SPECIALE/ Patriarku i Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillit, vizitë në Kishën...

SPECIALE/ Patriarku i Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillit, vizitë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

217
0
Shares

Nga data 28 – 30 prill, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të presë Fortlumturinë dhe Shenjtërinë e Tij, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusive, Kirillin. Kjo vizitë e parë paqësore dhe historike ka një rëndësi të veçantë, pasi të dyja Kishat kanë përjetuar një persekutim të egër komunisto-ateist.
Të shtunën, më 28 prill 2018, ora 16:00, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë, do të presë Patriarkun Kirill në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Më pas do të vijojë Dhoksologjia zyrtare në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë.
Ditën e diel, më 29 prill, në mëngjes, të dy Primatët e Kishave do të bashkëmeshojnë në Katedralen e Hirshme “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja Kishave.
Më pas, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të shtrojë drekën zyrtare në MAK Albania Hotel.
Pasdite, ora 18:00, do të jepet shfaqja festive në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale. Në fillim do të kryhet prezantimi i botimit në rusisht të librit të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, “Deri në skajet e dheut”. Në Liturgjinë Hyjnore dhe në shfaqjen festive do të marrë pjesë edhe Kori Sinodal i Patriarkanës së Moskës.
Në mbrëmjen e së dielës, Shkëlqesia e Tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, do të shtrojë një darkë në Pallatin e Brigadave.
Të hënën, më 30 prill, Patriarku Kirill do të ketë takime zyrtare, në Selinë e Presidencës, me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, si dhe në Selinë e Kryeministrisë, me Shkëlqesinë e Tij, Kryeministrin, Edi Rama. Në fund do të vizitojë Manastirin e Shën Vlashit, Durrës dhe Akademinë Orthodhokse Theologjike “Ngjallja e Krishtit”. Largimi i vizitorit të lartë parashikohet në orën 14.00, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, ka vizituar zyrtarisht Kishën Orthodhokse të Rusisë më 1999. Në Moskë, në një ceremoni zyrtare në Qendrën Kulturore të Kishës Katedrale të Shpëtimtarit, Kryepiskopi Anastas është nderuar me Çmimin “Për kontribut të shquar për unitetin e Orthodhoksëve” (2008).

Kisha Orthodhokse e Rusisë

Një vështrim i shkurtër historik nga viti 1917 deri në ditët tona

Një vështrim i përgjithshëm
Kisha Orthodhokse e Rusisë, pjesë e një Kishe të Shenjtë, Katholike dhe Apostolike, e njohur edhe me emrin Patriarkana e Moskës, është një nga Kishat Orthodhokse Autoqefale dhe primati i saj është Patriarku i Moskës dhe i Gjithë Rusive. Kisha Orthodhokse e Rusisë, është e pesta në rangun e renditjes kanonike orthodhokse, vjen menjëherë pas katër patriarkanave të vjetra orthodhokse të Konstandinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë dhe Jerusalemit.
Kisha Orthodhokse e Rusisë ka juridiksion mbi orthodhoksët e krishterë, që jetojnë në shtetet ish – anëtare të Bashkimit Sovjetik, në Rusi, Moldavi, Ukrainë, Bjellorusi, Azerbaxhan, Kazakistan, Letoni, Lituani, Taxhikistan, Turkmenistan, Uzbekistan. Gjithashtu ushtron juridiksionin e saj kishtar mbi Kishën e Japonisë dhe orthodhoksët e krishterë rezidentë në Republikën e Kinës. Kisha e Rusisë ka një lidhje dhe status të veçantë me Kishën Orthodhokse në Amerikë (OCA), që ishte mitropolia e dikurshme ruse në Amerikë nga koha e misionarëve rusë në Alaskë (atëherë ishte pjesë e perandorisë ruse) dhe që ka ruajtur edhe sot traditën liturgjike ruse. Një tjetër degë kishtare jashtë Rusisë është edhe Kisha Ruse Jashtë Kufijve të Rusisë, (ROCOR), me seli në Nju Jork, SHBA. ROCOR u krijua në vitin 1920 nga komunitetet ruse jashtë Rusisë, që ishin pro carit dhe që kishte një qëndrim të qartë antikomunist. Pajtimi i Kishës Ruse Jashtë Kufijve të Rusisë me Kishën Orthodhokse të Rusisë dhe integrimi brenda strukturave të saj kishtare ndodhi më 17 maj 2007 dhe tani ROCOR është pjesë vetëqeverisëse e Kishës Orthodhokse të Rusisë.

Revolucioni Bolshevik dhe Lufta Civile në Rusi
Në vitin 1914, në Rusi ekzistonin shumë kisha orthodhokse, manastire dhe priftërinj e murgj. Në vitin 1917 nisi kalvari i vuajtjeve të gjata për Kishën e Rusisë, që do të sillnin ndryshime të mëdha jo vetëm në strukturën, por edhe në jetën shpirtërore të mbarë vendit. Qeveria bolshevike mori në dorë gjithçka duke ushtruar dhunë. Për të mbrojtur Kishën nga uzurpimi i pushtetit shtetëror, Kisha e Rusisë thirri më 15 gusht 1918, në Katedralen e Fjetjes së Hyjlindëses, Sinodin Lokal, i cili nuk ishte mbledhur që në shekullin e 17-të. Sesionet e Sinodit të Kishës vazhduan deri në shtator 1918, nën kryesimin e shën Tikhonit, mitropolitit të Moskës deri në atë kohë. Ky Sinod ndërmori një sërë reformash të domosdoshme për mbijetesën e Kishës në sundimin e ri komunist dhe për më tepër restauroi institucionin e patriarkut që ishte shfuqizuar prej 300 vitesh. Patriark u zgjodh shën Tikoni i cili, pasi kishte qenë bari i Kishës në shumë vende të ndryshme, madje edhe në Amerikë, mori drejtimin e Kishës së Rusisë më 17 nëntor 1917, në mes të valëve shkatërruese të tërmetit revolucionar. Ai ishte pohues i besimit orthodhoks. Me anë të letrave të tij drejtuar qeverisë dhe enciklikve për popullin, protestoi me forcë kundër persekutimit të Kishës dhe për të gjitha aktet e dhunshme të ndërmarra prej regjimit të ri. Paralelisht, u përpoq kundër ndasive brenda Kishës së Rusisë, të cilat mbështeteshin nga bolshevikët. Për shkak të këtij qëndrimi, u bënë disa orvatje për ta vrarë, por ato dështuan falë mbrojtjes hyjnore të Perëndisë. Në maj të vitit 1922 patriark Tikoni u arrestua dhe u lirua në qershor të vitit 1923, por vazhdoi të ishte i mbikëqyrur. Për shkak të vuajtjes së madhe shpirtërore dhe trysnive që kaloi, shëndeti i tij u dobësua dhe ai vdiq në moshën 60 – vjeçare, pasi më parë tha fjalët profetike lapidare: “Nata do të jetë e gjatë dhe e errët, shumë e errët…”.
Në shkurt të vitit 1918, filluan edhe përpjekjet e para ligjore që kishin për qëllim margjinalizimin e Kishës dhe mbylljen e saj graduale, me shpalljen e ndarjes së Kishës dhe shtetit, që në fakt e shpronësonte Kishën nga e drejta për të pasur çdo lloj pasurie dhe për më tepër i hiqte statusin e saj ligjor. Kjo solli në përplasjen e fortë të besimtarëve me regjimin e ri, duke shkaktuar konfrontime të përgjakshme, ku dhanë jetën shumë martirë të rinj të Kishës.
Për më tepër, Kisha vuajti shumë edhe gjatë luftës civile, duke u kthyer në shënjestër në mes të zjarreve kundërshtare. Edhe pse Kisha ruajti një pozicion neutral, kleri u konsiderua nga autoritetet sovjetike si kundërrevolucionar dhe u bë subjekt i shtypjes dhe i eliminimit fizik.

Nën sundimin sovjetik
Bashkimi Sovjetik, që u krijua formalisht në dhjetor të vitit 1922, ishte shteti i parë në botë që eliminoi fenë si kundërshtar të tij ideologjik dhe që, për ta shkatërruar, konfiskoi pasurinë kishtare, u tall me fenë dhe futi në burg e ekzekutoi një numër të madh besimtarësh, duke propaganduar njëkohësisht ateizmin dhe materializmin nëpër shkolla. Klerikët dhe besimtarët orthodhoksë aktivë konsideroheshin nga aparati shtetëror sovjetik si elementë antirevolucionarë dhe u bënë pjesë e pandarë e burgimeve, ekzekutimeve, internimeve në kampet dhe gulagët e famshëm e më vonë edhe nëpër spitalet psikiatrikë. U shkatërruan me mijëra objekte të kultit ose iu ndryshoi destinacioni për përdorim laik. Ndërtimi i kishave të reja ishte praktikisht i pamundur. Praktikimi i fesë do të thoshte një pengesë e madhe për të ndjekur karrierën shtetërore ose politike dhe për shkak të persekutimit të paepur dhe mbylljes së seminareve, ra edhe numri i priftërinjve. Një tjetër plagë e madhe ishte edhe krijimi i Kishës së Rinovuar ose të Gjallë, një lëvizje reformuese e mbështetur nga shërbimi i fshehtë, e cila u kthye në shkak ndarjeje midis klerit e besimtarëve, gjë që vazhdoi deri në vitin 1946.
Seksioni VI i OGPU, i shërbimit të fshehtë i drejtuar nga Jevgjeni Tuçkov, nisi në mënyrë agresive në këtë kohë të arrestonte dhe të ekzekutonte episkopë, priftërinj e besimtarë, si p.sh. mitropolitin Beniamin të Petrogradit, i cili nuk pranoi përdhosjen e lipsaneve të shenjta në vitin 1922. Në këtë kohë, nga 30000 kisha në Bashkimin Sovjetik numëroheshin 500. Nga viti 1917 deri në vitin 1938 u arrestuan mbi 130000 klerikë orthodhoksë të çdo rangu, bashkë me murgjit e murgeshat. Nga këta rreth 95000 u vranë. Këta u bënë të njohur si shenjtorë martirë të rinj dhe pohues të besës orthodhokse.
Në vitin 1925, kur patriarku Tikhon ndërroi jetë, autoritetet sovjetike e ndaluan zgjedhjen e patriarkut të ri. Mëkëmbës patriarkal (patriark në detyrë) u zgjodh mitropolit Sergi Stragorodski (1887-1944), pas mitropolitit Petro që vdiq në burgje e internime. Mitropolit Sergi në vitin 1927, u përpoq të bëjë një pakt mbijetese me pushtetin e kohës që shkaktoi trazira të reja dhe ndasi në Kishë, por që përsëri nuk i dha fund persekutimit ateist.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941, kur forcat naziste kishin hyrë në Bashkimin Sovjetik, Josif Stalini lejoi rigjallërimin e Kishës Orthodhokse të Rusisë për të intensifikuar mbështetjen në luftën patriotike. Në shtator të vitit 1943, mitropolitët Sergi, Aleksi dhe Nikolai patën një takim me Stalinin dhe morën leje për të thirrur një Sinod të ri më 8 shtator 1943. Ky sinod e zgjodhi Sergin Patriark të Moskës dhe të gjithë Rusive. Me zgjedhjen e patriarkut të ri, u hapën shkollat teologjike dhe nisën të hapen kishat. Për më tepër u hap edhe Akademia Teologjike e Moskës, e mbyllur prej vitit 1918. Midis viteve 1945 dhe 1959 Kisha u përhap në mbarë shoqërinë sovjetike, edhe pse disa anëtarë të klerit ende arrestoheshin dhe internoheshin, duke çelur mbi 22000 kisha në mbarë territorin e vendit.

Persekutimi në kohën e Hrushovit dhe Brezhnjevit
Me ardhjen e Hrushovit në pushtet, nisi një persekutim tjetër i Kishës dhe u mbyllën shumë kisha, vetëm 7000 u lanë të hapura. Anëtarë të trupës së episkopëve u arrestuan ose u detyruan të dorëhiqen, duke u zëvendësuar nga njerëz më të përshtatshëm për regjimin. Shumë vetë u burgosën ose u vranë dhe një numër i madh manastiresh u mbyllën. Pas Hrushovit, kur vendi drejtohej nga Brezhnjevi, vazhdoi e njëjta situatë dhe marrëdhëniet Kishë qeveri ishin jo miqësore deri në vitin 1988. Anëtarët e Kishës nuk mund të bëheshin pjesë e Partisë Komuniste dhe s’mund të caktoheshin në detyra shtetërore. Megjithatë një numër i madh i popullatës ishin besimtarë. Disa besimtarë dhe priftërinjtë orthodhoksë u bënë disidentë të regjimit dhe u kthyen në të burgosur të ndërgjegjes. Priftërinjtë orthodhoksë Gleb Jakunin, Sergi Zheludkov dhe të tjerë kaluan vite në burgjet dhe internimet sovjetike për shkak të përpjekjes së tyre për mbrojtjen e lirisë së besimit. Figura të tjera të ndritura të kohës ishin atë Dimitri Dudko dhe atë Aleksandër Men. Në vitin 1987 numri i kishave të hapura dhe që funksiononin në Bashkimin Sovjetik ra në 6893 ndërsa manastiret ishin vetëm 18. Në vitin 1987 në BRSS 40 deri në 50% e foshnjave të sapolindura pagëzoheshin (kjo në varësi të krahinave) dhe mbi 60 % të të vdekurve u kryhej shërbesa e krishterë e varrimit.

Ringritja post-sovjetike dhe përballja me realitetin e ri
Mitropoliti Aleksej (Ridiger) i Leningradit u zgjodh patriark I ri në vitin 1990 dhe frymëzoi rikthimin e një pjese të shoqërisë ruse në Kishën Orthodhokse, pas 70 vitesh shtypjeje. U hapën ose u ndërtuan mbi 15000 kisha dhe përpjekja për rindërtimin e tyre u vazhdua edhe nga pasuesi i tij, Patriarku Kirill. Sipas të dhënave të 2 marsit 2011, Kisha Orthodhokse e Rusisë ka tashmë 164 eparhi, 217 episkopë, 30675 enori ku shërbejnë 28934 priftërinj dhe 3625 dhjakonë. Ajo ka 805 manastire dhe 30 shkolla teologjike. Në mbarë vendin, gjatë këtyre viteve, u vu re ringjallje e besimit dhe kjo solli një përpjekje të re riungjillizimi në mbarë Rusinë dhe në vendet e tjera ish – anëtare të Bashkimit Sovjetik, për të mbushur vakumin e vlerave, të shkaktuar nga kolapsi i shtetit sovjetik. Kisha Orthodhokse e Rusisë ndihmoi gjerësisht grigjën e saj në zbutjen e plagëve shoqërore që krijoi periudha e re si varfëria shpirtërore dhe materiale, shpërbërja e familjes dhe e njeriut në tërësi, luftoi në mënyrë aktive fenomene të rënda si krimi, droga, prostitucioni dhe dhuna ndëretnike, duke u kthyer në faktor paqeje dhe bashkëjetese paqësore harmonike midis popujve dhe feve të ndryshme në rajon dhe në një mbartëse të vlerave të larta të Orthodhoksisë në botën bashkëkohore.
Me vdekjen e Patriarkut Aleksej II më 5 dhjetor 2008, Patriark i ri u zgjodh Kirilli, më 27 janar 2009, nga Sinodi Lokal i Kishës së Rusisë, me 508 vota nga një total prej 700 dhe u fronëzua më 1 shkurt 2009. Më parë ai ka qenë Mitropolit i Smolenskut dhe Drejtor i Departamentit të Patriarkanës së Rusisë për Marrëdhëniet me Jashtë.

Kush është Patriarku Kirill i Moskës dhe i Gjithë Rusisë

Shenjtëria e Tij, Patriarku Kirill i Moskës dhe i Gjithë Rusisë (emri në botë Vladimir M. Gundajev), lindi në Leningrad (sot Shën Peterburg), më 20 nëntor 1946 . I ati ishte prift, ndërsa gjyshi, edhe ai prift, kishte qenë i burgosur në kampin famëkeq të Solovkit dhe ishte persekutuar për besimin nga regjimi bolshevik.
Ai vazhdoi studimet në Seminarin e Leningradit dhe më pas në Akademinë Teologjike, ku u gradua cum laude në vitin 1970.
Në 3 prill 1969, Mitropoliti Nikodim i Leningradit e qethi me emri Kirill dhe e dorëzoi si hierodhjakon.
Në vitin 1971 u ngrit në rangun e arqimandritit.
Nga viti 1974 deri më 1984 ishte Rektor i seminarit të Leningradit dhe i Akademië Teeologjike.
U dorëzua episkop më 14 mars 1976.
Në vitin 1989 u caktua drejtues i departamentit për marrëdhëniet me jashtë të Kishës Ruse dhe anëtar permanent i Sinodit të Shenjtë.
Në 27 janar, Asambleja Lokale e Kishës Ruse e zgjodhi Patriark të Moskës dhe të Gjithë Rusisë.
Që nga dorëzimi i tij ka mbajtur një sërë funksionesh nga më të lartat e Kishës Ruse, duke qenë shumë aktiv edhe në veprën shpirtërore, si autor i shumë librave, kumtesave dhe është nderuar për këtë me shumë tituj e çmime. Patriarku Kirill është dalluar edhe në veprimtaritë hierapostolike, duke qenë në moshë të re përfaqësuesi i parë i Kishës Ruse në Syndesmos, përfaqësues në Këshillin Botëror të Kishave, Konferencën Evropiane të Kishave, në organizatën Fetë për Paqen, në shumë konferenca e mbledhje panorthodhokse etj.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY