“Në thelb i kalbur”, koncesionari i skanimit përballet me akuza të reja...

“Në thelb i kalbur”, koncesionari i skanimit përballet me akuza të reja për korrupsion

255
0
Shares

Kompania amerikane që zotëron 51 % të aksioneve të koncesionit të skanimit të kontenierëve në Shqipëri, është vënë në qendër të akuzave se ka paguar një rryshfet të majmë për sigurimin e kontratës nga qeveria shqiptare.

Vlera e aksioneve të OSI Systems- kompania mëmë e fituesit të koncesionit të skanimit të kontenierëve në Shqipëri, Rapiscan Systems Inc  ra pikiatë të mërkurën, pas akuzave për korrupsion që drejtuesi i një kompanie investimesh dhe kërkimesh hulumtuese në Shtetet e Bashkuara i adresoi asaj gjatë një interviste në “Bloomberg”.

Carson Block-themelues i “Muddy Waters Research”, i cili ka fituar reputacion përmes denoncimit të praktikave mashtruese të kompanive ndërkombëtare dhe basteve në bursë deklaroi në “Bloomberg” se kompania OSI Systems është e “në thelb e kalbur” dhe ofroi si argument kontratën koncesionare të fituar në Shqipëri si dhe një kontratë të dytë të madhe të kompanisë në Meksikë.

“Kemi prova të pamohueshme se disa vite më parë, kur kompania fitoi një kontratë në Shqipëri me vlerë nga 150 deri në 250 milionë USD, ata paguan një rryshfet me thuajse gjysmën e atij koncesioni. Për mua kjo është një provë e qartë,” deklaroi Block.

Rapiscan Systems Inc. me bazë në Kaliforni dhe kompania bijë e regjistruar në Shqipëri, S2 Albania fituan një kontratë koncesionare 15-vjeçare për skanimin e kontenierëve nga qeveria e ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2011. Kontrata u miratua në Parlament dy vjet më vonë dhe hyri në fuqi në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.

Pak muaj më vonë, në shtator 2013, Rapiscan Systems Inc. shiti 49 për qind të aksioneve të kompanisë koncesionare te kompania shqiptare ICMS shpk., e cila zotërohet nga një mjek dhe sipërmarrës i quajtur Olti Peçini. Sipas kontratës së depozituar në QKR, shitja e 49 për qind të aksioneve u bë për vetëm 490 lekë.

Kur ishte në opozitë, Partia Socialiste e denoncoi koncesionin e skanimit si aferë korruptive të qeverisë “Berisha” dhe me të ardhur në pushtet në vitin 2013, nisi procedurat për prishjen e kontratës por u përball shpejt me një padi në arbitrazh.

Qeveria “Rama 1” kontraktoi studion ligjore Omnia Strategy të Cherie Blair për të përgatitur mbrojtjen kundër Rapiscan, por pasi e pagoi me 645 mijë euro në total, pranoi këshillën e zonjës Blair për ta zgjidhur me marrëveshje konfliktin.

Më 5 qershor 2015, Këshilli i Ministrave dorëzoi në Kuvend marrëveshjen e rinegociuar të koncesionit duke deklaruar se vlera e kontratës ishte ulur nga 316 milionë në 210 milionë euro. Relacioni që shoqëron projektligjin shpjegon se kompania Rapiscan fitonte përmes kontratës së mëparshme 39 euro për çdo deklaratë doganore, ndërsa me marrëveshjen e re përfiton 5 euro për deklarata doganore deri në 1 mijë euro dhe përtej kësaj vlere, taksa shkon 22 euro për deklaratë doganore.

Në bastin e luajtur nga Black kundër kompanisë OSI Systems, akuza për shitjen e 49 për qind të aksioneve në Shqipëri përbën bazën kryesore. Një raport i detajuar i kompanisë së tij “Muddy Waters Research”, të cilin BIRN e disponon, thekson se “korrupsioni në kontratën koncesionare të vitit 2013 në Shqipëri është më i dukshëm se një shishe 3-litërshe me shampo në valixhen e udhëtimit”.

“Koncesioni llogaritet se ka një vlerë nga 150-250 milionë USD. Megjithatë, ose duket se OSI Systems e vlerëson atë me 9 USD, ose ata me gjasë kanë korruptuar dikë duke i dhënë gjysmën e kontratës për 4.50 USD”, shkruan raporti.

“Ne na rezulton se transferta nuk pasqyrohet në llogaritë e OSI Systems, nuk ka zbritje të interesave të paketës jo-kontrolluese në pasqyrën e të ardhurave dhe në dokumentet e ofertës së bonove të vitit 2017 e shfaqin degën [në Shqipëri] si 100 për qind në pronësi të OSI Systems,” shtohet aty.

Përtej kësaj analize financiare, raporti i “Muddy Waters Research” është më tej i mbushur me një pasqyrë të akuzave politike në Shqipëri, raportimeve mediatike mbi koncesionin e skanimit si dhe dokumente dhe ekstrakte të shkarkuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit, QKB.

Që prej shitjes së aksioneve në vitin 2013, kompania koncesionare S2 Albania zotërohet në 51 për qind të aksioneve nga Rapiscan Systems Inc dhe në 49 për qind të aksioneve nga ICMS sh.p.k e Olti Peçinit. Të dhënat në QKB tregojnë se administrator i kompanisë është Jonathan Fleming, një ish-punonjës i lartë i sigurisë në qeverinë federale në SHBA.

BIRN e pati të pamundur të kontaktonte me administratorin Fleming, ndërsa aksioneri i minorancës, Olti Peçini nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi akuzat për korrupsion që vijnë nga Shtetet e Bashkuara lidhur me shitjen e aksioneve në favor të tij për 490 lekë.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, rënia e vlerës së aksioneve të kompanisë OSI Systems u cilësua si “reagim i tepruar” nga analisti i kompanisë Drexel Hamilton,  Brian Ruttenbur, ndërsa vlerësoi se faktet në raport janë të pasakta dhe se sipas tij, “Muddy Waters Research” nuk kishte tentuar të kontaktonte me drejtues të kompanisë.

Sa i përket kontratës në Shqipëri, ai theksoi se ishte “një ndërmarrje e përbashkët”.

“Siç e kuptojmë ne situatën, partneri i kompanisë në Shqipëri ishte/është përgjegjës për investime të rëndësishme në përgatitjet në terren. Vërejmë se përgatitjet në terren mund të kushtojnë miliona dollarë për lokacionin dhe marrin kohë domethënëse për t’u kryer [ ndonjëherë është një proces i vështirë për të përgatitur vendin përpara instalimit të pajisjeve të skanimit],” citohet të ketë thënë Ruttenbur në StreetInsider.

“Ne vlerësojmë se OSI Systems gjeneron më pak se 10 milionë USD në vit nga Shqipëria. OSI [sipas marrëveshjes] njeh të ardhurat e plota dhe e paguan partnerin në Shqipëri si pjesë e kostos së saj bruto në përputhje me marrëveshjen,” përfundoi ai.

Autor: Aleksandra Bogdani | BIRN | Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY