INTERVISTA/ Ish-agjenti i Antidrogës: Ja si u largua me dhunë nga postblloku...

INTERVISTA/ Ish-agjenti i Antidrogës: Ja si u largua me dhunë nga postblloku i policisë “Audi A8” i Habilajve, na kërcënuan shanë dhe ofenduan

279
1
Shares

Antonio Nazeraj ka qenë për 8 vite oficer i Antidrogës së Fierit. Në një rrëfim të gjatë për “Gazetën Shqiptare” ai flet për përplasjen që pati me Habilajt e famshëm të Vlorës dhe se si jeta dhe karriera e tij mori tatëpjetë që atëherë. Nazeraj rrëfen për “GSH” sekretet e skemës së kultivimit të drogës, farërat që sipas tij vinin nga qendra e policisë në Tiranë nëpër komisariate dhe më pas u shpërndahej organizatave dhe kultivuesve, përqindjet që merrnin shefat e policisë, etj.
Ai flet për incidentin në fillim të vitit 2014, kur ai dhe efektivë të tjerë ndaluan Audin A8 “AA 003 GB” në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Sipas Nazerajt, ata kundërshtuan kontrollin e makinës dhe pas atij rasti ai u transferua në Lushnje.

Antonio Nazeraj

Z. Nazeraj, ju jeni një nga agjentët e antidrogës së Drejtorisë Fier prej shumë vitesh, por u arrestuat, dënuat, liruat, e më pas largu nga vendi, çfarë ka ndodhur?
Unë kam punuar në Drejtorinë e Policisë Fier, për rreth tetë vjet, dhe pikërisht te zyra e antidrogës. Për tetë vjet kam qenë oficer i kësaj zyre, nga viti 2006 deri në korrik të vitit 2014, deri me 17 korrik kur dhe jam arrestuar.

Ç’ndodhi me ju, si nisi ngjarja që përfundoi më arrest?
Ne kemi pasur në muajt e parë të vitit 2014, një plan masash për kontrolle dhe postblloqe, kryesisht në autostradën Levan – Tepelenë, duke kryer çdo ditë shërbime, por ne oficerëve na binte që një herë në dy-tre ditë të ishim në postblloqe.

Ishte një plan i miratuar nga eprorët tuaj?
Po, patjetër, ishte plan i miratuar. Po ishte hartuar nga drejtoria dhe në këto postblloqe dilte vetëm sektori kundër krimit të organizuar.

Ç’ndodhi gjatë këtyre shërbimeve, zoti Nazeraj?
Gjatë këtyre shërbimeve ka qëlluar një natë, kur ne ishim në shërbim bashkë me agjentët e sektorit kundër krimit të organizuar, sepse bënim, në fakt, dy tre postblloqe me oficerë të ndryshëm. Unë kam qenë në rrugë me dy agjentë dhe një polic të komisariatit dhe kemi ndaluar një automjet, një “Audi” “A 8” AA 003 GB”.

Ku e ndaluat dhe cila ishte arsyeja e ndalimit?
Ne e kemi ndaluar në aksin rrugor Levan – Tepelenë, në afërsi të territorit, ku ndahej Mallakastra me Tepelenën. E ndaluam këtë mjet në të cilin ishin dy persona.

Arsyeja e ndalimit?
Arsyeja e ndalimit ishte kontroll i automjetit, sepse kishte dyshime për lëndë narkotike dhe kontroll të personave, të identitetit të tyre.

Dyshonit për këtë automjet?
Në përgjithësi, atje ne kishim dyshimet tona. Dhe e ndaluam. Në momentin që e kemi ndaluar, nga sa kujtoj, kanë qenë dy vëllezërit Habilaj, dhe ka pasur debat me ta, sepse nuk kanë dashur të kontrollohen nga ana jonë, të bënin kontrollin e makinës, të identitetit të tyre, nuk pranonin dhe patëm konflikt.

Ishin të shoqëruar apo vetëm?
Ishin të shoqëruar. Kanë insistuar që mjetit të tyre të mos u bëhej kontroll. Me sa kujtoj ishin të shoqëruar me dy femra. Në këtë moment duke debatuar kujtoj se na kanë kërcënuar, na kanë sharë dhe ofenduar dhe në ato momente, duke debatuar janë larguar nga pika e kontrollit, janë larguar me force.

Pa i lejuar ju?
Po, pa i lejuar ne janë larguar nga pika e kontrollit dhe më pas janë ndaluar dhe kontrolluar nga grupi tjetër, pasi u lajmëruan nga ana jonë.

Çfarë bëtë më pas, i shoqëruat apo i latë të lirë?
Më pas ka vajtur edhe grupi ynë dhe janë shoqëruar për në komisariat, automjeti dhe personat. Në komisariat kanë qëndruar rreth 10 minuta apo 15 minuta dhe me urdhër të drejtorit të policisë në atë kohë, janë lënë të lirë. Unë dhe grupi mbërritëm pak më vonë në komisariat dhe në atë moment u është dhënë urdhër që të dilnin nga komisariati dhe të liheshin të lirë. Kur unë dhe kolegët e grupit tim kemi mbërritur në komisariat, ky automjet dhe personat që ishin në të ishin në momentin e daljes nga drejtoria e policisë, duke ofenduar dhe kërcënuar punonjësit e policisë.

Çfarë kërcënimesh?
Kërcënime. Pasi këta e kanë shprehur edhe vetë se ishin njerëz të ministrit, kushërinj të tij, ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Konkretisht, cili ishte kërcënimi i tyre?
Kërcënimi i tyre, ishte se do ta shihni se çfarë do t’ju bëjmë. Do t’jua tregojmë shumë shpejt vendin se ku do të përfundoni, të gjithë ju që keni marrë pjesë në ndalimin dhe shoqërimin tonë.

Ishit njohur më përpara me këto emra, me këto persona?
Në fakt, ne jemi njohur me këtë grup të dyshuar kriminal në atë kohë, që operonte në fushën e narkotikëve, jemi njohur rreth muajit janar – shkurt 2014, nga zyra e Antidrogës Fier.

Ishit gjithë zyra e Antidrogës e njohur me këtë informacion?
Ne kemi pasur informacion për këtë grup dhe një informacion, kemi përpiluar një material dhe e kemi nisur në zyrën qendrore në Tiranë për veprime të mëtejshme.

Ku vepronte kryesisht ky grup?
Ky grup operonte në Fier dhe Vlorë, pasi kishte dhe persona me precedentë penal që operonin në fushën e narkotikëve, që ishin të territorit të qarkut tonë, që bashkëpunonin me këta persona, në fushën e narkotikëve të trafikut në drejtim të Greqisë dhe Italisë, sipas dyshimeve dhe informacioneve tona. Dhe kemi përgatitur një informacion, së bashku ne, agjentët dhe shefat, dhe kemi nisur një informacion të hollësishëm në qendër, në Tiranë, për verifikime të mëtejshme. Informacioni përbëhet nga numra telefoni, nga targa makinash, automjetesh dhe emra personash.

E keni nënshkruar ju dhe eprorët këtë informacion, që ia nisët qendrës?
Po, për këtë informacion është vënë në dijeni ish-drejtori i policisë Fier.

Ka gjurmë shkresore zyrtare ky informacion?
Po, ky informacion ka lënë gjurmë, sepse ka kaluar nga sekretaria, më pas është firmosur nga drejtori i qarkut dhe pastaj ka kaluar në zyrën qendrore në Tiranë, për të marrë dijeni, konfirmim dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme me përgjim dhe metoda speciale të hetimit.

Çfarë ndodhi pas dërgimit të këtij informacioni?
Pasi dërguam këtë informacion, pas disa ditësh, më ka marrë shefi i sektorit në telefon dhe më ka sqaruar se këta numra kanë qenë të gjithë të fikur dhe na duhej të dërgonim disa numra të tjerë.

I dërguat?
Së bashku me shefin e seksionit dhe të sektorit, kemi dërguar disa numra të tjerë, herën e parë dërguam mbi 7 – 8 numra, ndërsa herën e dytë disa numra dhe pritëm për ndonjë konfirmim për verifikim, por edhe këtë herë qëlloi e kotë, numrat sërish dolën të pa disponueshëm.

I dërgonit, sepse kërkonit ndihmë për t’i vënë në përgjim?
Arsyeja ishte sepse mendohej që nga zyra qendrore të bëhej edhe një bashkim procedimesh, por edhe për të parë verifikimin, nëse informacioni ishte i plotë dhe numrat ishin të disponueshëm.

Trafiku i drogës nuk ka nisur në 2013?
Jo, nuk ka nisur në atë kohë. Por informacion për këta ka pasur, sepse ne kontrollonim vetëm persona që ishin me gjendje civile në qarkun e Fierit…

Më keni thënë se kur dërguat informacionin për këtë persona drejtori ua ktheu për ta korrektuar, çfarë ishte kjo?
Po, informacioni kur është firmosur nga drejtori, na është kthyer mbrapsht për një verifikim të mëtejshëm, sepse kishte paqartësi.

Kishte gabime ky informacion?
Ka pasur një tentativë për të hequr këtë automjet nga informacioni, këtë targë makine, një përpjekje në mënyrë të fshehtë gjithmonë.

Pa dijeninë tuaj?
Me dijeninë time. Mendonin se ishte e panevojshme përmendja e automjetit. Deri në atë moment unë nuk e dija se në emër të kujt ishte ky automjet. Sepse informacioni ynë, më së shumti, merrej në rrugë operative dhe konfidenciale dhe më pas përpunohej e dërgohej më lart.

Konfidencialisht nuk ju thanë përse donin ta bënin këtë?
Jo, mua personalisht, jo. Unë nuk e dija, sepse nuk kisha as akses për të bërë kontrollin në sistem se kujt i përkisnin targat e automjetit.

Dërguat dy herë informacione numra telefoni e të dhëna të tjera dhe u kthyen, çfarë ndodhi më pas?
Informacioni është kthyer mbrapsht dhe është arkivuar, sepse këto numra dolën të pa disponueshëm dhe informacioni nuk ishte i saktë sipas zyrës qendrore.

Mund ta bënte dhe SHKB përgjimin?
Jo, zyra e SHKB nuk kishte akses të përgjonte grupe kriminale, ajo kontrollonte vetëm punën e policisë. Ne kemi qenë në dijeni pasi dërguam informacionin në Tiranë se ne ishim në përgjim non stop e gjithë zyra.

Përse?
Këtë e dinë vetëm ata, por ne kur kemi dërguar këtë informacion, mësuam më vonë se ky ishte automjet në emër të ish-ministrit. Kemi qenë 24 orë në përgjim nga Shërbimi Kontrollit të Brendshëm dhe ishim të kontrolluar, ishte e vëzhguar çdo lëvizje që ne bënim, kishte ardhur dhe SHKB e Tiranës dhe gjithnjë ishim nën përgjim.

Ju provokonin?
Ka ndodhur pas datës 3 maj kur është arrestuar shefi im i seksionit, Dritan Zagani, dhe dy agjentë të zyrës së Antidrogës dhe kështu ka vazhduar për rreth dy muaj me mua. Nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm që më telefononin disa herë dhe më linin takime. Pastaj me 4 maj 2014, më kanë transferuar me punë në komisariatin e Lushnjës dhe kështu kanë vazhduar në maj e në qershor, deri në datën 17 korrik 2014, datë në të cilën unë jam arrestuar.

Gjatë kësaj kohe?
Nga koha kur kemi dërguar këto informacione deri më 4 maj, kur me transferuan në Lushnjë dhe më ulën në detyrë, që ne ishim dhe gjithnjë në përgjim, dhe e çuditshme është se disa persona që ishin kontingjent dhe ishin të këtij grupi të strukturuar kriminal.

Cilit grup?
Grupit ku bënin pjesë edhe Habilajt, kemi qenë dy herë me shërbime në rrugën Levan – Tepelenë, se kemi pasur shërbime dhe në akse të tjera, rrugica, jo vetëm në rrugën nacionale, në autostradë, dhe për çudi disa nga këta persona gjenin edhe vendndodhjen tonë.

Si e gjenin vendndodhjen tuaj?
Ka pasur një rast në rrugën Fier – Tepelenë, në një restorant, ku kanë ardhur rreth 7 apo tetë veta me automjete fuoristrada, dhe kam qenë bashkë me shefin e sektorit dhe me disa agjentë dhe na ka paralajmëruar shefi i sektorit që të lëvizim të ikim dhe kemi dalë nga dera tjetër e restorantit.

Ishit në operacion?
Ishim me shërbim dhe kemi marrë mjetet tona dhe jemi larguar nga aty…

U larguat ju dhe jo trafikantët…?
Gjatë bisedës me shefin e sektorit më ka thënë që një grup i strukturuar kriminal, që kishte mbështetje të fuqishme nga lart, na kishte vënë në shënjestër për të na eliminuar fizikisht.

Me mbështetje nga lart, si…?
Me mbështetje nga qeveria dhe nga ministri i Brendshëm në atë kohë…

Ju kishte vënë në shënjestër ju, oficerëve të antidrogës…?
Po, oficerëve dhe agjentëve të antidrogës, për të na eliminuar fizikisht, kjo ka qenë biseda që kam bërë me shefin e sektorit dhe na ka lajmëruar disa herë që, kur të shkonim në banesa të shmangnim rrugicat, të shmangnim errësirën, dhe gjatë gjithë kohës që ishim me shërbim të rrinim bashkë, dhe të mos ndaheshim nga njëri-tjetri, por të bënim kujdes, pasi ishim në rrezik për sigurinë tonë.

Kishit këto informacione dhe nuk kishit mundësi që këtë grup ta arrestonit e dërgonit në qeli..?
Këto sinjale ishin nga shefi i sektorit dhe i seksionit pasi ata kishin më shumë informacione se unë.

Nuk ndërhynit dot si strukturë antidroge?
Ne nuk ndërhynim dot për arsye se çdo gjë bëhej nga shefi i seksionit dhe sektorit dhe vazhdonim më lart, por pengohej hetimi apo shoqërimi këtyre personave këtij grupi të strukturuar kriminal, nga më lart, nga krerë të lartë të Policisë së Shtetit, ata kishin mbështetje nga krerët e lartë të Policisë së Shtetit dhe në ishim të pambrojtur, ishim në mëshirë të fatit dhe ishim të shkarkuar nga detyrat dhe gradat e ndjenim çdo ditë dhe çdo orë si brenda dhe jashtë komisariatit në drejtorinë e policisë.

Mendoni se ka qenë ndikimi i tyre transferimi dhe arrestimi juaj, Zaganit dhe oficerëve të tjerë?
Ka qenë ndikimi i këtij grupi të strukturuar kriminal dhe grupeve të tjera kriminale, që operonin së bashku, pasi këta morën në administrim gjithë aktivitetin kriminal në fushën e narkotikëve të rrethit Fier dhe Vlorë.

Ky grup kriminal?
Po. Nga informacionet që kemi pasur ne, po. Nga informacionet që kishim, kishin marrë në kontroll gjithë aktivitetin kriminal në fushën e narkotikëve edhe të drogave të rënda si heroina dhe kokaina.

Do rikthehemi aty, por dhe një herë raporti me SHKB, a kishit presione e trysni?
Kur është arrestuar shefi i seksionit dhe dy agjentët e antidrogës dhe kur unë jam transferuar në Lushnjë, kam pasur telefonata nga oficerët e SHKB.

Kujtoni ndonjërin prej tyre?
Po, një nga oficerët ka qenë Berti, nuk e kujtoj për momentin mbiemrin, dhe më telefononte çdo dy ditë në komisariatin e Lushnjës dhe për këtë janë dëshmitarë edhe kolegët e mi në Lushnjë.

Çfarë kërkonte nga ju?
Unë nuk e kuptoja se çfarë kërkonte, por vinte e më takonte disa herë. Në një nga rastet më ka thënë se ka ardhur shefi i ri i SHKB këtu në Lushnjë dhe do ta takosh. Mohova ta takoj, sepse nuk kam punë, pasi nuk jam punonjës i SHKB,-i them. Por ai këmbënguli dhe unë vajta të takoj shefin e SHKB dhe Berti më tha se ky shefi është mik i afërt me krerët e lartë të Policisë së Shtetit, me drejtorin e përgjithshëm dhe me ministrin dhe kaq më tha. Kur dolëm më bënte provokime sikur duhej të takoja unë një person që ne i kishim bërë kontroll automjeti dhe unë duhej ta takoja për ta pyetur si është puna, ishte një skemë për të më bërë ndonjë grackë. Më thoshte se ka bërë një dëshmi për ty, ndaj është. mirë ta takosh ti nga afër dhe të merresh vesh. Një përpjekje për të sajuar prova dhe akuza.

A ju kanë kërkuar para?
Po ka qenë një rast kur ai ishte plot me aparatura ishte me përgjues me vete dhe me fliste me shenja dhe me zë të mbytur, më thoshte që të pranoja faktin, se më duhen dymijë euro, në fillim më tha se duhen pesë mijë euro, ma bënte me shenjë me gishta, 5 euro, do vinë edhe ata të Tiranës. I them se nuk kam përse të jap asnjë lekë, sepse nuk kam bërë asnjë vepër penale. Dhe këtë e ka bërë shumë herë. Unë e shikoja se ishte gjithnjë me përgjues dhe kamera në trup, duke tentuar të më fusnin në grackën e tyre për një akuzë e fabul që kishin krijuar ata.

A keni pasur kërcënime gjatë kësaj periudhe?
Kam pasur kërcënime nga Habilajt, në mënyrë indirekte për vete dhe për familjen, nga këta direkt, por edhe pjesëtarë të tjerë të bandës Si ishin kërcënimet? Kërcënimet ishin të tipit mafioz, që e ke kaluar vijën e kuqe dhe me ty do të merremi në forma të tjera, m’i dërgonin me persona indirekt, me njohje pak a shumë të përbashkëta.

Dhe, ndonëse në një gjendje të tillë kanosjeje e tensioni, vijuat punën?
Po, vazhdova, madje në fund të prillit, kam pasur dhe biseda me shefin e sektorit, ku më ka sqaruar se ka një trysni ndaj teje nga ish-drejtori, trysni ndaj ish-shefit të sektorit. Çfarë kërkonin nga ti? I thoshin që këtë do ta largojmë nga puna, do ta fusim në burg, ishin biseda konfidenciale me shefin e sektorit.

Përse donin ta bënin këtë ndaj jush?
Me sa kuptoja unë, sepse mua më kanë marrë edhe nga qendra lart. Kush të ka marrë dhe përse të kanë marrë? Kisha tetë vjet në detyrë dhe s’më kishin marrë asnjëherë, por me merrnin me numra me 41, dhe më prezantoheshin si shefa të analizës, dhe më thoshin se nuk je shumë i aftë dhe i saktë për informacionet që përpilon.

Kjo pas dërgesës së këtyre informacioneve?
Po. Madje, në bisedë me shefin e sektorit më ka thënë që të largohem nga Shqipëria, pasi isha në rrezik për sigurinë time dhe të familjes, për të mirën tënde duhet të largohesh, pasi kam shumë informacioni e se je në rrezik, si nga grupet kriminale, ashtu edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Brendshme… Gazeta Shqiptare

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

1 COMMENT

LEAVE A REPLY