Basha: Tu heqim imunitetin deputetëve, 4 anëtarë të PD e kundërshtojnë

Basha: Tu heqim imunitetin deputetëve, 4 anëtarë të PD e kundërshtojnë

334
0
Shares

Partia Demokratike do të hartojë një propozim ligjor për heqjen e çdo lloj imuniteti për deputetët e Parlamentit. Ky propozim ligjor është prezantuar në mbledhjen e Grupit nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Nga mbledhja me dyer të mbyllura e Grupit Parlamentar bëhet e ditur se Basha u ka prezantuar deputetëve të tij mundësinë e propozimit të një nisme ligjore, ku deputetët e Parlamentit do të zhvishen nga çdo imunitet parlamentar. Propozimi i Bashës ka ardhur pas situatës së ndodhur në Kuvend me rastin “Tahiri”, ku pavarësisht se Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e deputetit, PS refuzoi t’ia japë këtë mundësi organit të akuzës. Por propozimi i kreut të PD-së nuk gëzon mbështetjen e të gjithë deputetëve demokratë në parti. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se deputetët Gent Strazimiri, Flamur Noka, Edi Paloka dhe kreu i republikanëve Fatmir Mediu kanë qenë kundër këtij propozimi të Bashës. Sipas deputetëve demokratë, zhveshja e deputetëve nga imuniteti parlamentar do të shfrytëzohet nga Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama për hakmarrje politike dhe shou mediatik ndaj shumë prej deputetëve të PD-së. Të njëjtat burime kanë sqaruar se deputetët e PD janë shrehur se kreu i qeverisë ka treguar jo në pak raste se shfrytëzon çdo hapësirë ligjore për t’u hakmarrë ndaj opozitës dhe përfaqësuesve të saj. Propozimi i kreut të PD-së do të shqyrtohet edhe në mbledhjen e ardhshme të Grupit Parlamentar, përpara se të kalohet në një vendimmarrje për të hartuar një nismë konkrete ligjore.

QËNDRIMI

Në përfundim të mbledhjes, Basha deklaroi se Parlamenti nuk ka asnjë të drejtë të rrëzojë kërkesat e organeve të drejtësisë. “Edi Rama ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin për të mbrojtur Saimir Tahirin. Parlamenti nuk ka të drejtë të rrëzojë një kërkesë të organeve të drejtë- sisë të bërë konform rregullave, as nuk ka të drejtë të kthehet në gjykatë dhe të gjykojë provat, kjo i takon Gjykatës. Edi Rama po mbron Saimir Tahirin sepse është peng i lidhjeve kriminale të Saimir Tahirit, i trafiqeve të drogës dhe sepse ka frikë nga hetimi i pavarur i drejtësisë, hetim që do të zbulojë edhe bashkëpunëtorë të tjerë në kupolën qeveritare, të krimit të organizuar. Ndaj po bën gjithçka për ta penguar këtë hetim. Drejtësia është e nëpërkëmbur, është e kërcënuar. Vetingu është i marrë fund me ketë qëndrim të Edi Ramës, që po e përdor për të kërcënuar prokurorët, vetëm pse guxojnë të hetojnë Saimir Tahirin dhe vendi është në një krizë totale kushtetuese, politike dhe morale”, theksoi kreu i PD-së.

KËRKESA

Basha iu drejtua me një thirrje faktorit ndërkombëtar, për të mbajtur një qëndrim ndaj kërcënimeve të Kryeministrit Edi Rama kundrejt përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë. Sipas Bashës, sulmet e vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ish-ministrit Tahiri kanë për qëllim gjunjëzimin e drejtësisë dhe garantimin e pandëshkueshmërisë së politikanëve.

“Fushata e kërcënimeve dhe sulmeve që Edi Rama, Fatmir Xhafa, Saimir Tahiri dhe shumica në pushtet kanë ndërmarrë prej tri ditësh ndaj Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë është një lojë e rrezikshme për gjunjëzimin e drejtësisë dhe thellimin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Ju bëj thirrje Komisionit të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe partnerëve të tjerë perëndimorë që kontribuuan për hartimin dhe miratimin e Reformës në Drejtësi, të bëjnë presion ndaj Kryeministrit dhe shumicës qeverisëse, që të ndërpresin menjëherë këtë fushatë kërcënimesh dhe presioni ndaj drejtësisë, e cila ka për qëllim gjunjëzimin e drejtësisë dhe garantimin e pandëshkueshmërisë së politikanëve, të ekspozuar publikisht si të lidhur me krimin”, deklaroi Basha./panorama/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY