FOTO & EMRI/ Ndahet nga jeta Mjeshtri i Shahut

FOTO & EMRI/ Ndahet nga jeta Mjeshtri i Shahut

467
0
Shares

Mjeshtri i Shahut Ylvi Pustina eshte ndare nga jeta. Federata Shqiptare e Shahut organizon homazhet per percjelljen e tij ne banesen e fundit, neser, diten e shtune, date 17 Shkurt, or 11: 00 – 12:00, prane Hotel Internacional, (mbrapa Ish Lidhjes se Shkrimtareve )

Ylvi Pustina ka lindur më 9 Shkurt 1935, me arsim të lartë, mjek – veteriner. Gara e tij e parë ishte Kampionati Kombëtar i të Rinjve, në vitin 1951, ku në moshën 16 vjeçare u shpall Kampion Kombëtar. Pas një viti, në kampionatin Kombëtar të vitit 1952, shpallet Kampion i vëndit për të rritur me pikë të barabarta me mjeshtrin e pare të sportit për shah në Shqipëri, Bujar Hoxhen.

Ylvi Pustina ka dalë 9 herë Kampion Kombëtar në vitet 1952, 1957, 1959, 1960, 1961, 1964, 1965, 1969, 1970, 9 herë fitues i Turneut të më të mirëve si dhe 4 herë fitues i Kampionatit Kombëtar Ekipor me Ekipin e tij “17 Nëntori”. Pustina është Mjeshtri i parë i merituar i sportit të shahut në vendin tonë dhe 5 herë fitues i Anketës së gazetës Sporti Popullor për 10 sportistët më të mirë të vitit, (1960, 1961, 1964, 1970, 1972).

Ylvi Pustina ka qenë një ndër titullarët më kryesorë në formacionin e ekipit tonë Kombëtar në arenën ndërkombëtare ku spikasin…

* Kampionati botëror i studentëve (me ekipe) 1958 në Varna të Bullgarisë.

* 6 Olimpiada Botërore të shahut (1960, 1962, 1970, 1972, 1980, 2000)

* Në turneun paraolimpik ndërkombëtar në Varna Bullgari në vitin 1962, ku fitoi cmimin e gazetës Trut “Puna” për rezultatin më të mirë me shahistët më të fortë.

* Kupa ballkanike në vitin 1960;

* Kampionati Europian 1970;

* Kampionati botëror i senjorëve në vitin 1999.

* Është ndër pesë lojtarët e parë shqiptarë , që ka fituar pikëzimin elo që në vitin 1970.

Karakteristikë themelore dalluese e Mjeshtrit të merituar të Sportit Ylvi Pustina, në lojën e shahut, ka qenë stili i tij kombinativ, por i shoqëruar edhe me nuhatje dhe vlerësime objektive të pozicionit. Gjithashtu ka qenë gjyqtar dhe trajner Kombëtar. Ai ka drejtuar ekipet kombëtare të të rriturve dhe të rinjve në disa aktivitete ndërkombëtare, si ballkaniada ose olimpiada, në vitet 1974, 1978, 1979, 1990, 1994 e 1995. Gjithashtu, është autor edhe i disa librave për shahun.

Për kontributin e madh që ka dhënë për shahun i është akorduar urdhri Naim Frasheri, mban titullin e lartë Ndër i Sportit Shqiptar; si dhe Mirënjohja e Qytetit të Tiranës. Ndër rezultatet më të spikatura të tij kanë qenë përballjet me mjeshtrit ndërkombëtarë dhe fitoret ndaj tyre, si Bogdanov, MI Nikola Bochev Padevsky (Kampion i Bullgarisë në vitin 1954, 1955, 1962 dhe 1964, e më pas GM-1964) dhe barazimi me sovjetikun Nikolaj Krogius (më vonë MI-1963 GM-1964, trajneri i ardhshëm i kampionit botëror 1969-1972, Boris Spassky), Oleg Neikirkh (kampion i Bullgarisë në vitin 1937, 1938, 1940, 1943, 1948, 1953 dhe 1957) dhe A. Milev (kampioni Bullgar 1952, 1960 dhe 1961), Tatai i Italisë; si dhe barazimet me mjeshtrit e mëdhenj ndërkombëtarë, si Lombardi i SHBA, (i cili, një vit më pas u shpall edhe Kapion i botës për të rinj), Petar Trifunoviç (kampion të Jugosllavisë në vitin 1945, 1946, 1947, 1952 dhe 1961), Hunziger i Gjermanisë dhe në veçanti në Olimpiadën botërore të vitit 1972 në Shkup ndaj Mjeshtrit të madh ndërkombëtar Braunit , i cili luante në tavolinën e parë të Australisë.

Në Olimpiadën Botërore të Shkupit, ekipi shqiptar që u përfaqësua nga Ylvi Pustina, Floran Vila, Vangjel Adhami, Fatos Muço, Fatos Omari e Aldo Zadrima, arriti rezultate jashtëzakonisht të larta, që bënë një jehonë shumë të madhe brenda dhe jashtë vendit. Mjafton të kujtojmë faktin që ekipi përfaqësues i Shqipërisë, në këtë garë legjendare, qe shumë pranë kualifikimit për në finalet e kampionatit botëror, ku kualifikoheshin dy ekipe në grup (16 ekipe gjithsej nga 6 grupe) dhe ekipi shqiptar grumbulloi vetëm 1 pikë më pak se vendi i parë dhe 0.5 më pak se vendi i dytë. Kjo garë pati edhe një ngarkesë të madhe politike, për shkak të politikës që ndiqte vendi ynë në atë kohë dhe shahistët e ekipit tanë ishin të detyruar të refuzonin përballjen ndaj Izraelit, shkak që solli edhe përjashtimin e ekipit shqiptar nga kjo Olimpiadë, pa e përfunduar atë.

Fatos Muço

Në historinë e Shahut Shqiptar, një vend të veçantë zë pa diskutim, shahisti ynë i çmuar, Mjeshtri Ndërkombëtar Fatos Muço. Ai ka lindur më 17 Prill të vitit 1949 në qytetin e Durrësit. Lojën e shahut e ka mësuar që në moshën 9 vjeç e më pas filloi të aktivizohej në rrethin e shahut të qytetit të Durrësit, që drejtohej nga Trajnerët Fatmir Turkeshi dhe Halit Haka. Pjesëmarrja e tij e parë në gara zyrtare ka qenë gjysmë-finalet e Kampionatit Kombëtar të vitit 1966. Ne vitin 1968, merr pjesë për herë të parë në finalet e Kampionatit Kombëtar. Fatos Muço mban rekordin duke u shpallur 11 herë Kampion i vendit në vitet 1974, 1976, 1977, 1978, 1979, 1980, 1981, 1982, 1984, 1987 dhe 1989.

Mjeshtër Sporti në vitin 1972, Mjeshtër i Merituar i Sportit në vitin 1980, i pari Mjeshtër Ndërkombëtar në vendin tonë në vitin 1982. Ne Olimpiadën Botërore në vitin 1990 plotëson për herë të parë në histori një normë për të marrë titullin Mjeshtër i Madh. Fatos Muço ka marrë pjesë në Olimpiadat Botërore të viteve: 1972, 1984, 1988, 1990. Veçanërisht rezultate të larta ka arritur në:

Olimpiadën Botërore të Shkupit në 1972 ku në 16 ndeshje grumbulloi 11,5 si dhe ne Olimpiadën e Novi Sadit 1990, ku grumbulloi 7 pikë në 10 ndeshje.

Pjesëmarrës në kampionatet Ballkanike në vitet 1979, 1980, 1982 dhe 1984.

Fitues i Turneut Ndërkombëtar “Acropolis” Greqi në vitin 1989.

Në turneun Zonal në Kavalla Greqi, në vitin 1985, për 0.5 pikë nuk arriti të kualifikohet, duke u rradhitur në vendin e 3 e të 4.

8 herë Fituesi i anketës Sportisti më i mire i vitit.

Fitues 6 herë i titullit Kampion Kombëtar Ekipor me ekipin e tij të Teutës për vitet 1975, 1980, 1981, 1982, 1985, 1986.

Medalje ari në garat ekipore të Spartakiadave Kombëtare në vitet 1969, me ekipin e Dinamos dhe 1984 dhe 1989 me Ekipin e Teutës.

Për shumë vite Trajner i Ekipit Kombëtar të Meshkujve.

Dekoruar nga Presidenti i Republikës, në vitin 2000, me titullin Mjeshtër i Madh i Punës.

Në arritjet e tij të larta shahistike ka ndikuar talenti dhe puna e tij stërvitore sistematike, ku një vend të veçantë kanë zënë edhe analizat e lojërave të luajtura prej tij dhe prej kundërshtarëve të tij.

Karakteristikat e tij dalluese në lojën e shahut, në mënyrë të përmbledhur mund të portretizohen si: shahist i kompletuar i stilit pozicional, vlerësues i shkëlqyer i pozicionit, njohës mjaft i mirë i lojës në fazën e hapjes, mjeshtër në ndërtimin e meslojës dhe kalimin e saj në finale, ku realizonte saktësisht epërsitë pozicionale të krijuara.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY