“Dinakëria” domethënëse e ministrit…, të qeshur dhe tinëzar

“Dinakëria” domethënëse e ministrit…, të qeshur dhe tinëzar

174
0
Shares
Nga Carloalberto Rossi

Misioni ishte i vështirë, për të mos thënë i sikletshëm: të shkosh në Shqipëri, i ftuar nga një qeveri që para pak muajsh ka hequr Ministrin e Brendshëm, i cili mbështetej prej kohësh nga misioni diplomatik dhe teknik italian në vend, nën peshën e akuzave për bashkëpunim me narkotrafikun—akuza, madje të dala pikërisht nga dokumentet gjyqësorë të Italisë—dhe të kesh në dorë informacione që “tregojnë”, edhe një herë tjetër, se qeveria shqiptare po lufton me të vërtetë kultivimin e kanabisit.
Pra, të mbështesësh publikisht, me të dhënat e marra nga misioni i Guardia di Finanza, të njëjtat argumente që në të shkuarën e afërt i kishin deklaruar disa funksionarë të vetë Ministrisë së tij, pavarësisht se lajmet e përditshme të kronikës i bënin ato të pambështetshme.
Një budallallëk mund të thuhet një herë, por ta thuash për herë të dytë rrezikon shumë, mbi të gjitha kur flet institucioni e jo individi – dhe këtu fliste Ministri i Brendshëm i Republikës së Italisë, jo ndonjë punonjës i çfarëdoshëm, i parëndësishëm i gjendur rastësisht në një mision ndërkombëtar.
Por Marko Miniti, aviator nga një dinasti aviatorësh, është dikush që e ka kaluar gjysmën e jetës së tij politike duke drejtuar ose kontrolluar strukturat e sigurisë kombëtare, ato që sot bëjnë politikën e jashtme dhe në fund të fundit edhe diplomacinë. Paraqitja e rezultateve të fluturimeve ajrore të antidrogës ishte një rast që aviatori Minniti nuk mund ta humbiste, edhe për të treguar edhe një herë se ai është në gjendje të manovrojë ato patatet e nxehta që jeta i shfaq shpesh përpara një njeriu të qeverisë.
Eksperienca politike, zanat i inteligjencës dhe kulturës diplomatike i shërbyen më së miri qëllimit, pavarësisht rrëfenjës dhe skenografisë të organizuara për ta bërë të thoshte diçka tjetër.
Përpara një platea të madhe policësh dhe diplomatësh, e mbajtur në gatishmëri për gati gjysmë ore në pritje që Ministri Miniti të përfundojë takimin e tij me Presidentin Meta, del një gjeneral i Guardia di Finanza që shpalos me saktësi dhe detaje shifrat e kontrolleve ajrore, duke dhënë rezultatet për çdo vit, por, ndryshe nga ata që ishin në vendin e tij një vit më parë, rezultatet i shpreh në shifra plantacionesh të zbuluara – janë 304 në 2013, 815 në 2014, 1368 në 2015 dhe në vitin 2016 “vit rekord”, thekson Gjenerali, “janë zbuluar 2086 plantacione”.
Ndërsa, këtë vit tendenca është përmbysur, vetëm 90 plantacione. Por ndërkohë, mu përpara atij që në vitin 2016 thoshte se problemi nuk ekziston, Gjenerali e përfundon detyrën e tij, duke konfirmuar, në fakt për herë të parë, rritjen e padiskutueshme.
Pas tij, e ka radhën Komandanti i Përgjithshëm i Guardia di Finanza, i cili hap një tjetër kapitull të dhimbshëm, atë të trafikut dhe të sekuestrimeve në Itali, nga 12 tonë në vitin 2016 në 33 tonë gjatë këtij viti, dhe pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi: problemi juaj nuk ka mbaruar, bëtë mirë që ndaluat prodhimin, por lufta vazhdon, tani duhet të ndaloni trafikimin edhe të asaj që keni në magazinë.
Në këtë pikë i takon të ftuarit të nderit, i cili, i qeshur dhe tinëzar, fillon me këngën e vjetër të emocioneve që ka ndjerë në rrugën e aeroportit ku gjithçka kishte ndryshuar, që tregon se kur do mund të bësh gjëra. Pastaj me fjalë prej babai u drejtohet shumë policëve të rinj “ju ishit fëmijë” për të theksuar të drejtën e tij për të folur dhe përvojën e tij të padiskutueshme, dhe lavdërimin e zakonshëm për bashkëpunimin ndërkufitar dhe sukseset e përbashkëta.
Ndokush në sallë, ose më mirë në regji, mendonte me vete që edhe kësaj herë italianët u përdorën, kur, me një mjeshtëri në rritje, mbërriti goditja e papritur.
“Tani duhet të godasim trafikantët, organizatat e mëdha që drejtojnë trafikun, duhet të godasim të paprekshmit, sepse në Itali, në Shqipëri dhe në Evropë nuk ka të paprekshëm. Mendoj që ky është një objektiv i rëndësishëm për të cilin duhet të punojmë bashkërisht”.
Dhe duke njoftuar, ose ndoshta për dikë duke kërcënuar, që i gjithë sistemi italian, nga policët tek gjyqtarët do të jetë i përfshirë në këtë çështje.
Në fund lë edhe detyra shtëpie, duke treguar tre sfida të mëdha për të cilat duhet “një bashkëpunim ndërkombëtar i plotë dhe i vetëdijshëm”, narkotrafiku, emigracioni i paligjshëm dhe terrorizmi.
Pas tij homologu shqiptar Xhafaj nënvizon se pas lulëzimit të kanabisit në vitin 2016, të ndodhur ndoshta nga “euforia ose nga paaftësia”, ka nisur shfarosja që në mars 2017 që ai kishte premtuar, e sot tregon se e ka bërë, dhe betohet se, me ndihmën e italianëve, do ta bëj edhe në të ardhmen.
Pas duartrokitjeve, Minniti ka ende kohë për të takuar Bashën, i cili në mënyrë të matur nuk komenton.
Pra, fajin duhet ta mbajë Tahiri, dhe ndoshta ndonjë tjetër që, pavarësisht deklaratave të paqëndrueshme të shtypit të regjimit, nuk gjendet në sallë dhe që, për shkak të shtyrjes së papritur të vizitës nga Miniti, as nuk e ka takuar për foton e zakonshme.
Duket se i duhej të largohej për në Marok, një tjetër vend i madh prodhues i kanabisit, për një nga ato konferencat e organizuara nga organizata joqeveritare, ndoshta për të dhënë mësim se si luftohet dukuria.
Sigurisht, nëse ai do të ishte i pranishëm në sallë ashtu sikurse shumë do të kishin dashur, efekti do të kishte qenë një tjetër, dhe mbi të gjitha më pak i besueshëm, por pikërisht për këto gjëra Marco Miniti konsiderohet një dhelpër.
Në orën tetë të darkës këngëtarët e Rilindjes ende nuk gjenin fjalët, ndërsa nga ana tjetër e bulevardit, dhe jo vetëm aty, dikush po hapte shampanjën. Exit.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY