Përplasja në UT, Mark Marku: Edi Rama aleancë me mafien universitare

Përplasja në UT, Mark Marku: Edi Rama aleancë me mafien universitare

166
0
Shares

Pedagogu i Universitetit te Tiranes Mark Marku, koordinatori i Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ne kulmin e debatit për Universitetin ka reaguar me nje analize në “Panorama” per situaten, duke akuzuar kryeministrin Rama për aleance me mafien.

Duke u ndalur te takimi i Rames me Senatin, Mark Marku shkruan…

Mark Marku

Tri ditë më parë, 123 pedagogë të Universitetit të Tiranës në një takim të organizuar nga Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare u mblodhën për të diskutuar për gjendjen dramatike që po kalon Universiteti i Tiranës dhe arsimi i lartë në përgjithësi. Në debatin e zhvilluar përplot seriozitet, shqetësim dhe përgjegjësi, Forumi doli me një sërë propozimesh për aktorët universitarë, politikë dhe shoqërorë që do t’i shërbenin tejkalimit të kësaj gjendje.

Në thelb, Forumi, si të gjitha forumet në botën demokratike kërkoi inicimin e një debati me interes publik siç besojmë të gjithë se është arsimi në përgjithësi dhe ai publik në veçanti dhe, nga jehona që ka pasuar propozimet dhe analizat e dala nga ky takim, mendoj se Forumi i ka bërë një shërbim të dobishëm profesoratit, studentëve, burokracisë universitare, shoqërisë dhe nëse duan ta kuptojnë edhe institucioneve përgjegjëse për arsimin shqiptar, Ministrisë, Kryeministrisë dhe aktorëve të tjerë politikë dhe institucionalë në vend.

Forumi, tek e fundit, ishte i pari që denoncoi një krim që po kryhej në mënyrë të heshtur siç është rrënimi i arsimit publik në Shqipëri, duke e ekspozuar atë publikisht. Reagimet e mëvonshme të aktorëve përgjegjës për këtë krim kanë të bëjnë me aktorët vetë dhe jo me ne.

REAGIMI NEVRASTENIK I QEVERISË SHQIPTARE

Në reagim të qëndrimeve dhe kërkesave tona, Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, thirrën me ngut senatin e UT-së dhe bënë një mbledhje të improvizuar të tij duke u vetëshpallur kryetar të senatit dhe duke i trajtuar anëtarët e senatit ashtu siç nuk i kishte trajtuar kurrë njeri më parë: duke i tallur, përbuzur, denigruar dhe duke u mbajtur një fjalë të gjatë e të pakuptimtë për autonominë dhe lirinë akademike dhe financiare.

Zot, thashë me vete, Kryeministër që ka marrë rolin e kryetarit të senatit dhe i jep fjalën vetë kryetarit të senatit, njëherësh edhe rektorit, dekanëve, etj. dhe flet për autonomi universiteti. Enver Hoxha i bënte pak më hollë gjërat, Hitleri e Stalini, gjithashtu, Musolini po e po, edhe pse ishte publicist si Rama. Senatorët, si në një mbledhje fronti a partie të kohës së komunizmit, që u shpjegohej se ligji ishte i mirë dhe se duhej të ndryshohej përqasja ndaj ligjit, jo vetë ligji; se gjendja është e mirë, por se ata nuk kishin sy që ta shihnin; se problemet ishin të brendshme dhe se ai do t’u priste kokat.

E shihja atë takim dhe ndjehesha fajtor se si Kryeministri, për të na frikësuar ne që ishim mbledhur si pedagogë të lirë dhe të pafrikësuar, duke u kërkuar llogari, kamxhikonte të zgjedhurit tanë, burokracinë tonë universitare të përdorur e të stërpërdorur nga politika, që kishte lejuar t’i dilte situata nga kontrolli dhe nuk kishte treguar syçeltësinë e duhur për të zhdukur çdo shenjë lirie dhe dinjiteti intelektual në universitet.

E shihja Kryeministrin se si i jepte leksion dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, duke i thënë se aktet nënligjore janë të parëndësishme për zbatimin e ligjit dhe se si i jepte dekanit të Ekonomikut leksione se si njëherësh mund të pakësosh fondet nga buxheti i shtetit në një institucion publik dhe njëkohësisht t’i bësh këto institucione të rrisin të ardhurat duke mos rritur taksat e studentëve. Kryeministri kishte ardhur në këtë takim për të përçarë universitetin, për t’i ndërsyer kundër njëri-tjetrit, për t’i shantazhuar, për t’i tallur, me një synim, gjithsesi të qartë, të fshihte pasojat katastrofike të ligjit të tij.

Por në momentin që kolegë dinjitozë anëtarë të senatit filluan të flisnin me dinjitet për problemet e vërteta, që shqetësonin universitetin, ai u mbylli gojën dhe kërciti e iku për të mbajtur një fjalim, kushedi ku, në Kamzë, me fermerët për pataten, apo me saldatorët e dalluar.

Gjithsesi, ky takim i pati disa rezultate inkurajuese: u kuptua se universiteti publik është në kolaps total, se qëllimi i ligjit për arsimin e lartë ka synuar nënshtrimin e profesoratit dhe kthimin e tij në turmë amorfe, që pret me gojëhapur urdhrat dhe leksionet e Kryeministrit, shmangien nga çdo lloj përgjegjësie të qeverisë për financat e universitetit publik. Në këtë takim u shpall aleanca e politikës dhe qeverisë me mafien universitare, njësoj siç u shpall aleanca e politikës me grupet kriminale që solli kriminalizimin e Parlamentit apo aleanca e grupeve kriminale me politikën, që solli kanabizimin e vendit. Kjo aleancë do ta përsosë dhe çimentojë leccacul-izmin universitar.

VETËDENONCIMI I KASTËS BUROKRATIKE UNIVERSITARE

Takimi i djeshëm dëshmoi në mënyrë brutale, të dhimbshme, por të drejtë falsitetin, dështimin, paaftësinë dhe meskinitetin e kastës burokratike universitare dhe njëherësh dështimin tonë, që kemi mbajtur dhe mbajmë në kurriz një kastë të tillë. Aty pamë ish-rektorin Dhori Kule, i cili i bënte temena Kryeministrit dhe i thoshte se sa i mirë ishte ligji për arsimin e lartë.

Ai ka qenë rektor, pikërisht në periudhën kur ky ligj është kundërshtuar nga departamentet, kryesitë e fakulteteve dhe senati thuajse totalisht. Kryeministri, me sadizmin që e karakterizon, e nxiste ish-rektorin kundër rektorit. Ish-rektori Kule nuk pati kurajën të merrte përgjegjësinë për faktin se universiteti, që ai ka drejtuar për 8 vjet, u rendit i fundit në akreditim. Dhe ai akreditim u bë pikërisht për universitetin që ka drejtuar prof. Kule për 8 vjet dhe ishte vlerësimi i gjendjes së universitetit të drejtuar prej tij. Këto 8 vjet janë karakterizuar nga miliona euro të shpenzuara në llaç, tulla, banga, karrige, makina, dyer dhe tenderë pa fund, për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hartuar raporte për shkelje dhe abuzime, të cilat kanë mbajtur me muaj faqet e gazetës “Panorama”.

Rektori Kule foli edhe për partneritetin e suksesshëm me bashkinë, por nuk shpjegoi se pikërisht në kuadrin e këtij partneriteti një pjesë e pronave të universitetit, kur ai e drejtonte, i kanë kaluar bashkisë duke shkelur nenin 117 të ligjit, i cili thotë shprehimisht se institucionet e arsimit të lartë “nuk mund të ndryshojnë destinacionin e tyre”. Ish-rektori Kule tundi kokën kur Kryeministri tha se ai dhe tre dekanë të tjerë i kishin kërkuar Ministrisë shkarkimin e rektorit të UT-së, një akt ky i paprecedent, pasi askund në ligjin e arsimit të lartë nuk thuhet se janë dekanët ata që emërojnë apo shkarkojnë rektorin e universitetit.

Dhe pastaj akuzon të tjerët se po e fton qeverinë të ndërhyjë në jetën akademike. Rektori është i vetmi autoritet i zgjedhur me votën e gjithë personelit akademik dhe studentëve, në ndryshim nga anëtarët e senatit dhe dekanët që zgjidhen nga vota e profesoratit dhe e studentëve të secilit fakultet, ose të Bordit të Administrimit, që zgjidhet pjesërisht nga Senati (pjesa e bordit të zgjedhur nga universiteti) dhe pjesërisht nga qeveria. Rektori mund të zhdekretohet për arsyet e përcaktuara nga ligji vetëm nga Presidenti i Republikës me propozimin e ministres.

Rektori nuk mund të përjashtohet siç mendojnë Kule, Hoxha, Rapti dhe Sula për arsye se rektori pas zgjedhjes nuk i nënshtrohet urdhrave të grupeve apo individëve që e kanë mbështetur në fushatë. Aty pamë dekanin e Fakultetit të Drejtësisë, një ish-prokuror i sistemit të drejtësisë së komunizmit, rast i paprecedent ky që të bëjë “autokritikë” për moskuptimin e ligjit dhe, në pozitën e nxënësit që përsërit përmendësh tekstin, të recitojë para Kryeministrit se sa i mirë ishte ligji dhe se sa të këqij ishin pedagogët (nxënësit) që nuk e kuptojnë se sa i mirë është. Sot pamë në media një dëshmi të faktit se si ky specialist i ligjeve dhe paanshmërisë së tyre e kishte shndërruar website-n e fakultetit që ai drejton në një gazetë muri të fondacionit “Qemal Stafa” të Saimir Tahirit.

Në këtë takim pamë rektorin e universitetit, zotin Mynyr Koni, që shpjegonte se si administratori i universitetit i kishte mbyllur zyrën e burimeve njerëzore dhe i kishte lënë pa rrogë 4 drejtorë të drejtorive kryesore, që mbajnë peshën e funksionimit të UT-së. Kryeministri u tall me këtë fakt dhe ia kaloi fjalën zotit Kule, ndërkohë që rektori mbeti pa u shpjeguar për bllokimin që i kanë bërë komisarët politikë të universitetit në bashkëpunim me qeverinë. Megjithatë, rektori është përgjegjës pse nuk e ka ushtruar autoritetin që buron prej ligjit dhe nuk i ka bërë publike problemet e krijuara.

I zgjedhur nga trupa akademike, rektori duhej ta kishte informuar atë për një bllokim të tillë. Nuk duhej të ishte mjaftuar me shkëmbime burokratike me institucionet qeveritare, që janë bërë bashkëpërgjegjës në bllokimin institucional të universitetit, përmes aleancës me një pjesë të strukturave të zgjedhura të universitetit si bordi apo dekanët. Pamë në këtë takim senatorë që folën me dinjitet dhe do të flisnin po t’i lejonte Kryeministri. Por Kryeministri nuk ka kohë për gjëra këso dore. Ai nuk dëgjon asgjë përveç gjërave që i pëlqejnë. Dhe gjërat që i pëlqejnë janë zakonisht gjërat që thotë vetë.

NJË ALTERNATIVË PËR ZGJIDHJE

Grupi i profesorëve që nuk ishin aty, i kanë kërkuar një takim Kryeministrit Rama, ministres Nikolla, Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, autoriteteve drejtuese të universitetit për një dialog dhe debat për zgjidhjen e problemeve të arsimit të lartë. Ky takim, që mund të ishte nisje për këtë dialog, ka tentuar të ngjallë frikë apo bjerrje të vullnetit të profesoratit për kërkimin e rrugëve për zgjidhjen e krizës së arsimit të lartë.

Takimi që e konfirmon edhe më shumë krizën, duke e thelluar më tej, na bën të vetëdijshëm se kjo betejë duhet bërë, me dialog apo me të gjitha format e ligjshme demokratike, përfshi edhe protestën. Është në dorën e qeverisë të zgjedhë përballjen dialoguese me problemet apo konfrontimin me ata që i shtrojnë ato për zgjidhje. Ne jemi gati për të dyja, zgjedhja është në dorën e qeverisë. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë.

Titulli i autorit: “Një kryeministër ‘kryetar senati’ dhe autonomia universitare”

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY