DINAMIKA/ Vrasja në Divjakë, ja si nisi sherri për një pult TV...

DINAMIKA/ Vrasja në Divjakë, ja si nisi sherri për një pult TV deri te poshtërimi i gruas…

335
0
Shares

Pronari i picerisë qëllon me armë zjarri klientin pasi ky i fundit debatoi me bashkëshorten e tij për volumin e televizorit.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së hënës, në fshatin Goriçaj të Divjakës, ku mbeti i vdekur 42-vjeçari Admir Llupo, ndërsa në pranga si autor i krimit është vënë Petrit Toromëni. Gjithçka mësohet se ka nisur pas një sjelljeje të dhunshme nga ana e 42-vjeçarit Llupo, i cili gjithashtu njihej dhe me emrin Judmir Stambolliu.
Siç pohojnë burime nga vendi i ngjarjes, në lokalin që shërben edhe si piceri kanë qenë të pranishëm rreth 5-6 klientë, mes tyre edhe viktima Llupo.
Mes këtij të fundit dhe pronarëve të lokalit debati ka nisur fillimisht pasi viktima sillej agresiv në lokal. Bashkëshortja e pronarit, I. Toromëni, i ka kërkuar 42-vjeçarit që të mos ia ngrinte zërin televizorit që ndodhej në ambientet e picerisë, pasi kjo gjë përbënte shqetësim për klientët e tjerë.
Por kjo nuk është marrë për bazë nga klienti Llupo. Përveç kësaj, 42-vjeçari ka nisur të bëjë ironi si dhe të ngacmojë me fjalë gruan 37- vjeçare. Si përgjigje, kjo e fundit i është afruar te tavolina ku ishte ulur dhe i ka marrë pultin e televizorit nga dora dhe është larguar.
Por, në këto momente, dyshohet se Admir Llupo e ka shtyrë atë. E gjitha kjo skenë është parë nga bashkëshorti i 37-vjeçares dhe më pas mes tij dhe 42-vjeçarit ka nisur një konflikt deri në konfrontim fizik. Fillimisht mes tyre ka pasur një sherr verbal, ndërsa më pas konflikti është përshkallëzuar në përplasje fizike.
Në gjaknxehtësi e sipër, pronari, Petrit Toromëni, ka shkuar në banesën e tij që ndodhet në katin e dytë të picerisë ku ka marrë armën e gjahut dhe ka qëlluar mbi Llupon. Për pasojë ky i fundit mbeti i plagosur, ndërsa gjatë transportimit për në spital ndërroi jetë.
Pak pas ngjarjes, u vu në pranga autori Toromëni, banues në fshatin Goriçaj, i cili e ka lajmëruar vetë policinë për atë që kishte ndodhur. Sipas Policisë, nga hetimet paraprake ka rezultuar se viktima ditën e ngjarjes kishte disa orë që konsumonte pije alkoolike në lokalin ku ndodhi ngjarja.
Në mungesë të kthjelltësisë dhe arsyes, Llupo pas debatit për zërin e ngritur të televizorit ka ngacmuar me fjalë e gjeste gruan e pronarit të lokalit, të cilën e kishte edhe kushërirë të largët. Pas arrestimit të autorit, burrë e grua kanë deklaruar për policinë se ngjarja ndodhi e pamenduar dhe shkak u bë sjellja e papërgjegjshme e viktimës.
“Nuk e durova dot atë situatë. E duronim çdo natë që bënte si i tekej atij. Kishim menduar edhe të mos e pranonim fare më në lokal se ai bënte rrëmujë. Më preku në grua dhe mua më erdhi turp se aty ishin edhe 5 a 6 vetë të tjerë. Nuk e durova dot atë poshtërim, prandaj veprova. Nuk doja ta vrisja dhe e qëllova që të mos e vrisja, por ta trembja”, mësohet të ketë thënë për policinë autori i dyshuar.
42-vjeçari Admir Llupo, që mbeti viktimë në këtë ngjarje, kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu pasi ishte dënuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali. I dënuar me 11 vite heqje lirie, Llupo u lirua pasi kreu 7 vite dënim në shtetin fqinj dhe më pas u rikthye në Shqipëri. Por, sipas banorëve, muajt e fundit ai shfaqej një person agresiv. Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY