Frika nga buxheti 2018, qeveria Rama fryn faturën e PPP-ve, ja rreziku...

Frika nga buxheti 2018, qeveria Rama fryn faturën e PPP-ve, ja rreziku që i kanoset ekonomisë …

173
0
Shares

Viti i parë i mandatit të dytë qeverisës të Partisë Socialiste do të nisë me një programim buxhetor pa shumë bujë dhe në emër të vazhdimësisë. Analizuar në terma realë makro, buxheti i vitit të ardhshëm nuk duket të ketë objektiva veçanërisht ambiciozë. Të ardhurat dhe shpenzimet kundrejt prodhimit kombëtar priten të qëndrojnë në nivele të përafërta me vitin 2017, me një rishikim të lehtë në ulje. Deficiti buxhetor do të jetë rreth 2% e PBB, po aq sa këtë vit.

Ndërsa borxhi publik pritet të pësojë një ulje të lehtë në 68.6%, nga 69.1% që është niveli i targetuar në buxhetin e vitit 2017. Pra, një buxhet që nuk parashikon rritje spektakolare të të ardhurave, as rritje të madhe të shpenzimeve dhe as ndonjë reduktim drastik të borxhit publik. Buxheti i vitit të ardhshëm pritet të mbështetet në një total të ardhurash prej 464 miliardë lekësh ose rreth 28.1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Të ardhurat totale ndaj PBB-së do të jenë lehtësisht më të ulëta krahasuar me vitin 2017, ndërsa të ardhurat tatimore do të jenë sa 25.7% e PBB-së, po aq sa këtë vit. Sipas Ministrisë së Financave, në vlerë absolute buxheti i vitit të ardhshëm do të synojë mbledhë rreth 24 miliardë lekë më shumë nga taksat dhe tatimet.

Shtesa e të ardhurave pritet të vijë kryesisht nga TVSH-ja, tatim-fitimi, akcizat dhe taksa mbi ndërtesat. Veç një efekti të natyrshëm nga rritja ekonomike, Ministria e Financave pret një efekt pozitiv në të ardhura nga zgjerimi i skemës së TVSH-së, nga rritja e disa taksave, si edhe nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, kryesisht të karburanteve.

Gjithashtu, një faktor i rëndësishëm do të jetë sërish lufta kundër informalitetit, që pritet të ulë evazionin fiskal. Në fakt, rritja prej rreth 6% e të ardhurave nuk është një objektiv veçanërisht ambicioz, po të kemi parasysh se kjo rritje është e njëjtë me rritjen e parashikuar të PBB-së nominale. Qeveria ka parashikuar një rritje të PBB-së nominale me rreth 6.1%. Duke qenë se rritja reale pritet në rreth 4%, efekti i deflatorit është llogaritur në afërsisht 2%, projeksione këto që janë pak a shumë realiste për ciklin që po kalon ekonomia e vendit.

 “Fryhet” fatura e PPP-ve

Në fillim të këitj viti, kur kishin nisur ethet e zgjedhjeve, kryeministri Rama prezantoi të ashtuquajturën “nisma 1 miliard euro”. Në fakt, bëhej fjalë për zgjerim në përmasa të mëdha të mekanizmit të PPP-ve, që në mandatin e parë u përdor kryesisht për disa projekte në shëndetësi. Në thelb të kësaj filozofie, qëndron financimi investimeve publike me paratë e subjekteve private, për t’i shlyer ato gradualisht në kohë.

Kjo strategji nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor nga rritja e borxhit publik, me përjashtim të faktit që këto kontrata nuk klasifikohen zyrtarisht si borxh. Kjo qeverisë i volit. Këtë vit, janë gjithsej 7.2 miliardë lekë ose rreth 1.7% e të ardhurave buxhetore të parashikuara që do t’i transferohen operatorëve privatë. Për vitin 2018, shpenzimet totale për financimin e projekteve të partneritetit publik-privat do të arrijnë në 9.4 miliardë lekë.

Kjo shifër përfaqëson rreth 2.4% të të ardhurave tatimore të pritshme për vitin 2017, duke qenë, sipas qeverisë, plotësisht brenda tavanit prej 5% të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit. Megjithatë, ajo çka është bërë deri tani është vetëm fillimi i “dallgës” së PPP-ve në buxhet. Vetëm vlera e kontratave të PPP-ve me financim buxhetor, të nëshkruara deri tani, arrin në afërsisht 90 miliardë lekë.

Për vitin 2018, është parashikuar të nënshkruhen tetë kontratat të reja të PPP-ve, për një vlerë totale prej afro 157 miliardë lekësh. Gjashtë prej tyre do të jenë kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, më konkretisht Rruga e Arbrit, Rruga Tiranë-Thumanë-Vorë, Kashar-Rrogozhinë, Milot-Balldre, Kardhiq-Delvinë dhe Orikum- Himarë. Vitin e ardhshëm, do të nënshkruhen kontratat  për  ndërtimin me PPP të shkollave të arsimit parauniversitar në Tiranë, si edhe kontratat e ndërtimit të Spitalit Rajonal të Fierit. Në total janë mbi 240 miliardë lekë kontrata koncesionare që do të paguhen nga buxheti i shtetit dhe, praktikisht, vlera ende e papaguar e këtyre kontratave është borxh publik i paformalizuar.

Po të llogarisim vlerën e tyre, disa prej të cilave përfundojnë në vitin 2047, borxhi publik qartësisht do të rezultonte shumë më i lartë se 68.6% e PBB-së, që është edhe objektivi i qeverisë për vitin e ardhshëm. Nëse shumës së borxhit publik të parashikuar për vitin e ardhshëm i shtojmë edhe vlerën e përafërt të kontratave të PPP-ve të nënshkruara, si edhe ato të planifikuara për vitin 2018, borxhi publik shkon në mbi 70% të PBB.

Më shumë investime publike

Buxheti i vitit 2018 parashikon rritje të vlerës së investimeve publike në 5.2% të PBB. Janë gjithsej 86 miliardë lekë që do të investohen në vepra të reja apo në vazhdim në vitet pararendëse. Nga këto, projektbuxheti parashikon rreth 54 miliardë lekë investime me financim të brendshëm, ku pjesën më të madhe do ta marrë super-ministria e re për Infrastrukturën dhe Energjinë. Për vitin e ardhshëm parashikohet një rritje e ndjeshme e investimeve në transportin rrugor, me qëllim kryesisht vazhdimin e punimeve në investime të rëndësishme të nisura prej disa vitesh.

Në terma financiarë, projekti më i madh për vitin e ardhshëm është Unaza e Madhe e Tiranës, ku do të investohen 4.1 miliardë lekë, e ndjekur nga rruga Fushë-Krujë – Milot Morinë, me 1.3 miliardë lekë dhe Qafë-Thanë – Lin – Pogradec me 1.1 miliardë lekë. Për Rrugën e Arbërit nuk parashikohen financime: besohet se puna për këtë rrugë do të nisë vitin e ardhshëm me investimin e kompanisë koncesionare, ndërsa financimi i saj nga buxheti do të fillojë pas vitit 2019. Investime për 3.5 miliardë lekë janë planifikuar në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, ndërsa rreth 1.3 miliardë lekë do të investohen në menaxhimin e mbetjeve urbane.

30 miliardë lekë huamarrje në tregun e brendshëm

Qeveria shqiptare do të rrisë ndjeshëm huamarrjen e brendshme për vitin e ardhshëm. Sipas projektbuxhetit, për vitin 2018 huamarrja në tregun e brendshëm financiar do të arrijë në afro 30 miliardë lekë, në rritje me gati 50% krahasuar me këtë vit. Deficiti buxhetor vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të lehtë në vlerë nominale, ndërsa do të qëndrojë praktikisht i pandryshuar në terma realë, me rreth 2.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, shpërndarja e financimit të deficitit do të ndryshojë ndjeshëm krahasuar me këtë vit, kur ishte shpërndarë në mënyrë më të ekuilibruar mes tregut të brendshëm dhe atij të jashtëm.

Viti 2018 parashikon rritje të borxhit të brendshëm, çka nënkupton më shumë trysni mbi tregun e brendshëm financiar. Kërkesa më e lartë e qeverisë për para mund të rezultojë në një rritje të normave të interesit për bonot dhe obligacionet, rritje e cila do të përcillej edhe në interesat e produkteve bankare. Siç vlerëson Ministria e Financave në relacionin e projektbuxhetit, kapaciteti optimal i tregut të brendshëm për të financuar qeverinë është 15-20 mld lekë në vit. Rrjedhimisht, plani i qeverisë për huamarrje në afro 30 miliardë lekë mund të ketë një impakt të ndjeshëm në tregun financiar.

Qeveria shqiptare parashikon që për vitin e ardhshëm interesat e borxhit të rriten në 25 miliardë lekë, nga 22 miliardë që janë parashikuar për këtë vit. Sidoqoftë, sipas Ministrisë së Financave, ka edhe një plan B; një dalje e re për të siguruar huamarrje në tregjet ndërkombëtare.

Në dy rastet e mëparshme, shitja e eurobondeve ka rezultuar e suksesshme, megjithatë, në këtë moment parashikimet janë të vështira. Cikli i interesave të ulëta mund të jetë drejt fundit, megjithatë, ka ende shumë ekspertë që mendojnë se përtëritja ekonomike është ende e brishtë, ndaj normalizimi monetar duhet shtyrë në kohë.

Rriten pagat në arsim e shëndetësi, vetëm indeksim për pensionet

Buxheti i mbrojtjes sociale për vitin e ardhshëm do të ketë vlerën e 148 miliardë lekëve ose rreth 9.1% e PBB. Ky buxhet është rritur me shtatë miliardë lekë krahasuar me vitin 2017. Rritja në vlerë i detyrohet kryesisht rritjes së pritshme të shpenzimeve për fondin e pensioneve, ndërsa skema e mbrojtjes sociale nuk pritet të sjellë rritje të rëndësishme të përfitimeve. Për vitin 2018 janë parashikuar të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike afro 80 mijë familje. Me skemën e re, është hequr ndihma ekonomike e pjesshme dhe është rritur masa mesatare mujore në 5,600 lekë në muaj.

Në buxhetin e vitit të ardhshëm janë përcaktuar rreth 1.8 miliardë lekë lekë fond për politika të reja pensionesh. Për krahasim, rritja prej 3% pensioneve në mesin e këtij viti u mbështet me një fond prej 2.6 miliardë lekësh. Rrjedhimisht,  me fondin prej 1.8 miliardë lekësh të parashikuar për vitin e ardhshëm, një rritja e mundshme e pensioneve do të jetë mjaft modeste dhe në kufijtë e indeksimit.

Për sa i takon pagave në sektorin publik, të vetmit që pritet të përfitojnë rritje janë mësuesit e arsimit parauniversitar dhe punonjësit e shëndetësisë. Masa e rritjes nuk është vendosur, megjithatë pritet që kjo rritje të jetë rreth 5%. Sidoqoftë, rritja e pagave dhe pensioneve do të bëhet vetëm në mesin e vitit të ardhshëm, me efekte duke filluar nga korriku 2018. Indeksimi vjetor i pagave dhe pensioneve do të ishte minimumi i pritshëm nga një qeveri e majtë, për të mos ulur standardin e jetesës së atyre që paguhen me para publike; sidomos për ata që përfitojnë pensione apo paga të ulëta.

Shëndetësia falas kërkon ende durim

Në qeverisjen e Partisë Socialiste, shëndetësia është një temë e ndjeshme, sepse ajo përfaqëson edhe ndoshta premtimin më të bujshëm, me ardhjen në pushtet në vitin 2013. Megjithatë, edhe buxheti i vitit të ardhshëm tregon se premtimi për shëndetësi falas është larg realizimit.

Shqiptarët do të paguajnë afro 12 miliardë lekë sigurime shëndetësore për vitin e ardhshëm ose 0.7% e PBB-së. Por, ndërkohë, edhe për vitin e ardhshëm shpenzimet për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore do të jenë sa 2.4% e PBB-së, po aq sa në vitin 2017. Në tërësi, shpenzimet buxhetore për shëndetësinë do të jenë sa 2.9% e PBB-së, financim ky i ulët për të mund të siguruar mbulimin universal falas për popullsinë.

Në vlerë absolute, buxheti për shëndetësinë këtë vit do të rritet me rreth 3.5 miliardë lekë. Sipas relacionit të projektbuxhetit, synohet që këtë vit të ulet koha e përgjigjes ndaj urgjencave, si edhe koha e pritjes për marrjen e shërbimeve delikate të kujdesit terciar, si rezonanca magnetike, skaneri apo angiografia. Lista e barnave të rimbursueshme për vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 520.

Ndër investimet kryesore në infrasturktuën shëndetësore do të jenë, ato në pediatrinë , qendrën e informacionit në QSUT, ndërtesa e mjekësisë së brendshme, dhe kirurgjisë së përgjitshme në QSUT. Këto ndërhyrje synojnë të sjellin rritje të kapacitetve dhe përmirësim të kushteve në këto shërbime. Gjithashtu, parashikohen investime për rikonstruksion në disa spitale dhe poliklinika në vend. Mes të tjerash, pritet që spitali rajonal i Fierit, sipas qeverisë, të shndërrohet një qendër ekselence shërbimesh.

Arsimi: buxheti 2018, objektivat për …2020

Një nga investimet më frutdhënëse për të ardhmen e një vendi është financimi i rritjes së cilësisë së arsimit. Nga një vend që kërkon të hedhë themelet e një zhvillimi afatgjatë, si Shqipëria, do të pritej rritja e investimit në arsim. Për vitin 2018, shpenzimet publike për arsimin do të jenë rreth 41 miliardë lekë, afro 4 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, në terma realë, financimi i arsimit ngelet modest, në rreth 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Projektbuxheti i vitit 2018 është i varfër në objektiva konkrete, ndërsa në relacion qeveria i referohet kryesisht objektivave me horizont trevjeçar, deri në vitin 2020.

Në arsimin parauniversitar, brenda vitit 2020 synohet të ketë jo më shumë se 28 – 30 nxënës për klasë në zonën urbane, të reduktohet braktisja shkollore në arsimin bazë; deri në 2020, synohet gjithashtu që 100% e shkollave do të kenë shërbimin e internetit, nga 85% që e ofrojnë aktualisht. Në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor disa prej objektivave kryesorë janë akreditimi i të gjithë institucioneve të arsimit të lartë brenda vitit 2020, rritje e përputhshmërisë së kurrikulave në tregun e punës, trajtim i studentëve ekselentë me bursa në masën 100%, etj.

Për vitin 2018, investimet në arsim do të prekn vlerën e 4.8 miliardë lekëve ose afro 36 milionë euro. Investimet do të shkojnë kryesisht për rikonstruksione dhe ndërtime shkollash në arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm të përgjithshëm.

Ulen subvencionet për bujqësinë

Prej vitesh, ekonomia shqiptare është para sfidës së rritjes së prodhimit bujqësor dhe peshës së këtij sektori në ekonominë kombëtare. Krahas shumë problemeve strukturore, që duhen adresuar përmes reformave të ndërlikuara, zhvillimi i sektorit në vitet e fundit është tentuar të nxitet përmes subvencioneve dhe investimeve në infrastrukturën ndihmëse të bujqësisë. Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë në total parashikohet në 10.9 miliardë lekë ose më pak se 0.7% e PBB-së. Në buxhet ka një tentativë për të rritur shpenzimet në zërat më të ndjeshëm, mbështetjen e zhvillimit rural, infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit dhe sigurinë ushqimore.

Megjithatë, ajo që bie në sy është se rritja e shpenzimeve nuk do të shkojë për më shumë investime. Vitin e ardhshëm parashikohen më pak investime për zhvillimin e bujqëësisë, që konsistojnë kryesisht në subvencione. Në relacionin e projektbuxhetit, qeveria parashikon mbështetje për rreth 14 mijë përfitues, por vlera e shpenzimeve kapitale në këtë zë do të ulet në 2.3 miliardë lekë, nga 2.8 miliardë që janë akorduar për këtë vit.

Rënia do të vijë kryesisht si pasojë e tkurrjes së financimeve të huaja. Rënie të investimeve do të ketë edhe në menaxhimin e sistemit të ujitjes dhe kullimit, me 200 milionë lekë më pak. Rritje e investimeve parashikohet vetëm në funksionin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit, me 200 milionë lekë më shumë.

Ndër objektivat kryesore lidhur me sigurinë ushqimore, do të jenë vaksinimi i 3 milionë kafshëve të imta për të mundësuar eksportin e tyre në vendet e Bashkimit Europian dhe krijimi i kadastrës së vreshtarisë, verës dhe të ullirit, me qëllim identifikimin, regjistrimin, hedhjen e të dhënave në sistem sipas qarqeve.

Kontratat e PPP të parashikuara për vitin 2018

Objekti            Vlera (mld lekë

Ndërtimi i Shkollave në Bashkinë e Tiranës   6.4

Spitali Rajonal i Fierit 9.6

Ndërtimi i Aksit Tiranë-Thumanë-Vorë          34.3

Ndërtimi i Rrugës Kardhiq – Delvinë  8.65

Ndërtimi Rrugës Kashar – Rrogozhinë           41.6

Ndërtimi i Rrugës Milot – Balldren    14.3

Ndërtimi Rrugës Orikum – Himarë    17.8

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit    24

Totali   156.7

Burimi: Ministria e Financave

Ersuin Shehu/SCAN Magazine

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY