SPORT/Meta ben pritjen e rralle, ndodh bashkimi i pamundur i me te...

SPORT/Meta ben pritjen e rralle, ndodh bashkimi i pamundur i me te mireve

217
0
Shares

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta dha sonte një pritje me rastin e fillimit të Vitit të Ri 2018 për fituesit ndër dekada, duke filluar që nga viti 1957, të anketave “10 sportistët më të mirë të vitit”, ku ishin të pranishëm deputetë të Kuvendit, sportistë dhe atletëve të shquar si dhe kampionë të disiplinave të ndryshme si futbolli, basketbolli, volejbolli, atletika, gjimnastika, peshëngritja, çiklizmi, shahu, qitja, tenisi, hipizmi, mundja, etj., si dhe gazetarë sportivë e presidentë e drejtues të apasionuar të federatave respektive.

Në përshëndetjen e Tij, duke vënë në pah arritjet dhe vlerat e sportistëve shqiptarë ndër vite si dhe rëndësinë e tyre për rritjen e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve në botë, Presidenti Meta u shpreh:

“Është një lumturi e veçantë që t’ju përshëndes sot me rastin e këtij viti të ri, këtij viti mjaft të rëndësishëm të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut për të gjithë shqiptarë dhe t’ju uroj mbarësi.

Kjo sallë është e vogël dhe modeste për të mbajtur peshën emocionale dhe të arritjeve të gjithë brezave të sportistëve tanë, djem dhe vajza të cilët i kanë dhuruar dhe vazhdojnë t’i japin aq krenari dhe kënaqësi shqiptarëve.

Nuk do të mjaftonte as stadiumi kombëtar për të bërë bashkë të gjithë ata të cilët kanë përfaqësuar me aq dinjitet vendin brenda dhe jashtë tij, por unë vlerësova të ftoja këtu sot kryesisht të gjithë ata sportistë të cilët kanë fituar anketën e “10 sportistëve më të mirë të vitit” që ka nëjë anketë jashtëzakonisht e dashur.

Dëshiroj që nëpërmjet jush, t’i përcjell vlerësimin dhe mirënjohjen time të gjithë sportistëve tanë në vite, të cilët na kanë dhënë shumë emocione dhe na kanë ndihmuar gjithashtu të forcojmë identitetin tonë kombëtar.

‘Sporti ka forcën të ndryshojë botën’, – ka thënë Nelson Mandela. – ‘Ka forcën të bashkojë popujt, krijon shpresën edhe aty ku mendohet që çdo gjë është në dëshpërim!’

Ju përfaqësoni modelet më të arrira qytetare dhe sportive të shoqërisë sonë.

Ju personifikoni shpirtin e garës, talentin, punën e palodhur, mirësjelljen, dinjitetin, ambicien për të triumfuar, punën në grup, këmbënguljen dhe suksesin, vlera dhe cilësi, të cilat janë një shembull edhe për brezin e ri të sportistëve dhe rinisë sonë.

Ne nuk mund të projektojmë një të ardhme më të suksesshme edhe ëpr sportin tonë pa vlerësuar dhe pa iu rikthyer edhe traditave tona më të mira.

Ne përkulemi me nderim të thellë para kampionëve dhe kampioneve, të cilët nuk janë më midis nesh, përkulemi para emrit të mjeshtërve tanë të shquar që me talentin dhe përkushtimin e tyre bënë të mundur gjithashtu që të rrisin gjenerata të tëra qytetarësh e sportistësh të ndritur.

Ne ndihemi krenar për ju sepse ju keni demonstruar se çfarë mund të arrijë një vend modest, duke i treguar gjithë botës, që në sport nuk ekzistojnë të mëdhenj e të vegjël.

Këtë e ka treguar më së miri edhe Ekipi ynë Kombëtar i Futbollit gjatë viteve të fundit sidomos në Kampionatin Evropian të Francës ku e gjithë Evropa u njoh me talentin dhe me arritjet e Shqipërisë.

Sporti dhe Rinia kanë qenë në shekuj dhe do të mbetet një binom i pandarë!

Bukuria, freskia, energjia dhe përkushtimi i fëmijëve dhe i rinisë sonë janë lajtmotivi i gjithë garave sportive.

Do të uroja gjithashtu që dhe rinia jonë të shohë te sporti jo vetëm një mënyrë argëtimi apo performance, por edhe një stil jete i cili i ndihmon ata në zhvillimin harmonik të shëndetit dhe mendjes së tyre, që i ndihmon për një jetë më të kulturuar sociale e të shëndetshme.

Sporti është mënyra më e mirë për të mbajtur fëmijët dhe të rinjtë tanë larg varësisë nga stimulantët dhe droga, nga stresi, depresioni e veset të këqija, nga obeziteti, apatia dhe vetë-izolimi.

Kombi shqiptar këtë vit ja ka kushtuar përkujtimit të 550 vjetorit të Heroit Tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, kampionit tonë të luftës për liri, themeluesit të shtetit shqiptar dhe mbrojtësit të qytetërimit evropian.

Ndaj u uroj të gjithë sportistëve sa më shumë medalje në këtë vit të shënuar për shqiptarët!”, perfundoi Meta.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY