PLANI/ Grabitësit e Rinasit, Admir Murataj e ish-komandot vodhën 6 milionë €...

PLANI/ Grabitësit e Rinasit, Admir Murataj e ish-komandot vodhën 6 milionë € në 3 goditje

125
0
Shares

Vjedhja e miliona eurove nga bankat dhe eskortat e sigurisë që shoqëronin paratë e bankave drejt Rinasit,është kryer nga 9 persona, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe eksperiencë në të tilla grabitje.

Individë të s’provuar disa herë për të tilla grabitje si Admir Murataj dhe ish-komando të ushtrisë dhe ish-policë, të praktikuar më armët dhe stërvitur mirë për sulme të befasishme, kanë marrë pjesë në tre grabitje, duke arritur të grabisin miliona euro. “Shqiptarja.com” sjell të plota sasinë e eurove dhe dollarëve që kjo bandë ka grabitur në tre raste, ku në total grupi vodhi nëpërmjet kërcënimit të armëve 6.221.100 euro.

Një hetim i cili ka zgjatur 1 vit dhe që është udhëhequr nga prokurorët Ened Nakuçi dhe Manjola Kajana ka zbuluar se grupi që drejtohej nga Admir Murataj, një i arratisur nga burgjet greke dhe i ardhur fshehtësisht në Shqipëri, ka arritur të grabisë në tre raste shuma të mëdha financiare.

Megjithëse është një nga grupet më të rrezikshme të grabitjeve të bankave dhe eskortave që shoqëronin thasët më para, ky grup gjatë sulmit me armë, nuk ka plagosur apo vrarë asnjë nga punonjësit e bankës apo efektivë të policisë private.

Gatë hetimeve të kryera dy prokurorëve të çështjes i kanë ardhur në ndihmë dhe rrëfimet e të pandehurve Admir Çerpjas dhe ish-komandos Ditjon Memlika, të cilët tashmë mbajnë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pasi kanë treguar me detaje të gjitha planet dhe mënyrën e kuperimit para dhe pasi kryenin një grabitje. Por ndihmesë në këtë hetim kanë qënë dhe pamjet filmike të fiksuara nga kamerat në vilën e Muratajt.

Këto janë vetëm dy nga provat e forta që do të përdorë prokuroria në procesin ndaj të pandehurve, i cili pritet të nisë së shpejti në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila tre ditë më parë vendosi që çështjen ta kalojë për gjykim. I vetmi nga personat që ende nuk është arrestuar nga policia e Tiranës është drejtuesi i këtij grupi krimina Admir Nikaj (Murataj).

Episodi i parë i vjedhjes
Më datë 3 dhjetor 2015, ku rreth orës 13:30, është marrë njoftim se në segmentin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afërsi të kryqëzimit të fshatrave Bërxull-Domje është vjedhur me armë një automjet i llojit furgon, i blinduar, i shoqërisë së sigurisë “Rogat Security”, i cili në atë moment transportonte një vlerë të konsiderueshme të hollash.

Automjeti në fjalë shoqërohej edhe nga një automjet tjetër, i llojit autoveturë, në të cilin ndodheshin rojet e shoqërisë së sigurisë “Rogat Security”. Mekanizmi i ngjarjes rezulton të ketë qenë i tillë që: mjeteve të shoqërisë private të ruajtjes dhe sigurisë u është prerë rruga nga një automjet i llojit foristradë, i cili është futur nga kryqëzimi i rrugës së fshatit Domje-Laknas në rrugën kryesore, ku në atë moment po kalonin mjetet me sasinë e të hollave.

Si rezultat i veprimit të autorëve mbi mjetin e blinduar duke e goditur me automjetin e tyre, dhe duke qëlluar me armë për të kanosur punonjësit e shoqërimit të këtij mjeti, kanë arritur të vjedhin të gjithë sasinë e vlerës monetare që po transportohej. Nga shpjegimet e dhëna nga punonjësit e bankës dhe aktet e sekuestruara rezulton se shuma objekt vjedhje përbëhej nga GPB-1.800.000, USD-800.000, AUD 200.000, CAD-200.000.

Episodi i dytë i vjedhjes
Më datë 9 shkurt 2017,rreth orës 12:00 dy automjete të blinduara të shoqërisë Sh.P.S.F “Jaguar Security” janë nisur nga ambjentet e një banke të nivelit të dytë së bashku me punonjësit e kësaj shoqërie, për të transportuar një sasi vlerash monetare për në Rinas. Pasi makinat e blinduara janë futur në rrugën e Rinasit, në mes të makinave të blinduara është futur një automjet fuoristradë, i cili fillimisht i ka bllokuar rrugën makinës shoqëruese dhe më pas ka dalë mbrapa saj.

Në këtë kohë nga një rrugë dytësore ka dalë një automjet tjetër, fuoristradë, i cili e ka goditur makinën e blinduar duke e ndaluar atë. Në këtë moment nga ky automjet kanë dalë disa persona të maskuar dhe armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të makinës së blinduar. Në të njejtën kohë nga dy persona të armatosur është sulmuar edhe makina e shoqërimit të automjetit të blinduar.

Nga automjeti fuoristradë që ka përplasur makinën e blinduar kanë dalë dy persona, të cilët mbanin në duar çekiç (varre) dhe kanë goditur xhamin e parë të makinës. Pasi nuk është bërë e mundur thyerja e xhamit, autorët kanë goditur xhamin e derës së shoferit, duke e thyer atë dhe më pas nën kërcënimin e armëve kanë zbritur në tokë dy punonjësit e SHPSF-së dhe kanë filluar që të kërkojnë çelësat e kasafortës.

Në të njëjtën kohë dy nga autorët e tjerë kanë arritur të neutralizojnë tre punonjësit e tjerë të SHPSF-së që ndodheshin në makinën shoqëruese. Pasi autorët nuk kanë arritur të gjejnë çelësin e kasafortës, me anë të një guri fresibël, të cilin e kishin në makinën e tyre, kanë thyer kasafortën dukë marrë nga aty 8 thasë me vlera monetare dhe më pas janë larguar në drejtim të urës së Sharkës, në zonën e Vorës.

Aty, kanë braktisur makinat dhe ju kanë vënë flakën automjetit tip Jeep Gran Sheroke dhe tip Chevrolet dhe janë larguar në drejtim të paditur me një makinë të tretë. Nga deklarimet e dhëna nga punonjësit e bankës shuma e cila është dërguar për shitje jashtë shtetit, dhe që ishte e vendosur në tetë thasët brenda në furgonin e transportit për në Rinas ka rezultuar të jetë: 2.4 (dy pikë katër) milion Euro, 200.000 (dyqindmijë) Dollarë amerikanë, 260.000 (dyqind e gjashtë dhjetë mijë) paund britanikë etj.

Episodi i tretë i vjedhjes
Më datë 13 shkurt 2015 rreth orës 12.30 minuta sherbimet e policise kanë marrë njoftimin se në vendin e quajtur tek ish “Stacioni i Trenit” pikërisht pranë bulevardit “Zogu i Parë” është vjedhur nën kërcënimin e armëve nga tre persona të maskuar banka “Union Bank”, ndërkohë që punonjësi i bankës dhe një nga punonjësit e sigurisëtëSH.R.S.F-se “Euro Gjici”, po nxirrnin nga tuneli i kësaj banke një shumë të konsiderueshme parash për transportimin e tyre në drejtim të aeroportit të Rinasit.

Nga materiali hetimor rezulton se shuma objekt vjedhje përbëhej nga 900.000 (nëntëqind mijë) franga zviceriane, 800.000 (tetëqind mijë) Paund Britanik si dhe 16.100 (gjashtëmbëdhjetë mijë e 100) Euro.

Sipas akteve hetimore të grumbulluara për këtë ngjarje kriminale, rezulton se autorët e vjedhjes në momentin që kanë braktisur automjetin e SHRSF Euro Gjici, të marrë në vendngjarje e kanë braktisur atë dhe janë parë duke u futur në një automjet të llojit tip minifurgon me ngjyrë të bardhë, i cili është fiksuar nga kamerat e subjekteve tregtare që ndodhen në itinerarin e rrugës që kanë përshkruar edhe autorët e ngjarjes pas vjedhjes së bankës Union.

Automjeti i dyshuar në ngjarjen e datës 13 shkurt 2015 është i llojit monovolum; ngjyrëtë bardhë; i dyshuar i tipit “Peugeot Partner”, tip i vjetër, me disqe të thjeshta, pa xhama anësore. Ky automjet është i ngjashëm me automjetin që rezulton i fiksuar edhe në ngjarjet e datave 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017 të hyjë në shtëpinë e të pandehurit organizator Admir Nikaj, në fshatin Prezë, ka karakteristika pothuajse të njëjta me karakteristikat e automjetit të dyshuar ne ngjarjen e datës 13 shkurt 2015.

Eurot poshtë dyshemesë e në tenxhere presioni
Në vijim të kryerjes së veprimeve hetimore nga ana e organit procedues gjatë kontrollit të banesës së të pandehurit Fatjon Xhyliu brenda në banesë të tij, në Ngurrëz të rrethit Lushnjë, në katin e dytë të saj, në dysheme, poshtë disa dërrasave të improvizuara si parket, që përkonin me vendin ku kishte deklaruar vetë i pandehuri Fatjon Xhyliu, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një sasi të hollash, të cilat në total janë 48 cope kartmonedha te prerjes 100 euro, 1430 copë kartmonedha të prerjes 20 pound (gjithsej 4800 Euro dhe 2860 GBP).

Sipas procesverbalit të këqyrjes dhe marrjes së provës materiale dhe atij të sekuestrimit të po të njëjtës datë 15 shkurt 2017 rezulton se nga policia gjyqësore është vajtur për të këqyrur dhe marrë provën material në fshatin Karbunar të rrethit Vlorë, në ullishten në afërsi të banesës së Neim Avdulaj janë gjetur të groposura dy tenxhere presioni të mbushura me para.

Nga procesverbali i sekuestrimit rezulton se janë sekuestruar kartmonedha të prerjeve dhe llojeve të ndryshme në valutë, në total i janë sekuestruar 136.410 Euro, 11906 USD, 2400 Dollarë Kanadez, 3050 Dollarë Australian, dhe 2000 GBPaund. Ndërkohë që vëllait të të pandehurit Neim Avdulaj, shtetasit G.A me procesverbalin e datës 13 shkurt 2017 i janë sekuestruar 10050 Euro si dhe vlera të tjera monetare.

Plani i vjedhjes para 6 muajve
Plani kriminal për realizimin e vjedhjeve ka nisur shumë kohë para se ato të realizoheshin. Për vjedhjen e datës 3 dhjetor 2015 plani i vjedhjes ka filluar që në muajin Qershor, në takimin e parë mes Neim Avdulaj, Fatjon Xhyliu dhe Ditjon Memlika, pra rreth 6 muaj para se të realizohej. Ndërkohë që për vjedhjen e datës 9 shkurt 2017 plani i vjedhjes kishte filluar që tetë muaj përpara se ajo të realizohej.

Marrëveshja midis këtyre personave rezulton nga vetë shpjegimet e dhëna nga personat nën hetim, të përmendur në këtë paragraf, si dhe nga aktet e tjera si këqyrjet e pamjeve filmike, qoftë të banesës së Admir Nikaj, për episodin e vjedhjes së datës 9 shkurt 2017, sekuestrimet, kontrollet e kryera, nga roli i secilit prej bashkëpunëtorëve, të cilat në tërësinë e tyre, tregojnë që kjo marrëveshje ka ekzistuar midis të gjithë anëtarëve të grupit të strukturuar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY