FIKS FARE/ 600 euro për certifikatë nga “British Council”

FIKS FARE/ 600 euro për certifikatë nga “British Council”

841
0
Shares

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës marrjen e certifikatave të gjuhës angleze në “British Council”, në Tiranë kundrejt një pagese prej 600 eurosh. Një person, pa bërë asnjëherë testim, mori certifikatën për njohuri të testit APTIS. Në vend të tij, shkoi dikush tjetër.

Nëpërmjet kamerave të fshehta, Fiksi dokumentoi të gjithë procedurën, nga bisedat me sekserin, dhënia e eurove, e deri te marrja e certifikatës.

Në redaksinë e Fiks Fare mbërriti një denoncim, sipas së cilit, një person i quajtur Ylli Prebibaj, punonjës në Ministrinë e Transporteve mundësonte marrjen e provimit të TOEFL-it kundrejt një pagese prej 600 eurosh. Gazetarët e Fiksit, së bashku me bashkëpunëtorët, nisën menjëherë investigimin, ku fillimisht kontaktuan me z. Prebibaj nëpërmjet telefonit. Ai u lë takim në qendër të Tiranës, pranë Ministrisë së Brendshme.

Në bisedën e zhvilluar me z. Prebibaj, ai tregon se personi që dëshiron certifikatën nuk ka nevojë të hyjë fare në testim, pasi do të futej dikush tjetër. Ai kërkoi vetëm një skanim të kartës së identitetit dhe natyrisht pagesën prej 600 eurosh. Pët të marr pagesën para se të filloi punën u lë sërish takim bashkëpunëtores së Fiks Fare në po të njëjtën ditë mbasdite në ora 15:00.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në këtë orë, ku takuan z. Ylli Prebibaj në një kafene dhe gjatë bisedës ai shpjegoi me detaje se si funksionon i gjithë procesi.

Sekseri i tregon gazetares se testi APTIS zhvillohet çdo 2 javë dhe personi që dëshiron certifikatën do të mbarojë punë që herën e parë. Përgjigja e testit mund të merret maksimumi për 3 javë. Ai thotë se në vend të bashkëpunëtores së Fiks Fare, do të hyjë në provim një person që e njeh shumë mirë anglishten. Në fund të takimit në lokal, sekseri i kërkon që t’i kryhet pagesa. Në ato momente, bashkëpunëtorja e Fiksit kryen pagesën prej 600 eurosh, veprim i cili u denoncua me zë dhe figurë në emisionin investigativ. Pasi numëron paratë, sekseri thotë se tashmë vetëm duhet të presim që të marrim certifikatën.

Pas kryerjes së pagesës, gazetarët e Fiksit e takojnë sërish sekserin, i cili thotë që po presin një konfirmim nga Ministria e Arsimit para se të lëshohet certifikata e njohjes së gjuhës. “Javës tjetër do t’u vij shkresa këtyre, dhe po themi 3, 4 ditë pas shkresës, marrim çfarë është e jona”, i thotë seksesi bashkëpunëtores së emisionit. Pikërisht rreth një javë më vonë, sekseri sjell certifikatën, duke i vënë vulën abuzimit që bëhet me testimet për njohjen e gjuhës angleze.

Për të vërtetuar nëse kjo certifikatë njihet nga Ministria e Arsimit, Fiksi pyeti edhe në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, të cilët konfirmuan se mbrojtja e testit APTIS është e vlefshme për vazhdimin e studimeve master shkencor dhe doktoraturë.

TAKIMI I PARË

Fiksi– Si kalove? Mirë?

Sekseri – Si je?

Fiksi– Si të kam?

Sekseri – Mirë

Fiksi– Ndoshta të kam bezdisur që i kam rënë disa herë. (telefonit) .

Sekseri – Jo. Kush ta dha?

Fiksi– Nina, më ka dhënë disa (numra) .

Sekseri – Kush Nina?

Fiksi– Aaaa kjo është mikesha e mikeshës time. Edhe i thashë po e marr njëherë ta pyes më ndihmon apo jo. Më kupton? Pastaj ti e di me një fjalë. Edhe më duhet, edhe që ta kem, edhe për master. Vetëm Bachelor kam mbaruar. Tashti në qoftë se ti e ke me siklet e lëmë fare.

Sekseri – Çfarë të duhet ty tani?

Fiksi– Mua më duhet TOELF-i.

Sekseri – Çfarë ke mbaruar?

Fiksi– Unë kam mbaruar juridikun. 3-vjeçarin, edhe dua që të bëj masterin.

Fiksi– Ku do të ulemi?

Sekseri – Problemi qëndron që ti realisht je çikë vonë edhe por unë do ta fus që sot, edhe ecim ndërkohë. Dakort?

Fiksi-Ok, në rregull.

Sekseri -Të shkojmë në ndonjë vend për kartën, dua ta skanoj që tani. Ec pak. E di, nuk e merr dot ( masterin) pa këtë.

Fiksi-Po këtu është problemi mor burrë.

Sekseri -Tani e tutje kemi punë vetëm bashkë. Me këtë numër, fshiji gjithçka tjetër.

Fiksi-Ok, super. Ylli ë?

Sekseri -Po. Kurse për shoqe, do marrësh edhe fotokopje edhe pagesën.

Fiksi-Tani me sa di unë është 600 euro?

Sekseri -600 euro dhe ti e merr.

Fiksi-Të sigurt? Nuk do futem unë…

Sekseri -S’ke pra ti, ti vetëm do presësh. Mos u ngut. Më cakto një orë kur vjen. Edhe do vish po aty ku më takove.

Fiksi-Ok ku të duash. Tani të të jap kartën.

Sekseri -Po, të bëjmë një foto, se këtu s’kemi ku e skanojmë. ( bën foto kartës së identitetit) Kështu.

Fiksi-Tani ku të takoj, ça të sjell, vetëm karta të duhet?

Sekseri – Karta . Edhe pagesën.

Fiksi-Ku të ti sjell?

Sekseri -Po hajde, për sa vjen ti?

Fiksi-Për sa vjen, maksimumi mbasdite, drekë, kur e do ti?

Sekseri -Vjen dot nga ora 3 e gjysëm?

Fiksi-Ok në rregull, super.

Sekseri -Ciao.

Takimi i dytë

Fiksi-Erdha, ça bën ti?

Sekseri – Hajde.

Fiksi-Do ulemi në ndonjë kafe?

Sekseri -Po.

Fiksi-Ku punon ti?

Sekseri -Këtu, këtu.

Fiksi-Unë kujtoja mos punoje te Bunk-Arti.

Sekseri -Jo aty…

Fiksi-Te muzeumi

Sekseri -Është si vënd kontakti ajo, ngaqë e dinë njerzit.

Fiksi-Hajde Ylli ( ulemi në kafe) Tashti unë ato i mora( lekët) , po unë do marr pjesë në provim?

Sekseri – S’ke punë fare, do bësh një kërkesë që ke qënë në kurs edhe ..

Fiksi-Kërkesë në kurs?

Sekseri -Që ke qenë në kurs. Do bësh një kërkesë më shkrim, në fund firma jote, që ke qënë në kurs që nga muaji i kaluar.

Fiksi-E kuptoj.

Sekseri -Është shumë e vështirë, është shumë shumë shumë e vështirë.

Fiksi-Po pra. E di unë që bëhet online. Si është kjo? A është Toefli, se mos është ndonjë tjetër ça janë këto budalliqet që s’më hyjnë në punë.

Sekseri -Jo, jo , ajo jepet… hyn dikush për dikë.

Fiksi-Ok, në rregull. Edhe të di ku ta vërtetoj, kjo është ideja.

Sekseri -E çon atë, ata kanë linkun, ka një amzë ajo dhe në bazë të asaj verifikohet . Është online, e shef kushdo.. Kur ta marrësh e verifikon kur të duash. S’ka problem, është gjithçka e rregullt.

Fiksi-E kuptoj , se me idenë do hyj edhe do më ndihmoj..

Sekseri -Jo s’ke nevojë se po të hysh…

Fiksi-Do ngecem thua ë?

Sekseri -Se është e personalizuar. Është goxha e vështirë, unë punoj në anglisht gjithë kohën edhe..

Fiksi-Ti po më ndihmon, në qoftë se do tu them edhe njerëz që njoh.

Sekseri -Kjo është, sepse m’u kishin dashtë, ti kisha sot kisha mbaruar punë.

Fiksi-E kuptoj.

Fiksi-Kështu, po tashti unë do të jap këto jashtë ( eurot) dhe pastaj si do ta lëmë.

Sekseri -U krye, se s’ka gjë tjetër. Do të them dhe kur mbaron.

Fiksi-Që do hyj?

Sekseri -Kur tërhiqet. Jo moj s’do hysh ta thashë 30 herë s’do hysh. Jo unë e vura kartën në sistem ..

Fiksi-A që bën aplikimin?

Sekseri -U bë aplikimi .

Fiksi-A shumë mirë. Po si e ka për sa ditë presupozohet del provimi?

Sekseri – Normalisht bëhen çdo dy javë. Dy javë dhe 6, 7 ditë që do zbardhja e provimit.

Fiksi-Po se mos nuk e marr mo burrë i dheut, deri në sa, 2 herë 3 herë ke të drejtë ta japësh?

Sekseri -Do ta marrësh me herën e parë, se ke hall të kryesh punë, mesa të kuptoj unë ty. Do futim një njeri që e njef shumë mirë.

Fiksi-Ça niveli? Hahaha dua nivel të mirë.

Sekseri -Po B1 do ta marrësh.

Fiksi-E mirë varja, boll që ta kem. Unë nuk kam qef me fol kështu, nuk kam qef me e tepëru me sigurira me gjëra, por jam njeri korrekt.

Sekseri – Dalim nga lokali.

Fiksi-Po ku po ikim mo?

Sekseri -Bëjmë një xhiro. Jo unë po mendoja që të krynim punë rrugës në fakt.

Fiksi-Të të jap lekët ?

Sekseri -E me e .

Fiksi-Po fol o burrë i dheut.Po hajde mo. T’i numëroj 100..

Sekseri -Po jo ashtu, ti a i ke numëruar

Fiksi-Dale-200, 300, 400, 500,

Sekseri -600. Po ti i ke fiks. S’duhet të kesh merak.

Fiksi-Mirë atëherë. Vetëm të mira të vijnë nga unë.

Takimi i tretë

Fiksi –Si të kam?

Sekseri -Mirë, si je ti?

Fiksi-Mirë ça bën?

Ulemi në kafe

Sekseri -C’thotë puna?

Fiksi-Hiç, bereqaves.

Sekseri -Atë gjënë e mbyllim shpejtë ne.

Fiksi-S’ka mbaruar akoma?

Sekseri -Jo.

Fiksi-E marrë vesh. E mo mirë.

Sekseri -Për këtë të thirra, thashë mos kishe ndonjë merak.

Fiks-Jo unë as të… ti vet më the që po të thirr për atë muhabetin, edhe..

Sekseri -Jo, ata presin një konfirmim nga Ministria e Arsimit , se Ministria e Arsimit bën një marrëveshje me këto çdo vit, ka ndryshuar ministria edhe kanë merak që ti lëshojnë pa e marrë konfirmimin në mënyrë që mos të keni telashe me fakultetin. Se atë e marrim kur do ne. Po do vi kjo shkresa.

Fiksi-E për sa mund të zgjasi?

Ylli-Po javës tjetër do tu vij shkresa këtyre, dhe po themi 3, 4 ditë mbrapa shkresës, masim çfarë është e jona. Po ajo referenca që vjen nga arsimi shënohet në karton, dhe është e rëndësishme për ju.

 

Takimi i katërt

Fiksi-Ça bën, si të kam?

Sekseri -Jam i lodhur.

Fiksi-Ça bën si je? Ça thua?

Sekseri -Kalova te energjia , Ministria e Energjisë. E janë shumë plera.

Fiksi-Po hë, si u bë ai muhabet?

Sekseri -O shok testi është kryes është pozitiv.( është marrë) . Unë jamë shumë i drejtë, për mirë për keq.

Fiksi-Jo mo unë të kuptoj.

Sekseri -Ne kartonin mund ta marrim realisht që të hënën, por se di sa më ke kuptu, duhet të presim shkresën e ministrisë së arsimit.

Fiksi-Për çfarë…

Sekseri -Më ndiq deri në fund. Testi është pozitiv, të gjitha janë kryer, duhet konfirmimi vjetor i ministrisë së arsimit që u bën të gjithë qendrave të gjuhës, që i njeh çdo universitet.

Fiksi-Kuptoj, kuptoj.

Sekseri -Dhe ne nëse e marrim më përpara dhe ngutemi për një muaj ditë, dhe për rrjedhojë i hap telashe vetes, jo po, jo jo. Sugjerimi im si shoqe, jo si njeri.., është kjo prit të vij kjo shkresë. Kurse ne atë ( kartonin ) e marrim brenda ditës. Se ke pikët në sistem online, i ke të gjitha marrim vetëm kartonin, por kartoni duhet të ketë vlerën juridike. Dhe këta kanë vënë një ligj qesharak nëse ju kanë thënë në fakultet, Janë vetëm 4, 5 kurse që njihen .

Fiksi-Të kuptoj mo të kuptoj.

Sekseri -Çfarë të kam shkruar, ka 40 ditë që është mbyll për mua, të jem i sinqertë ë .

Fiksi-Ta heq qafe më kupton.

Sekseri -Unë të kam shoqe, nuk kam qejf ta marr me këtë defekt, Unë e marr që të hënën, do ta dish copë. Por unë kam qef ta marrim tani dhe shko ku të kesh nevojë( i vlefshëm) . Duro.

Fiksi-Po tamam tamam sa do kjo e kësaj?

Sekseri -Ata e presin nga data5, do vij qameti 10 janar.

Fiksi-Dëgjo ylli, që unë mos kem merak, më shkruaj vetë. Më lajmëro.

Sekseri -Të hënën po shkoj.

MARRJA E TESTIT

Sekseri –Si je?

Fiksi-Ça bën?

Sekseri –Mirë ke qenë? Mirë, shok, këtu e ke porosinë, shihe me kujdes.

Fiksi-Ok. Hajde.

Sekseri -Vetëm kujdes se… ndonjë.. Hajde ciao

Fiksi-Pafshim.

Fiksi-Përshëndetje, më falni. Doja të pyesja për testet e mbrojtjes së gjuhës angleze, për studimet master dhe doktoraturë. Doja të pyesja për Aptis, është i licensuar?

Rektorati-Po janë programe që janë të licensuar nga ministria. Varet se ku do aplikosh. Po është pjesë e licensës nga ministria.

Fiksi-Përshëndetje. Më falni, vetëm një pyetje kisha. Përsa i përket këto, testet e mbrojtjes së gjuhës angleze, për vazhdimin e masterit,

Fakulteti i Shkencave Sociale-Në rast se t’i do bësh master shkencor, të duhet.

Fiksi-Niveli?

Sekretaria-Niveli B1.

Fiksi-Jo si test, Aptis përshembull?

Sekretaria-Po, po, po.

Fiksi-Njihet domethënë?

Sekretaria-Po.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY