Ambasadori Lu: Përditë ju kërkojë qeveritarëve, “ku i keni peshqit e mëdhenj,...

Ambasadori Lu: Përditë ju kërkojë qeveritarëve, “ku i keni peshqit e mëdhenj, duam rezultate jo premtime?!”

159
0
Shares

Çfarë do të ndodhë me reformën në drejtësi kur Donald Lu të mos jetë më ambasador në Tiranë? Sa kohë do të duhet që shqiptarët të shohin efektet e para të kësaj reforme? Ku janë peshqit e mëdhenj të premtuar?  A ka lidhje radikalizimi i qëndrimeve të opozitës me reformën?  Cili është pozicioni i SHBA për reformën tjetër, atë zgjedhore? Si do ti pergjigjej diplomati amerikan atyre që thonë se SHBA janë të angazhuar disi “me tepricë” në punët e Shqipërisë? Intervista e ambasadorit dhënë gazetës “Dita”

Në 2 apo 3 diplomatët e fundit që kanë drejtuar ambasadën e SHBA-ve në Tiranë ka ekzistuar një si periudhë pritje-përcjellje e tensionuar, ku nuk kanë munguar zërat se njëra apo tjetra palë po sjell në Shqipëri “ambasadorin e vet”. Si do tu përgjigjeshit atyre që frikësohen se ata që nuk duan reformën në drejtësi të mund të ndikojnë që pas jush të vijë një ambassador i cili, le të themi, do ketë një tjetër mënyrë vështrimi të situatës në Shqipëri?

Ambasadori Lu: Kjo është një reformë drejtësie shqiptare. Çdo familje që kam takuar në Shqipëri ka një histori prone që iu është vjedhur ose dikë të cilit i ishin mohuar të drejtat apo liria për shkak të një vendimi gjykate të korruptuar. Për sa kohë që populli shqiptar vazhdon ta kërkojë këtë reformë, nuk ka rëndësi se kush ulet në karrigen time apo në atë të Ambasadores Vlahutin. Mbështetja për reformën e gjyqësorit është shprehur nga Presidenti i BE-së Juncker, Zëvendës-Presidentja Mogherini, Komisioneri Hahn, Presidenti Trump dhe Sekretari i Shtetit Tillerson. Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë reformë deri sa të jetë përfunduar. Keni premtimin tonë.

Sa kohë do të duhet që shqiptarët të shohin efektet e para të kësaj reforme?

Ambasadori Lu: Populli shqiptar me të drejtë është lodhur nga pritja për 27 vjet për drejtësi. Jam optimist se do të shohim dëgjesat e para për vetingun në shkurt. Po ashtu jam optimist se parlamenti do të ngrejë Këshillin e Lartë të Prokurorisë në mars ose prill, çka i hap rrugën përzgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm të ri dhe krijimit të SPAK dhe BKH.  Efektet e para janë ndjerë tashmë. Ka njerëz të korruptuar që kanë frikë. Reforma e gjyqësorit ka filluar dhe populli shqiptar duhet të jetë i paduruar për frytet e kësaj reforme.

Ndërkohë po spekulohet me termin “peshqit e mëdhenj”. Nga i kini ju informacionet që do ketë arrestime, dmth ku e bazoni këtë bindje?

Ambasadori Lu: Ku janë peshqit e mëdhenj të premtuar?  Këtë pyetje i bëj çdo zyrtari të qeverisë që takoj. Shqiptarët kanë parë njëfarë përparimi por jo rezultatet e mëdha që presin. Gjyqi i Emiljano Shullazit është drejt fundit. Në dhjetor, Gjykata e Lartë ra dakord të shqyrtojë lirimin para kohe të Lul Berishës nga burgu. Policia ka rritur në mënyrë dramatike përpjekjet për të kapur Klement Balilin. Por nuk duam premtime, duam rezultate. Njerëz seriozë në qeveri dhe në opozitë kërkojnë rezultate. Kjo përpjekje ka mbështetjen e plotë të prokurorëve federalë të SHBA dhe agjencive ligjzbatuese amerikane. Dhe ka mbështetjen time të plotë.

Z.Ambasador si do ta komentonit ju radikalizimin e qëndrimeve të opozitës? A mendoni që kjo që po ndodh ka lidhje me reformën në drejtësi?

Ambasadori Lu: Opozita, për sa kohë që mbetet paqësore dhe konstruktive, është duke bërë detyrën e saj. Detyra e saj është të shërbejë si roje kundër çdo abuzimi të shumicës. Në të vërtetë, ka politikanë në shumicë dhe në opozitë që nuk duan që reforma në drejtësi të ketë sukses. Do të dështojnë sepse populli shqiptar e kërkon këtë reformë.

Cili është pozicioni i SHBA për reformën zgjedhore? A duhet Shqipëria të adoptojë votimin dhe numërimin elektronik?

Ambasadori Lu: Shqipëria është duke humbur një mundësi shumë të madhe për të ecur përpara tani me reformat e rëndësishme zgjedhore. Është e domosdoshme që Kuvendi të adoptojë rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2015. Opozita ka kërkuar që të shqyrtohet votimi elektronik dhe shumica është përqendruar tek vota e diasporës. Partnerët ndërkombëtarë janë gati të ndihmojnë, por duhet që Kuvendi të ndalojë sherret dhe t’i futet punës.

Shtetet e Bashkuara kanë shumë miq në Shqipëri. Po si do tju pergjigjeshit atyre që thonë se jeni të angazhuar disi “me tepricë” në punët e Shqipërisë?

Ambasadori Lu: E di që ne amerikanët kemi shumë miq në Shqipëri.  Mbetem pa pushim i shtangur nga ngrohtësia e shqiptarëve të zakonshëm që takoj në Tiranë dhe kur udhëtoj. I vlerësojmë miqtë tanë të shumtë në Shqipëri dhe besojmë se kjo miqësi na ka lejuar të bëjmë gjëra të mëdha së bashku. Po ashtu, është normale që disa njerëz të kritikojnë vendin tim se është i angazhuar me tepricë në problemet e Shqipërisë. Si amerikanë, kemi marrë një angazhim përpara këtij vendi. Do të vazhdojmë të investojmë në suksesin e Shqipërisë dhe ta nxisim përgjatë rrugës së saj të rëndësishme drejt integrimit europian. Ky angazhim është i palëkundur.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY