjegojë marrëveshjen për marrjen e kredisë prej 23 milionë eurosh, e cila do të përdoret për projektin e ujëmbledhësve dhe kanaleve kulluese.

Por Fino sërish mori rolin e “opozitarit”.

“23 milionëshin që do kalojmë sot, ju e keni ndarë në dy kategori, punime civile, mallra, shërbime konsulencë, trajnime. Pjesa tjetër, shkronja b. Pjesa tjetër e shumës që bën 22,952 milionë euro. Pra, kjo është llokma më e madhe e këtij 23 milionëshi. Me e lezetshmja është që ministria juaj do paguajë TVSH-në dhe kjo do ketë një kosto lokale të përgjithshme në 4.6 milionë euro. Dhe taksa, p.sh, Bashkia Lushnje, do paguajë taksën lokale. Duhet të di nga ju si ministri, a janë të gatshme të paguajnë bashkitë këtë kosto lokale”, tha Fino, ndërkohë që zëvendësministri nisi shpjegimet.

Deputeti i PS ndërhyri sërish: “Sa e ke koston tani, mos u tall me ne”. Por në argumentin e tij, zëvendësministri i Bujqësisë sqaroi se s’ka kosto për bashkitë. “Vlera 4.6 milionë euro janë kosto lokale dhe këto janë të parashikuara në buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë në vitet në vazhdim, pra, 2019-2020. Këto kosto janë parashikuar në buxhetin e ministrisë dhe jo si kosto e bashkive”, tha Halilaj.

Bashkim Fino, ndërkaq, tha se ministria duhet të vijë në Kuvend me projekte të detajuara, pasi kreditë që po merr, do të jenë borxh edhe për fëmijët e shqiptarëve. “Puna juaj duhet të jetë e detajuar, sepse ajo janë paratë e shqiptarëve, ju mos përfitoni nga ndërgjegjet tona dhe votimi që bën Parlamenti pozitë-opozitë. Ne i miratojmë, por ju duhet të vini me relacion të detajuar, se këto do i paguajnë fëmijët e mi dhe të tutë, dhe fëmijët e fëmijëve, sepse e keni 25 vjet”, tha Fino. Por pas gjithë këtij diskutimi, socialistët e votuan marrëveshjen pa asnjë ndryshim dhe me dakordësi të plotë./Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY