Basha publikon për herë të parë alternativën e PD për biznesin

Basha publikon për herë të parë alternativën e PD për biznesin

133
0
Shares

Alternativa e PD për ringritjen e ekonomisë është çlirimi i tregjeve dhe ndalimi me ligj i monopoleve. Kjo është rrruga e vetme për të kthyer vetëbesimin se shqiptarët janë në gjendje për të bërë vepra të mëdha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se 5 vitet e fundit kanë qenë 5 vite të humbura për Shqipërinë dhe se ka ardhur koha që, nëpërmjet alternativës së Partisë Demokratike për çlirimin e tregjeve nga monopolet, shqiptarëve t’u kthehet vetëbesimi se Shqipëria mund të bëhet një vend i zhvilluar.

Kryetari Basha mori pjesë në konferencën (De)Rregullimi i Tregjeve, organizuar nga Forumi i Tiranës për Lirinë Ekonomike-Instituti Pashko.

Duke iu referuar dy shtyllave kryesore të ekonomisë për zhvillimin dhe punësimin, investimeve të brendshme dhe investimeve të huaja, Kryetari i Partisë Demokratike tha se “Shqipëria ka shënuar një rekord të paprecedentë për çdo vend postkomunist duke mos patur asnjë investim të ri të huaj në këto 5 vite”.

Basha argumentoi se për shkak të mungesës së investimeve punësimi ka rënë dhe emigracioni është rritur, veçanërisht ai i të rinjve dhe i profesionistëve.

Për të treguar se vendet e rajonit kanë ecur përpara me investimet, Basha paraqiti të dhënat për 10 javët e para të vitit për Bosnjën,  Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Bosnja me 7 investime të huaja, disa mijëra vende të reja pune një marrëveshje me BERZH 750 milionë euro për një autostratdë.

Maqedonia me 4 investime të huaja, mbi 600 vende të reja pune, disa dhjetëra milionë euro investime në energjitikë, zhvillim teknologjik, industri.

Mali i Zi  me 3 investime te huaja, kryesisht në turizëm elitar, me rreth 1 miliard euro.

Serbia vetëm për 10 ditët e para të marsit ka 9 investime shumë të mëdha në hoteleri, industri, miniera, teknologji me mbi 5 mijë të punësuar dhe qindra milionë euro investime, për të cilat qeveria serbe ka paguar 9.5 milionë euro që t’i thithë në ekonominë serbe.

“Ku jemi me Shqipërinë? Çfarë investimi të huaj kemi thithur në mars, janar–mars 2016, 2017, 2015, 2014? Kaluan 5 vite dhe nuk ka një investim të huaj. Përkundrazi, ka ikur Sheratoni, ka ikur Glaxo Smith Kline, iku Onmix që do të ndërtonte resortin 400 milionë euro”- tha Basha.

Kreu i opozitës theksoi se edhe tek investimet e brendshme është e njëjta situatë dhe askush nuk mund të tregojë asnjë investim domethënes në infrastrukturë, teknologji informacioni, përvec abuzimit me Rilindjen Urbane, shtrimi i qyteteve me pllaka dhe palma.

Basha vuri në dukje se braktisja e Shqipërisë nga investitorët e huaj reflektohet edhe tek rënia e saj e ndjeshme në raportin e The Heritage Foundation. “Liria ekonomike në Shqipëri ka zbritur nga vendi i 54-të në botë në vendin e 65–të në botë”- citoi Basha raportin, ku janë më rënie edhe treguesit e tjerë të rëndësishëm për investitorët, ato të barrës fiskale, lirisë së të bërit biznes, lirisë së investimit, që e zhvendosin Shqipërinë në gjoepolitikë afrikane.

Edhe në raportin e Doing Business Shqipëria renditet nga fundi, në vendin e 125 në botë për pagesën e taksave dhe ne vendin e 120-të në botë për respektimin e kontratave, çka i pengon investitorët të vijnë në një vend që nuk respekton kontratat.

Basha tha se përkeqësim i ndjeshëm për Shqipërinë vërehet edhe tek raportet e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Forumit Ekonomik Botëror, ku Shqipëria është vendi i fundit në rajon për nga konkurrueshmëria.

Kryetari i Partisë Demokratike vuri në dukje se një tregues tjetër i gjendjes së rëndë të vendit është borxhi publik, i cili vazhdon të rritet nga qeveria.

“Borxhi publik është një problem i madh për vendin, sepse është edhe ai i fshehuri, për të cilin foli edhe FMN-ja para pak ditësh. PPP-ja nuk është vetëm pastrimi i parave të pista, por është edhe borxh i fshehur publik. Çdo marrëdhënie e drejtpërdrejtë  e qeverisë me një konçensionar është borxh për shqiptarët, të cilët do ta paguajnë për 10, 15, 20 apo 30 vjet.”-tha Basha.

Kryetari i opozitës theksoi se qeveria nuk ka asnjë prioritet tjetër në fushën ekonomike përveç kriminalizimit dhe orientimit nga paraja e zezë, siç është ajo nga trafiku i drogës. “Boom-i i papritur i ndërtimeve në Tiranë, i pajustifikuar nga kredia bankare të çon në pyetjen se me çfarë parash po ndërtohen, kur i vetmi aktivitet i suksesshëm është ai i trafikimit të kanabisit, kur asnjë kokë e krimit apo peshk i madh  nuk është kapur dhe  paraja është e paprekur në dorë të krimit. Është e qartë se qëllimi  qëllimi kryesor i krimit është ta fusë këtë para në ekonomine e ligjshme, ta riciklojë në ekonomine e ligjshme dhe të kapë ekonomine e ligjshme”.-u shpreh Basha.

Kreu i Partisë Demokratike solli të dhëna se për shkak të vendimeve të gabuara me taksën progressive, që po i merr frymën ekonomisë, në Shqipëri të ardhurat nuk u realizuan asnjëherë këto 5 vitet e fundit, pavarësisht rritjes së taksave. “Mosrealizimi për vitin e kaluar, 120 milionë dollarë, është rezultati i drejtpërdrejtë edhe i përqëndimit dhe krijimit të klientelës”- u shpeh Basha, i cili vuri në dukje se janë gjithsej 10 individë që fitojnë gjithë tenderat  dhe koncesionet, pjese e PPP-së.

“Nuk ka treg të lirë më pesë operatorë të fuqishëm  që bëjnë çdo aktivitet ekonomik të vendit dhe nuk janë asgjë tjetër përveçse monopole  dhe skema oligarkike” tha Basha duke theksuar se zemra e ekonomisë janë sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Kryetari i PD u shpreh se 3000 biznese të vogla janë mbyllur në periudhen janar-shkurt dhe e vetmja politikë fiskale që ofron qeveria është futja e tyre në skemën e TVSH-së dhe heqja e TVSH-së për hotelet me 5 yje. “Kjo është politika fiskale tipike klienteliste”-tha Basha.

Kreu i opozitës propozoi masa konkrete për ringritjen e ekonomisë, duke cilësuar si prioritet kryesor çlirimin e tregjeve, çka kërkon një reformë të thellë që çliron ekonominë nga monopolet, oligogpolet dhe nga ndërhyrjet qeveritare. “Fillon nga ndalimi me ligj i krijimit të monopoleve nga shteti, duke hequr kontrata ekskluzive dhe liçensat ekskluzive. Ndalimi i çdo konçesioni me përjashtim të atyre në infrastrukturë që bëhen vetëm pas çertifikimit nga institucionet ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore.”-tha Basha.

Propozimi tjeter i kreu të opozitës ishte për zhdukjen e të gjithë favoreve ligjore, fiskale ndaj çdo veprimtarie që dëmton shëndetin e njerëzve, duke përfshirë inceneratorët. Çfarë nuk ka vlerë të shtuar për ekonominë, që nuk disbursohet, duhet të zhbëhen të gjitha”-tha Basha, i cili tha tregu i lirë duhet të vendosë për të gjithë ata që kanë ide.

Modernizimi i sistemit fiskal është një tjetër propozim i alternativës ekonomike të PD, që synon largimin e inspektorëve tatimorë nga mjediset e biznesit. “Aty ku punon, aty ku derdhet djersë, aty ku krijohet, aty ku krijon vende pune, aty ku lëviz kapitali, taksidari duhet të ndalohet me ligj prania e tij. Përmes modernizimit të sistemit fiskal, pa shpikur asgjë, duke aplikuar standartet europiane të vetëdeklarimit dixhital.”

Basha theksoi se programi ekonomik dhe vizioni i Partisë Demokratike nuk paraqet një arrnim apo korrigjim të së sotmes, por një transformim të thellë. “Prandaj ju siguroj se qëllimi i programit dhe vizionit të PD është çlirimi total i tregut nga monopolet, ndalimi i praktikave monopoliste dhe ekskluziviste”- tha Basha, i cili vuri në dukje se këto janë masa “që kthejnë besimin tek ekonomia, besimin tek leku, besimin tek vetvetja”

Kreu i PD u shpreh se “merita më e madhe e veprave të mëdha infrastrukturore, siç është Durrës-Kukës, ishte vetëbesimi që u dha shqiptarëve se ne jemi në gjendje të bëjmë vepra të mëdha, që u përkthyen menjëherë më pas në dhjetëra, qindra, mijëra inovacione të vogla e të mesme, që çoi në rritje ekonomike, rritjen  e punësimit, rritjen e vetëbesimit të shqiptarëve.”

Basha tha se në këto 5 vjet ky model është shndërruar në modelin e drogës, të 180 milionë eurove në një kontenier bananesh. “Çfarë frymëzon kjo? Kjo shkatërron biznesin. I thotë biznesit çfarëdo që të bësh ti, sado inovacion të kesh, sado ide të mira të kesh, ti nuk konkurron dot.”- tha Basha, që e cilësoi këtë një model shkatërrues edhe për rininë.

Basha tha se ka vetëm një rrugë për të kthyer vetëbesimin e shqiptarëve, që reflektohet në platformën e PD për çlirimin e ekonomisë nga monopolet, për tregun e lirë, taksën e sheshtë. “Por një transformim i thellë ekonomik nuk mund të ndodhë pa një tranformim të thellë politik, duke nisur nga konkurueshmëria, hapja dhe meritokracia”- tha Basha. Ai garantoi se kjo është ajo që do të bëjë Partia Demokratike “duke modernizuar plotësisht funksionimin e saj, duke zhdukur çdo pengesë autokratike të vërtetë apo të perceptuar”. Kreu i opozitës tha se “do t’i jepet mundësi çdo demokrati të konkurrojë, të marrë përgjegjësi dhe të përfaqësojë axhendën tonë emancipuese europiane të lirisë ekonomike dhe të lirisë politike para shqiptarëve, duke nisur me zgjedhjet e ardhshme politike.”

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY