Basha: Protesta opozitare do të nisë këtë muaj, ja kur zyrtarizohet data

Basha: Protesta opozitare do të nisë këtë muaj, ja kur zyrtarizohet data

101
0
Shares

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pas mbledhjes që zhvilloi me aleatët e tij opozitarë, theksoi se protesta opozitare do të nisë këtë muaj, ndërsa nesër do të vendoset data.

“Dua t’ju uroj të gjithë punonjësve të mediat që ky vit të jetë viti i përballjes mes të mirës dhe të keqes. Aksioni do të intensifikohet. Sot kemi vënë piketat për këtë kalendar veprimesh, ndërsa ju bëjmë thirrje intelektualëve, qytetarëve, që t’i bashkohen këtij sezoni të protestës qytetare, për t’u përballur me krimin dhe krizën ekonomike e shpirtërore. Opozita e ka marrë këtë vendim ku shumë shqiptarë nuk paguajnë dot faturat, dhe krimi i qeverisë bëhet gati të nis aksionin me ujin e pijshëm. Kjo është t’i shpallësh luftë popullit për hesap të krimit dhe kriminelëve. Ndaj ne kemi marrë përsipër gjithë përgjegjësinë tonë, kemi diskutuar për detajet. Protesta e parë do të nis brenda këtij muaj. Konsultimin e kemi i bërë sot, dhe vendimin do ta marr bashkë me anëtarët e PD, dhe do ta shpall nesër”, tha Basha.

Komunikimi i plotë me gazetarët

Së pari, dua t’ju uroj të gjithë punonjësve të medias dhe bashkëqytetarëve që na ndjekin që ky të jetë një vit i kurajës dhe përballjes me të keqen dhe i fitores mbi të keqen.

Ky është edhe motivi që mban bashkë koalicionin opozitar dhe që udhëheq edhe aksionin që kemi nisur që në fund të vitit të kaluar, aksion i cili do të intensifikohet.

Sot në diskutim me aleatët e koalicionit opozitar, kemi vënë piketat për këtë kalendar veprimesh, i cili do të shtrihet dhe do të përqafojë të gjithë shtresat e shoqërisë. Duke iu bërë thirrje të gjithë zëdhënësve të opinionit qytetar, intelektualëve, medias, profesionistëve t’i bashkohen këtij sezoni të protestës qytetare për t’u përballur me krimin të bërë njësh me politikën, me paligjshmërinë, që janë faktorët kryesorë të mjerimit ekonomik, të krizës ekonomike dhe krizës shpirtërore dhe psikologjike që ka kapluar vendin.

Opozita e ka marrë këtë angazhim në një kohë kur 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Ku 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritës dhe krimi i veshur me pushtet, pushteti i bërë njësh me krimin me figurën e Edi Ramës, bëhet gati të fillojë aksionin për ujin.

Kjo është arsyeja që po zbrazen burgjet nga kriminelët, po largohen kriminelët, trafikantët e drogës nga qelitë e burgjeve që t’i bëjnë gati qelitë për qytetarët që nuk paguajnë dot faturat e ujit.

Kjo është t’i shpallësh luftë popullit për hesap të krimit dhe kriminelëve.

Të shpëtosh trafikantët e drogës nga një drejtësi e nëpërkëmbur dhe e kapur politikisht duke shkelur Kushtetutën, siç ndodhi më 18 dhjetor, vetëm e vetëm që të ushtrosh terror mbi popullin.

Ndaj ne kemi marrë përsipër gjithë përgjegjësinë tonë. Kemi diskutuar në detaje për një aksion intensiv dhe kompleks opozitar. Natyrisht kemi diskutuar edhe për sezonin e protestave dhe me protestën e parë, që do të nisë brenda këtij muaji.

Pyetje: Ka një datë z.Basha?

Basha: Konsultimin me aleatët opozitarë e kemi bërë sot, kam marrë mendimin e tyre dhe vendimin do ta marr së bashku me drejtuesit e Partisë Demokratike ditën e nesërme dhe do ta bëj publik ditën e nesërme.

Pyetje: Z. Basha a do të jetë Partia Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe çfarë qëndrimi do të keni?

 Basha: Reforma Zgjedhore është një interes themelor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Jemi këtu sepse janë vjedhur zgjedhjet, janë vjedhur zgjedhjet që t’u vidhet liria, t’u vidhet ekonomia, t’u vidhen pensionet, t’u vidhet shëndetësia, t’u vidhet e ardhmja shqiptarëve dhe fëmijëve të shqiptarëve. Prandaj opozita mbetet e vendosur për reformën zgjedhore, për t’iu rikthyer shqiptarëve një sistem të drejtë, europian që të përfaqësojë interesat e njerëzve, të përfaqësojë qytetarët dhe jo interesat e një pakice të bërë njësh me krimin.

Pyetje: A do të merrni pjesë në Parlament?

Basha: Parlamenti dhe marrëdhënia e opozitës me Parlamentin do të diktohet tërësisht nga interesi publik.

Pyetje: Në 15 janar a do të jeni në Parlament?

Basha: Ne marrëdhënien me Parlamentin do ta kemi të kushtëzuar me interesin publik dhe me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës. Një institucion politik, siç është Parlamenti, nuk mund të bëjë akt më të rëndë ndaj qytetarëve, sesa të dhunojë dokumentin me të cilin dhe për të cilin ai ekziston. Është Kushtetuta arsyeja pse ka Parlament dhe jo Parlamenti arsyeja pse ka Kushtetutë.

Pyetje: Z.Basha sapo është shkarkuar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako të cilin e keni akuzuar në vazhdimësi. A keni një koment?

Basha: Informacionin po e marr nga ju . Natyrisht, nëse është e vërtetë, është një hap tejet i vonuar Është  një tjetër tregues i krizës së thellë, në të cilën e ka zhytur krimi, institucionin e Policisë së Shtetit. Por pa dyshim që Haki Çako është siç ishte një “kokë turku”. Sepse kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, nga Saimir Tahiri, siç e di gjithë bota tani, dhe natyrisht dhe nga Fatmir Xhafaj, lidhjet e të cilit me botën e krimit dhe të drogës janë të njohura katërcipërisht këtej dhe andej detit.

Pyetje: Z. Basha cili do të jetë fokusi i protestave, çfarë do të kërkoni nëpërmjet këtyre protestave dhe çfarë strategjie do të keni?

Basha: Siç ju thashë protestat janë pjesë e një aksioni kompleks opozitar, qëllimi i të cilit është të mobilizojë të gjithë energjitë positive të shqiptarëve. Të thërrasë të gjithë shqiptarët në një aleancë vlerash, që përfaqëson ky koalicion opozitar dhe, së bashku me çdo forcë tjetër politike të bëjmë të mundur largimin e shkaktarit dhe arsyes kryesore të zhytjes së Shqipërisë në një krizë politike, ekonomike dhe morale, që është Edi Rama dhe aleanca e tij me krimin.

Pyetje: A mund të kemi një përsëritje të çadrës 2?

Basha: Përsëritje nuk do të ketë, do të ketë të reja. Do të jetë një vullnet edhe më të fortë të opozitës dhe jam i sigurt një përgjigje akoma më të madhe popullore. Sepse kjo është rruga e vetme për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit dhe për t’i dhënë çdo shqiptari e çdo shqiptareje shpresën për të nesërmen.

Pyetje: Të hënën nuk na e sqaruat, do të jetë Partia Demokratike në Parlament apo jo?

Basha: Partia Demokratike dhe aleatët  do të marrin vendimet e duhura dhe do t’jua komunikojmë në momentin e duhur.

Faleminderit!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY