SKENARI/ Shembja e Teatrit, PS ndryshon rregulloren e votimit pasi i mungojnë...

SKENARI/ Shembja e Teatrit, PS ndryshon rregulloren e votimit pasi i mungojnë votat

244
0
Shares

Për të kaluar një vendim lidhur me pronat në Bashkinë e Tiranës nuk do të nevojitet më besimi nga dy të tretat e anëtarëve të saj. Këtë parashikon draftrregullorja e re.

Prej disa ditësh iu është nisur anëtarëve të saj dhe me gjasë, në mbledhjen e ardhshme pritet të marrë “OK” për të hyrë në fuqi pak ditë më pas. Kujtojmë se me kalimet e fundit nga një kamp politik në tjetrin, prej muajsh, të majtët kanë arritur shumicën e thjeshtë, por jo atë të cilësuar, për të mundësuar kalimin e çdo lloj vendimi që do t’i propozojnë Këshillit, edhe ato që prekin pronat.

VOTIMI I CILËSUAR

Në nenin 40 të rregullores së re të Këshillit Bashkiak diskutohet vetëm nëse votimi i projektvendimeve do të bëhet i hapur apo i fshehtë, ndërsa shumica absolute me atë të cilësuar për projektvendime të veçanta si ajo e tjetërsimit të pronës as që përmenden. “Votimi për çështjet bëhet i hapur ose i fshehtë. Votimi i buxhetit dhe akteve të tjera financiare, që kanë lidhje me të, bëhet kurdoherë i hapur.

Një projekt akt/çështje quhet e miratuar kur ka marrë të paktën numrin e domosdoshëm të votave ‘Pro’ sipas rastit”, thuhet në nenin 40 të draft-rregullores. Nënvizojmë që në të njëjtin nen të dokumentit në fuqi përcaktohet që për rastet e tjetërsimit apo dhënien në përdorim të pronave të të tretëve, e bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, nevojiten votat e tre të pestave të anëtarëve që një vendim të quhet i miratuar.

E DREJTA E FJALËS

Me rregulloren e re, opozitës i kufizohet e vetmja gjë që ka në dorë, fjala. Vetëm pasi kanë folur propozuesit e projektaktit, kryetarët e komisioneve, çdo këshilltar mund të marrë fjalën një herë e jo më shumë se 5 minuta. Përjashtim bën kryebashkiaku, i cili mund të flasë sa herë dhe sa dëshiron.

“Radha e fjalës caktohet nga kryetari, duke respektuar edhe përfaqësimin politik. Këshilltarit që nuk i është dhënë fjala, nuk mund të diskutojë. Kur ai del jashtë temës, i tërhiqet vëmendja nga kryetari i Këshillit. Nëse edhe pas kësaj e përsërit veprimin, atij i ndërpritet fjala”, nënvizohet në nenin 37. Si ndërhyrjet ashtu edhe replika bëhen jo më shumë se 2 minuta. Në mbledhjet e rregullta do të ketë një pikë të fundit si rend dite me 30 minuta për të diskutuar çështje të ndryshme, ku këshilltari mund ta marrë fjalën, për jo më shumë se dy minuta.

Për herë të parë në rregullore janë futur edhe sanksione: tërheqje vëmendjeje, vërejtje e deri në përjashtim, për zbatimin e të cilave do të asistojë dhe shërbimi i sigurisë. Përpos të gjithash, rregullorja e re ka një risi pozitive. Edhe banorët kanë të drejtë të paraqesin propozime për çështje që i interesojnë. Mjafton të mblidhen 1% e banorëve të Tiranës për të paraqitur një vendimmarrje në Këshill.

Hapet rruga për tjetërsimin e pronave përreth Teatrit Kombëtar

Ndryshimi në rregulloren e Këshillit Bashkiak bëhet pikërisht në kulmin e debatit për ndërtimet te Teatri kombëtar, mu në qendër të Tiranës. Siç edhe është thënë më herët, zona pas Teatrit është pronësi e Bashkisë Tiranë e për çfarëdolloj veprimtarie lidhur me të do të duhet të merret më parë mendimi i Këshillit Bashkiak.

Duke qenë se të majtët nuk sigurojnë dot shumicën e cilësuar me tre të pestat, po bëhet ndryshimi në rregullore. Më saktë, ky dokument i hap rrugë të lirë ndërtimeve në qendër. Këtë e ka bërë fakt të kryer kryebashkiaku Erion Veliaj në një dalje televizive.

“Buxheti i shtetit tonë nuk i ka 30 milionë euro për ta ndërtuar teatrin, ndaj kemi bërë kompromis. Ne kemi ofruar pronat për t’i dhuruar qytetit një teatër”. Nga ana tjetër, ka garantuar qytetarët se teatri i ri do të jetë një ndërtesë më vete mbi të cilin s’do të ketë kullë, por pa përjashtuar mundësinë që ai të rrethohet nga këto të fundit.

“Nëse e lejon ligji, mund të ketë hotele me 5 yje, mund të ketë zyra bashkie që Tirana ka nevojë”, ka cituar kryebashkiaku. Sipas projektit të bërë publik, nga 3 mijë metra që ka aktualisht teatri, ndërtesa e re do të jetë sa 3-fishi i hapësirës që ka sot, një projekt i bashkisë në bashkëpunim me qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës. Me ligjin me vete tashmë, pasi shumica e thjeshtë është ajo që do ta miratojë si rregulloren e re, ashtu dhe kalimin e pronësisë së zonës përreth teatrit, i hapet rrugë ndërtimit të kullave të tjera në zemër të kryeqytetit.

Kujtojmë që rreth dy javë më parë, Këshilli Bashkiak arriti të japë pëlqimin për kalimin në pronësi në favor të Ministrisë së Kulturës, të sipërfaqes prej 235 m2 për një dhomë shtesë në shërbim të Teatrit të Operës dhe Baletit.

PROCEDURA E VOTIMIT

SI ËSHTË

Neni 40 Votimi në mbledhjet e Këshillit

1.Votimi në mbledhjet e Këshillit, bëhet i hapur ose i fshehtë, sipas vendimit që merr Këshilli.

2.Procesi i votimeve të akteve me karakter individual, kryhet kurdoherë me votim të fshehtë.

3.Procedura e votimit të fshehtë, organizohet nga një komision i përbërë nga 3-5 këshilltarë të zgjedhur, me votim të hapur nga Këshilli.

4.Vendimet e Këshillit, kur nuk përcaktohet ndryshe në ligj, merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

5.Vendimet, për rastet e parashikuara shkronjat “b”, “c”, “dh”, “f”, “g”, “gj”, “i” dhe “j” të nenit 32 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, merren me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit.

6.Vendimet merren me tre të pestat e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Këshillit, për rastet e parashikuara në shkronjën “e” të nenit 32, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”.

7.Në rastet e votimit për Kryetarin, zv/Kryetarin dhe Sekretarin e Këshillit, kur nuk sigurohet shumica e kërkuar, votimi ribëhet midis dy kandidatëve, që në raundin e parë kanë fituar numrin më të madh të votave.

8.Aktet e Këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes.

9.Aktet me karakter individual, hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre, subjekteve përkatëse.

SI BËHET

Neni 40 Votimi dhe miratimi i projektakteve

1. Vota është individuale.

2. Votimi për çështjet bëhet i hapur ose i fshehtë.

3. Votohet: Pro, Kundër, Abstenim.

4. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës, me karton.

5. Për aktet me karakter individual votimi bëhet kurdoherë i fshehtë. Për efekt të procesit të votimit të fshehtë, Këshilli miraton një komision votimi me 3 këshilltarë, të cilët me ndihmën e sekretarit, administrojnë procesin e votimit të fshehtë dhe në fund deklarojnë rezultatin. Si rregull, ky komision funksionon për të gjitha votimet e fshehta.

6. Votimi i buxhetit dhe i akteve të tjera financiare që kanë lidhje me të bëhet kurdoherë i hapur.

7. Drejtuesi i mbledhjes hedh çështjen në votim, duke lexuar titullin e projektaktit që do votohet.

8. Votat numërohen nga sekretari, i cili ia njofton drejtuesit të mbledhjes. Drejtuesi i mbledhjes deklaron numrin e votave për çdo votim.

9. Kur për një votim, ka kontestim për numërimin e votave, drejtuesi i mbledhjes kërkon edhe njëherë nga sekretari numërimin e votave dhe bën deklarimin e tyre.

10. Një projekt akt/çështje quhet e miratuar, kur ka marrë të paktën numrin e domosdoshëm të votave “Pro”, sipas rastit. Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY