Prindërit e ‘Shehidëve’ Shqiptarë të ISIS, në Pikëllim dhe të Braktisur

Prindërit e ‘Shehidëve’ Shqiptarë të ISIS, në Pikëllim dhe të Braktisur

173
0
Shares

Nga Serbeze Haxhiaj, Elvis Nabolli BIRN Prishtinë, Shkodër, Shkup

Selim Demolli i mban duart të shtrënguara fort për tavoline dhe derisa flet buzët i dridhen nga zemërimi.

Një ditë më herët ai ka folur me një imam për të birin e vrarë tri vite më parë në Siri. E ka pyetur për një shpjegim fetar se sa rëndon mos falja e prindit për të vdekurin. Përgjigja e imamit ishte e vështirë për ta dëgjuar. “Ai nuk është shehid (martir). Kushdo që nuk e ka marrë hallallin (bekimin) e babës, nuk mund të ketë qetësi. Edhe hoxha ma tha këtë. Këtyre u thonë të nemun”, tregon Demolli.

Djali i tij, Burimi, 31 vjeç, u vra në tetor 2014 në një ofensivë të forcave amerikane në qytetin sirian, Alepo.

Njësoj si Selim Demolli, qindra familjarë të xhihadistëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia jetojnë nën hijen e asaj që kanë bërë familjarët e tyre, të stigmatizuar, të urryer e përbuzur nga të tjerët dhe pa ndonjë mbështetje zyrtare.

Në vitet e fundit më shumë se 315 persona nga Kosova, 120 nga Shqipëria dhe mbi 100 nga Maqedonia i janë bashkuar të ashtuquajturit, Shteti Islamik në Siri dhe Irak (ISIS). Të paktën 65 prej tyre janë vrarë në luftime, duke i lënë familjet e tyre në një gjendje edhe më të vështirë.

Demolli, një 67 vjeçar nga Prishtina, thotë se u përpoq ta ndalonte të birin të mos shkonte në Siri.

“Kam bashkëpunuar me policinë për ta burgosë që ta pengoj për të shkuar. Por ai arriti t’i ikë një kërkimi të policisë në shtëpi derisa unë nuk isha aty dhe iku. Më vonë iku edhe gruaja e tij me tre fëmijët”, shpjegoi ai.

Dy muaj më pas, Burimi Demolli ishte vrarë. Tani babai i tij po kërkon të gjallët, nipin dhe dy mbesat e tij, që kanë mbetur në Siri.

E reja e tij, Edona Demolli, 28 vjeçe, u detyrua të martohej me një pjesëtar tjetër të ISIS-it, nacionalitetin e të cilit Selimi nuk e di. Një muaj më parë ajo ka lindur një djalë. Tani Selimi nuk mund të flasë më as me fëmijët e të birit.

Familjen e Edona Demollit, në fshatin Majac, të komunës së Podujevës në Kosovë, e bezdis historia e saj, sidomos martesa e saj e detyruar dhe fëmija që ka lindur atje.

Megjithatë, familja i dërgoi asaj 2,000 euro në Siri, edhe pse ata s’duan të tregojnë se si arritën t’i transferonin paratë.

Në një celular të vjetër Samsung, Selimi mban një video të mbesave të tij ku ato këndojnë një këngë shqipe të mbyllura në një kamp në qytetin Raqa në Siri, bastionin e deritashëm të grupit terrorist. Jashtë dëgjohen krisma.

Rruga drejt xhihadit

Sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999 e ndihmuan Kosovën, një vend me shumicë myslimane, drejt pavarësisë. Një nga mbështetëset më të mëdha të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit, Kosova është gjithashtu një nga vendet më të varfra në Europë me një normë papunësie që arrin rreth 40 për qind.

Gati dy dekada pas luftës, pas krijimit të ISIS, shumë të rinj nga Kosova, disa prej tyre duke marrë me vete edhe gratë dhe fëmijët, iu bashkuan ISIS-it dhe al-Nusrës, degë e Al-Kaedës.

Shpend Kursani, autori i një hulumtimi mbi arsyet pse shtetasit kosovarë bëhen luftëtarë të huaj në Siri dhe Irak, thekson aspektet ideologjike dhe atë të identitetit si pikat kryesore të tërheqjes pse të rinjtë shqiptarë të Kosovës i bashkohen ISIS-it.

“Ideologjia e tyre është më tepër revolucionare që thërret për revolucion jashtë vendit, në tokat arabe” tha ai.

Kursani shtoi se në Kosovë ekziston edhe një hendek identiteti që mund të shfrytëzohet.

Selim Demolli thotë se u mundua ta ndalë djalin të mos shkojë në Siri.

“Është një gjeneratë që më nuk e din qartë identitetin e tyre, a është shqiptar apo kosovar, cili është flamuri i tij, simboli i tij”, thotë ai.

Selim Demolli tregoi se pas vrasjes së kushëririt të tij Naman Demolli në Siri, Burim vendosi t’i bashkohej ISIS-it bashkë me dy kushërinjtë e tjerë të rinj, Fidan dhe Arben Demolli. Deri kur iu bashkua grupit terrorist në vitin 2013, Burimi ishte kryesisht i papunë.

“Imamë nga Arabia Saudite mbanin leksione dhe vinin në lagjen tonë. Deri atëherë, Burimi kishte qenë një nga ndjekësit e imamit Shefqet Krasniqi. Një ditë ai më tha se kishte takuar imamë më të mirë sesa Shefqet Krasniqi në Prishtinë dhe se ata po ia mësonin Islamin si duhet. Atëherë e pashë që gjërat kishin ndryshuar shumë”, kujton Demolli.

Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Kosova u vërshua nga organizata islamike, shumica prej tyre përhapnin propagandë fetare nën petkun humanitar. Kjo ishte periudha kur disa imamë, produkt i shkollave saudite, mbanin ligjërata në vende gjysmë sekrete jashtë xhamive.

Krasniqi, ish-imam i xhamisë kryesore në Prishtinë, aktualisht po përballet me akuza që ndërlidhen me terrorizëm. Ai refuzoi të fliste për BIRN-in në lidhje me akuzat.

Njësoj si Burimi, një brez i ri shqiptarësh nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria sfiduan mësimet tradicionale të Islamit duke përqafuar pikëpamjet radikale fetare dhe politike që u mësoheshin nga leksionet në xhami private.

Fahrush Rexhepi, dekan i Fakultetit të Studimeve Islamike në Prishtinë, ligjërues në lëndën “Histori e religjioneve: Islami dhe Europa”, thotë se indoktrinimi ndodhi për një kohë të  gjatë.

“Rekrutuesit gjetën terren të përshtatshëm sidomos te gjenerata e re që kanë krizë të thellë identiteti, që ndihen të pashpresë, të humbur dhe pa ndonjë perspektivë të qartë për të ardhmen”, tha Rexhepi për BIRN.

Prokurorja Speciale e Kosovës, Drita Hajdari, e cila po udhëheq disa prej rasteve të hetimeve kundër ish-luftëtarëve të ISIS, fajësoi gjithashtu imamët radikalë për formësimin ideologjik të rekrutëve.

“Një pjesë e imamëve kanë vepruar për një kohë të gjatë pa u penguar në një terren të pakontrolluar. Kanë formuar grupe, kanë mbajtur ligjërata dhe krijuar kampe (në Kosovë), përderisa Bashkësia Islame e Kosovës ka heshtur. E ka futë kokën në rërë dhe nuk ka dashur të dëgjojë asgjë”, tha Hajdari për BIRN.

Ndërkohë, Fahrush Rexhepi argumenton se shqiptarët shkuan të luftonin në Siri e Irak për arsye ideologjike dhe politike, dhe rekrutët e mundshëm kanë nevojë për shpjegime të forta për t’ua ndryshuar pikëpamjen.

“Deri më tani ka munguar një interpretim bindës dhe profesional teologjik se pjesëmarrja në luftën e Sirisë dhe Irakut nuk është xhihad-farz (një obligim) për myslimanët”, tha ai.

Fëmijë të lindur në kampet e ISIS

Demollët aktualisht përbëjnë familjen më të madhe nga Kosova që i është bashkuar Shtetit Islamik në Siri.

Nëntëmbëdhjetë anëtarë të familjes Demolli aktualisht jetojnë në një kamp të drejtuar nga grupi islamik në Raqqa. Anëtari i 20-të është një fëmijë i porsalindur – edhe pse jo me lidhje gjaku – nga martesa e detyruar e së vesë së Burim Demollit, Edonës, me një luftëtar të ISIS-it.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, më shumë se 30 fëmijë me prindër kosovarë kanë lindur vitet e fundit në kampet e ISIS-it në Siri.

Kosova mbetet ende një terren jetik për rekrutimin e luftëtarëve për mbrojtjen e “Kalifatit” të vetëshpallur.

Kur autoritetet e Kosovës miratuan një ligj në vitin 2014, që i ndalonte qytetarët e vendit të merrnin pjesë në luftëra të huaja, shqiptarët e Kosovës tashmë ishin ngritur në hierarkinë e Shtetit Islamik.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë punojnë me komunitetet islame për ta luftuar ekstremizmin

Disa prej tyre, si Lavdrim Muhaxheri, i përshkruar si një terrorist “i shumëkërkuar” nga Interpoli, dërgonin mesazhe me video poshtëruese, përfshirë një video ku shfaqej duke i prerë kokën një të burgosuri. Në një video tjetër Muhaxheri shfaqej duke grisur pasaportën kosovare.

Ridvan Haqifi, një imam i ri nga Kosova i cili u promovua brenda ISIS-it me nofkën Abu Muqatil al-Kosovi, në një video paralajmëronte Ballkanin se “po i vinin ditë të zeza”.

Një pasdite shtatori në Gjilan, shtëpia e ish-komandantit të shqiptarëve në ISIS ngjan e zhytur në trishtim, frikë dhe izolim.

I mbështetur në derën e oborrit, babai i Ridvan Haqifit, Isa Haqifi, rrëfen për pikëllimin që pllakosi familjen pas humbjes së tre djemve të tij në Siri – Ridvanit, Astritit dhe Irfanit. Djali më i  madh ishte 25 vjeç dhe më i vogli vetëm 19 vjeç.

Kjo familje i besoi aq shumë Shtetit Islamik saqë dërguan djalin e tyre 21 vjeçar në Siri pavarësisht faktit se ai vuante nga një sëmundje serioze e lëkurës.

“Ridvani e mori Astritin me vete, duke shpresuar t’i çonte rezultatet e analizave të tij në Turqi, por Astriti ishte i pari që vdiq atje. Më pas u vra Ridvani dhe më pas edhe Irfani,” shpjegoi babai i tyre.

52-vjeçari shmangu përgjigjet rreth lidhjeve të familjes së tij me ISIS-in, duke refuzuar të diskutonte për atë që bënë djemtë e tij. “A kanë bërë mirë a jo, Zoti e di”, tha ai.

Anne Speckhard, profesoreshë psikiatrie në Universitetin e Gorgetown dhe drejtoreshë e Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Ekstremizmit të Dhunshëm me seli në Uashington, thotë se në Kosovë varfëria dhe propaganda ishte shtysa që njerëzit t’i bashkohen ISIS-it.

“Kanë besuar në Shtetin Islamik dhe premtimet për jetën në Kalifat. Gjithashtu ishte edhe arsyeja financiare. Një jetë pa shumë perspektivë është arsyeja kryesore që i shtynë ata të bashkohen ISIS”, argumenton Speckhard.

Por, Isa Haqifi këmbënguli disa herë se djemtë e tij nuk iu bashkuan ISIS-it për përfitime financiare.

“A të flet kjo shtëpi për përfitime?” thotë ai duke treguar me gisht shtëpinë e vogël prapa tij.

‘Mos iu afroni atyre, ata janë ISIS’

Speckhard thotë se autoritetet duhet t’i trajtojnë me kujdes familjet e personave që u vranë në Siri, sidomos disa prej tyre që kanë fëmijë të lindur atje.

“Shumica e tyre janë në depresion. Disa ndajnë të njëjtën ideologji dhe lartësojnë vdekjen e të afërmve të tyre, duke i parë  si “heronj”, ndërsa në të vërtetë ata ishin terroristë. Megjithatë, shumica e tyre vuajnë nga stigma shoqërore,” shpjegoi ajo.

Dritan Demiraj, ish-ministër i brendshëm i Shqipërisë dhe një i diplomuar i Akademisë Ushtarake të vendit si ekspert në terrorizëm, thotë se deradikalizimi i të afërmve të luftëtarëve të ISIS-it mbetet një sfidë për autoritetet.

“Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë ndihmë sociale për të afërmit e tyre, sidomos për fëmijët e tyre. Qendra të tilla shërbimi janë ngritur në vende të ndryshme (në Europë). Pra, atyre u është bërë e qartë se s’kanë të ardhme me terrorizmin,” tha Demiraj për BIRN.

Demiraj paralajmëroi se në të kundërtën, Shqipëria përsëri mund të ngrejë “një brez që rrezikon të radikalizohet”.

Në vitin 2016 u parandalua një sulm ndaj ekipit të futbollit izraelit gjatë një ndeshjeje me Shqipërinë në një stadium të qytetit verior, Shkodër. Lideri i komunitetit mysliman në qytet, Muhamed Sytari, tha se ishte e rëndësishme të mos fajësoheshin familjet e radikalëve.

Prindërit e luftëtarëve xhihadistë shpesh jetojnë të izoluar.

“Trashëgimtarët e atyre që u përfshinë në konfliktin në Siri e Irak duhen mbrojtur nga paragjykimi i shoqërisë. Ata nuk duhen shikohen me syrin e armikut. Ne në Islam themi që asnjëri nuk përgjigjet për fajin e tjetrit”, tha myfti i Shkodrës, Sytari.

Por autoritetet e kanë shndërruar në prioritet ndjekjen ndaj radikalëve islamikë.

Aktualisht Prokuroria në Kosovë ka të regjistruara mbi 160 raste që ndërlidhen me luftërat në Siri e Irak. Gjykatat kanë shqiptuar dënime shpesh të larta për të kthyerit nga Siria, disa nga të cilët u kthyen vullnetarisht.

Dënimet kanë reduktuar shifrat e atyre që largohen, por nuk kanë ndalur plotësisht transferimin e parave nga Kosova në ISIS.

Autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri kanë zhvilluar strategji kundër terrorizmit, por riintegrimi i atyre që shkuan të luftonin dhe më pas u kthyen mbetet një detyrë e vështirë. Ndërkohë, familjeve të tyre nuk u është dhënë asnjë ndihmë.

Qeveritë në të dy vendet përballen me perspektivën e gjithnjë e më shumë xhihadistëve që kthehen në shtëpi, duke sjellë me vete ideologjinë e tyre dhe përvojën e luftimit. Strategjia anti-ekstremizëm e qeverisë së Kosovës thekson mbështetjen dhe monitorimin e të kthyerve që nuk mund të burgosen, por jo edhe të familjarëve të tyre.

“Në programin e saj, qeveria e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj ka parashikuar masa shtesë, përfshirë masa të buta siç janë ngritja e një divizioni brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme për parandalimin dhe riintegrimin e personave të radikalizuar,” i tha BIRN-it përmes emailit Zyra e Kryeministrit Haradinaj.

Speckhard thotë se ndjekja penale nuk duhet të jetë zgjidhja e vetme për ta ndalur rritjen e numrit të luftëtarëve xhihadistë.

“Dënimi është i pashmangshëm, por për ata që nuk kanë gjak në duart e tyre, do të ishte më mirë t’u jepeshin dënime me kusht dhe t’i regjistrojnë ata në programe riintegrimi me një kundër-mesazh islam. Shumë prej tyre mund të rehabilitohen, por disa jo dhe ata kanë nevojë të kalojnë kohë në burg”, tha ajo.

Disa prindërve u vjen turp për atë që kanë bërë bijtë e tyre. Të dëshpëruar, duke jetuar në varfëri dhe pothuajse të izoluar, ata duhet të mbajnë gjithashtu stigmën e të pasurit një djalë i cili do të etiketohet përgjithmonë si terrorist.

Selim Demolli rrëfen se shpesh njerëzit kanë bërë me gisht nga ai duke e akuzuar. “Ka pasur edhe raste kur kanë thënë: “Largohu prej tyre se janë ISIS”, tha ai.

Isa Haqifi, babai i Abu Muqatil al-Kosovi, i cili kërcënoi atdheun e tij me terror, tha se krejt çka u mbeti pas po i bënë të vuajnë edhe më shumë.

“Djali i vogël e kreu me nota të shkëlqyera shkollën fillore, por nuk ma pranuan në mjekësi. Pse? E dinë ata, e di edhe unë”, thotë ai.

Duke treguar me gisht nga shtëpitë dhe oborret e komshinjve, 15 vjeçari thotë se “po na shohin të gjithë”.

Imami shqiptar kërcënoi atdheun me terror

Almir Daci, një imam nga Shqipëria i njohur me pseudonimin Ebu Belkise al-Albani, u bë një nga emrat më të tmerrshëm të shqiptarëve në ISIS kur dërgoi mesazhe me video kërcënuese për Ballkanin.

Para se të shpallej i vdekur në prill të vitit 2016, Daci tha gjithashtu në një video se “myslimanët tanë jetojnë me krenari në familjet e tyre.”

Por, në shtëpinë e tij në Leshnicë të Pogradecit, babai dhe nëna e tij e paralizuar jetojnë vetëm dhe pothuajse në izolim. Përveç sëmundjes dhe varfërisë, jetët e tyre janë rënduar nga vrasja e djalit të tyre, si anëtar i Shtetit Islamik.

“Nuk e dija se ai do të largohej. Kur e pashë në televizion, sa nuk vdiqa”, kujton babai i tij 70-vjeçar Xhevahir Daci, pa mundur t’i ndalë lotët derisa përzien një xhezve me kafe turke.

“Ne jetojmë me shpresën se një ditë do t’i shohim fëmijët e tij. Njëri prej tyre ka lindur atje”, shtoi ai.

Prindërit e Dacit thonë gjithashtu se pas vrasjes së djalit të tyre, gruaja dhe tre fëmijët e tij nuk kanë kontaktuar më me të afërmit e tyre.

Por vrasja e tij nuk e ndali dënimin e tij. Një vit pas vdekjes së tij, ai u shpall fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë për nxitje dhe thirrje për kryerjen e akteve terroriste dhe për rekrutim të njerëzve me qëllim të kryerjes së akteve terroriste.

Të dhënat e qeverisë thonë se më shumë se 120 shtetas shqiptarë iu bashkuan konflikteve në Siri dhe Irak, 13 prej tyre gra dhe 31 fëmijë. Tetëmbëdhjetë prej tyre raportohet se janë vrarë.

Nëna nga Shkupi në zi dhe konfuze

Në kryeqytetin maqedonas, Shkup, Nebije Abdullahu ka shënuar katër vite zie për djalin e saj Samiun, të vrarë në Siri.

Imami shqiptar, Sami Abdullahu, njihej si një memorizues i zoti i Kuranit  dhe fitonte goxha shumë nga ligjëratat e mbajtura nëpër xhamitë në Gjermani.

Nebije Abdullahu, 64 vjeçe, tregon për BIRN se qysh i vogël i biri pati një pasion për mësimet e Kur’anit dhe ishte shumë i devotshëm në respektimin e rregullave fetare. Ai kishte studiuar në Egjipt dhe më pas kishte emigruar në Gjermani.

Në fillim të vitit 2013, Samiu la gruan dhe djalin e tij gjashtë muajsh në Gjermani dhe iu bashkua al-Nusras dhe më pas ISIS-it, gjë që ishte një tronditje e madhe për familjen. “As sot nuk mund ta besoj e të pajtohem. Është e rëndë. E kam peng ta di kush e bindi, çka ndodhi”, shpjegoi Nebije Abdullahu.

Imami 38 vjeçar u vra në gusht të vitit 2013 në një sulm të forcave qeveritare siriane.

“Hoxhallarët nuk kanë qenë kurrë për luftë”, tha Nebija, e cila i përket një komuniteti fetar tepër të rreptë në Shkup. “Në fund të fundit, cila nënë i thotë djalit shko vrit dhe vritu”, pyet ajo.

Më shumë se 100 të rinj nga Maqedonia i janë bashkuar Shtetit Islamik, por deri më tani gjykatat në Shkup kanë dënuar vetëm pesë persona që ishin të përfshirë në grupe që nxitnin ekstremizmin fetar dhe terrorizmin.reporter.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY