Veliaj ne Napoli/Tirana së fundmi një rilindje dhe një rikuperim të madh

Veliaj ne Napoli/Tirana së fundmi një rilindje dhe një rikuperim të madh

131
0
Shares

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuari i nderit në edicionin e XIX të Konventës së Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë, e mbajtur në Napoli, si kryetari i qytetit që vitet e fundit ka pësuar një rilindje infrastrukturore dhe ekonomike, duke tërhequr investitorë dhe promovuar vendet e reja të punës.

Gjatë vizitës në Itali, kryebashkiaku Veliaj u prit në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe social midis dy qyteteve. Duke theksuar se Tirana dhe Napoli kanë shumë të përbashkëta, Veliaj tha se kryeqyteti shqiptar është sot një qytet që po transformohet çdo ditë.

“Napoli është i ngjashëm me Tiranën. Vite më parë ishte një vend me reputacion shumë të ulët, mbushur me plehra dhe një vend që shmangej nga turistët. Pësoi një rilindje dhe një rikuperim të kësaj energjie. Ndaj, rikuperimi i energjisë së Tiranës gjatë kohës së Edi Ramës, por më pas edhe me administratën e re, i ngjan shumë Napolit”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se shumë shpejt ky takim i rëndësishëm do të pasohet nga vizita e kreut të Bashkisë së Napolit në Tiranë për të hedhur themelet për çfarë mund të bëjnë dy qytetet në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit. “Mezi pres ardhjen e Luigi de Magistris në Tiranë, për të nisur pas 500 vitesh një marrëdhënie të fortë me Napolin. Është detyrë e gjeneratës së re, në këtë vit të Skënderbeut, që këtë raport të veçantë me Napolin ta riafirmojmë dhe mënyra si mund ta bëjmë këtë është duke bërë një pjesë të shkëmbimeve të artifakteve, pjesë të kulturës, letra të Skënderbeut apo të një trashëgimie të 500 viteve më parë. Por sigurisht, duke hedhur themelet për punë të tjera në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit ”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Në fjalën e tij para sipërmarrësve italianë, Veliaj prezantoi ndryshimet që ka pësuar Tirana gjatë këtyre tre viteve, si dhe politikat lehtësuese për thithjen e investimeve të huaja.

“Konventa e ndërtuesve dhe zhvilluesve të Italisë ishte një mënyrë fantastike për të promovuar incentivat që ka krijuar qeveria shqiptare për investitorët e huaj. Krahasuar me taksat italiane, që janë mbi 50%, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka taksat deri në 15%. Kjo do të thotë se për shumë investitorë italianë, që janë lodhur me taksat e burokracinë, Shqipëria është një vend ideal për të investuar”, tha ai.

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se shumë prej operatorëve turistikë të hoteleve apo investitorë në fushën e ndërtimit cilësor, por më shumë në zonat bregdetare apo edhe në Tiranë, e shohin Shqipërinë si një vend ideal. Veliaj siguroi se Tirana dhe Shqipëria ofrojnë një sërë mundësish, sidomos për investitorët strategjikë, për të cilët qeveria ka krijuar ulje të konsiderueshme të taksave.

“Vendi ynë është kompetitiv si në krahun e punës, ashtu edhe në mënyrën se si qeveria ka ofruar një paketë ideale të taksimit. Sot jemi në një situatë ku për investitorët strategjikë, të cilët investojnë në disa milionë euro, qeveria ofron një ulje të konsiderueshme të taksave. Pra, ishte një mënyrë për të prezantuar qytetin, por edhe incentivat e qeverisë për cilindo investitor që dëshiron të investojë në Tiranë”, theksoi ai.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY