“Bandat kriminale, do të dalin emra të tjerë, ndoshta më të rëndësishëm...

“Bandat kriminale, do të dalin emra të tjerë, ndoshta më të rëndësishëm se Tahiri”

221
0
Shares

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, në një intervistë ka bërë një skaner lojërave politike që kreu i qeverisë po luan me rastin “Tahiri”.
Sipas tij, Rama është përballë dy presioneve: njëri që vjen prej ndërkombëtarëve për ta dorëzuar dhe tjetri vjen nga ish-ministri, i cili e ka kërcënuar se do ta fundosë.
Sipas tij, Rama është pjesë e një prej bandave kriminale, e cila kontrollohet prej tij dhe Tahirit dhe që ka rrezik t’i dalë jashtë kontrollit.
Ndërsa duke folur për aksionin opozitar, Shehi tha se si fillim duhet të denoncojë bandat që veprojnë në vend, e më pas do të vijojë me ndërgjegjësimin e organeve të drejtësisë dhe nisjen e protestave popullore. Intervista për “Shekulli”:

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit të PS-së përjashtoi nga grupi parlamentar i partisë deputetin Saimir Tahiri, në emër të hetimit të paanshëm për përfshirjen në dosjen “Habilaj”, ndërkohë që dy ditë më parë i doli në mbrojtje. Si e lexoni ju këtë?
Kryeministri Rama po luan lojë të dyfishtë. Nga njëra anë e ka refuzuar, përderisa e përjashton nga grupi parlamentar, duke thënë se politikisht ky njeri nuk bëka. Pse po e përjashton? Sepse ka dyshime të veta që ky qenka i rrezikshëm dhe e bëka pis Partinë Socialiste, prandaj po e largon? Po kur e bëka pis PS-në pse nuk e bëka pis Kuvendin? D.m.th. Rama nuk e mbron në rastin e partisë, dhe e mbron në rastin e Kuvendit. E padëgjuar. Këtu ka diçka që nuk shkon. Duket se ka dhe të tjerë që janë të përfshirë në këtë skandal. Dhe duke e ditur këtë, Tahiri i ka kërcënuar. Të ndodhur mes dy zjarreve kanë nisur të luajnë me dy standarde. Në njërën anë thonë që nuk kemi punë me këtë njeri, pasi polikisht e kemi dorëzuar, ndërsa nga ana tjetër mundohen të na mbushin mendjen se ia kanë dorëzuar drejtësisë. Po si mund të pretendosh se ia ke dorëzuar drejtësisë dhe të deklarosh se nuk janë plotësuar kushtet, sepse nuk ka ende prova dhe fakte të mjaftueshme për t’i hequr imunitetin?!
Zhveshja politike që mundohet t’i bëjë Rama Tahirit nuk ka asnjë vlerë, sepse Tahirin nuk po e gjykon njeri për ta futur në burg. Parlamenti nuk fut njeri në burg, atë rol e ka gjykata. Nga kjo pikëpamje Partia Socialiste e ka mbrojtur për të mos e dorëzuar. Rama i ka thënë që ne nuk të dorëzojmë me kushtin që ti mos të hapësh gojën, që të mos na kërcënosh siç na ke kërcënuar deri tani. Nga kjo pikëpamje kjo është shumë më e rëndë se sa ajo që kishin në mendje. Kjo gjuhë teknike e mafies quhet “omerta”, pra çfarëdo që të ndodhë, ti duhet të mbyllësh gojën. Rregulli i mafies është heshtja. Dhe këtij i kanë thënë, “ti mund të shpëtosh, nëse ti hesht. Ne po të mbrojmë që të mos përfundosh në burg, në shkëmbim të omertas, heshtjes”.

Këto që deklaroni ju janë vetëm lidhje logjike, për të mos thënë që janë hamendësime. Duhen fakte, dhe këtë gjë thotë dhe kryeministri, nuk ka fakte të bollshme për t’i hequr imunitetin…
Faktet që ofruan prokurorët janë tmerruese. Tashmë është e certifikuar dhe me fakte që ata janë pjesë e një organizate kriminale.

A nuk ju duket z. Shehi se kryeministri Rama, dhe përjashtimin nga PS e ka bërë për shkak të presionit nga ndërkombëtarët, nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse nuk i kanë kërkuar të huajt PS-së që të mërkurën të votojë pro heqjes së imunitetit në Kuvend?
Unë jam i bindur që ka pasur një presion nga ndërkombëtarët për t’i hequr imunitetin, prandaj Rama është detyruar të bëjë këtë manovër. Por mos të harrojmë se Rama gjendet mes dy zjarreve, sepse Tahiri po ashtu i ka bërë presion nga dita e enjte kur doli në televizion. Tahiri i ka thënë se “unë nuk do të iki vetëm, në këtë barkë do të përmbysemi bashkë”. Prandaj nga e shtuna u detyruan t’i bëjnë atë mbrojtje që i bënë të shtunë dhe të diel. As ata nuk e dinë se deri ku ka shkuar shkalla e kriminalizimit të strukturës, këtë punë e di vetëm z. Rama dhe z. Tahiri. Kjo lloj tango kriminale duhet të marrë fund. Kjo është shpresa, kjo është zgjidhja për shqiptarët.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY