Lamtumirë Lotaria Amerikane, Trump ndryshon ‘rregullat e lojës’, ja sistemi i ri...

Lamtumirë Lotaria Amerikane, Trump ndryshon ‘rregullat e lojës’, ja sistemi i ri i emigrimit në SHBA

292
0
Shares

Shtëpia e Bardhë po fillon një fushatë për të kthyer opinionin publik amerikan kundër sistemit aktual të vendit për emigracionin, i cili bazohet përgjithësisht tek lidhjet familjare. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, synimi i fushatës është zhvendosja drejt një sistemi emigracioni të bazuar tek merita.

Administrata kishte filluar madje përgatitjet përpara se një ekstremist i frymëzuar nga Shteti Islamik, i lindur në Bangladesh, të përpiqej të hidhte veten në erë në Manhatan. Administrata po mbledh të dhëna për të mbështetur argumentin se legjislacioni aktual për emigracionin jo vetëm që është i konceptuar keq, por se është edhe i rrezikshëm dhe i dëmshëm për punonjësit amerikanë.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, thotë se “ne besojmë që të dhënat drejtojnë politikat. Këto të dhëna do të ndihmojnë në mbledhjen e votave në Kongres për një reformim gjithëpërfshirës të emigracionit”.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ia detajuan ekskluzivisht strategjinë e tyre agjencisë Associated Press, duke thënë se të dhënat tregojnë që ndryshimet duhen ndërmarrë menjëherë. Por, kjo përpjekje e tyre bëhet në një klimë të vështirë politike, pasi edhe vetë republikanët ngurrojnë të angazhohen në një debat madhor për emigracionin përpara zgjedhjeve të 2018-tës.

Çështja pritet të radhitet ndër pikat kryesore të fjalimit për gjendjen e kombit që Presidenti Donald Trump do të mbajë në Kongres më 30 janar. Shtëpia e Bardhë po planifikon edhe deklarata të tjera të Presidentit, të zyrtarëve të lartë të kabinetit qeveritar, si dhe një fushatë nëpërmjet mediave konservatore.

Administrata e filloi fushatën e saj ditën e enjte nëpërmjet një blogu që nënvizon disa shifra kryesore, si: të dhëna të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që tregojnë se gati 9.3 milionë nga rreth 13 milionë emigrantë të ardhur në SHBA në periudhën 2005 – 2016 janë tërhequr nga familjarët e tyre të vendosur në SHBA. Ndërsa vetëm 1 në 15 emigrantë u pranua në vend gjatë dekadës së fundit nëpërmjet kartave jeshile, bazuar mbi aftësitë e tyre.

Të dhëna të tjera që do të bëhen publike përfshijnë një raport ku theksohet numri i emigrantëve në burgjet amerikane, një shqyrtim të mbingarkesës dhe vonesave në gjykata të dosjeve për azilkërkuesit, si dhe një studim që administrata thotë se provon lidhjet ndërmjet emigracionit dhe terrorizmit.

Kritikët kanë vënë në pikëpyetje përdorimin selektiv nga administrata të të dhënave që ndonjëherë kanë rezultuar se janë keqpërdorur.

Ky propozim për të braktisur sistemin e emigracionit të bazuar tek familja do të ishte ndryshimi më radikal i sistemit të emigracionit në Shtetet e Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit. Kjo do t’i jepte fund asaj që kritikët dhe Shtëpia e Bardhë e quajnë “emigracioni zinxhir”, ku emigrantëve u lejohet të sjellin një sërë anëtarësh të familjeve të tyre në vend. Sistemi që do ta zëvendësonte, do të bazohej tek një skemë pikësh për arsimimin dhe potencialin e punësimit. Masa të tilla të bazuara tek meritat janë duke u përqafuar gjithnjë e më shumë nga vende të tjera, ndër to edhe Britania.

Publiku amerikan është i ndarë për këto ndryshime që shpreson të bëjë Presidenti Trump. Një anketim i Universitetit Quinnipac i zhvilluar në muajin gusht tregoi se 48% e votuesve kundërshtojnë propozimet e Presidentit Trump për të përgjysmuar numrin e emigrantëve të ligjshëm dhe për t’u dhënë prioritet emigrantëve bazuar tek aftësitë profesionale dhe jo më lidhjet e tyre familjare me SHBA-në. 44% e të anketuarve, ndër ta 68% e republikanëve, e mbështesin këtë ide të Presidentit.

Shtëpia e Bardhë shpreson që Kongresi të fillojë trajtimin e kësaj çështjeje në fillimin e vitit të ardhshëm, megjithëse zyrtarët thonë se nuk kanë filluar ende të diskutojnë strategjinë legjislative me udhëheqësit e Kongresit./VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY