Deputetët e Kuvendit, kush fiton më shumë nga puna, qiratë, bizneset apo...

Deputetët e Kuvendit, kush fiton më shumë nga puna, qiratë, bizneset apo të ardhurat e bashkëshortëve

142
0
Shares
Foto Arkiv

Zyrtarët janë shpesh në qendër të vëmendjes dhe kontrollit të pasurisë së tyre për shkak të funksioneve publike që kryejnë. Open Data Albania publikoi Renditjen e Deputetëve të Kuvendit sipas vlerave, për të ardhura të deklaruara për vitin 2016. Por kush kryeson në listën e atyre që kanë siguruar më shumë të ardhura nga puna, qiratë, investimet, trashëgimia apo të ardhurat e bashkëshortëve?

Të ardhurat nga puna
Sipas deklarimeve për të ardhura nga puna dhe angazhimet profesionale, Deputeti më i paguar njësoj si një vit më parë 2015 edhe për vitin 2016 kryeson listën deputeti Anastas Angjeli, ish-ministër i Financave i cili ka të ardhura nga Kuvendi në vlerën rreth dy pikë pese milionë lekë, dhe të ardhura nga mësimdhënie në universitete jo publike rreth dy pike nëntë milion lekë. Lista pasohet nga Liljana Elmasi dhe Eleina Qirici dy zonja deputete gjithashtu pjesë e angazhimit në universitete publike. Në raportimin me vetëdeklarim për të ardhurat nga paga bie në sy që deputetët bëjnë deklarime të ndryshme për të njëjtin pozicion. Ky ndryshim përkon me vetë deklarimin si pagë të disa bonuseve dhe shtesave në pagën e deputetit, bonuse dhe shtesa që nuk i nënshtrohen të njëjtit regjim të tatimit mbi të ardhurën sikurse paga.
Njëqind e pesëmbëdhjetë deputetë kanë deklaruar se kanë të ardhura nga paga dhe shpërblime të punës vetëm për funksionin e deputetit. Ndërsa pjesa tjetër kanë dhe të ardhura nga paga dhe shpërblime edhe në detyra të tjera kryesisht pranë institucioneve të edukimit universitar.
Vetëm dhjetë Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë deklarojnë se kanë përfituar bonuse në vitin 2016, kjo sepse një pjesë e deputetëve të ardhurat nga bonuse i deklarojnë të përfshira në të ardhura nga paga dhe shpërblime. Kategorizim i gabuar ky pasi të ardhurat nga paga dhe të ardhurat nga bonuset dhe shpërblimet nuk kanë të njëjtën normë taksimi mbi të ardhurën personale. Vlerën më të madhe të të ardhurave nga bonuse e ka deklaruar Bujar Kllogjri.
Janë nëntë deputetët që deklarojnë Të ardhura si Këshilltar apo Anëtar Bordesh për vitin 2016. Vlerën më të lartë e ka përfituar po Anastas Angjeli nga anëtarësia në Akademinë e Shkencave, me pesëqind e dhjetë mijë lekë.

Të ardhurat nga interesat dhe depozitat bankare
Të ardhurat nga interesa nga depozita bankare, letra me vlerë dhe obligacione është një tjetër formë përfitimi të ardhurash. Janë tridhjetë e dy deputet që deklarojnë të ardhura të vitit 2016 nga ky burim. Deputeti që kryeson këtë kategori të të ardhurave është sërish edhe për këtë vit Ben Blushi, i cili deklaron të ardhura nga obligacione në vlerën një milion e nëntëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e dyzet e tre lekë. Të ardhurat nga obligacione të deputetit Ben Blushi në vitin 2016 janë 23% më të ulëta se një vit më parë 2015, pasi më gusht 2016 ai ka shitur obligacione në vlerën njëzet e nëntë milion lekë.
Zoti Kozma Dashi dhe zoti Genc Ruli pasojnë listën, ku në të dy rastet forma e titujve të pronësisë është edhe përmes fondeve të investimit. Nuk janë konsideruar në këtë kategorizim interesa nga tituj kreditimi në emër të bashkëshortëve dhe familjarëve, kategori të ardhurash të konsideruar më një renditje të veçante.

Të ardhura nga qiratë
Tridhjetë e tetë deputetë të Kuvendit përfitojnë të ardhura nga qiratë.
Deputeti që ka përfituar më shumë të ardhura nga qiratë është këtë vit Astrit Veliaj me rreth tridhjetë pikë një milionë lekë.
Artan Gaçi dhe Pirro Kopurani gjithashtu kanë përfituar një vlerë të konsiderueshme si të ardhura nga qiratë. Tek të ardhura nga qiratë nuk janë konsideruar të ardhura të bashkëshortëve për këtë kategori përfitimi pasi këto shtesa pasurie janë konsideruar tek një grupim renditës më vete.

Të ardhura nga bizneset
Tek kategoria të ardhura nga biznese dhe sipërmarrje rezulton deputeti Tom Doshi në krye të listës me njëqind e tridhjetë e katër milionë lekë të ardhura nga bizneset, vlerë kjo rreth 17% më e lartë se një vit më parë. Po në rastin e deputetit Doshi kemi edhe deklarime të tjera për shtesa pasurie tek disa kontrata për transferim të të drejtave pasurore, të cilat megjithëse nuk janë specifikuar mirëfilli si biznese, kanë element të sipërmarrjes ekonomike.
Këtë kategori shtese apo ndryshimi pasuror e kemi renditur si ndryshime pasurore “Të Tjera” pa vlerësuar dot se sa është e ardhura vjetore nga ky tjetërsim kundrejt konvertimit apo tjetërsimit të pasurisë. Eduard Selami deklaron të ardhura ne vlerë dyzetë e tetë mijë e pesëqind dollarë amerikan nga një biznes në SHBA dhe Bujar Derveni deklaron të ardhura nga dividentë në dy kompani prej tre milion lekë. Të tjerë deputet kanë të ardhura të sipërmarrjeve, bizneseve dhe ndarje e dividendëve, por ato janë të kategorizuara si të ardhura të personave të familjes.

Trashëgimi dhe e drejta e autorit
Tre deputetë kanë përfituar nga çelje trashëgimie gjatë vitit 2016. Edmond Spaho ka përfituar nga babai një apartament banimi me sipërfaqe 64 m2, dyzetë piktura dhe një depozitë bankare në vlerën katërqind e dyzet e tre mijë e dyqind lekë. Shiko tabelën dhe grafikun vizalizime ne artikull.
Publikimet dhe e Drejta e Autorit, janë një tjetër mënyrë përfitimi të ardhurash. Ben Blushi kryeson listën e kësaj kategorie me tre milion lekë, të ardhura nga pagesa për të drejtën e autorit nga Universiteti Europian i Tiranës UET. Ndryshe nga një vit më parë kryeministri njëkohësisht deputet mban vendin e dytë në renditje me një milion e dyqind e tetëdhjetë e gjashtë lekë. Dashamir Shehi, Anastas Angjeli dhe Mimoza Hafizi ndodhen gjithashtu në këtë listë.

Të ardhurat e bashkëshortëve
Renditja e deputetëve sipas të ardhurave më të larta të personave të familjes, kryesisht bashkëshortë apo bashkëjetues e kryeson zoti Anastas Angjeli, pasi zonja Greta Angjeli ka siguruar gjatë 2016 të ardhura vetëm nga punësimi pranë AAEF (Albanian American Enterprise Fund) në vlerën njëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë dollarë. Familja Angjeli kryeson në renditjen sipas kategorisë të ardhura nga persona të familjes së deputetit, pasuar nga familja Ruci, familja Berisha dhe familja Tafaj.
Sa i takon pagave për bashkëshortët apo bashkëjetues, lista e kryesuar nga zonja Angjeli pasohet nga bashkëshortja e deputetit Tom Doshi zonja Xhovana Doshi , dhe pason me zotin Florion Mima për shkak të pagës së zonjës Greta Mima, me zotin Parid Cara si bashkëshort i zonjës Lorenza Pietra Benati. Zonjat Mucmata dhe Gjiknuri lënë pas zonjën Linda Rama. Në renditje sipas të ardhurave të bashkëshorteve të deputetëve Kryeministri mban renditjen me numër shtatë.

Shitje asetesh
Gjithashtu janë një grup veprimesh si shitje asetesh të kompanive nën zotërim, kalim të drejta pronësie, rivlerësim prone, legalizime, rimbursime dëmi, shkëmbime pronash të cilat megjithëse krijojnë shtesa pasurie apo ndryshime pasurore nuk reflektohen qartë se në cilën pjesë janë konvertim i një pasurie nga një formë në tjetrën, e në secilin rast janë të pasuri shtesë me efekte të tatueshme. Për këtë arsye këto kategori ndryshimesh janë vendosur tek kategoria “të tjera” ku spikatin deputetët Doshi, Veliaj, Ylli, Tavo, Kapurani, Bitri, Kryemadhi. Po në këtë kategori janë vendosur disa dhurime pronash ku jepet një përshkrim i pronës pa specifikuar vlerën e regjistrimit apo vlerën e tregut të saj. Këto të ardhura janë kryesisht hyrje që vinë nga shitja e pasurive apo detyrime të tjera kontraktore dhe për të cilat në të shumtën e rasteve nuk mund të identifikojmë vlerën monetare të gjeneruar apo fituar, kundrejt thjesht konvertimit apo tjetërsimit të pasurisë së mëparshme. Njëzetë e pesë deputetë kanë gjeneruar të ardhura (hyrje në llogari) nga kjo kategori. Këtu mund të kategorizojmë edhe një kontratë shitje pasurie me vlerë gjashtëqind mijë euro, deklaruar nga Shkëlzen Berisha, person në detyrim për deklarim si bij madhor i ish kryeministrit Berisha. Kjo është një kontratë për tjetërsim pasurie nga pasuri e patundshme në pasuri aset monetar.

Të ardhura nga gjyqet
Dy deputetë të Partisë Socialiste Namik Dokle dhe Asllan Dogjani kanë përfituar të ardhura nga një Vendim Gjyqësor ku ata kanë paditur institucionin e Kuvendit për ndalesa nga paga gjatë ushtrimit të detyrës së deputetit mandati i mëparshëm (përpara vitit 2013). Këtë vendim e kanë fituar edhe të tjerë deputet socialist të cilët kanë preferuar ta deklarojnë së bashku me pagën. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY