Friedman: Artikulli i “Mother Jones”, i bazuar në fakte

Friedman: Artikulli i “Mother Jones”, i bazuar në fakte

117
0
Shares

Zëri i Amerikës mori sot reagimet e njërit prej autorëve të shkrimit të revistës Mother Jones, Dan Friedman në lidhje me financimin e LSI. Gazetari Ilir Ikonomi e pyeti gazetarin për të sqaruar reagimin e LSI e cila zbardhi gjithë komunikimin me revistën. Ndërkaq redaksia e Zërit të Amerikës tha se ka kërkuar të bisedojë edhe me deputetin ee LSI-së, Vangjel Tavo por ky i fundit nuk ka qenë i disponueshëm.

Fill pas intervistës me gazetarine  Mother Jones, LSI ka reaguar sërish, kësaj here me ironi në lidhje me argumentat e gazetarit amerikan. “Herë tjetër kur të sjellin pyetjet , të sjellin edhe përgjigjet që dëshirojnë”, shkruan zëdhënsi i kësaj partie Shaban Sulce.

Intervista me gazetarin e Mother Jones:

Zëri i Amerikës: Zoti Friedman, zyra e shtypit e LSI-së e quan artikullin tuaj në Mother Jones një manipulim, mashtrim dhe të pa bazuar në fakte. Cila është përgjigjja juaj?

Dan Friedman: Provat që ne paraqesim janë në artikull. Pra provat janë dhe nuk ka mashtrim. LSI-ja kishte kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pyetjeve tona. Shumicës së tyre ata realisht nuk iu përgjigjën. Kjo ngre pyetjen se përse po u shmangen përgjigjeve dhe dalin me akuzën ne se po sajojmë gjëra të paqena.

Zëri i Amerikës: Si arrini ju në përfundimin se kontrata e Grupit McKeon e nënshkruar më 24 mars 2017 me firmën fantazmë Dorelita është në thelb një kontratë me LSI-në, kur ju bazoheni në një burim që nuk e identifikoni? Cili është ky burim?

Dan Friedman: Nuk mund ta identifikoj burimin përveç asaj që thuhet në artikull, por bëhet fjalë për një person që ka dijeni për këtë kontratë dhe hollësitë e saj si dhe mbi përpjekjet lobiste të zhvilluara në këtë rast. Së dyti, artikulli nuk mbështetet vetëm në këtë burim. Ne raportojmë gjithashtu se zyra e senatorit Mike Lee ka deklaruar se fjala ishte për një takim me politikanë shqiptarë dhe nuk kishte të bënte me firmën Dorelita, e cila qëndronte prapa lobimit. Vetë LSI-ja vë në dukje se zoti Tavo ka qenë në SHBA në këtë kohë dhe me sa duket ka qenë i pranishëm në takime. Do të doja të dija se përse ndodhej ai në SHBA.

Zëri i Amerikës: LSI-ja e akuzon revistën tuaj se paguhet nga Kryeministri Edi Rama, me paratë e tij të drogës dhe të krimit të organizuar, siç shprehet ajo. A keni komunikuar ju me partinë socialiste të zotit Rama ose me ndihmësin e tij Endri Fuga, siç thuhet në reagimin e LSI-së?

Dan Friedman: Jo. Nuk kemi komunikuar me Partinë Socialiste. Kur ne po përgatisnim një artikull të mëparshëm në lidhje me Shqipërinë, ne i dërguam pyetje Partisë Socialiste por nuk morëm përgjigje prej tyre, pra nuk kemi patur komunikime me ta. Ajo që thotë LSI-ja është krejtësisht e rreme. Ne nuk financohemi nga para droge dhe duket se ata po përpiqen të sajojnë. Artikulli ynë është i dokumentuar, pra ne citojmë dokumente të depozituara pranë qeverisë amerikane, ndërsa reagimi i tyre është se ne sajojmë. Përse e bëjnë ata këtë? Përse nuk përgjigjen me vërtetësi për atë që kanë bërë ose nuk kanë bërë?

Zëri i Amerikës: A keni qenë ju në kontakt me grupin lobues të zotit Rama këtu në Shtetet e Bashkuara?

Dan Friedman: Jo. Por për artikullin e mëparshëm unë kërkova kontakt me këtë grup që quhet Ballard Partners. Ata kanë një ish-kongresmen me emrin Robert Ëexler. Unë u përpoqa të flas me të për shkrimin tonë të mëparshëm, por ai refuzoi të fliste. Po kështu u përpoqa të flisja edhe për këtë artikull. Pra, ne nuk kemi patur kontakte as me Partinë Socialiste dhe as me përfaqësuesit e tyre këtu në SHBA.

Zëri i Amerikës: Arësyeja që pyes është se ky është shkrimi i dytë hulumtues që ndërmer revista juaj për parti politike shqiptare. Por si shpjegohet që në radarin tuaj dalin dy herë parti politike shqiptare që i përkasin opozitës së sotme?

Dan Friedman: Ne kemi përmendur në artikujt tanë se Partia Socialiste përdor grupin Ballard Partners. Ne nuk jemi përqendruar tek ata, sepse nuk kemi dijeni që dikush të ketë përdorur kompani fantazmë për të paguar Ballard Partners. Ajo që ne hulumtojmë është përdorimi i firmave fantazmë në parajsa fiskale që nuk kanë funksione biznesi, për të financuar lobimin në Shtetet e Bashkuara. Nëse do të kisha dijeni se socialistët e kanë bërë këtë, unë mezi do të prisja për të shkruar rreth kësaj. Pra ne nuk shkruajmë rreth ekzistencës së përpjekjeve lobiste që paguhen nga partitë politike. Ne hulumtojmë rreth përdorimit të kompanive fantazmë për këtë qëllim si dhe rreth mungesës së transparencës.

Zëri i Amerikës: Nëse keni dijeni, a ka ndonjë hetim këtu në SHBA lidhur me lobistin Nick Muzin tek i cili u përqendruat në artikullin e mëparshëm të Mother Jones?

Dan Friedman: Nuk jam në dijeni për ndonjë hetim, por kjo funksionon kështu: zyra përkatëse në Departamentin e Drejtësisë mund t’i dërgojë atij një letër nëse ata mendojnë se deklarimet e tij janë të pamjaftueshme. Por një letër e tillë do të ishte private dhe ne nuk do të kishim akses. Ne i kemi pyetur dhe ata nuk kanë thënë nëse ekziston një letër e tillë, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston.

Deklarata e sotme e LSI-së:

Lidhur me deklaratat e kolegut të MotherJones, Dan Friedman në intervistën e tij për Zërin e Amerikës, dëshirojmë të themi se herën tjetër kur kolegu Friedman dhe MotherJones të kenë pyetje të dërgojnë gjithashtu dhe përgjigjet që ata duan, në mënyrë që ne vetëm t’i konfirmojmë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY