E shkuara kriminale, ja sa punonjës të administratës kanë rënë në rrjetën...

E shkuara kriminale, ja sa punonjës të administratës kanë rënë në rrjetën e dekriminalizimit

204
0
Shares

Nga 24 mijë persona të verifikuar për të kaluarën e tyre kriminale, në rrjetën e ligjit të dekriminalizimit kanë rënë 78 punonjës të administratës. Ky është bilanci i zbatimit të deritanishëm i ligjit të dekriminalizimit.

“Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 138/2015, i ndryshuar, janë administruar rreth 24.000 formularë vetëdeklarimi të nëpunësve/punonjësve vetëdeklarues pranë DAP dhe në përfundim të rezultateve të verifikimit të përcjellë nga Prokuroria e Përgjithshme, rezultuan në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, 78 subjekte vetëdeklaruese.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka vijuar me përcjelljen e vendimeve “Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të ligjit nr. 138/2015” dhe, si rezultat, konstatohet se janë në kushtet e ndalimit edhe 34 subjekte të tjera, të cilët kanë qenë në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në raportin e Departamentit të Administratës Publike. Ndërkaq, gjatë vitit 2017, ligji i dekriminalizimit ka prekur vetëm 12 punonjës të administratës publike.

“Nga 12 subjekte vetëdeklaruese, që rezultojnë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, 2 prej tyre janë konstatuar nga organi përgjegjës DAP në zbatim të procedurave të parashikuara në Kreun V, të vendimit nr. 17/2016, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa 10 subjekte vetëdeklaruese janë konstatuar me vendimin “Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të ligjit nr. 138/2015”, nga Prokuroria e Përgjithshme, në vijim të kërkesës për verifikim të plotë, të përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike.

Vendimet gjyqësore
Gjatë vitit 2017 është shtuar numri i vendimeve të zbatuara të gjykatës në raport me vitin 2016. “Edhe gjatë vitit 2017, është punuar për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Gjithashtu, institucionet janë asistuar nga Departamenti i Administratës Publike për një kuptueshmëri më të qartë të urdhrit nr. 5151/2015, e si rrjedhim të zbatimit rigoroz të rregullave dhe modaliteteve që duhen ndjekur nga institucionet e administratës shtetërore për zbatimin e këtyre vendimeve.

Si rezultat i punës së bërë rezulton se gjatë vitit 2017 janë zbatuar gjithsej 46 vendime gjyqësore të formës së prerë, ose 43.8% më shumë se sa në vitin 2016. Ndërkohë, nëse krahasojmë indikatorin e zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim, rezulton se në fund të vitit 2017, ky indikator është 48.2%, në krahasim me 36.7% që ishte në fund të vitit 2016, pra një rritje prej 31.3%”, thuhet në raport.

Reforma e pagave
Sipas raportit të DAP, gjatë vitit 2017, rritja e pagave për punonjësit e administratës publike ishte 10%. “Ndër politikat e qeverisë shqiptare për vitin 2017, një reformë e rëndësishme ishte edhe ajo e rritjes së pagave për nëpunësit dhe punonjësit e administratës publike. Rritja e niveleve të pagave u realizua sipas sektorëve dhe sistemeve të pagave nëpërmjet të cilave trajtohen punonjësit, bazuar në prioritetet e qeverisë shqiptare.

Rritja e niveleve të pagave për punonjësit e institucioneve buxhetore u bazua fillimisht në rritjen e pagës minimale për punonjësit buxhetorë me një rritje prej 36%, (nga 22.000 lekë në muaj u rrit në 30.000 lekë në muaj) dhe më pas në rritjen me përqindje të caktuara sipas niveleve të hierarkisë së pozicioneve. Mesatarisht rritja e pagave për punonjësit e administratës publike ishte 10%”, thekson raporti.

Raporti, disa konkluzione për administratën publike

– Strategjia e Reformës në Administratën Publike paraqitet në ecuri të mire. Viti 2017 ka shënuar rritje për sa i përket realizimit të planit të aktiviteteve. Gjithashtu, ka filluar puna për vlerësimin afatmesëm të strategjisë dhe hartimin e planit të ri të aktiviteteve për periudhën 2018 – 2020, duke vlerësuar edhe nevojat financiare për zbatimin e strategjisë për trevjeçarin e ardhshëm.– Kuadri ligjor për nëpunësit civilë është i plotë dhe i qartë.– Administrata shtetërore në tërësi paraqitet e qëndrueshme, duke synuar më tepër performancë tek nëpunësit civilë dhe duke u orientuar drejt meritokracisë.

– Institucionet e administratës shtetërore janë të qarta tashmë në rolin që ato kanë në menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe rolin e DAP si njësi përgjegjëse për menaxhimin dhe koordinimin e të gjitha procedurave që lidhen me burimet njerëzore. Gjithsesi, akoma është e nevojshme rritja e kapaciteteve të njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës, lidhur me zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil, me fokus të veçantë sidomos në drejtim të planifikimit të vendeve vakante, si dhe grupimit të pozicioneve të ngjashme sipas tipologjisë së tyre.

– Procesi i transferimit të nëpunësve civilë në kuadër të mbylljes apo ristrukturimit të institucioneve (ristrukturimi), ka pësuar përmirësim të ndjeshëm. Nga ana e institucioneve dhe Departamentit të Administratës Publike janë zbatuar më me rigorozitet dhe cilësi procedurat e përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil në këtë drejtim. Një përmirësim i ndjeshëm në këtë drejtim ishte përcaktimi i një metodologjie të qartë (vlerësimi me pikë) për transferimin e nëpunësve civilë në kuadër të ristrukturimit të institucioneve.

– Vihet re një rritje e numrit të kandidatëve që konkurrojnë për një vend pune (mesatarisht 18 kandidatë/1vend pune), por ka ende nevojë për të përmirësuar procesin e vlerësimit tërësor të njohurive profesionale dhe aftësive individuale të tyre. Edhe gjatë vitit 2017, DAP ndërmori një sërë fushatash informuese në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, si dhe rrjetet sociale, për të komunikuar procedurat që duhet të ndiqen nga të interesuarit për një vend pune në administratën shtetërore.

– Vihet re se ka vazhduar trendi në rritje i njohjes së legjislacionit të shërbimit civil, në drejtim të të drejtave dhe detyrimeve të nëpunësve civilë, si dhe të procedurës disiplinore, sidomos të anës formale të saj, si rezultat i punës së vazhdueshme të përfaqësuesve të DAP në këto komisione, për ndërgjegjësimin e anëtarëve të komisioneve disiplinore për respektimin e të gjithë elementëve të procedurës formale të këtij procesi. Konkretisht, gjatë vitit 2017 kemi një ulje në masën 40.4% të masave disiplinore në tërësi dhe një ulje me 40% të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.

– Sa i takon zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për vitin 2017, janë zbatuar 46 vendime, duke shënuar një rritje prej 43.75%, krahasuar me vitin 2016, si dhe një rritje prej 31.3% i indikatorit të zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim.

– Sa i takon vlerësimit të njohurive shtesë të nëpunësve civilë në pozicione me funksione inspektimi, procesi tregoi se kapacitetet në këtë fushë ishin mesatare dhe nxori si nevojë rritjen e këtyre kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të dedikuara në këtë fushë.

– Për sa i përket reformës funksional strukturore, gjatë vitit 2017, u realizua reforma e organizimit të brendshëm të aparatit të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës, duke i vendosur ministritë në rolin e tyre udhëheqës në sektorin përkatës, duke bërë lehtësimin e aparatit të ministrive nga funksionet menaxheriale, operacionale, lëvrim shërbimesh, prokurime, dhënie liçencash, zbatim projektesh, etj, duke i zbritur këto nëpër agjenci. Gjithashtu, filloi puna për reformimin e institucioneve të varësisë. Gjithsesi, sfida për vitin në vazhdim mbetet rishikimi funksional strukturor i institucioneve të varësisë dhe përcaktimi i rregullave dhe standardeve të qarta në fushën e ndërtimit të institucioneve dhe të matjes së performancës së tyre.

– Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së përshkrimeve të punës dhe standartizimit të tyre, u miratuan përshkrime standard dhe kërkesat minimale për efekt rekrutimi për 8 grupe pozicionesh (Specialistë të financës, Specialistë të buxhetit, Specialistë të prokurimeve, Specialistë të burimeve njerëzore, Specialistë arkiv/protokolli, Specialistë të marrëdhënieve me publikun, Specialistë jurist, Specialist të teknologjisë së informacionit). Këto përshkrime pune të unifikuara shërbejnë edhe për përmirësimin e mëtejshëm të procedurave dhe cilësisë së rekrutimit në këto pozicione.

– Zhvillime të rëndësishme janë shënuar në shtrirjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ, duke e populluar sistemin me të dhëna dhe duke trajnuar personat përgjegjës në secilin institucion, lidhur me përdorimin e tij. Ndërkohë që, gjenerimi i pagës për institucionet e shërbimit civil përmes Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ mbetet sfida më e madhe e vitit 2018.

– Gjatë vitit 2017 ASPA ka vazhduar të përballojë një volum të madh pune, si në procesin e organizimit të aktiviteteve trajnuese, ashtu edhe në drejtim të rritjes institucionale dhe profesionale të saj. Cilësia e shërbimeve ndaj klientit është vlerësuar shumë pozitivisht, gjë që nënkupton rritje të cilësisë së trajnimit, materialeve trajnuese dhe komunikimit me klientët. Sfidë mbetet rritja e cilësisë së trajnimeve që Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ofron. Shqiptarja.com

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY