Dhoma Amerikane ka dorëzuar komentet e saj për paketën fiskalë në Ministrinë e Financave, bënë të ditura burime nga kjo e fundit.
Dy janë vërejtjet kryesore të Dhomës: Së pari po i lihet hapësirë të madhe Këshillit të Ministrave përmes VKM-ve, sidomos për uljen e kufirit të TVSH-së dhe taksën e pronës dhe së dyti paketa nuk ka nxitës realë për biznesin. Dhoma mendon edhe se kalimi i taksës së pasurisë mbi bazën e vlerës së tregut është i parakohshëm.
Ajo tërheq vëmendjen edhe për mospërfshirjen e uljes se tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi të ardhurat personale, pavarësisht premtimit të qeverisë.
I lihet shumë hapësira KM, kufiri TVSH-së të përcaktohet me ligj
Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtaret e Dhomës janë të mendimit qe këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave.
Sipas nenit 155 të Kushtetutës se Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj”. Më tej, sipas nenit 118 të Kushtetutës, “Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”.
Si në rastin e dispozitave të projekt-ligjit për ndryshime në ligjin për TVSH, tek projektligji për ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat si dhe tek projektligji për ndryshime në ligjin për taksat vendore, autorizohet Këshilli i Ministrave që të përcaktojë “kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin” e dispozitës ligjore. Por asnjë nga projekt-ligjet nuk parashikon parimet mbi bazën e të cilave do të nxirret akti nënligjor nga Këshilli i Ministrave. Kjo gjë sjell si pasojë lënien e një fushe veprimi të gjere për Këshillin e Ministrave për të përcaktuar çfarëdolloj kushti apo kriteri për tatimpaguesit qe të detyrohen të paguajnë një tatim apo të përfitojnë lehtësira tatimore.
Ne opinionin e anëtareve të Dhomës, ligji duhet të përcaktoje qarte detyrimin tatimor duke përcaktuar qarte dhe pa ekuivokë si bazën e tatueshme ashtu edhe normën tatimore. Aktet nënligjore do të duhet me tej të specifikojnë detaje apo japin sqarime, por jo të vendosin elemente tepër llogaritjes se detyrimit tatimor.
Shembulli tipik është autorizimi i Këshillit të Ministrave për të vendosur kufirin e regjistrimit në TVSH. Dhoma mendon se kufiri i regjistrimit duhet të caktohet në ligj (qofte në një shume të përcaktuar apo një segment ku parashikohet një shume minimale dhe maksimale, brenda të cilit mund të vendose Këshilli i Ministrave). për me tepër , ligji duhet të përcaktoje në mënyre specifike cilat janë rastet e përjashtimit nga detyrimi për regjistrimin në TVSH apo cilat janë kategoritë e veçanta ku kufiri minimal i regjistrimit mund të jetë i ndryshëm.
Shembull tjetër është autorizimi i Këshillit të Ministrave qe të përcaktoje me vendim “aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit të software-ve si dhe procedurat për zbatimin e nenit qe lidhet me normën e reduktuar të tatimit mbi fitimin”.
Ashtu siç është formuluar kjo dispozite, është e paqarte se ku do të bazohet Këshilli i Ministrave për të përgatitur listën e aktiviteteve qe përfitojnë nga përjashtimi dhe çfarë procedurash do të rregulloje. Ligji duhej të sanksiononte listën e aktiviteteve sipas Nomenklaturës se Aktiviteteve Ekonomike të cilat do të përfshiheshin në këtë incentiv.
Se fundmi, në projektligjin për taksat vendore lihet e hapur për t’u përcaktuar nga Këshilli i Ministrave miratimi i “metodologjisë për përcaktimin e vlerës së tatueshme të pasurisë së paluajtshme – ndërtesa”, por në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të sipërpërmendura nuk parashikohet asnjë parim ku do të bazohet Këshilli i Ministrave për miratimin e metodologjisë.
Ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH
Ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH, sipas Dhomës, duhet të ketë parasysh parimet e mëposhtme:
(a) lehtësimi i procedurave të deklarimit të TVSH nga bizneset e vogla me deklarime tre-mujore, heqje gjobash për vonese në deklarim etj. si dhe
(b) mos futja në TVSH e bizneseve shume të vogla.
Shqetësim për anëtaret tanë përben kapaciteti i administratës tatimore (dhe sistemit e-tax) për menaxhimin e një numri të madh subjektesh në TVSH. Kostoja e administratës për menaxhimin dhe kontrollin e këtyre subjekteve duhet të justifikohet me të ardhurat qe ata do të sjellin në buxhet. Shqetësimi tjetër ka lidhje me faktin se fokusi i administratës tatimore nuk duhet të zhvendoset tek tatimpaguesit e vegjël pasi demi me i madh në buxhet shumicën e rasteve behet nga të mëdhenjtë.
Nga ana tjetër, iniciativa në uljen e kufirit të TVSh duhet të shoqërohet me masa të tjera në kuadrin e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimin mbi fitimin. për shkak të ndryshimeve thelbësore në procedura dhe barre tatimore ndërmjet këtyre dy lloj tatimeve qe ndahen tek xhiro vjetore 8 milion Leke, ka një shtytje të kuptueshme të subjekteve qe të qëndrojnë nen kufirin prej 8 milionë Leke (përfshire këtu hapjen dhe mbylljen e Nipteve për të njëjtin aktivitet).
Sugjerimi ynë është qe ministria të propozoje ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe atë për taksat vendore qe të vendose një mënyre dhe mase tatimi qe iu lejon këtyre bizneseve të vogla formalizmin e tyre pa barre fiskale të ekzagjeruar. Në këtë këndvështrim, duhet të trajtohen veçmas aktivitetet e shitjes se mallrave dhe ato të shërbimeve për arsye se tek ofrimi i shërbimeve, xhiro prej 8 milionë është me pranë fitimit neto të subjektit ndërsa në rastin e shitjes se mallrave, pjesën me të madhe të xhiros e zë vlera e shitjes se mallrave (dhe jo marxhi i fitimit).
Pra, duke i mbetur filozofisë se kush fiton (jo qarkullon) me shume paguan me shume, klasifikimi i biznesit të behet në baze të fitimit. Kjo e shoqëruar me lehtësim të raportimit/ dokumentimit për bizneset me xhiro të vogël. Duke u tatuar fitimi dhe jo xhiro do të ketë efekt edhe në kërkesën me të madhe për të dokumentuar lëvizjet e mallrave dhe uljen e presionit për të fshehur të ardhurat/qarkullimin.
Njohja e shpenzimeve të zbritshme për individët
Përfshirja në shpenzime të zbritshme për qëllime të te ardhurave personale (vjetore) të me shume shpenzimeve, përgjithësisht ato lloj shpenzimesh për të cilat të ardhurat zakonisht shkojnë të pa tatueshme nga ofruesit e këtyre shërbimeve (p.sh. shërbimet dentare dhe shëndetësore, riparimet e automjeteve, kurset trajnuese ose kurseve jashtëshkollore, qirasë se shtëpive etj.) . Rimbursimi i tatimit për këto lloj shpenzimesh do të zëvendësohej në buxhet nga tatimi qe do u merrej furnizuesve.
Futja e taksës se pasurisë se paluajtshme mbi bazën e vlerës se tregut
Taksimi i pasurive të paluajtshme mbi baze vlere tregu të pasurisë dhe jo mbi baze fikse është i parakohshëm. Niveli dhe standardi i jetesës është shume i ulet krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku aplikohet takse si përqindje mbi vlerën. Do të rendonte shume buxhetin familjar të një familjeje shqiptare duke ulur nivelin e konsumit dhe do të ketë impakt negativ në ekonomi.
Përpara se të ndërmerren hapa të tille duhet të analizohet një here standardi i jetesës dhe mundësia për ta përballuar nga një qytetar shqiptar. në anën tjetër vendi ynë vijon të ketë probleme të theksuara me pronën ku shume prona janë të paregjistruara, pa-legalizuara, janë të zaptuara etj. Duhet të zgjidhen njëherë ngërçet e krijuara nga ligji i pronës dhe pastaj të kalohet tek taksimi i saj.
Sugjerojmë qe taksimi i pasurive të paluajtshme të vijoje të jetë mbi baze fikse i cili serish është i drejte sepse bazohet në sipërfaqen qe çdo pronar zotëron. Shteti duhet t’i krijoje mundësi rezidenteve përmes punësimit, zgjidhjes se problemeve me pronën dhe rritjes se standardit të jetesës përpara sesa të kërkojë të vjele prej tyre.
Mospërfshirja e uljes se tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi të ardhurat personale
Pavarësisht premtimit të qeverise shohim se Paketa Fiskale 2018 nuk përmban ndonjë dispozite për uljen e tatimit mbi dividendin si dhe uljen e tatimit mbi të ardhurat personale. është tashme e pranuar nga të gjithë qe ulja e këtyre dy normave do të jepte një efekt pozitiv në rritjen e investimeve dhe trajtim me të favorshëm të punëmarrësve. Monitor
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/