AGRON GJEKMARKAJ/ Akademisë me dashuri! I Juaji Edi Rama

AGRON GJEKMARKAJ/ Akademisë me dashuri! I Juaji Edi Rama

200
0
Shares
Agron Gjekmarkaj

Kryeministri Edi Rama po sillet me Akademinë e Shkencave pak a shumë si me nëndetëset sovjetike  të mbetura në bazën e Vlorës, të cilat përfunduan për skrap. Ky institucion nuk ka një histori të lavdishme, paçka se pjesë e tij kanë qenë e janë edhe emra të famshëm. Në çdo debat, sapo ndonjë këndvështrim kritik tenton të hyjë në zyrat me myk dhe lagështirë të ish-Pallatit Mbretëror, (ambient ku ndaj Mbretit është hedhur baltë e mynxyrë ideologjike pa grat duke ia blurur imazhin padrejtësisht) menjëherë si ledh mbrojtës të nxjerrin emrat e Eqrem Çabejt, Ismail Kadaresë apo të ndonjë tjetri, a thua se ata u bënë ata që janë se të tillë i bëri ajo Akademi!

Qysh në themelim, në vitin 1972, ajo ishte një kopje e strukturave të ngjashme në vendet e lindjes të kampit sovjetik. Ajo është përdorur nga regjimi komunist si instrument i drejtpërdrejtë propagande me institutet e veta të Gjuhësisë, Letërsisë, Folklorit etj. Detyrë parësore kishte që të shndërronte në ngjarje shkencore apo kulturore të gjitha vendimet e Enver Hoxhës dhe të Byrosë Politike.

Në këtë kontekst është ballëlarte, se e ka përmbushur misionin për 18 vite me radhë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse aty ka pasur dhe ka ende sot intelektualë të spikatur, të cilët i kanë dhënë dijes dhe kulturës kontribute të vyera. “Akademia e Shkencave” ka një jetë të segmentuar 18 vite në diktaturë dhe 27 në demokraci. Në kohën e saj të parë ka qenë aktive në shërbestari politike dhe në shumicë e kompozuar nga persona me biografi të certifikuar dhe besnikë të Partisë.

Pas vendosjes së pluralizmit, me të njëjtët njerëz, përjashto pak raste kompromisi dhe përshtatjeje, Akademia u shndërrua në një organizëm apatik, anemik, pa ide, e cila ngjan si një strehë sociale, paksa më gazmore se të tjerat, për pensionistë të dalluar. Rezultatet e saj janë folklorike. Përpjekjet për ta reformuar atë kanë dështuar me sukses, sepse s’kanë qenë të vërteta dhe kurrë s’kanë synuar modernizimin dhe pavarësimin e këtij institucioni, po lënien e tij në varësi të pushtetit, sikur të ishte Ndërmarrja e Gjelbërimit të Bashkisë.

Zakonisht, mbështetjen për të mbetur “e paprekur” Akademia e ka pasur nga “E majta” për lidhje njerëzore, por edhe për nostalgji ndaj së kaluarës. Tentativat e dështuara të qeverive Meksi- Berisha për të trokitur në zhguallin e saj u politizuan, u konsideruan revansh, sepse edhe ata nga ana e tyre kërkonin në thelb zëvendësimin e drejtuesve me njerëz nën kontroll dhe jo ndryshimin e mentalitetit dhe frytshmërinë e asaj binaje. Tani, siç mund të thuhet në një formë nëndialektore “akademisë çi panë sytë” pikërisht nga djali “tënë” Edi Rama, të cilin shumica e tyre e kanë votuar plot besë e shpresë, plot dlirje shpirtërore, të bindur që rrogat deri në fund i kanë të sigurta, si ajrin që thithin.

Duke përfituar nga dy letra publike të Filozofit shqiptar me autoritet ndërkombëtar, Artan Fuga, i cili kërkonte reformim dhe përshtatje me bashkëkohësinë, Kryeministri kapi në ajër momentin për t’u hequr kotheren dhe koromanen akademikëve, e ndoshta së shpejti edhe godinën, pa e futur veten në andralla për ta “rilindur” edhe Akademinë si ambulancën e Kamzës.

Frika është se Rama ndihet vetë kryetar akademie, rrethuar me akademikë si Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Damian Gjiknuri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Blerina Gjylameti, Ogerta Manastirliu, Eduart Shalsi, etj. dhe e sheh si të tepërt institucionin, i cili mban vulën për ziafete shkencore. Ai me gjasë nuk do konkurrencë në punë diturie dhe po piloton mbylljen e saj, a thua se kjo është e barabartë me “Zërin e Popullit”!

Nuk do të çuditej askush nëse një ditë godina modeste, por e bukur, e Akademisë do të shndërrohej në një akçihane ose bujtinë e kuruar nga Auron Tare, i pajisur ky, me dije të larta historike që nga moti i kadetllekut. Aroma e gjellëve mund t’u çajë hundën kalimtarëve të Pedonales, të cilët gjithë neps mund të planden mbi shilte, duke e bërë barkun lodër dhe syrin cakërr nga rakia e zier dy herë!

Ai mund të ndërtojë aty një pavijon dhe plot larushi ta zbukurojë atë me patkonj të ndryshkur, furka, vozga, sheka djathi, qeleshe, samarë me kashtë, brekët e Sulejman Pashë Bargjinit, poturet e Haxhi Qamilit, syzet e Foto Çamit, pisqollat e babë Myslymit, librat e Nexhmijes, trofetë dhe dyfekët e Sigurimit të Shtetit e plot ojna të tjera gjithësa nëse nuk merret vendimi për të bërë aty “Bunk’Art 3″.

Fati i akademikëve mbetet i paqartë! Ata mund të strehohen përkohësisht te parkingu i nëndheshëm në sheshin “Skënderbej”, duke përfituar nga këndellja e Erjon Velisë për veprat e tyre, te parku i lodrave, ose te Kulla e stadiumit, nga ku mund të bëjnë punë shkencore të motivuar nga tifozllëku plot zjarrmi.

Përtej atmosferës humoristike që krijojnë reagimet e Kryeministrit, mbetet shqetësim preokupues sjellja e tij totalitare në raport me institucionet e arsimit dhe kulturës, i cili vendimet i merr për interesa personale e jo publike dhe, mbi të gjitha, për humore personale që i japin argëtim e gaz teksa akademiket rënkojnë. Nuk mjafton për të justifikuar këtë thënia që qarkullon këto dite se mirë t’i bëhet Akademisë se ajo virane e gjeti nga “i veti”! Kjo që po ndodh meriton të quhet “letër Akademisë me dashuri, nga i Juaji Edi Rama”!

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY