ZYRTARE/Komisioni Evropian rekomandon nisjen e negociatave per Shqiperine

ZYRTARE/Komisioni Evropian rekomandon nisjen e negociatave per Shqiperine

188
0
Shares

Komisioni europian do të rekomandojë zyrtarisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Në raportin i cili do të bëhet publik sot Komisioni vlerëson përparimet e bëra nga vendi, dhe këtë herë rekomandimi i tij është i pakushtëzuar. “Ruajtja dhe thellimi reformave aktuale në fushën kyçe të zbatimit të ligjit, në mënyrë të veçantë, në të gjitha pesë prioritetet kyçe dhe vijimi i rezultateve të vazhdueshme dhe të prekshme në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingu), do të jetë vendimtar për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për të mbështetur këtë, Komisioni do të aplikojë qasjen e përforcuar për kapitujt e negociatave që lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë dhe sigurinë e vendit”, shkruhet në pjesën e rekomandimit për Shqipërinë.

Komisioni ka vlerësuar se vendi “ka vijuar të bëjë një përparim të vazhdueshëm në zbatimin e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma e administratës publike u konsolidua, me qëllim përforcimin e profesionalizmit dhe depolitizimit të saj. Veprime të mëtejshme u ndërmorrën për të përforcuar pavarësinë, efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë, veçanërisht përmes ecjes përpara në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësi. Kjo përfshin rezultatet e para të prekshme në rivlerësimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve (vettingun), me dorëheqjen e 15 gjyqtarëve dhe prokurorëve të nivelit të lartë, dhe me dëgjesat e para që çuan në shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese si dhe konfirmimin në detyrë të një tjetër gjyqtareje të Gjykatës Kushtetuese”.

Komisioni europian vëren se “përpjekje të mëtejshme të vendosura u ndërmorën në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshi ato në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit të saj, duke kontribuar drejt arritjeve solide në hetime proaktive, arrestime e dënimeve. U morën masa të mëtejshme për të garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave të njeriut, përfshi personat që u përkasin pakicave si dhe komunitetit rom, si dhe politikat anti-diskriminim, ashtu sikurse edhe zbatimin e të drejtave të pronës”.

Në raportin e Komisionit bëhet më pas një pasqyrë më e detajuar e ecurisë së vendit në lidhje me kriteret e ndryshme. Duke përshkruar situatën politik theksohet se “polarizimi i fortë në skenën politike ishte i pranishëm”, ndërsa sillet në vëmendje bojkoti i opozitës pranverën e shkuar “çka shtyu në kohë gjithashtu edhe ngritjen e institucioneve të Vettingut në gjyqësor” e më pas marrëveshja e Majit mes kreyministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha, e cila pasoi me “organizimin pa probleme të zgjedhjeve të përgjithshme në qershor, pavarësisht nga fakti se një numër rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it ende mbetën të paplotësuara”.

Sa i përket administratës publike Komisioni vëren se “Shqipëria është relativisht e përgatitur për reformën” në këtë fushë. Ndërsa vlerësohen përparimet e bëra, theksohet se konsolidimi i tyre “duhet të çohet përpara më tej, në mënyrë që të sigurohet një administratë më efikase, më e depolitizuar dhe më profesionale”

Lidhur më Drejtësinë, fjala kyçe është zbatimi i Reformës që “ka çuar në një përparim të mirë të përgjithshëm” dhe veçanërisht procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve i cili “ka filluar dhe po jep rezultatet e para të prekshme”. Edhe lidhur me luftën ndaj korrupsionit, ndërsa flitet për një “përparim të mirë”, sërish vihen në dukje institucionet e reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësisë që do të merren me luftën ndaj korrupsionit e “që janë në fazën e krijimit të tyre”. Por raporti thekson se “dënime të zyrtarëve të nivelit të lartë ndodhën kryesisht në gjyqësor (gjyqtarë dhe prokurorë); megjithatë, shkalla e dënimeve përfundimtare për zyrtarët e lartë mbetet në përgjithësi shumë e ulët. Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem serioz”.

Raporti njeh përparime dhe në luftën ndaj krimit të organizuar “sidomos në luftën kundër kultivimit të kanabisit”, por kërkon që “të intensifikohet konfiskimi i pasurive që u përkasin bandave kriminale dhe të vijohet me shkatërrimin e të gjithë sasive stok të kanabisit”. Gjithashtu raporti vëren se “ka pasur pak përparim në shkatërrimin e grupeve kriminale të organizuara. Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimit të organizuar ka mbetur shumë i ulët dhe është rritur vetëm pak. Nevojiten më shumë përpjekje për të trajtuar pastrimin e parave, pasuritë kriminale dhe pasurinë e pajustifikuar”. Shqipëria vlerësohet se “ka marrë pjesë me sukses në bashkëpunimin ndërkombëtar të policive, duke intensifikuar ndërveprimet e saj veçanërisht me vendet anëtare të BE”

Raporti trajton në mbyllje të kapitullit për Shqipërinë dhe çështjen e azilkërkuesve. “Numri i kërkesave të pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në shtetet Schengen ka mbetur i lartë. Shqipëria është angazhuar dhe ka miratuar një numër masash, duke përfshirë forcimin e bashkëpunimit dypalësh me shtetet kryesore anëtare të BE-së. Këto masa dhanë rezultate pozitive. Veprime të mëtejshme të vendosura duhet të vazhdojnë, duke i përfshirë në kuadrin e mekanizmit të monitorimit të post liberalizimit të vizave, për të përballuar në mënyrë efektive këtë fenomen”. /VOA/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY