Me kë e ka Eni Vasili…? Mos vallë me Fevziun, Rakipin, Zhejin...

Me kë e ka Eni Vasili…? Mos vallë me Fevziun, Rakipin, Zhejin e Ballen kur thotë…!: Gjobaxhinj, shantazhues, burro-politiko-bizneso-gazetarë!

682
0
Shares

Emisioni “Studio e Hapur” në News 24 do të nisë transmetimet edhe të enjteve, duke startuar nga mbrëmja e sotme, duke lënë të mërkurën si një hapësirë pushimi për tre transmetimet maratonë të javës nga e hëna në të enjte.

Nën kujdesin e moderatores Eni Vasili logoja e krijuar qysh në 2005 hyn në garën e së enjtës përballë Blendi Fevziut, Sokol Ballës, Artur Zhejit apo Ylli Rakipit.

E përballë tyre, gazetarja Eni Vasili premton të sjellë të enjten e saj ndryshe, pa njohur rivalë. I ftuari i saj i sotëm është kreu i PD-së Lulzim Basha.

Ndërkohë, drejtuesja emisionit “Studio e Hapur”, Eni Vasili, nuk ka nguruar që indirekt të sulojë ashpër kolegët e saj që drejtojnë emisione politike në televizione të tjera rivale në të njëjtin orar,  Ylli Rakipin, Blendi Fevziun, Sokol Ballën dhe Artur Zhejin, që kanë emisione të ngjashme në televizione të tjera, Top Chanel, Klan, Ora News e Vizion+.

Vasili thotë se emisioni i saj është ai “i një gruaje plot sakrifica në gazetari, plot dinjitet dhe integritet”, kurse të tjerët që e konkurrojnë janë, “burro-politiko-personalo-bizneso gazetareske”.

Madje Eni Vasili shkon edhe më tej, duke i quajtur kolegët, gjobaxhinj dhe shantazhues që pasi kalojnë fundjavat dhe pushimet me politikanë e bankierë, u rikthehen të enjteve për ti marrë në intervista qokash..

“E enjtja ime është mundi dhe sakrifica e një gruaje në gazetari, në përpjekje për të garuar me dinjitet dhe integritet, në një treg të deformuar interesash burro-politiko-personalo-bizneso gazetaraske, ku më i “pëlqyeri” është ai gazetar gjobaxhi që di të bëjë shantazhin e rradhës me pushtetin, për të arritur më pas marrëveshjen e pritur, ai që ka jo vetëm orën më të shtrenjtë dhe makinën tip i fundit, por kalon me krenari e karshillëk edhe fundjavat e pushimet, me politikanë e bankierë, për t’i intervistuar më pas rehatshëm e mërzitshëm të enjteve tona”, shkruan Eni Vasili për veten dhe kolegët e saj, që drejtojnë emisione politike në televizione të tjera rivale.

Shkrimi i plotë i gazetares

Pse e enjtja ime është ndryshe
Nga Eni Vasili    

Sonte në mbrëmje, “Studio e hapur” fillon transmetimet edhe ditën e enjte, duke e lënë të mërkurën si një hapësirë pushimi për tre transmetimet maratonë të javës nga e hëna në të enjte.

Pas 13 vitesh “on air”, kjo logo nuk mund të mos i përgjigjej interesit për zgjerimin e hapësirës së transmetimit, interes i diktuar nga tregu dhe televizioni “Neës 24” ku “Studio e hapur” prodhohet .

Kjo logo, e stacionuar që nga krijimi, të martave, hyn tashmë në garën e së enjtës që në fakt është një garë e induktuar nga emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut  i cili daton më herët se të gjithë në tregun e programeve me tematikë politike. Asokohe, ende studente, unë drejtoja lajmet qendrore në RTSH dhe më pas, për një periudhë të shkurtër edhe në Tv Klan. Mbaj mend që në përfundim të një emisioni tematik që drejtoja ne TV Klan, “Kosova deri kur”, dedikuar luftës në Kosovë, monitorët e shumtë që përbënin skenografine time, u adoptuan për një skenografi  të përkohshme për emisionin “Opinion”, që në atë kohë u spostua nga RTSH në Klan.

Rrugëtimi im në gazetari vijoi duke patur si kulminacion prodhimin e logos në fjalë, në vitin 2005,  “Studio e hapur“ për të mbërritur këtë të enjtë e për tu takuar sërish me Fevziun, tashmë secili me skenografinë e tij dhe rrugëtimin personal  gazetaresk dhe njerëzor.

Por në fakt e kujt është e enjtja ?

E Fevziut, Ballës, Zhejit apo e Rakipit? E politikës apo e televizioneve? E pronarëve apo e gazetarëve?

Unë mund të përgjigjem për të enjten time. Ajo është e publikut. Ndaj nuk ka çmim, ndaj nuk ka rivalë.

E enjtja ime ashtu si e hëna dhe e marta, janë platforma të sinqerta që prej më shumë se një dekade drejtohen ekskluzivisht nga interesi publik, larg çdo kompromisi me politikën, larg çdo pazari në paradhoma kryeministrash apo ministrash, larg çdo konjukture që i bën emisionet, misione interesash personale.

E imja do të jetë një e enjtë pa qoka pushtetesh dhe as bonuse partish, ku nuk mban erë loje politike dhe as afere përqindjesh, gjobash, tenderash, vendesh pune në dogana apo Ambasada.

E enjtja ime ashtu si e hëna apo dhe e marta “historike”, janë mundi dhe sakrifica e një gruaje në gazetari, në përpjekje për të garuar me dinjitet dhe integritet, në një treg të deformuar interesash burro-politiko-personalo-bizneso gazetaraske, ku më i “pëlqyeri” është ai gazetar gjobaxhi që di të bëjë shantazhin e rradhës me pushtetin, për të arritur më pas marrëveshjen e pritur, ai që ka jo vetëm orën më të shtrenjtë dhe makinën tip i fundit, por kalon me krenari e karshillëk edhe fundjavat e pushimet, me politikanë e bankierë, për t’i intervistuar më pas rehatshëm e mërzitshëm të enjteve tona.

“Studio e hapur”, të enjten, mëton të jetë thjesht një emision i publikut. Pa shumë salltanete brendesh dhe rrobash alta moda, kërkojmë të jemi në lartësinë e duhur për të përmbushur pritshmëritë e publikut, për të vërtetën objektive pa filtra të çdo lloji.

Sonte në mbrëmje, e enjtja e parë e “Studios se hapur” i takon opozitës. Lulzim Basha do të jetë përballë Fatos Lubonjës dhe Robert Rakipllarit. Ju pres të gjithëve!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY