Kryebashkiaku Erion Veliaj gënjeu për çmimin nga ‘Komisioni Europian’

Kryebashkiaku Erion Veliaj gënjeu për çmimin nga ‘Komisioni Europian’

211
0
Shares

Besar Likmeta | BIRN | Tirane

Çmimi ‘kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom’ nuk u dha nga Komisioni Europian por nga një OJF, ndërsa të njëjtin vlerësim e morën edhe 7 kryetarë të tjerë bashkie nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia.

Njoftimi i Veliajt në Facebook

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook të hënën, kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shprehu falenderimet e tij për gjithë ata që bënë të mundur që ai t ënderohej me çmimin ‘kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom.”

“Marrja e çmimit “kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom” nga Komisioni Europian, më frymëzon për të vazhduar edhe më tej në këtë fushë të madhe të emancipimit, që të gjithë kemi nevojë,” shkroi Veliaj në Facebook.

“Tirana sot krenohet si kryeqyteti më miqësor me komunitetin rom dhe besoj që ishte mënyra më e mirë për të shpërblyer punën e të gjithë atyre aktivistëve rom dhe jo rom në bashkinë e Tiranës, që kanë punuar për të zgjidhur disa tema shumë të rëndësishme në qytetin tonë,” shtoi Veliaj në një video gjithashtu e postuar në rrjetin social.

Çmimi ‘kryebashkiaku më miqësor me komunitetin rom’ është pjesë e një projekti në Ballkanin Perendimor dhe Turqi, i cili ka si qëllim të mobilizojë komunitetet rome dhe të forcojë kapacitet e tyre në dialog me autoritet publike.

Ndryshe nga sa pretendon Veliaj, ky çmim nuk ka lidhje me Komisionin Europian, por jepet nga një OJF shqiptare në bashkëpunim me një rrjet organizatash simotra në rajon. Çmimi jepet nga organizata ‘Roma Active Albania’ dhe rrjeti i organizatave ‘European Roma Grassroots Organization’, ERGO. [Link njoftimi]

Ceremonia e dhënies së çmimit u organizua në Parlamentin Europian si pjesë e ‘Javës Rome 2018.”

Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj të mërkurën një kërkese nga BIRN në lidhje me deklaratën e kryetarit Veliaj se çmimi i ishte dhënë nga Komisioni Europian.

Përveç Veliajt, çmimin si ‘miqësor me komunitetin rom’ e kanë marrë edhe kryebashkiaku Mico Micićc nga bashkia e Bijeljinas në Bosnje Herzegovinë; kryebashkiaku Blagoj Bochvarski i qytetit Stip në Maqedoni; Burim Berisha, kreybashkiaku i qytezës së Fushë-Kosovës; Snežana Matijevic, kreybashkiake e Tivatit në Mal të Zi; Latinka Vasiljković nga bashkia Odžaci në Serbia; si dhe Osman Genç, nga bashkia Canik dhe Hayri İnönü nga bashkia Şişli në Turqi.

Sipas një njoftimi për shtyp të ERGO për shpërndarjen e çmimeve, përzgjedhja e fituesve ishte bërë nga 7 juritë e pavaruara, të cilat përzgjodhën fituesit nga 49 aplikime.

Marrëdhënia e kryetarit të bashkisë së Tiranës me komunitetin rom nuk ka qenë gjithmonë e qetë, siç mund të sugjerojë çmimi i akorduar nga OJF-të. Bashkia e Tiranës është akuzuar për zhvendosjen e dhunshme të komunitetit rom nga zona e Liqenit Artificial në vitin 2015.

Shqetësime për shkelje të të drejtave të njeriut kanë shoqëruar edhe projektet e bashkisë për zonën e Bregut të Lumit – zonë e populluar nga komunitetit rom, si dhe fushata kundër ricikluesve individual në Tiranë, një pjesë e mirë e të cilëve janë anëtarë të komuniteti rom.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY