SPECIALE/ Po sikur komunizmi të kish dështuar?

SPECIALE/ Po sikur komunizmi të kish dështuar?

237
0
Shares

Po sikur bolshevikët të mos kishin ardhur në pushtet në Rusi?

Kryengritja e bolshevikëve ishte një grusht shteti. Masat nuk ishin aspak të përfshira dhe, në fakt, publiku në përgjithësi nuk dinte që diçka po ndodhte. Nëse lexoni gazetat e asaj kohe, do të shihni që teatrot ishin në punë, kishte koncerte, dhe askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Ishte tamam një grusht shteti. Kështu që mendoj se, nëse bolshevikët nuk do të kishin marrë pushtetin në nëntor 1917, skenari më i mundshëm është që ushtria – oficerët – do të kishin përmbysur qeverinë e përkohshme dhe do të kishin vendosur ndoshta një lloj diktature ushtarake për pak kohë, deri sa të rikthenin në fron Carin Nikolla II. Mendoj se ky është skenari më i mundshëm.

A mund të ishte ndalur kryengritja e bolshevikëve?

Mendoj që, nëse qeveria e përkohshme që bolshevikët rrëzuan do të kish qenë më efektive, atëherë po, mund të ishte ndaluar. Por problemi ishte se Kryeministri Alexander Kerensky ishte një udhëheqës i dobët dhe nuk dinte si t’i përballte bolshevikët. Kështu që mendoj se po të kish qenë një udhëheqës më i fortë, atëherë bolshevikët do të mund të ndaleshin. Por udhëheqja ishte e dobët dhe Rusia nuk kishte përvojë në qeverisje, sepse kishin qenë prej shumë kohësh nën një autokraci dhe nuk arritën të bëjnë një qeveri efektive. Kerensky, që ndodh ta kem njohur edhe personalisht, nuk dinte si t’i bënte ballë Leninit.

A pati një moment kthese, ku ngjarjet mund të kishin rrjedhur më tej në mënyrë tjetër?

Qeveria e përkohshme mund të kish mbledhur ushtrinë për të ndalur kryengritjen. Në gusht 1917 ishte një gjeneral, Lavr Kornilov, një njeri shumë efektiv dhe popullor, që u përpoq të shpëtonte qeverinë e përkohshme duke thirrur ushtrinë. Por Kerensky e çarmatosi ushtrinë nga frika e një grushti shteti prej Kornilovit dhe armatosi bolshevikët për të mposhtur ushtrinë, kështu që kur nisi kryengritja në nëntor, Kerensky nuk kish asnjë njeri që ta ndihmonte. Mendoj se e menaxhoi shumë keq të gjithë situatën. Kishte liderë ushtarakë që e kuptuan rrezikun e bolshevizmit dhe u përpoqën ta ndalin, dhe ata donin të ndihmonin qeverinë e përkohshme, por Kerensky refuzoi ndihmën e tyre dhe i çarmatosi. Qeveria e përkohshme armatosi kundërshtarët e vet. Kështu që, kur erdhi nëntori, ushtria qëndroi mënjanë dhe nuk ndihmoi.

A do të ishte bërë Rusia gjithësesi një vend komunist, pa kryengritjen e bolshevikëve?

Jo, sigurisht që jo. E vetmja mbështetje që bolshevikët kishin për komunizmin në atë kohë ishte se donin paqe, nga Lufta e Parë. Kombi ishte i lodhur nga një luftë që nuk po çonte askund, dhe bolshevikët ishin e vetmja palë që mbronte paqen. Dhe prej kësaj morën një farë mbështetjeje – jo komunizmi si ideologji. Komunizmi nuk ishte asnjëherë një temë e rëndësishme për popullin rus.

Si mendoni se do të kish qenë Rusia pa komunizmin?

Rusia do të kish shkuar ndoshta atje ku është sot, një qeveri gjysmë autokrate dhe gjysmë demokratike. Sipas sondazheve të publikut, rusëve nuk u pëlqen demokracia. Ata e identifikojnë demokracinë me krimin, anarkinë e kështu me radhë. Dhe atyre u pëlqen një dorë e fortë, një udhëheqës i fortë. Kështu që ndoshta do të kishim patur një regjim autokratik me disa të drejta civile dhe me shumë gjasa, sipërmarrjen private. Ata ndoshta do të kishin rivendosur monarkinë në këtë regjim gjysmë autokratik dhe gjysmë demokratik. Mendoj se do të kish patur një parlament, siç e kishin para luftës, para revolucionit, që do të kish patur kompetenca të kufizuara, ndonëse do u duhej të miratonin legjislacion, por monarkia do të ishte shumë e fortë.

Sa ndryshe do të ishte marrëdhënia e Rusisë me perëndimin, pa komunizmin?

Mendoj se marrëdhëniet do të ishin shumë më mirë, nga sa ishin nën komunistët. Monarkia ruse ishte në përgjithësi miqësore ndaj perëndimit, dhe mësoi shumë prej tij. Nuk ishte antiperëndimore, në fakt Cari Nikolla II dhe Mbreti George V ishin kushërinj. Strategjitë dhe taktikat antiperëndim u sollën prej komunistëve, sepse ata donin të komunistizonin të gjithë botën, përfshirë perëndimin.

Pa një Rusi komuniste, a do të kishin ndjekur gjurmët vende të tjerë, si Kina?

Nuk mendoj. Rusia ofroi një model dhe gjithashtu një mbështetje – kështu, për shembull, Kina nuk do të bëhej komuniste, nëse Rusia nuk do të ish bërë komuniste. Komunizmi në thelb u importua prej Rusisë dhe nuk mendoj se pati diku ndonjë parti komuniste përpara influencës së Rusisë.

A ishte komunizmi i rëndësishëm për Rusinë? A e ndihmoi të zhvillohet këtë vend?

Ishte një fatkeqësi në çdo aspekt. Dhjetëra miliona vetë u zhdukën. E vërtetë që ndërtuan industritë, por pjesa dërrmuese kishin drejtim ushtrinë. Dhe siç mund ta shihni sot, pas gjithë këtyre viteve komunizëm, Rusia nuk mund të eksportojë asgjë përveç lëndëve të para. Nuk shohim mallra konsumi ruse; të gjithë mallrat që importojmë këtu vijnë nga Kina, jo nga Rusia. Përpara kryengritjes së bolshevikëve, Rusia po zhvillohej me shpejtësi drejt një vendi industrial. Në vitet 1890 Rusia kishte një rol industrial dhe udhëhiqte botën, dhe mendoj që Rusia do të ish bërë vend industrial pa komunistët. Komunistët industrializuan, por vetëm ushtarakisht. Nën komunistët, afro 25% e GDP shkonte për shpenzime ushtarake.

A do të kish patur Rusia një luftë civile në 1918 dhe a do të kish hyrë në Luftën e Dytë Botërore?

Nuk do të kish patur luftë civile, sigurisht, dhe mendoj që po të mos kish patur komunizëm, ndoshta nuk do të kish patur as Luftë të Dytë Botërore, sepse ky konflikt shpërtheu vetëm sepse komunistët në Gjermani ndihmuan Hitlerin të vinte në pushtet dhe në gusht 1939, Rusia i dha atij carte blanche për të nisur një luftë kundër Polonisë, Francës dhe Anglisë. Nuk mund të garantoj që nuk do të kish patur luftë, por, rusët dihet që ndihmuan Hitlerin të vinte në pushtet. Nëse komunistët në Gjermani në vitin 1933 do të ishin reshtuar me social demokratët atëherë do i kishin fituar ata zgjedhjet dhe jo partia naziste. Por Stalini urdhëroi komunistët në Gjermani që të mos bashkëpunonin me social demokratët, kështu që ata përcanë opozitën dhe fitoi Hitleri.

Pa komunizmin, nuk do të kish patur Rusia figura si Stalini dhe Lenini?

Nuk do të kish patur as diktatura, as diktatorë të tillë. Rusia, para revolucionit ishte një vend gjysmë kushtetues, por nuk kish diktaturë. Ligjet zbatoheshin dhe parlamenti kish të drejtën e vetos për legjislacionin, por nuk ka krahasim mes asaj që ndodhi para revolucionit dhe asaj që ndodhi pas.

Nëse Rusia nuk do kish qenë duke humbur përballë Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, a do e kishin marrë gjithësesi pushtetin bolshevikët?

Bolshevikët mundën ta marrin pushtetin jo sepse njerëzit donin komunizmin, por sepse ata donin t’i jepej fund Luftës së Parë Botërore, dhe nëse Rusia do e kish fituar luftën mendoj se komunistët nuk do të kishin patur asnjë shans. Ata e sollën komunizmin në një platformë antiluftë. Lenini ishte shumë i kujdesshëm të mos propagandonte komunizmin kur erdhi fillimisht në pushtet; ai fliste vetëm për paqe, dhe kur bëri paqe me gjermanët pak muaj pasi mori pushtetin, u bë shumë popullor. Por, e dini, në zgjedhjet për ansamblenë popullore që u mbajtën në nëntor 1917 kur bolshevikët ishin tashmë në pushtet, ata morën vetëm një të katërtën e votave. Nuk kishin mbështetje të gjerë në vend, dhe aq sa mbështetje kishin, e kishin prej platformës së paqes dhe jo komunizmit. Shumica e publikut ishin për socializmin – për parti të rregullta demokratike socialiste që nuk ishin në favor të diktaturës dhe eleminimit të pronës private e kështu me radhë. Socialistët kishin shumicën në zgjedhjet e përgjithshme.

Pra mund të thoni që komunizmi iu imponua Rusisë dhe pjesës tjetër të botës?

Lenini kish një synim shumë të qartë, por ai e dinte që nuk mund të krijonte një Rusi komuniste pa e përhapur komunizmin në gjithë botën, prandaj lindi ideja e tij për të përhapur komunizmin, fillimisht përmes Europës, dhe më pas në pjesën tjetër të botës. Ai e dinte që komunizmi vetëm në Rusi nuk mund të funksiononte. Mao Ce Duni në Kinë lartësoi si Leninin, edhe Stalinin, më pas komunizmi nisi në Korenë e Veriut, Kubë e kështu me radhë, por nuk u bë asnjëherë një fenomen mbarëbotëror.

A do të kish patur luftë të ftohtë me Amerikën në gjysmën e dytë të shekullit 20?

Jo, nuk do të kish patur Luftë të Ftohtë. Kjo e fundit ishte rezultat i dëshirës së komunistëve për të përhapur komunizmin kudo në botë – dhe në mënyrë të veçantë, të mposhtnin SHBA si rivalin e tyre kryesor. Dua të them, para revolucionit bolshevik, marrëdhëniet mes Amerikës dhe Rusisë ishin shumë miqësore. Mendoj se pa revolucionin marrëdhëniet do të kishin qenë po aq të mira, sa kishin qenë të paktën që nga shekulli 18.

Pra, sipas mendimit tuaj, Rusia në përgjithësi do të kish qenë një vend më i mirë pa komunizmin?

Mendoj se Rusia po zhvillohej shumë mirë para Luftës së Parë Botërore. Kishte problemet e saj – për shembull kish shumë fshatarë dhe jo tokë të mjaftueshme, por këta probleme mund të ishin zgjidhur. Kur partia bolshevike erdhi në pushtet, ata i acaruan të gjithë këta probleme në vend që t’i zgjidhnin.

Dhe a do të ishte Rusia më mirë sot nëse revolucioni bolshevik nuk do të kish ndodhur?

Do të kish qenë shumë më mirë, sipas këndvështrimit tim. Mentaliteti i njerëzve do të kish qenë ndryshe. Mendoj se rusët sot janë shumë konfuzë për atë se kujt i përkasin. Nuk ndihen që i përkasin Perëndimit, por nuk i përkasin as Lindjes, kështu që janë të izoluar. Pa atë revolucion bolshevik që u tha për 70 vite se janë popull unik dhe se janë e ardhmja, do të ishin akomoduar shumë më mirë në botën e sotme. / BBC History – Përgatiti: bota.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY