DOKUMENTET & AFATET/ Shkurtohen procedurat te noteri për shitjen e makinave dhe...

DOKUMENTET & AFATET/ Shkurtohen procedurat te noteri për shitjen e makinave dhe shtëpive

1135
0
Shares

Qytetarët që kërkojnë të shesin apo blejnë një shtëpi ose makinë, nuk do të paraqesin pranë zyrave noteriale certifikatë familjare apo vërtetim që nuk kanë gjoba të papaguara apo taksa. Kryetarja e Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushaj, në intervistën për gazetën, tha se për nxjerrjen e këtyre dokumenteve do të jenë noterët ata që nëpërmjet aplikimit në portalin qeveritar e-Albania do t’i nxjerrin për qytetarët. Sadushaj shpjegoi se, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me e-Albania, noterët në të gjithë vendin kanë nisur të ofrojnë këto shërbime, për të cilat nuk aplikohet asnjë tarifë. Kryetarja e Dhomës së Notereve tha se në muajin janar nisin bisedimet që kontratat e shitjes së një shtëpie apo makine të depozitohen elektronikisht nga noteri në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.

Si u vjen në ndihmë qytetarëve dhe biznesit marrëveshja e bashkëpunimit që Dhoma Kombëtare e Noterëve nënshkroi me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit?
Marrëveshja e bashkëpunimet mes Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Dhomës së Noterëve hapi rrugën ligjore që noterët në mbarë vendin t’u vijnë në ndihmë qytetarëve dhe biznesit për përfitimin e shërbimeve publike të shtetit shqiptar, duke pasur kështu një rol të ri në portalin qeveritar e-Albania. Me anë të kësaj marrëveshje, noterët mund të ndihmojnë qytetarët, të aplikojnë në shërbime të ndryshme elektronike të ofruara përmes portalit e-Albania si dhe të marrin përgjigje për to. Gjithashtu, ata sigurojnë në kohë reale një sërë dokumentesh të nevojshme shoqëruese në marrjen e shërbime noteriale si certifikata personale apo familjare etj. Të gjitha shërbimet që Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit jep për qytetarët mund të ofrohen edhe nga zyrat noteriale. Pra, kjo do të thotë që qytetari mund të paraqitet në një zyrë noteriale dhe mund të kërkojë nxjerrjen e një certifikate apo nxjerrjen e një vërtetimi për shitjen e automjetit. Meqenëse qytetarët janë shumë të lidhur me zyrat noteriale, sepse aty kryejnë shërbime të vazhdueshme, pra, një qytetar mund të vijë edhe të bëjë njehsim me origjinalin dhe në të njëjtën kohë mund t’i kërkojë noterit që t’i nxjerrë një certifikatë që atij mund t’i duhet për një veprim tjetër. Këtu konsiston e gjithë marrëveshja që bëmë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit.

A kanë nisur noterët t’u ofrojnë qytetarëve këto shërbime dhe cilat janë tarifat që po aplikohen?
Ne kemi filluar të nxjerrim certifikata kur kërkesa bëhet nga qytetarët, apo në rastet kur del kontrata për një transaksion dhe është e nevojshme t’i bashkëlidhet certifikata aktuale familjare ose një certifikatë lindje e një personi. Edhe në rastet e dëshmisë së trashëgimisë ne e kemi përdorur sistemin për nxjerrjen e certifikatave familjare me përbërjen aktuale familjare apo certifikatat e lindjes, sipas kërkesave të qytetarëve. Ky shërbim është ofruar falas, nuk aplikohet asnjë tarifë, duke qenë se edhe shteti e ka ofruar falas.

Kjo do të thotë, që nëse një qytetar kërkon të shesë një makinë për kontratën do të vijë te noteri me më pak dokumente në dorë?
Në qoftë se një qytetar paraqitet në zyrën noteriale për të shitur makinën, tashmë nuk është e nevojshme që më përpara të paraqitet te Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor për t’u pajisur me vërtetim që nuk ka gjoba dhe taksa të papaguara. Këto vërtetime nuk do merren nga noteri, i cili ka akses në sistem për të vërtetuar on-line në rast se kemi të bëjmë me një transaksion. Nëpërmjet sistemit shtohet edhe transparenca për veprimet noteriale, sepse gjithçka do të jetë e verifikueshme edhe nga institucionet tatimore. Pra, do të kemi ndërlidhje edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Ministria e Drejtësisë, që ka të drejtën e kontrollit të veprimtarisë noteriale ka dhënë mbështetjen për realizimin e këtyre procedurave online që synojnë lehtësim për shërbimet, që u ofrohen qytetarëve.

A synon Dhoma e Noterëve që aksesin në portalin qeveritar e-Albania ta shtrijë edhe për shërbime të tjera?
Ne e parashtruam edhe në punimet e Kongresit të dytë të Noterisë që në të ardhmen synojmë të krijojmë një database të Dhomës së Noterëve, nëpërmjet të cilit do të krijojë ndërlidhje me institucionet e tjera shtetërore, gjithmonë nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania. Synimi është që të thjeshtohen procedurat për qytetarët që ata mos të paraqiten në shumë zyra, por vetëm në zyrën noteriale dhe që aty t’i marrin shërbimet e nevojshme. Pra, në rast se një qytetar do të kërkojë transaksionin e një pasurie të luajtshme paraqitet vetëm në zyrën e noterit. Do të jetë noteri ai, që do të kryejë gjithë veprimet qoftë në nxjerrjen e vërtetimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Rrugor për të verifikuar nëse pronari i mjetit ka gjoba të papaguara dhe taksa, qoftë edhe vërtetimin nga regjistri i barrës siguruese për të verifikuar nëse ky automjet ka ngarkesa për detyrime të ndryshme që mund të ketë pronari. Pra, të gjitha këto veprime do të kryhen nga noteri, i cili më pas harton kontratën e shitjes për transaksionin. Parashikojmë që nëpërmjet sistemit tonë dhe e-Albania, pasi noteri të përfundojë kontratën e shitjes së pasurisë së luajtshme, që mund të jetë një automjet, nëpërmjet sistemit t’ia dërgojë online Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor e cila nis procedurën për ndërrimin e pronarit të mjetit. Deri më sot, ka qenë shumë problem për Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor që kontratat e hartuara nga noterët nuk paraqiteshin nga palët për ndryshimin e pronësisë. Nëpërmjet këtij sistemi do të mundësojmë jo vetëm që noteri të kryejë verifikimin paraprak, por edhe pasi të bëjë transaksionin një kopje të kësaj kontrate ta dërgojë elektronikisht në Drejtorinë e Transportit Rrugor për të nisur procedurën e ndryshimit të pronarit të mjetit.

A parashikohet që ky sistem të shtrihet edhe për shitjet dhe blerjet e pasurive të paluajtshme, siç janë pronat dhe apartamentet?
Parashikojmë që procedura te noteri të mos mbyllet vetëm me verifikimin e gjendjes juridike të pasurisë që bëhet aktualisht te noteri, por edhe një kopje të kontratës së pasurisë së paluajtshme do të jetë noteri ai, që do ta çojë elektronikisht në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, me qëllim që të nisin procedurat e regjistrimit. Më pas, noteri në një datë të caktuar që do të vendoset në marrëveshje mes zyrës së përgjithshme të regjistrimit të pasurive dhe dhomës kombëtare të noterëve do të dorëzojë kontratat fizikisht për të qenë të depozituara në hipoteka. Pra, vajtja e qytetarëve në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të eliminohet totalisht. Të gjitha procedurat nga fillimi deri në fund për një transaksion do të realizohen nga noteri.

Do të përfshihen në proces marrja e certifikatës së pasurisë, kartelës apo hartës treguese të pasurisë?
Të gjitha do të bëhen vetëm nga zyra noteriale. Kjo është ajo që synon marrëveshje si dhe vazhdimi i bisedimeve që kemi bërë me e-Albania, pra, të arrijmë të konkludojmë këtë shërbim. Qëllimi i vetëm për zbatimin e këtij shërbimi është që të lehtësohen procedurat për qytetarët. Kjo do të sjellë që jo vetëm qytetarët të mos paraqiten në zyrat e hipotekës, por edhe këto të fundit do të lehtësohen në procedura. Po ashtu jemi duke diskutuar edhe vendosjen e afateve të nxjerrjes së këtyre dokumenteve. Dua të theksoj se nuk do të ketë shtim të tarifës, pasi synimi është lehtësimi i procedurave për noterët që të kenë akses online në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në muajin janar do të nisin edhe bisedimet me e-Albania për të realizuar ndërveprimin me këto institucione.

Në punimet e Kongresit të dytë të Noterisë, cilat ishin mesazhet kryesore që u përcollën?
Dixhitalizimi për një veprimtari noteriale moderne ishte tema qendrore e Kongresit të dytë të Noterisë që ne zhvilluam ku të pranishëm ishin Presidenti i republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dhe presidenti i Unionit botëror të Noterëve, të cilët i kushtonin shumë rëndësi veprimtarisë noteriale dhe dixhitalizimit, me qëllim përmirësimin e shërbimeve. Por, duhet të kuptojmë që nëpërmjet dixhitalizimit nuk mund të shmanget kontakti i noterit me qytetarit. Ky kontakt gjithmonë do të mbetet, pasi noteri iu jep qytetarëve sqarimet dhe këshillimet e nevojshme dhe verifikimin e vullnetit të plotë të tyre. Pra, nëse qytetari po e firmos këtë akt me vullnet,pra, kontakti është i domosdoshëm. Panorama

DOKUMENTET QE NXIRREN TE NOTERI

SHITJET E APARTAMENTEVE DHE MAKINAVE, DOKUMENTET QË NXIRREN ONLINE NGA NOTERËT PËR QYTETARËT
* Certifikatë familjare
* Certifikatë lindjeje
* Vërtetim për gjobat e paguara të makinave
* Vërtetim për pagesat e taksave të makinave
* Vërtetimi nga regjistri i barrës siguruese për të verifikuar nëse ky automjet ka ngarkesa për detyrime të ndryshme që mund të ketë pronari Shërbimi nga noterët ofrohet falas, nuk aplikohet asnjë tarifë
* Nga janari 2018, kontratat e hartuara nga noterët për transaksionet e pasurive të paluajtshme dhe makinave do të depozitohen online nga noterët në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor

Mimoza Sadushaj

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY