Dy plumba pas qafës kolegut në Dibër, ja detajet nga vrasja mes...

Dy plumba pas qafës kolegut në Dibër, ja detajet nga vrasja mes efektivëve të policisë

270
0
Shares
Viktima Ardian Roçi

Mbrëmë rreth orës 19:10 dy punonjës policie u konfliktuan me njëri-tjetrin në Dibër dhe shtetasi Naim Muliu, 55 vjeç e vrau me armën e shërbimit kolegun Ardian Roçi, 51 vjeç. Sot kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Dibër. Viktima ishte me detyrë specialist i IT (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër). Paraprakisht, bazuar edhe në dëshminë e dhënë nga autori, i cili është vetë-dorëzuar te kolegët e tij, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit ndërmjet tyre. Nuk përjashtohet dyshimi që ata të kenë qenë edhe në gjendje të dehur, të dhëna të cilat janë duke u hetuar. Policia e Dibrës ka qenë e rezervuar mbrëmë në dhënien e informacionit, për shkak të specifikës së ngjarjes, në të cilën ishin të përfshirë dy punonjësit e saj. Zyrtarë të Policisë bënë të ditur se viktima rezulton se ishte qëlluar me dy plumba pas qafe.

Dyshohet se mes tyre ka pasur një përleshje para se të shkrepej arma e zjarrit. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se viktima dhe autori punonin kryesisht bashkë dhe ishin madje miq të ngushtë. Dje ata janë nisur me shërbim në pikën kufitare të Bllatës, ku specialisti i IT-së do të bënte ca riparime në disa antena dhe në sistemin e brendshëm të doganës. Në kthim, dyshohet se ata kanë pirë gjatë rrugës në zonën e Maqellarës, kryesisht i ndjeri, i cili njihej nga kolegët e tij për tejkalimin herë pas here të masës së alkoolit. Gjatë rrugës, ku autori ka qenë drejtues i mjetit e viktima pasagjer, mes tyre ka pasur fillimisht konflikt me fjalë. Më pas, 51-vjeçari ka humbur kontrollin duke i përmendur deri edhe nënën e gruan shokut të tij. Kjo dyshohet të ketë ndikuar në acarimin e mëtejshëm të situatës dhe në përleshjen e tyre, nga ku më pas efektivi i policisë ka nxjerrë armën e krimit duke e qëlluar kolegun e tij.

Dy plumba pas qafe, njëri prej të cilëve e ka përshkuar edhe në gjoks, e kanë lënë të plagosur rëndë 51-vjeçarin. Duke parë gjendjen e tij, Naim Muliu, i cili është me detyrë ndihmës specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ka marrë rrugën menjëherë drejt spitalit të Peshkopisë. Atij i janë dashur rreth 30 minuta për ta dërguar të plagosurin në spital, ndërsa gjatë rrugës ka sinjalizuar edhe kolegët e tij për atë që kishte ndodhur. Drejt Dibrës është dërguar edhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim për të kryer transportimin e të plagosurit për trajtim më të specializuar drejt Tiranës. Por, sipas të dhënave, i plagosuri ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas mbërritjes në spital. “Rreth orës 19:10, Policia u njoftua se është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas i plagosur me armë zjarri. Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe nga verifikimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Naim Muliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie, me detyrë ndihmësspecialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, duke u kthyer me mjetin e Policisë nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi, me shtetasin A.R., me detyrë specialist i IT (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër), dyshohet se pas një konflikti të çastit e ka plagosur me pistoletë këtë të fundit. I plagosuri ka ndërruar jetë në spitalin e Peshkopisë”, bëri të ditur mbrëmë Policia. Në drejtim të Dibrës është nisur menjëherë zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit së bashku me një grup specialistësh./ Panorama/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY