DOKUMENTI I KE/ Nuk ka BE për Ballkanin Perëndimor, pa shtet ligjor...

DOKUMENTI I KE/ Nuk ka BE për Ballkanin Perëndimor, pa shtet ligjor në rend të parë

121
0
Shares

Komisioni Evropian pritet të paraqesë nesër Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti, një kopje të të cilit Zëri i Amerikës e ka siguruar, ripërcakton nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, me përqendrim të veçantë në Shtetin ligjor dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe mes tyre, ndërsa nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.

Që në hyrje të Strategjisë për Zgjerimin, saktësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”. Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare” duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.

I një rëndësie parësore për BE-në konsiderohet “forcimi i ndjeshëm i Shtetit ligjor”. Panorama e sotme që vizatohet nga dokumenti paraqitet problematike, ndërsa flitet për “elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe atyre private”, gjë e cila “ushqen një ndjenjë të mosndëshkimit dhe pabarazisë”. Dokumenti flet për ndërhyrje të gjera politike dhe kontroll të medieve. Shteti ligjor, te drejtat themelore dhe qeverisja e mirë konsiderohen si “një pikë kyçe referimi në bazë të së cilës vendet do të gjykohen nga BE-ja”, ndërsa vihet theksi te nevoja për reformat në sistemin gjyqësor që do të sigurojnë “funksionimin e pavarur, cilësor dhe efikas të tij”.

Ekonomia është fusha tjetër e rëndësishme ku sipas BE-së kërkohen transformime rrënjësore. “Sektorët kritik të ekonomive të rajonit janë jo-konkurruese, me shumë ndërhyrje të panevojshme politike dhe një sektor privat të pazhvilluar. Asnjë prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor, aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitetin për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut në Bashkimin Evropian”, vlerëson Strategjia.

Për Bashkimin Evropian ka një rëndësi të dorës parë që para ndërsa vendet e rajonit përgatiten për t’iu bashkangjitur, ato të kenë lënë pas të gjitha problemet mes tyre, përmes zgjidhjeve përfundimtare. “Ende ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme dypalëshe midis vendeve të rajonit të cilat mbeten për t’u zgjidhur. BE-ja nuk do të pranojë të importojë këto mosmarrëveshje dhe paqëndrueshmërinë që mund të sjellin”. Në dokumentin e siguruar nga Zëri i Amerikës përmendet specifikisht situata mes Serbisë dhe Kosovës. “Pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe normalisht e detyrueshme për normalizimin është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”.

Por, ndërsa përcakton rrugën që duhet të ndjekin vendet e rajonit, Komisioni Evropian flet dhe për një angazhim të rritur të Brukselit ndaj Ballkanit Perëndimor në mbështetje të rrugëtimit të tij të integrimit. “BE-ja duhet të mbetet e besueshme, e vendosur dhe e drejtë, duke përmirësuar politikat e saj për të mbështetur më mirë procesin e transformimit në rajon. Dhe duhet të përmbushë angazhimet e veta, ndërsa Ballkani Perëndimor i përmbushë ato, në interesin e vet strategjik të Evropës”, përcakton dokumenti.

Sipas Strategjisë së Zgjerimit, “BE duhet të forcojë politikat e saj të angazhimit kundrejt Ballkanit Perëndimor, duke u përqendruar në fusha me interes të përbashkët, siç janë drejtësia dhe çështjet e brendshme, duke përfshirë sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar, ekonominë dhe tregun e vetëm, energjinë, transportin dhe politikat digjitale, politikën sociale si dhe në çështjet e jashtme dhe të mbrojtjes. Bashkëpunimi në këto fusha – saktëson dokumenti – do të mbështetet nga pjesëmarrja më e madhe e Ballkanit Perëndimor në Këshillat joformale, si dhe në kontaktet e rregullta të nivelit Ministror. Komisioni, nga ana e tij, do të përfshijë, sipas rastit, Ballkanin Perëndimor në komitetet teknike dhe grupet punuese të Komisionit. Pas samitit të Ballkanit Perëndimor në Sofje në maj 2018, Udhëheqësit e BE-së duhet të vazhdojnë të angazhohen me homologët e tyre në Ballkanin Perëndimor”.

Komisioni Evropian flet edhe për nevojën e një mbështetje më të madhe financiare ndaj rajonit. “Politikat e brendshme të BE-së dhe programet e financimit duhet të shtrihen më tej në Ballkanin Perëndimor si dhe mbështetja që ofrohet, në këtë mënyrë ata do të përdorin më mirë pjesëmarrjen ekzistuese në këto programe dhe rrjetet e BE-së. Komisioni do të rrisë ndihmën e tij teknike për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar ata të përafrohen me legjislacionin e BE-së dhe për të siguruar zbatimin e saj efektiv në praktikë”. Strategjia parashikon një Plan Veprimi me masa konkrete në një seri fushash.

Dokumenti i cili pritet të paraqitet nesër nënvizon se “anëtarësimi në BE është një zgjedhje. Ajo ka nevojë për konsensus politik dhe shoqëror dhe mbështetje të zemrave dhe mendjeve të njerëzve. Nuk mund të ketë paqartësi nga udhëheqësit rreth përkatësisë së Ballkanit Perëndimor dhe drejtimit në të cilin po shkon. Kjo – thekson Strategjia e Zgjerimit – është e domosdoshme për të siguruar dhe mbështetjen e qytetarëve të tyre dhe të qytetarëve të BE-së, dhe duhet të pasqyrohet në komunikimin e liderëve dhe në kontakt me qytetarët”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY